Ekonomia po rrëshket

0
41

Faktori Plus

Faktori Plus, 02.02.2010

Qeveria shqiptare po merr paralajmërime të përsëritura nga institucionet financiare dhe opozita politike në vend rreth mënyrës se si ka planifikuar buxhetin e vitit 2010 dhe mënyrën se si ka menaxhuar dështimin e buxhetit të vitit 2009.

Thelbi i paralajmërimeve ka të bëjë me faktin se qeveria kishte planifikuar një deficit buxhetor rreth 500 milionë dollarë, në të vërtetë e çoi atë në 900 milionë dollarë, duke e ndryshuar tri herë përmes akteve normative sasinë e të ardhurave në buxhet.

Qeverisë ju bënë paralajmërime të ngjashme dhe në fillim të vitit të kaluar por ajo nuk i respektoi ato. Përkundër paralajmërimeve Berisha u përfshi në një debat paksa qesharak duke pretenduar se rritja ekonomike e Shqipërisë ishte dyshifrore dhe shkonte deri në 15 për qind. Fundi i vitit rezultoi se ai nuk paguante dot rrogat dhe pensionet dhe deficiti shkoi në 900 milionë dollarë. Ky vit është dhe më i keq, për shkak se vendi është zhytur në borxhe, kriza e vendit fqinjë Greqisë po përplaset mbi emigrantët shqiptarë dhe politikat fiskale të qeverisë po shkojnë drejt rrënimit të bizneseve dhe jo drejt gjallërimit ë tyre.

Niveli i kreditimit nga bankat ka rënë për shkak te angazhimit të tyre në blerjen e bonove të thesarit që balancon borxhin e brendshëm të qeverisë dhe mban të larta interesat e kredive në treg. Nga gjithë ky rreth vicioz ku është futur e ardhmja e ekonomisë këtë vit, nuk po shihet asnjë plan për ringritjen ekonomike nga qeveria, ndërkohë që ata që po thërrasin janë opozita dhe Banka Qendrore. Ky është një fenomen i pazakontë për çdo vend të botës. Në çdo vend të botës qeveria kërkon të bëj reforma ekonomike dhe të shpëtojë vendin nga kriza financiare duke paralajmëruar masa shtrënguese, dhe opozita i kundërshton ato, në Shqipëri ndodh e kundërta. Opozita kërkon reforma ekonomike që vendi t’i ikë spirales së krizës dhe borxheve dhe qeveria nuk e pranon realitetin ndërkohë që duke e fshehur atë, vepron pa vizion dhe gjendet para faktit të kryer, kur nuk realizon dot buxhetin.

Kjo mënyrë e papërgjegjshme e sjelljes ndaj krizës ekonomike, i tejkalon kufijtë e përdorimit politik. Qeveria nuk ka më asnjë rrezik elektoral apo politik të pranojë krizën ekonomike dhe të shpallë një plan të qartë për tejkalimin e saj. Opozita që mund ta sulmonte në këtë rast, është një hap përpara qeverisë në alarmin që po jep për këtë situatë.

Është e pakuptueshme se si Ministri i Financave që ka korrigjuar tri herë buxhetin brenda vitit të thotë që nuk ka krizë financiare. Është e pazakontë që kryeministri, i cili e ka zero rritjen ekonomike të vazhdojë të thotë që jemi vendi i vetëm që kemi rritje ekonomike. Por mbi të gjitha është e pazakontë që në një vend, i cili po zhytet përditë në spiralen e krizës, të ketë kaq shumë guxim sa ka qeveria jonë, e cila nuk e pranon krizën dhe si rrjedhim nuk kemi asnjë plan për t’i ikur pasojave të saj.