Ekonomi tregu apo tregti klanesh

0
27

Vangjush Saro, 22.07.2010

Vazhdon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik beteja për gjendjen ekonomike të vendit, çka e nxiti edhe më tepër diskutimi për shkurtimin e buxhetit. Me këtë rast, moskuptimet midis opozitës dhe pozitës, kanë hyrë në një fazë të re “luftarake”.

Në fakt, shkurtimi i buxhetit pasqyroi problematikat e hershme dhe shfaqjet më të reja të krizës shqiptare, e paralajmëruar si për cilindo nga vendet e rajonit. Por edhe përtej këtij diskutimi, ka pasur dhe ka një kakofoni qëndrimesh për kaq sa kemi arritur; dhe për fat të keq, në vend të transparencës, rëndom konstatojmë vetëm demagogji.

Këtu deklarohen në vazhdimësi suksese të mëdha në ekonomi dhe reforma; herë pas here ne ngjitemi në vendin e parë në planet (ja më e pakta, në të dytin) për disa tregues që mund të përpunohen ashtu si plastelina. Po për këtë do të flasim më poshtë.

E vërteta është që me gjithë këto konstatime optimiste, sërish heqim e vuajmë, kemi një situatë absurde sa i takon jetës qytetare, kontrollit mbi varfërinë dhe krimin dhe tani, shkurtojmë edhe çerekun e buxhetit. Por kjo nuk pasqyrokërka as krizë, as pasiguri; përkundrazi, bëhet në emër të “sigurisë për të ardhmen”. Kështu i dëgjuam të thoshin disa deputetë, që për hir të së vërtetës, kur zhvillohej Kampionati Botëror i Futbollit…diskutonin më mirë.

Me fjalë të tjera, me më shumë kompetencë. Natyrisht, ne duhet të gjejmë fjalët dhe të merremi vesh e të ndërtojmë ndonjë plan për ecurinë e mëtejshme të këtij vendi, sot pothuaj në kaos.

Po them se ne duam (kemi vullnet e aspiratë) të pranojmë që po hedhim ndonjë hap përpara, në reforma dhe në afrimin me BE, së paku në fushën e legjislacionit dhe të parimeve për demokraci dhe ekonomi tregu. Por sapo që mbarojnë fjalët dhe fillojnë veprat, ngatërrohemi.

Zgjidhja? Na duhet të vështrojmë veten tonë dhe problemet tona me thjeshtësi e gjakftohtësi. Mirëpo nuk e bëjmë. Ani. Do të ishte mirë të kujtojmë disa prej raporteve dhe konstatimeve të organizmave apo mediave ndërkombëtare (që nuk janë nën diktatin e ca pronarëve anonimë dhe që nuk mbijetojnë duke vënë gjoba ose për të marrë ndonjë tender).

Në një raport që revista e njohur “Forbes” publikonte përpara disa kohësh, thuhej qartë se të drejtat e sipërmarrjes në Shqipëri janë të cenuara dhe “ligji funksionon pak në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre me palët e treta”.

Sipas atij raporti, Shqipëria mbetet vendi më i vështirë për të bërë biznes në rajon. Korrupsioni në vend mbetet i lartë, përparimi teknologjik i ulët, etj. Në të njëjtin raport, vende të tjera, fqinjë me Shqipërinë, por edhe më gjerë në rajon, vlerësoheshin se zbatojnë “një legjislacion të plotë në mbrojtjen e të drejtave të sipërmarrjes”.

Realisht, bllokimi i biznesit vendas dhe nivelet e ulëta të investimeve të huaja në Shqipëri, tregojnë për një klimë të vështirë për sipërmarrjen në vend. Pavarësisht se evidentonte disa përmirësime, edhe raporti që cituam më lart e vlerësonte Shqipërinë si një vend që vazhdon “të jetë në tranzicion dhe me zhvillime të pakta në drejtim të përmirësimit të klimës së të bërit biznes”. Por në një tjetër raport, këtë herë të Bankës Botërore, Shqipëria renditej ndër vendet ku “është e lehtë të hapësh një biznes të ri”.

Duhet të bëjmë kujdes për termat. Jo çdo arritje prodhon mbarësi. Në të njëjtin dokument të Bankës Botërore, shkruhej se në vendin tonë ishte ulur shuma e kapitalit fillestar “për të hapur biznes të ri”. Po a përbëjnë sukses lajme të tilla pothuaj shkresërore, si ta themi, në letër?
Le të zbresim në terren. Ka një rëndim të bizneseve që vendosin të ulin “qepenat”. Bie fjala, regjistrimet për Dhomat e Tregtisë, prej disa kohësh janë në nivele komike.

Ka disa shpjegime për këtë. Po marrim në sy ndonjërin prej tyre. Në se biznesi hyn në lojë me shpresë se do të ketë shanse për të zhvilluar veprimtarinë e vet, por konstaton se në të gjitha fushat janë përcaktuar “lojtarët”, zotërit e tenderave, të parapëlqyerit e qeverisë, atëherë pagesa e ulur për të regjistruar biznesin është thjesht një skeç. Deri edhe në fushën e botimeve e të librit, siç është parë qartë në disa raste, ka anësira të patolerueshme.

Një situatë e tillë, i çon sukseset dhe fitimet në pak duar, largon mundësinë për punësim, nuk i jep shanse qarkullimit të parasë. Dhe që të kthehemi te shkresat, në daçi parimet (në letër), nuk mund të themi se kemi filluar nga puna vetëm duke iu gëzuar renditjes për sa iu përket lehtësirave për të bërë biznes.

Le të kujtojmë që sipas “Doing Business 2010 Report”, vendi që ka marrë “Palmën e artë” për reformat e bëra, është…Është kush na është? Ruanda. Po, po. Sa i takon kësaj teme, ajo gjendet në vendin e 67-të, duke lënë pas edhe vende si Italia.

Pra, ndërsa puna dhe fitimet janë me hile, e vërteta ka mbetur e varur pezull te disa tregues formalë, që nuk pasqyrojnë me doemos gjendjen reale të ekonomisë dhe të sipërmarrjes. Dhe kjo gjë, bie erë demagogji e krizë; edhe dobësimi i disa institucioneve që do të duhej të udhëhiqnin e mbronin biznesin, si Dhomat e Tregtisë, flet ndërkohë për një gjendje të sëmurë.

Më në fund, mund të themi se erdhëm te ky shkurtim buxheti si rezultat i zhvillimeve të një krize të përgjithshme, si rezultat i nënvleftësimit të ndikimit të saj në vendin tonë, por më së pari për shkak të megalomanisë që nuk po na ndahet.

Vështro brenda vetes, ji modest, përpiqu t’i afrohesh sa më shumë së vërtetës, jepi fund monopolizimit të tregtisë dhe shërbimeve. Këto do të ishin disa këshilla për ata që (shpesh kanë treguar se) nuk dinë të dëgjojnë, përfshirë kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Nuk mund të vazhdohet më duke i drejtuar punën dhe fitimet vetëm në adresë të klaneve dhe grupeve të caktuara. Kështu nuk kemi shanse të ecim përpara.