Nga Kledian Lula, 6 Tetor 2011
Prej mëse 20 ditësh, një grup prej 16 gazetarësh nga 6 vende të Europës, kanë ardhur në Shqipëri dhe për 3 muaj radhazi, ata do të realizojnë aktivitet turistik në disa zona të vendit. Drejtuesi i grupit turistik, një miku dhe kolegu im gazetar gjerman, më konfirmoi, se i veçantë është fakti, që ky grup turistik nuk ka lidhje me pushimet në det, në mal, në kanione, as me fotografim natyre e relaksime në kampingje dhe fshatra turistikë. Gjithçka ka lidhje me një lloj tjetër turizmi të ri, të panjohur e të aplikuar më parë në Shqipëri dhe që ata e quajnë “Turizmi kriminal qeveritar”. Objekt i këtij lloj turizmi është evidentimi i ngjarjeve që kanë tronditur shoqërinë shqiptare, fotografimi i vendeve ku kanë ndodhur këto ngjarje dhe pasojat, pa lënë jashtë “guidës” personazhet që i kanë shkaktuar dhe ata që kanë pësuar dramat njerëzore, apo ekonomike.
Këtë gjë, grupi “turistik” gjerman e ka bërë në 34 vende të botës, ndërkohë që 20 vitet e fundit e ka realizuar në pothuajse të gjithë vendet e ish-Lindjes Komuniste dhe në vendet e ish-Federatës Jugosllave. Sipas bisedës me mikun dhe kolegun tim gjerman, në vitet 1992-1997 dhe në 6 vitet 2005-2011 pushtet të drejtuar prej Sali Berishës, ata kanë dëgjuar episode tronditëse që kanë lidhje me botën e krimit ekonomik e njerëzor dhe që kanë për autorë, realizues, mbështetës, mbrojtës e përfitues kupolën e pushtetit, segmentet e drejtësisë, kryeministrin, ministrat dhe familjarët e tij.
Grupi është ndarë në katër grupe “turistike”, me veprim në katër zona gjeografike të Shqipërisë. Sipas programit “turistik”, për të realizuar guidën e “turizmit kriminal” të pushtetit të Sali Berishës, ata po i referohen informacioneve publike të nxjerra nga mediat vendase e ndërkombëtare, por dhe “udhë-rrëfyesve” e “ciceronëve” të komunitetit, për të evidentuar ngjarjet, për të fotografuar vendet ku kanë ndodhur, për të intervistuar personazhet viktima të mbetura gjallë, ose familjarë të tyre.
Dje, krejt në konfidencialitet, jam njohur me veprimtarinë e deritanishme të eksplorimit të tyre “turistik”. Ata kishin fotografuar vendin ku ishte rrëmbyer dhe zhdukur biznesmeni Koço Dado. Kishin filmuar ish-qendrën e biznesit ku ishte rrëmbyer biznesmeni shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Kishin fotografuar qelinë e burgut 313 ku Remzi Hoxha i ishte mbajtur peng për 12 orë. Kishin fotografuar zyrat e torturave të të ish-kreut të SHIK Bashkim Gazidede, të Arben Sefgjinit dhe Ilir Kumbaros, personave që kanë organizuar rrëmbimin dhe zhdukjen e tij. Kishin fotografuar vilë-qendrën e torturave të SHIK në Vajin të Lezhës, ku biznesmeni Remzi Hoxha u masakrua dhe u zhduk pa asnjë gjurmë.
Kishin fotografuar ish-ndërtesën e djegur të redaksisë së gazetës ish-opozitare “Koha Jonë”. Kishin fotografuar shtëpinë e Nikoll Lesit tek shkolla “Petro Nini Luarasi”, ku SHIK dhe policia sekrete e pushtetit të Sali Berishës qëndron “non stop” për të arrestuar ish-botuesin Nikoll Lesit. Kishin fotografuar gropën tek Liqeni Artificial i Tiranës, ku agjentët e SHIK të Sali Berishës kishin rrëmbyer, torturuar, sakatuar dhe hedhur në gjendje gjysëm të vdekur, dy gazetarët opozitarë të kohës Bardhok Lala dhe Zamir Dule. Kishin fotografuar hyrjen e pallatit ku kamikazë të pushtetit të SalI Berishës, kishin masakruar fizikisht Edi Ramën, sot kreu i PS.
Kishin fotografuar vendet ku policia dhe SHIK i Sali Berishës, kishin masakruar drejtuesit e opozitës socialiste në zgjedhjet e vitit 1996. Kishin fotografuar burgun e Bençës, ku mbahej I burgosur ish-kreu i opozitës dhe kreu i PS Fatos Nano. Kishin fotografuar zyrën në selinë qendrore të PDSH, ku ishte ngritur dhe funksiononte shoqëria tregtare e trafikut të armëve e karburanteve, më të cilat pushteti i Sali Berishës furnizonte pushtetin kriminal të Sllobodan Milosheviçit, kur ndaj tij ishte vendosur embargo ndërkombëtare.
Kishin fotografuar zyrat e firmave piramidale “SUDJA”, “VEFA”, “XHAFERRI”, “GJALLICA”, “POPULLI” etj, të cilat financuan pushtetin e Sali Berishës në vitet 1992-1997 dhe prej të cilave ishin zhvatur miliona dollarë e lekë prej kupolës së pushtetit të PD. Kishin fotografuar vendet, ku ishin bërë vrasje masive në periudhën janar-qershor 1997, kur ushtria e pushtetit të Sali Berishës u vërsul mbi popullatën që kërkonte lekët e vjedhura. Kishin fotografuar anijen me të cilën, në 28 mars 1997 u mbytën 118 shqiptarë në Otranto, në përpjekje për të ikur nga Shqipëria e futur në zjarr dhe luftë civile prej pushtetit të Sali Berishës.
Kishin fotografuar vendet ku ishin bërë masakra në Tepelenë, Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër gjatë revoltës së vitit 1997. Kishin fotografuar stadiumin ku më mars 1997 ishte mbajtur peng dhe ishte “rrahur me presh” nga populli i Lushnjës, ish-kreu i PDSH Tritan Shehu. Kishin fotografuar fushën e djegur të Gërdecit ku ishte ngritur fabrika qeveritare e vdekjes dhe ku u vranë 26 persona në demontimin dhe trafikun qeveritar të municioneve. Kishin fotografuar fshatin Gërdec të shkrumbuar e të bombarduar nga shpërthimi i municioneve. Kishin fotografuar fëmijë e të rritur në Gërdec, të cilin ishin të gjymtuar fizikisht nga ky biznes-masakër qeveritare.
Kishin fotografuar vendin ku u vra “aksidentalisht Kosta Trebicka. Kishin fotografuar vendin ku në një mesnatë, ishin takuar Kosta Trebicka dhe djali i kryeministrit Sali Berisha, në kohën kur bëhej trafiku i municioneve. Kishin filmuar vendin ku u dogj makina e botuesit të gazetës “TEMA”. Kishin fotografuar vendin ku gjendej e rrethuar dhe e bllokuar me policë shtypshkronja e gazetës “TEMA”. Kishin fotografuar vendin ku vra në prit deputeti i PS Fatmir Xhindi dhe kryekomunari nga Kukësi Remzi Veseli. Kishin fotografuar vendet ku ishin vrarë 4 demonstruesit e 21 janarit 2011. Kishin fotografuar vendet se ku qëndronin gardistët vrasës. Kishin fotografuar zyrën e kreut të KQZ, Arben Ristani, ku ishte bërë krimi i vjedhjes së votës.
Të katër grupet e gazetarëve europianë po vazhdojnë të mbushin me fakte dhe episode guidën e “turizmit kriminal” të pushteteve të Sali Berishës. Ata do të fotografojnë edhe vende ku janë vetëvarur e janë vet-vrarë njerëz nga varfëria, ku zhvillohet krim ekonomik me autorë eksponentë të lartë shtetërorë e qeveritarë, si në Bulqizë, Pukë, Kukës, Pogradec, në guroret që po rrafshojnë malet e Tiranës, Skraparit, Krujës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Pogradecit e deri tek ish-ndërmarrjet ekonomike gjigande, të kthyera në gërmadhë e të plaçkitura prej njerëzve të pushtetit si dhe përmbytja e Shkodrës. Kjo “guidë turistike” e veçantë është e para “vepër” e këtij lloji, që do të prezantojë në botë, “turizmin kriminal” të bërë prej kupolës së pushtetit në Shqipëri.