Eduard Selami pas divorcit me Missin “martohet” me Berishën

0
75

Politikë, Nga JAKIN MARENA, 14 Shkurt 2013

TIRANE – Për 18 vite me radhë Eduard Selami ka qënë prezent në Shqipëri sa herë kanë ardhur zgjedhjet e sa herë ka pasur ndonjë kongres të PD. I përzënë me dhunë nga drejtimi i PD në vitin 1995, pak muaj pasi Berisha humbi referendumin për Kushtetutën, pasi tentoi të bashkonte postin e kryetarit të PD me atë të kryeministrit, duke kërkuar largimin e Meksit, Selami ish-kreu i PD tenton një afrim me Berishën, ku pavarësisht se në 18 vite jashtë vendit, vetëm dy vite më parë mundi të takojë. Por as nuk s’gjeti mbështetje, duke bërë që gjithnjë të qëndronte në kontakte me ata që ishin kundër Berishës por dhe me eksponentë të majtë.

Këtë radhë me sa duket Selami po tenton të ingranohet në PD, madje me një post deputeti të thjeshtë për të rifilluar sërish nga zeroja në politikë, pasi vajtja në SHBA, ka qënë një humbje kohe për të. Me një karrierë nga benzinatat në SHBA për t’u ngritur në nivelin e shitjes së makinave të vjetra, Selami gjithnjë mbajti një vesh nga Tirana, ku fiktivisht për hir të statutit është anëtar i KK të PD. Tani duket se ka ardhur momenti për të qënë kandidat për deputet në qarkun e Elbasanit, për shkak të origjinës së tij nga Librazhdi ose në Berat.

Për më tepër, Selami tashmë nuk ka as detyrime familjare, për shkak të divorcit me bashkëshorten e tij Pegi Vreto, ish-mis Buzëqeshja më 1994, me të cilën në vitin 2010 është ndarë përfundimisht për shkak të xhelozisë. Dhe përpos dy djemve, njëri afër 20 vjeç Riçardi, që ka nun të ndjerin Riçard Hollbruk e Xhorxhin, si dhe pistën e makinave të vjetra të gatshme për t’u shitur Selami s’lë asgjë tjetër në SHBA, duke tentuar një “martesë” politike me kreun e PD Berisha. Ose ndoshta për t’u përdorur nga ai si një “pykë” me Topallit e Bashës, në përplasjen e tyre në përpjekje për të qënë pasues të kreut të PD.

KTHIMET
Historia e PD ka qenë një histori largimesh e kthimesh të mëdha, që e kanë shoqëruar përmbi 22 vjet nga themelimi. I pari ka qënë Azem Hajdari themelues dhe kryetar i parë i PD, që i la vendin Berishës e më pas u përjashtua, ku vra tragjikisht më 12 shtator 1998. Çarja e parë në PD ka ndodhur në vitin 1992, kur largohen themeluesit Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Ritvan Peshkëpia, Frrok Çupi për të themeluar AD.

Janë larguar me radhë Petrit Kalakulla, Eduart Selami, Dashamir Shehi, Genc Ruli, që krijuan LPD. Më vonë ikën Genc Pollo, Tritan Shehu, Ferdinant Xhaferraj, Leonard Demi, Ylli Vejsiu, Maksim Cikuli që krijuan PDR e më pas Ngjela e Zogaj. Përjashtuar Hajdarin, Kalakullën që s’jetojnë më, Ngjelën e Zogajn që kanë ikur prapë, të gjithë janë kthyer në PD me poste ministri, mandate deputeti apo drejtorë drejtorie e ambasadorë.

(Foto: Ironia e Shenasi Ramës për Selamin, me pikturën e Rembrant, Kthimi i djalit plangprishës)

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg./shqiptarja.com)

—————————————-

FOTOLAJM/ Ironia e Shenasi Ramës për kthimin e Selamit

TIRANE – Ish-themeluesi i PD Shenasi Rama profesor në Nju York University, SHBA ka gjetur një mënyrë ironike për të perifrazuar kthimin e Eduard Selamit te Berisha, me diçiturën “Kthimi i Deputetit të
Ardhshëm.!” Shenasi Rama publikon pikturën e Rembrantit “Kthimi i djalit plangprishës”.

“Ai në hije është Shoku Ramiz, është ngjallur për krembrant ëtë rast. Por në rastin tonë titulli duhet me kenë, kthimi i djalit plangprishes tek baba hajn, cub e kriminel. Ajo që ndodh është se këta fryhen në Tiranë e kur ikin e kuptojnë se s’vlejnë as për të shitur makina.

Për të qënë dikush në katundin e madh Tiranë e për të mbushur xhepat, mbasi s’dinë të jetojne me nder e të integrohen si njerez në një shoqëri normale i ngjiten Saliut”, komenton Shenasi Rama në facebook.

Dy ditë më parë në një intervistë televizive për Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, Eduard Selami i cili prej 15 vitesh jeton tanimë në Shtetet e Bashkuara deklaroi se ishte i gatshëm të rikthehej në radhët e Partisë Demokratike nëse do të kishte një ftesë për t’u përfshirë në garën elektorale.