Arjan Th. Kallço
Startoi edhe në këtë tetor 2012 edicioni i ri, i 12-ti, i javës së Gjuhës Italiane në të gjithë botën, një veprimtari që tashmë është kthyer në traditë qysh nga viti 2001. Një event i jashtëzakonshëm që shesh si organizatorë një sërë institucionesh italiane që nga Ministria e Jashtme, Akademia Kruska e Firences, Institutet italiane të Kulturës, Shoqatën Dante Alighieri, Departamente universitetesh, Ambasada, Konsullata, të gjitha të koordinuara nën kujdesin e Presidentit të italisë, Xhorxho Napolitano. Ky event ka patur një sukses të madh në vite, pjesëmarrës të shumtë që interesohen për gjuhën dhe kulturën italiane, dashamirës, miq të vendit që në shekuj i ka dhënë njerëzimit lëvizjen më të madhe, të pakonstatuar ndonjëherë dhe që përfshiu të gjitha sferat e shoqërisë.
Nëse Java e I e filloi rrugëtimin e vet me një temë të kuptueshme, kultura pa gjuhën mbetet vetëm një orendi e pazbërthyeshme dhe e pakuptueshme, se cila është ecuria e saj, nga vjen dhe ku shkon, në vitet e fundit ka patur kulminacione që lidhen me Italishten si një gjuhë mike apo me 150 vjetorin e Bashkimit te Italisë, një ngjarje që është themeli i një vendi që sot është shembull i Made in Italy, që flet nëj gjuhë letrare kombëtare në sajë të plejadës së ndritur të njerëzve më të shquar që ajo i lindi. E tek ne vendi ynë fqinj ka vërtet rast të festojë dhe gëzojë, pasi lidhjet e shekujve tashmë janë konsoliduar si në ekonomi, tregti, art, kulturë, shkencë etj.
Numëri i italishtfolësve, emigrantët e shumtë dhe bashkëpunimet afatgjata të sigluara në marrëveshjet midis dy vendeve tona, janë tashmë një realitet i dukshëm dhe i prekshëm. Çdo vit me mijëra studentë shqiptarë mbushin auditorët e universiteteve italiane që këtë vit e hapën orientimin e tyre në tiranë dhe ku morën pjesë 22 universitete italiane. Kurset e gjuhës italiane ndiqen nga nxënës të shumtë që e shohin të ardhmen e tyre të studimeve në Itali. Shoqata Dante Alighieri, anëtar i së cilës jam edhe unë, ka rreth 400 komitete në botë dhe një numër kursantësh që arrin në rreth 190 mijë.
Gjuha është identiteti i një kombi ashtu si e gjithë kultura dhe pa të nuk ka me se të mburret sot. Por Italia mburret jo vetëm me gjuhën e Dantes dhe dishepujve të shumtë që e pasuan, por edhe me kulturën e lashtë që e gjen të shprehur në trashëgiminë e gjerë botërore, kujtojmë se mbi 50% e saj ndodhet nën kujdesin e Unesko-s, me muzikën, artet, shkencën, kuzhinën, modën etj. Në Rumani mora pjesë në një konferencë të organizuar nga Departamenti i Italianistikës së Kraiovës dhe kumtesat tona kishin si synim të nxirrnin në pah pikërisht identiteti Italian përmes gjuhës, letërsisë dhe kulturës.
Për Ministrinë e Punëve të Jashtme kjo është një politikë kulturore për përhapjen e gjuhës dhe kulturës italiane jashtë vendit, të asaj gjuhe që lindi rreth 8 shekuj më parë dhe që u shndërrua në gjuhën e kulturës gjatë shekujve.
Nisma e përqëndron vështrimin në vendet ku zhvillohen veprimtaritë edhe me një konkurs që ka gjetur shprehjen më të bukur kudo ku gjuha italiane
studiohet, me temë Të shkruajmë bashkë(Shkruaj me mua,shën. i autorit) dhe që përqëndrohet tek nxënësit e shkollave të mesme dhe seksionet dygjuhëshe.
Të vjen keq, nëse i hedh një sy ftesës së programit të Institutit Italian të Kulturës në Tiranë do të shohësh një bollëk koordinimesh me universitetet tona, që në veprimtaritë e shumta në të gjithë vendin, mungon qyteti i Korçës, djepi i kulturës sonë kombëtare apo i Shkollës së parë shqipe, siç jemi mësuar ta quajmë shpesh. Koha ka ngelur në vend, pikërisht në qytetin që shumë vite më parë hapi shkollën e gjuhëve të huaja dhe më vonë seksionin dygjuhësh. Ka disa vite që flitet për një department të italishtes, por deri më tash nuk ka asnjë rezultat pozitiv dhe kjo e përjashton universitetin tonë nga bashkëpunimi me institucionet përfaqësuese italine në Shqipëri. Një hendikap që shtron para Ministrisë së Arsimit detyrën e plotësimit të këtij vakumi kulturor në Korçë.
Por nuk janë jashtë këtij eventi Seksioni dygjuhësh dhe shkollat 9-të vjeçare të qytetit, sipas koordinatores së Ambasadës në Korçë, zonjës Bruna Bassi, që në këtë Javë do të organizojnë shumë veprimtari, duke filluar me shfaqjen e një filmi Italian; më tej me punën e nxënësve në kujtim të njërës prej figurave më të mëdha të njerëzimit, shqipëtaren Gonxhe Bojaxhiu, Nënë tereza; seminari për dhunën ndaj grave dhe më pas do të kulmojë me dhënien e bursave të studimit, në kujtim të zonjës Miryam Benvenuto, që u nda nga jeta vetëm disa muaj më parë, të gjithë nxënësve që janë dalluar gjatë vitit të kaluar shkollor. Pra është një punë e lavdërueshme e shtetit dhe organizatave të shumta italiane që dinë të vlerësojë atë që është më përfaqësuese e identitetit të saj dhe ta përhapin në shumë vende, me një rrjet tepër funksional institucionesh, gjë që Shqipërisë i mungon prej kohësh.
Arjan Th. Kallço
Pedagog i Gjuhës italiane
Universiteti Fan S. Noli, Korçë