Edi Rama, procesi i zgjedhjes së Presidentit dhe frëngjia e kotësive

0
83

Arian Galdini

“Të shtunën në mbrëmje dy deputetë tanë kanë refuzuar ofertën me para për kandidaturën e PD-së. Ka ndodhur po kështu kur Kryeministri përpiqej të çante me lekë bojkotin e deputetëve të opozitës, kur zgjodhi Presidentin më 2007 dhe do të ndodhë kështu edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri. Kjo nuk përbën më një lajm. Ne jemi të shqetësuar se pala tjetër nuk po shfaq asnjë interes për të vënë vendin para interesave personale… PS-ja nuk do të pranojë asnjë kandidat nga PD-ja për President, por as nuk do të imponojë një kandidat nga ana e opozitës…”, ka thënë Edi Rama para grupit të tij kuvendor. Nuk di ç’të mendosh kur të fanitet para syve një personazh i tillë politik.

Edi Rama të kujton më së shumti ato figurat mitike të antikitetit grek ku dyzimi, dynatyrësia është pjesë e karakterit dhe qenies së tij. Nisur nga deklarata e tij më e fundit, e cila ka hapur për mendjet e vëmendshme dhe publikun disa pjesëza të tjera të mozaikut që ka në mendje Rama, vërejmë se, ndoshta krejt padashur, ai ka zbuluar thembrën e tij të dobësisë. Duke vijuar në këtë logjikë, dyzimi, dynatyrësia e Edi Ramës do t’i përafrohej së tepërmi një personazhi të përfiguruar si gjysmaAkil dhe gjysmaParid, gjysmahero e gjysma vrasës heroi që i vjedh gruan mikpritësit.

E kam fjalën për kërkesën që Edi Rama i bën Sali Berishës që ky i fundit ta mikpresë në një proces konstruktiv negocitash për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe përpjekjen e njëkohshme, e si rrjedhojë të pandershme, për t’i kobitur aleatin Ilir Meta, të cilin pas krijimit të Koalicionit të ri Qeverisës PD-LSI, pas zgjedhjeve të vitit 2009, e quajti si gruan që vuri kurorë me Berishën. Kjo çaprazpolitikë që bën Edi Rama nuk i bën nder as ligjërimit të tij për politikë të moralit kundër asaj të hajnisë dhe krimit, politikë të rilindjes kundër asaj të rrënimit.

Edi Rama shkulmon nga foltorja në foltore nga qyteti në qytet, e nga fshati në fshat për t’u treguar të rinjve e të rejave, teksa u dorëzon teserat e Re: FRESSH-it, se ai është ndryshe nga të tjerët, se ai nuk është i korruptuar si të tjerët, se ai nuk bën pazare e allishverishe, se ai punon e mendon për një Shqipëri më të mire e më të drejtë, dhe se ai dhe vetëm ai mund t’i fitojë betejat e Partisë Socialiste dhe popullit opozitar kundër regjimit fashist oriental, korruptivokriminal të Sali Berishës, duke e pikturuar imazhin e tij publik si një Hero, Akil i pamundshëm dhe i bekuar nga Perënditë.

Por në të njëjtën kohë bëhet Parid, herovrasës, në fakt vetëvrasës politik, duke e ngulur me duart e tij shigjetën e marrëzisë mu në thembrën e tij të dobësisë, pikërisht duke shkuar natën si Kostandini në Gjirin e Lalzit për t’u rikthyer socialistëve Ilir Metën, motrën e martuar larg në Oborrin e Berishajve. Vargjet e legjendës së moçme shqiptare do t’ shkonin për bukuri Edi Ramës: Kostandin, 3 vjet i vdekur, ç’bën akoma që s’je tretur… Nejse, le t’i kthehemi qëllimit nistar të këtyre radhëve. Edi Rama me deklaratën e tij më të fundit ngre një ligjërim alibie dhe trysnie për gjithçka ai pret e dëshiron të ndodhë me procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Fatkeqësisht Mbreti është krejt lakuriq. Së pari, duke paralajmëruar blerjen e dy deputetëve, Rama në rastin më të mirë synon t’i pararendë një rezultati humbës edhe në këtë betejë të radhës për zgjedhjen e Presidentit. Në rastin më të keq, Edi Rama kalamendet nëpër hullitë e denoncimit moral të një pazari të mundshëm të fëlligësht presidencial me votat kuvendore, duke shpresuar që kandari publik i gjykimit do të peshojë vetëm mallin që do blejë Berisha. Nga ana tjetër, ky harron se, edhe në qoftë e vërtetë që në Kuvend është hapur ‘pazari’, i pari që shkoi për blerje në Gjirin e Lalzit ishte vetë Edi Rama.

Ç’ndryshim ka moralisht ‘blerja’ me çanta me para e dy apo katër deputetëve socialistë, nga blerja e votave të Ilir Metës me darka mesnate në Gjirin e Lalzit? Hipotetikisht Berisha paska ofruar çanta me para për të blerë 2 apo 4 deputetë socialiste, ndërsa Edi Rama ka ofruar vetveten për të blerë 2 apo 4 deputetë të Ilir Metës. Këtu puna ndryshon vetëm te çmimi. Nuk ka asnjë lidhje me moralin apo parimet. Këshilltarët e tij të deklaruar apo jo do të bënin mirë t’ia thoshin para se të shkonte për ngjala e pazar te Gjiri i Lalzit: Edi Rama, ti nuk je për t’u shitur.

Gjithsesi, pyetja diabolike që na vjen ndërmend është kjo: Përse Berisha duhet të blejë 2 apo 4 deputetë socialistë, kur në oborrin e tij janë ende 2 apo 4 deputetët e Ilir Metes, të cilët mezi presin t’u bëhet çmimi i radhës? Së dyti, kryetari i Partisë Socialiste me deklaratën e tij ka kërkuar ta vendosë Berishën në pozitë trysnie, në mënyrë që ky i fundit, i vendosur përballë një akuze të tillë, e cila natyrisht do të shkaktojë lëvizje tektonike te faktori ndërkombëtar, të detyrohet të pranojë skemën e një Presidenti Konsensual, ku rolin përcaktues në propozim do ta ketë sigurisht marrëveshja Rama-Meta.

Por edhe nëse Berisha nuk mbërrin te konsensusi, Rama shpreson që Berisha nën trysni të dorëzohet e të lërë të lirë mundësinë që marrëveshja Rama-Meta të bëjë numrat e nevojshëm për ta zgjedhur Presidentin në raundin e 4-t. Kjo trysni bashkëvepron edhe me ngritjen e dyshimit për vazhdimësinë e shumicës qeverisëse, rrëzimin e qeverisë nëpërmjet një mocioni mosbesimi ndaj Kryeministrit etj. etj. Por kam dyshimet e mia serioze që kjo skemë funksionon, sepse. nëse ka një politikan shqiptar që është refuzues i trysnisë dhe shantazhit. por dhe mjeshtër i veprimit nën trysni. ky e ka emrin Sali Berisha.

Theksojmë këtu se të dyja këto mundësi janë hamendësime që ndërvaren thellësisht nga kapaciteti analitik dhe njohja e kuptueshmëria relative që ne kemi për politikën. Le të shqyrtojmë së fundmi shkurtimisht trajektoren politike të Edi Ramës në raport me procesin e zgjedhjes së Presidentit. Edi Rama ngulmon prej javësh se ai dhe Partia Socialiste kërkojnë një proces sa më konstruktiv, gjithëpërfshirës, nëpërmjet të cilit të mbërrijnë te zgjedhja e një Presidenti Konsensual. Edi Rama përsërit pareshtur se procesi është shumë i rëndësishëm, e se nëpërmjet procesit shkohet tek emri dhe jo anasjelltas.

Mirëpo, në deklaratën e tij të fundit, Edi Rama me dashje apo pa dashje, na rrëfen se ai ka edhe një kriter të ri, se si nuk e pranon ai Presidentin: ‘PS nuk do të pranojë asnjë kandidat nga PD-ja për President, por as nuk do të imponojë një kandidat nga ana e opozitës…’ Këtu loja e Ramës humbet çdo tis a ngjyrim kërshërie, sepse duart e tij janë aty të zhveshura para syve të mendjeve të vëmendshme dhe publikut, me kamën që pikon gjak të shtrënguar fort, fill pas daljes nga Shtëpia e Makbethit.

Edi Rama kërkon procesin, por procesi është i përcaktuar me Kushtetutë. Edi Rama edhe kur kërkon të bëhet vetë nismëtar i ndonjë procesi, e bën pis procesin, sepse në mendjen dhe veprimet e tij mbivlejnë axhendat e ngushta vetjake dhe partiake. Edi Rama kërkon proces, por fraza e tij mbizotëruese është: nuk pranojmë… Edi Rama thotë se Procesi duhet të sjellë Emrin dhe jo anasjelltas, por harron se President Republike nuk do zgjidhet Procesi, por Emri.

Edi Rama nuk e kupton ose nuk e pranon se procesi dhe konsensusi në demokraci ndërtohen të shëndetshëm vetëm nëpërmjet konkurrimit me emra konkretë dhe alternativa konkrete. Të thuash se nuk pranon emra nga PD-ja dhe se nuk imponon emra nga PS-ja, është njëlloj si të thuash se nuk pranon konkurrencën e kësisoj nuk pranon as konsensusin. Vetëm nëpërmjet një konkurrence emrash konkretë mund të arrihet në konsensus të shëndetshëm. Konsensusi pa konkurrimin e lirë të vlerave dhe emrave është Pazar dhe vetëm Pazar, po aq i keq sa ai me çanta me para apo me ngjala te Gjiri i Lalzit.

Më e keqja është se Edi Rama refuzon të pranojë se Partia Socialiste ka kapacitete dhe figura shumë të nderuara të cilat mund të garojnë, konkurrojnë për President Republike, jo thjesht si figura e vlera të PS-së, por si figura e vlera që mund të pikënisen, gjejnë identitet dhe histori nga PS-ja, e gjithaq të jenë ndërtuese dhe përftuese të një konsensusi sa më të gjerë. E për ta mbyllur, themi se Edi Rama akoma nuk e ka të qartë se Procesi nuk u takon Partive e as Kryetarëve të Partive. Procesi u takon vetëm qytetarëve shqiptarë dhe Kuvendit të Shqipërisë, të cilin, sipas Kushtetutës, qytetarët shqiptarë e kanë autorizuar me votën e tyre.

Partitë Politike dhe Kryetarët e Partive Politike janë vetëm pjesëmarrës në proces. Çdo mendësi që synon akaparimin, kontrollimin apo zotërimin e procesit, është kundërdemokratike, joperëndimore dhe kundër interesave të qytetarëve shqiptarë. Procesi i zgjedhjeve në Shqipëri, qoftë procesi i zgjedhjeve Parlamentare apo Lokale, qoftë edhe Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës është i/ dhe për qytetarët shqiptarë. Partitë dhe Kryetarët e Partive duhet ta lënë të lirë procesin, sepse vetëm kështu i vendosin interesat e vendit përmbi ato partiake dhe interesat publike përmbi ato vetjake.

Procesi pa emra dhe pa konkurrim të lirë është vetëm shtegu okult i vazhdimësisë së konsensusit negativ të elitave që bjerr demokracinë dhe çmonton shpresat e qytetarëve shqiptarë për një Shqipëri europiane. Të flasësh për proces dhe të kesh në mendje ngritjen e frëngjisë për krizën a kurthin e radhës është liganake për vendin, por edhe vetëhamëse. Nga historia e këtyre 7 viteve, marifetet i janë shndërruar Edi Ramës gjithmonë në frëngji kotësie, prej nga ai pret të godasë e shtrijë përdhe kundërshtarin. Pastë fat edhe kësaj radhe, por ai është shumë i lexueshëm dhe Berisha mbetet po aq i paparashikueshëm.

Ndaj, ju lutemi, shpëtojeni ushtarin Edi Rama. Nuk di të bëjë politikë. Hyn në beteja politike plot vetëbesim, se bën strategji e taktika të zgjuara, por në fund përfundon duke ngrënë ngjala e duke humbur me zell të madh. Strategjia dhe sjellja e tij politike në procesin e zgjedhjes së Presidentit është dëshmia më e mirë sesa hileqar, i pamençur dhe i pagdhendur politik është ky lider politik vetëhumbës.