Edi Rama: Nuk do njohim qeverinë nëse Berisha nuk tërhiqet nga vjedhja e zgjedhjeve në Tiranë

0
107


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se me ato që foli për KQZ-në Berisha, tregoi se është ai që po orkestron maskaradën zgjedhore. “Berisha tregoi se po orkestron maskaradën për të vjedhur fitoren tonë të bukur në Tiranë,” tha Rama.

Rama tha se opozita nuk do njohë jo vetëm zgjedhjet, por as qeverinë nëse do vidhet mandati në Tiranë.

“I thërras Saliut me zërin e arsyes sovrane: Ndaloje këtë maskaradë dhe tërhiqi vjedhësit e tu nga grabitja e zgjedhjeve para se të jetë vonë, sepse opozita nuk do njohë më as qeverinë e as rezultatin e zgjedhjeve. Kjo qeveri po vjedh hapur në sytë e shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtare.

Po shfaqen kuti pa kode, dalin fletë tepër. Ndaloje këtë turp që turpëron Shqipërinë.

Argumentet e Saliut janë qesharakë dhe të frikshëm.

E marr me mend sa të dhimbshme e ka Saliu humbjen në Tiranë. Dhimbjen nuk mund ta kthesh në dështim ogurzi të zgjedhjeve duke hapur një hendek të madh mes Shqipërisë dhe botës demokratike.

Kjo i jep vendit një kosto të jashtëzakonshme,” tha Rama.

“Sa për kërcënime për përgjigje të merituar që do u japë atyre. Saliu mund të trembë të tremburit, por jo opozitën shqiptare, të cilën do e ketë përballë më të vendosur se kurrë.

Ne nuk bëjmë dhunë, sot jemi të dhunuarit që do ngrihemi në këmbë, përditë e më shumë për ta zmbrapsur pushtetin e dhunës. Nuk kanë vdekur njerëzit e lirë e të fortë. Ata janë shumë. Saliu ka për t’i pasur përballë sa atij farë burri shteti nuk ia rrok dot mendja.”