Edi, a don ti me i luftu turqit?

0
16

Arben Rrozhani, 24.09.2013

– Dua t’i tregoj një fëmijë 10 vjeç kalanë e Krujës, muzeun e Skënderbeut, 25 vite histori të lavdishme dhe të përgjakshme të një grushti arbnorësh për të mbrojtur vendin, për të mos u asimiluar nga otomanët dhe për të qenë pengesë për pushtimin e Europës së krishterë. Ky është destinacioni i parë turistik. Dhe janë shumë. Roja-lekëmarrës te hyrja e kalasë jep kushtrimin kur sheh katër autobuzë me nxënës nga Kosova që po ngjiten mundimshëm përpjetë rrugës së asfaltuar. Jo, jo, janë pesë! Çdo kokë njeriu 100 lekë. Në një të diel të zakonshme fundshtatori në Krujë gjen aziatikë, shqiptarë jashtë kufijve, emigrantë nga viset e largëta të Europës, amerikanë… të gjithë të etur për të parë atë vend ngjitur rrëzë malit të Krujës.

Turqit e parë duken nga rruga kombëtare. Fabrikat e çimentos kanë kafshuar përbindshëm kodrat përreth Fushë-Krujës, për të nxjerrë gurin gëlqeror. Në hyrje të qytetit, anash rrugës, një gurore pas karburantit me emër, mbiemrin e një deputeti të PD-së, derdh në ajër pluhur të bardhë gëlqeror.

Turqit kanë pushtuar qytetin dhe kalanë. Në të djathtë të rrugës për në kala një përbindësh betoni ka pushtuar me karabina faqen perëndimore. Nisi këtu e një vit më parë, arkitektët folën, qeveria heshti dhe turqit kanë ngritur shatoret e betonta. Turqit të presin te hyrja e kalasë. Ministria thotë se hyrja është falas, roja të merr 100 lekë pa faturë për tre vetë, nëse pranon të mos marrësh biletë. Te muzeu etnografik hyrja është 300 lekë për të rritur, nëse do që të shohësh punishten e hekurit, të leshit, vathën dhe kasollen sipër të bariut, mullirin e blojës, atë të vajit të ullirit, parmendën, lesën dhe zgjedhën e buajve; dhomën karakteristike të burrave, grave, fëmijëve dhe kthinën lart të shërbëtoreve të burrave, kuzhinën dhe dhomën e ndenjes, veshjet dhe ornamentet e tyre. Ciceroni që është shtriqur në një minder gjatë turit tënd dhe që ngrihet vetëm për të marrë lekët, nuk të jep faturë. Në muzeun e Skënderbeut duhen 200 lekë, por në vend të biletave të jepen dy fletëpalosje mjerane. Bilanci: Turqit të kanë marrë nën dorë dhe në xhepat e tyre vetëm për një çift 1100 lekë.

Ciceroni Xhevdet aktron në pavionet e Skënderbeut. E nis nga kati i parë deri në tarracë nga ku duket Adriatiku, Tirana, Ulqini, natën dritat e Italisë. Ndalet para murales 108 metër katrorë të Naxhi Bakallit, 11 muaj punë për muzeun që u inaugurua në 1982. Lëvdon me pathos aktori veprën, personazhet, pastaj armët-kopje të Skënderbeut, lëvdon kalorësin e Krishtërimit dhe në fund të ligjëratës uron: “Shpresojmë që austriakët të na sjellin përgjithmonë armët e Skënderbeut. Inshallah”.

Ku, ku, sa turp-klith adoleshenjta, pjesë e një grupi prej 50 nxënësish nga Kosova.

Kalanë që mbrojti Skënderbeu e kanë pushtuar turqit me BMW X6, Range Rover dhe Audi 8. Cilindrata zhurmuese që xhirojnë gomat mu në anën lindore të muzeut të Skënderbeut, pushtojnë hapësirat mes muzeumeve dhe gjellëtoreve. Një gabim në manovrim dhe një fuoristradë mund të përfundojë mbi dritaret e kullës-simbol të konceptuar në muze. Turqit janë ulur këmbëkryq në Krujë. Përballë kalasë, shumëkatëshet e betonit po ngrihen sikur duan t’ia kalojnë malit. Minareja e bardhë është në rikonstruksion. Rrugët nuk mjaftojnë për të pritur aq autobuzë dhe turistë. Kalldrëmi i pazarit të vjetër të Krujës nuk i mban dot turmat që nuk kuptojnë pse dreqin në Krujën e Skënderbeut, shiten helmeta ushtarësh të Luftës së Dytë Botërore, xhaketa oficerësh të viteve ’80, kapele të leshta ushtarësh, vepra të Enver Hoxhës, zilka bagëtish “Made in China”, qilima po aq të trashë sa një letër higjenike, portrete të stampuara në filxhanë çaji të Enverit, Saliut, Edit, Lulzimit.

Në zbritje kanë ardhur turq të tjerë. Në të djathtë po lëshojnë një re të bardhë gëlqerore te gurorja, në një majtë një tym të zi kanceron të gomave të makinave. Katër orë me turqit janë shumë dhe Edi e di shumë mirë. A nuk tha vetë se ato që i ka bërë qeveria e Saliut Krujës, s’ja ka bërë as turku? Dhe turqit s’po tuten pse në Tiranë ka ardhur “Rilindja”. Ndaj Edi, po të pyes si Skënderbeu, Gjinin: A don ti me i luftu turqit?

Nëse do, mos bëj më betejë me foto kryeministrie, veç jep nja dy urdhëra: thuaji ministrit Lefter tua nxijë jetën atyre blozaxhinjve të gëlqeres; kape për flokësh atë ministren Mirelë që tua marrë nga duart ato paratë e mia dhe të mijëra turistëve të tjerë dhe t’i fusë në arkën e shtetit; merr ministrin Saimir tua bllokojë ato karabina-shatore dhe t’i vërë rruspën; kape dhe kalbe në burg atë plak idiot flokëbojatisur që ka firmosur ato leje kriminale në zonën muzeale. Bëhen për një paradite, po të duash, se vetëm 20 minuta larg Tiranës është Kruja, por kuptohet, vetëm nëse ti Edi don me i luftu turqit.