Edhe zjarrvënësit këtu jetojnë!

0
69

Nga Mero Baze, 27 Gusht 2012

Shqipëria po kalon një verë të pazakontë, me dhjetëra vatra zjarri në gjithë vendin, duke vënë në shënjestër dhe parqet e fundit kombëtare që kemi pasur, si Lura, apo pylli i famshëm i Brozdovecit në Korçë. Mesatarisht ka 30 deri 40 vatra zjarri në ditë, thuajse të pashqetësuara nga ndërhyrja e njeriut për t’i fikur, çka po i jep dërrmën dhe atyre pak pyjeve që kanë mbetur në këtë vend.

Po përse u shtuan kaq papritur dhe kaq shumë zjarret?

Edhe pse duket shumë cinike, është e vërtetë. Zjarrvënësit janë shqiptarë, qytetarë të këtij vendi, natyrisht njerëz të paformuar dhe pa ndonjë vizion a dashuri për vendin e tyre, por thjeshtë të interesuar për ndonjë punë private të tyre, siç mund të jetë kullota e pastruar e bagëtive, ose ndonjë inat ndaj pronës së dikujt tjetër. Por, këta njerëz vemje, që meritojnë ndëshkimin më të rëndë, edhe pse janë të mangët nga kultura qytetare apo nga formimi kulturor, janë aq të zgjuar sa të shikojnë se në këtë vend tani mund të bësh ç’të duash dhe nuk dënohesh.

Zjarrvënësit janë njerëz që jetojnë bashkë me ne, na dëgjojnë kur ankohemi dhe shajmë qeverinë, na dëgjojnë kur themi se i biri i Berishës ka qenë i përzier në Gërdec dhe as qe u pyet fare, na dëgjojnë kur themi se u vranë 26 persona në Gërdec dhe s’u dënua njeri, na dëgjojnë kur themi se u vodhën nja dyqind milionë euro në rrugën Rrëshen- Kalimash, e s’u dënua njeri, na dëgjojnë kur themi se zëvendëskryeministri u kap me zë dhe figurë duke vjedhur dhe nuk e dënoi njeri, na dëgjojnë kur themi se Lulzim Basha vodhi votat hapur dhe se vuri njeri ujin në zjarr…Dhe, nuk kanë arsye të kenë frikë se dikur do të ndëshkohen.

Zjarrvënsit janë njerëz që jetojnë bashkë me ne. Pasi na dëgjojnë çfarë flasim e shkruajmë ne në gazeta e televizione, shikojnë dhe se në këtë vend vriten çdo ditë 4 deri 5 persona, një shifër e padëgjuar prej vitit 1997 dhe nuk kapet asnjë vrasës.

Shikojnë se si gratë dhe vajzat nuk dalin dot me aksesorë, unaza apo varëse në rrugë, se u presin gishtat, veshët apo qafën, dhe nuk kapet asnjë agresor. Biles dhe ndonjë që arrestohet, nuk provohet dot që është vrasës. Dhe, nuk kanë arsye të ndjehen të kërcënuar si kriminelë.

Zjarrvënësit janë njerëz që jetojnë bashkë me ne. Ata na dëgjojnë ne kur themi se presidenti i vendit është një kukull që punon me kurdisje, dhe e kuptojnë se nuk kemi president. Ata na dëgjojnë dhe shikojnë se ministri I Brendshëm është gjetur mes figurave më qesharake dhe banale të vendit dhe e kuptojnë që s’ka ministër të Brendshëm. Ata e shikojnë që ministri i Drejtësisë duket si hajdut xhepash nga fytyra. Ata e shikojnë se vlerat më të mëdha që tregohen për ministrat, janë thashethemet se sa lekë kanë bërë dhe jo çfarë punësh kanë bërë. Ata jetojnë bashkë me ne dhe e shikojnë se administrata qendrore dhe lokale, është e mbushur me batakçinj dhe të paaftë që i prodhon piramida e idiotëve në majë të pushtetit. Dhe, nuk kanë asnjë arsye të ndjehen të frikësuar nga këta që na qeverisin.

Zjarrvënësit janë mbi të gjitha njerëz që e kanë kuptuar se në këtë vend çdokush kërkon të pasurohet duke shkatërruar një pasuri kombëtare. Ata shikojnë se si shkatërrohet nafta duke u shpërndarë puset e naftës në miq të kryeministrit, si shpërdorohet kromi duke u ndarë mes një bande ujqish që rijnë rrotull kryeministrit, si priten pyjet kur nuk ka zjarr nga njerëz të lidhur me kryeministrin, si pasurohen njerëz duke shkatërruar mjedisin me gurore apo si ndotet Shqipëria nga plehrat.

Ata shikojnë se si janë bërë zotër të lumenjve dhe përrenjve, njerëz të pushtetit, që shesin letrat që u jep kryeministri, duke u dhënë leje ndërkohë partnerëve të tyre të shkatërrojnë gjithçka. Dhe, si të tillë, ata nuk gjejnë arsye përse për të pastruar një kullotë të tyre, apo për t’u hakmarrë ndaj dikujt, të mos i vënë zjarrin pyllit. Ata bëjnë aq sa dinë dhe aq sa kanë mundësi, si kriminelë. Nuk janë të ndryshëm dhe as të mbinatyrshëm nga gjithë kriminelët e tjerë që kanë vënë para fatin e kësaj shoqërie.

Thjeshtë e dinë se këtu nuk ndëshkohesh edhe po u kape, se këtu nuk arrestohesh edhe po vrave dhe vodhe, se këtu mund të pasurohesh vetëm duke shkatërruar diçka nga pasuritë e këtij vendi. Ata këtu jetojnë dhe e shikojnë kush qeveris dhe si qeveris.