Nga Mehmet Metaj*, 11 Korrik 2013
“Mos më lini përjetësisht në pështjellim”, ka qenë amaneti i fundit i Kristofor Kolombit dhe ky epitaf i tij ka nxitur sot studiuesit e Oxford-it dhe Harvard-it të deskriptojnë këtë sentence dhe po “gërmojnë” për këtë zbulues të famshëm gjenovez të Amerikës (me mbështetjen e Ferdinand-it të II-të të Aragonës dhe Izabelës së Kastilias) për origjinën e dyshuar hebre’ të tij. Dhe Shqipëria jonë e vogël edhe pas 60 mijë vitesh krijim e zhvillim të qenies njerëzore, edhe pas 3000 vitesh qytetërim, edhe pas 300 vitesh kulturë shtetarie dhe përvoje botërore perëndimore, edhe pas 100 vjetësh shtet shqiptar, endet edhe sot në pështjellim dhe u katandis si një vend pa shtet nga politikanë primordialë e mbetet ende “me krye n’hi”.
Shqipëria, po ta shohësh nga larg, duket si ”Veza e Kolombit” dhe ka mbetur si “Guri i Sizifit” që s´gjen derman e s´zë vend kurrë për sa kohë vetëdija publike dhe intelektuale të arrijë në nivelet e standardet e duhura të kohës dhe të hedhë tej Berishët e co dhe pastrojë vendin nga llumrat e tranzicionit.
Dhe në kohën tonë të re Sali Berisha i eliminoi të vetët themelues të PD-së të gjithë dhe ka gjetur të promovojë si pasardhës Lulzim Bashën, një infantil pa asnjë kontribut apo përvojë jete dhe politike dhe e katapultoi dhe kryetar bashkie të Tiranës dhe ja tani pas humbjes shteruese të tij do ta bëjë kryetar PD-je, Luli që kur flet duke qeshur sikur ka para një kopsht fëmijësh si vetja dhe jo një kryeqytet me rreth 1 milion banorë (?!).
Kjo Shqipëri e vogël, që i mbushi 100 vjet gjoja-me-shtet, mbeti nën sundimin e të papërgjegjshmëve, kaçakëve a anadollakëve dhe nga rendi social-ekonomik dhe dinjiteti me krye n’hi.
“Ky vend ka vuajtur gjithmonë dhe vuan ende nga njerëz gjysmë-të-mësuar”, thotë Kasëm Trebeshina. Dhe nuk është rastësi që pas 100 vitesh shtet ne kemi rënë kaq poshtë sa të kemi një qeveri me në krye Sali Berishën (?!!), që flet që prej 20 vitesh vetëm broçkulla dhe ka bërë aq zullume në këtë vend si ajo e ’97-ës që jo kryeministër, por as qytetar i këtij vendi s’e meriton, po meriton ta shpallesh si subjekt retroaktiv të ligjit të lashtë grek të ostracizmit, ta dëbosh nga vendi se përdhosi gjithçka, demokracinë, shtetarinë, drejtësinë, politikën, ekonominë, shkencën, kulturën, historinë, administratën shtetërore që është aq e korruptuar sa duket se s’ka burrë nëne që pas tij ta sjellë më në vete këtë vend.
Në një takim me intelektualë që u zhvillua më 11 janar 1991 në ILA (organizuar nga z.Edi Rama dhe z.Ardian Klosi, ku unë pata rastin të marrë pjesë) shkrimtari i madh disident Kasëm Trebeshina citoi një amanet të lashtë për qeverisjen: “Qeveriseni mirë popullin se përndryshe ai çdo invazion të huaj do ta quajë çlirim”, ka thënë 3500 vjet më parë Hemurabi, mbreti i Asirisë/Babilonisë së lashtë. Dhe shpresa e vetme sot është PS dhe opozita fituese e zgjedhjeve të 23 qershorit, që do jetë qeverisja e nesërme që ka shansin dhe obligimin në këtë zgrip PD-istësh të ndërtojë dhe zbatojë një program të vërtetë ringritjeje kombëtare së pari të shtetit, të dinjitetit të këtij vendi dhe krahas kësaj të ekonomisë, të popullit të thjeshtë, i cili zvarritet që prej 100 vitesh dhe 20 vitesh demokraci.
Duke ritheksuar parimet e demokracisë, presidenti amerikan Barack Obama, në fjalën e tij në Universitetin e Cape Town-
it, për lançimin e mbështetjes amerikane për Afrikën, tha se: “Jo… në ato vende ku liderët pasurojnë veten e tyre nga mosndëshkimi… këto gjëra duhet të ndryshojnë).
Dhe këto fenomene “afrikane” janë aktuale edhe tek ne sot e gjithë ditën. Por ne jemi në Evropë!
Po a do të bëjmë dot më në fund një shtet të përgjegjshëm shqiptar ku drejtuesi i tij dhe drejtuesit e të gjitha institucioneve të tij deri tek kryetari i një komune të ulen në karrige si shërbëtorë të popullit dhe jo ta kthejnë atë në “pronë private” për bamirësi e përfitime personale???
– A do të shmangen nepotizmi dhe militantët që vrapojnë me marifet për zënien e posteve dhe të bëhet konkurrim real për të punuar në administratën publike apo strukturat shtetërore?
– A do të lihen “pa u shpërblyer” nga partitë ata që hodhën para të vjedhura nga taksapaguesit me postet e tyre në zgjedhje për të zënë prapë një post pas tyre dhe marrë “kamat-fitimin” e tyre njëqindfish nga fondet publike duke u bërë shefa e drejtorë?
– A do të shmangen marifetçinjtë dhe dallkaukët, pehlivanët dhe rrufjanët që gjithmonë, ngaqë s’bëjnë dot punë tjetër, gjejnë strehë në parti dhe na bëhen shefa, drejtorë e zv/ministra?
– A do të shmangen emërimet e njerëzve të pamësuar në poste që janë për të mësuarit si në përfaqësitë tona diplomatike, në NATO, OKB, FAO, UNDP, BE.. etj?
-A do të kemi dogana e tatime ku për t’u bëre doganier apo tatimorë të konkurrohet dhe këta të mos pasurohen e bëhen miliarderë me 6 muaj punë dhe pastaj të na “bëjnë politikë e krijojnë parti” me paratë e vjedhura nga fondet publike apo private?
– A do të neutralizohet kripto-politika dhe pastrohet ajo nga kriminalizimi dhe paratë e pista?
– A do të bëhet dhe zbatohet më në fund pas 22 vitesh hallakatje një “set menaxhimi-qeverisës” për shtetin dhe rehabilitimin e ekonomisë së vendit dhe ulet informaliteti?
– A do të vihen para përgjegjësisë ligjore ata që urdhëruan vrasjen e njerëzve të pafajshëm më 21 janar, ata që vranë në Gerdec, apo dhe ata që urdhëruan nxënësit e shkollave të shkonin në mitingje partish?
– A do të zhbëhen dhe vihen para përgjegjësisë ligjore qeveritarët-përgjegjës për privatizimet dhe koncesionet abuzive me pasuritë tona natyrore kombëtare dhe kufijtë detarë të vendit?
– A do të shmangen të bëhen prapë drejtorë dhe ministra ata që kanë qenë njëherë në qeverinë e korruptuar 2009-2013 dhe janë përfolur dhe dyshuar për korrupsion?
– A do të kemi një kontroll të pasurive të vëna nga përfitimet shtetërore dhe vihen para përgjegjësisë të gjithë ata që nuk e justifikojnë atë dhe kanë përfituar në mënyrë abuzive?
– A do të hetohen ish- ministra, ish- prokurorë, ish- kryetarë gjykatash, drejtorë doganash, tatimesh, KESH-i e ÇEZ-i- me vila në bregdet, që kanë pasuri marramendëse apo do të na bëhen përsëri drejtues dhe na “japin mend” se po bëjnë gjoja politikë dhe shtet?
– A do të kemi dhe ne një shtet dhe media kurajoze që të evidentojnë gjithë vilat e ndërtuara me para të pista në bregdet apo zona turistike dhe jashtë vendit nga ish-drejtues e politikanë që nde’ na dalin e flasin për rregull e transparencë virtuale në TV?
Po u bënë këto mund të thuhet se kemi shtet dhe po qeverisim Shqipërinë.
* Drejtor ekzekutiv, Qendra ALBAFOREST