Edhe njëherë për zgjedhjet

0
43

Nga Enton Palushi

Një nga shkrimet më interesante në lidhje me vendimet e Kolegjit Zgjedhor për Tiranën ishte shkruar në një blog. Bëhet fjalë për një diskutim të madh në demokraci: nëse gjykatat duhet të japin vendime duke u bazuar tek parimet dhe morali. Bota ka njohur shumë raste kur vendimet e gjykatave kanë vendosur gurë kilometrikë në rrugën drejt shtetit të së drejtës. Precedentët e tyre kanë frymëzuar zhvillimin e një shoqërie më të lirë.

A ishte ky rasti në Shqipëri?

I pyetur në lidhje me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor, ambasadori amerikan shprehu zhgënjim për qëndrimet politike të KQZ-së dhe në një farë mënyrë la të kuptohet se Kolegji nuk mund të zgjidhë këtë krizë politike duke dhënë interpretime ligjore. Por në të vërtetë duket se problemi në Shqipëri u komplikua kur Kolegji vendosi të bëjë interpretime politike. Kështu, vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor ishte tepër i shkurtër, i përqendruar thuajse në një fjali, atë që Kodi Zgjedhor nuk parashikon mbivendosje të afateve ligjore për ankimimet.

PS kishte humbur këtë afat duke mos bërë ankimim që në maj për pavlefshmëri të zgjedhjeve. Edhe vendimi pararendës, ai për hetimin e të gjitha kutive, tregoi se sa e rëndësishme është procedura. Kurse vendimi i parë, i Kolegjit të drejtuar nga Tom Ndreca, ishte ai që vulosi fatin e padive pasardhëse pasi i dha fund debatit për vlefshmërinë e fletëve të hedhura gabim.

Ndërsa zgjatej pa fund duke interpretuar të drejtën e KQZ-së për të nxjerrë akte normative e individuale, kur ra fjala tek numërimi i votave të hedhura gabim, Kolegji tha shkurt: është e drejtë kushtetuese numërimi i çdo vote. Ky interpretim politik në të vërtetë shkatërroi të gjithë procesin. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, u lexoi deputetëve shqiptarë pjesë nga raporti i ODIHR për zgjedhjet e vitit 2007, duke u theksuar pjesën se votat e hedhura gabim ishin të pavlefshme. Në logjikën e Perëndimit një çështje e tillë nuk zgjidhet përveçse duke iu referuar precedentit. Kaq mjafton dhe çështja nuk komplikohet për asnjë arsye.

Por, nëse në vijim të kësaj fraze në raportin e ODIHR lexon se çfarë thuhet për Kolegjin që në vitin 2007, vë duart në kokë. Parimi i precedentit nuk ekziston, për çështje të njëjta jepen vendime të ndryshme, një lëmsh ligjor. Pastaj vijmë tek dita kur Bashkimi Europian e SHBA deklarojnë se vendimi i Kolegjit nuk i ka fshirë dyshimet që kishin ata për bazën ligjore që u përdor për të hapur kutitë e për të vlerësuar si të vlefshme votat e hedhura gabim.

Por a është e vërtetë që Perëndimi kërkonte që shteti ligjor të zgjidhte mishmashin e krijuar pas vendimit të Ristanit për të numëruar votat e hedhura gabim? Një jo absolute. Kërkesa e hedhur prej tyre për të marrë një opinion nga Komisioni i Venecias, një trupë juristësh pranë Këshillit të Europës, ishte qartazi një shprehje e mosbesimit ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe institucioneve shqiptare, që mbrohen me zjarr nga mazhoranca.

Tani që zgjedhjet kanë marrë vlerësimin negativ nga ndërkombëtarët, gjithmonë e më shumë po dëgjojmë nga kryeministri Sali Berisha të thotë me gëzim se shqiptarët dolën masivisht në zgjedhje, thua se pjesëmarrja rekord e shqiptarëve është një tregues i votës pro tij. Edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar e përsëriti këtë gjë, pa guxuar për asnjë moment të bëjë një analizë për votat e hedhura për partinë e tij, por duke u krenuar me faktin se di të bëjë koalicion paraprak: lexo, pazare të ndyra. Në një vend normal një forcë politike duhet të testojë elektoratin e saj, atë që voton për logon e saj, e jo të merret me rezultatet e të tjerëve.

Por për të mos u zgjatur, a ekziston mundësia që populli të ketë dalë masivisht në këto zgjedhje, të ketë vendosur një rekord, e të ketë votuar për të mbajtur qeverinë? Është e paimagjinueshme që njerëzit të dalin më shumë në votime për të ruajtur status-quo-në. Ata dalin për të ndryshuar. Nuk është një qeverisje aq e mirë sa të çojë njerëzit peshë në votime për të mbajtur atë qeveri.

Ta harrojmë se ndodh një gjë e tillë në vendin tonë, që njerëzit të dalin në votime më shumë për të mbajtur një qeveri. Numri i lartë i votuesve në një demokraci është një tregues që bën me dhimbje koke qeverinë. Kjo ka qenë një sfidë e madhe për opozitën, që ka nxjerrë kaq shumë njerëz në votime dhe ia ka dalë që zgjedhjet lokale t’i kthejë në referendum popullor. Nuk është kollaj t’u thuash njerëzve që dilni e votoni për të rrëzuar Berishën, kur ata duan të kenë përpara syve një kryebashkiak, të cilit t’i kërkojnë llogari për gjërat e përditshme.

Nuk është e lehtë t’u nxjerrësh përpara votuesve sërish të njëjtët kryebashkiakë, që kanë vuajtur faktin se Berisha u ka shteruar fondet, që janë konsumuar, siç ndodh rëndom me pushtetin, e tu thuash m’i votoni sërish. Ajo që ndodhi me 8 maj ka qenë frymë për ndryshim. Sesa e ndaloi këtë frymë Berisha, nuk e dimë, por ai ishte lajmi më i mirë në ato zgjedhje. Lajmi i keq është se gjithçka ndodhi me grabitjen e Tiranës, mund të ketë ndikuar në daljen e votuesve në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është detyra kryesore e opozitës tani e tutje, të injektojë besim tek zgjedhjet.

Por çfarë ka ndodhur gjatë këtyre ditëve? Dy debate janë hapur: i pari ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese, i dyti lidhet me faktin se a duhet të bëjë koalicion me LSI-në Partia Socialiste, në mënyrë që të fitojë në zgjedhjet e ardhshme. Ndryshimet kushtetuese lidhen gjithmonë me zgjedhjen e presidentit, e ky debati për koalicionin me Metën thuajse nuk ka kuptim në këto ditë.

Në ditën kur ODIHR ka nisur të hartojë raportin përfundimtar për zgjedhjet e 8 majit, mbërritja e sekserit të qeverisë, Volfgang Grosruk, tregon se qeveria ka për synim kryesor të shkëpusë ndonjë vlerësim nga raporti përfundimtar. Më pas do të nisë betejën në tribuna e përpara kamerave për të thënë se zgjedhjet po përmirësohen, se duhet një reformë, se do i lërë opozitës mundësinë të bëjë propozim e kështu me radhë.

Opozita i ka hyrë me qejf këtij debati, por në këtë mënyrë nuk arrihet askund. Sot kemi mbërritur në pikën kur dy zyrtarët e lartë të BE, Ashton dhe Fyle thonë pa dorashka se vendi nuk di të mbajë zgjedhje.

E kush është zgjidhja? Ajo që guxoi dhe e artikuloi në të përditshmen e njohur Nju Jork Tajms Daniel Korski, anëtar i Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë. Vendi të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do organizohen nga komuniteti ndërkombëtar. Një operacion gjigant, njësoj si në fillimin e viteve ’90 apo në vitin 1997. Një operacion për të rikthyer besimin tek vota.