Nga Arian Galdini, 11 Tetor 2011
(Pjesa e parë)
Shumë është shkruar e shumë është folur për dhjetorin, dhjetorët e dhjetoristët, vit pas viti në Shqipërinë e këtyre 21 viteve tranzicion dhe protodemokraci langaraqe. Duke qenë se pas pak javësh do të ripërseritet rituali gati-gati i bezdisshëm kur televizionet e gazetat do na rikujtojnë ato ditë të ladvishme të dhjetorit ’90 e do të na përdëllejnë me histori e kujtime protagonistësh apo expo-protagonistësh të atyre ditëve të rëndësishme për historinë moderne të vendit tonë, qëllimi ynë nëpërmjet këtyre rradhëve është që tu pararendim ritualeve e të hapim një debat të madh publik, të thellë, të sinqertë e plot kurajo politike dhe intelektuale për dhjetorin dhe dhjetoristët. Në fakt, që reflektimi të jetë i plotë nevojitet që në udhëtimin tonë meditativ t’i përshkojmë të 2 dhjetorët e rëndësishëm të këtyre 21 viteve, dhjetorin ’90 dhe dhjetorin ‘98. Vija arsyetative që ne do të ndjekim më poshtë do të jetë pak a shumë nën këto dritëhije:
– Dhjetori ‘90 apo misioni i papërfunduar.
– Dhjetori ‘98 mundësia për të përmbushur dhe përmbyllur suksesshëm misionin e rrëzimit të vazhdimësive të komunizmit të shprehura nëpërmjet mentaliteteve të udhëheqësive dhe elitave bllokuese të tranzicionit, si edhe ndërtimit të një demokracie perëndimore reale, të sinqertë që nuk flet nëpërmjet indikatorëve por nëpërmjet shprehive, traditave, akteve, ligjësive dhe qytetarizimit.-
Dhjetori ‘90
Shumëkush ndër ne e ka fortësisht dhe drejtësisht të ngulitur në kujtesë dhjetorin ‘90 i cili në këto 21 vite ia ka dalë mbanë të krijohet dhe stabilizohet si një koncept themelor politik, madje tashmë mund të flitet se ka marrë njohje ajo që njihet si fryma e dhjetoristëve. Nën këtë frymë, pothuajse çdo vit, çdo dhjetor, nga forca të djathta apo të majta politike ose edhe nga grupime jo politike, ka pasur përpjekje për ritakim, ripërsëritje, apo tejkalim të atij momenti historik që solli dhjetori ’90, por ka qenë krejt e pamundur.
Sidoqoftë, bash 8 vite pas atij dhjetori historik u ndërmor një lëvizje, e cila për fat të keq me qëllim apo krejt padashje është lënë ose ka kaluar në harresë. Lëvizja e studentëve të dhjetorit të vitit ’98, nuk përkujtohet publikisht, ndërkohë që ai i vitit ’90, ka marrë dheun dhe është mistifikuar. Historitë personale dhe jo personale të protagonistëve të dhjetorit ’90, gëlojnë tashmë nëpër shkrime gazetash, libra me ose pa bashkautorë, kronika të pafundme lajmesh. Lufta për dhjetorin ’90, është shndërruar në një luftë për pushtet e prestigj. Turravrapi deri në marrje fryme të atyre që gulshojnë për të zënë një vend në histori është i pakrahasueshëm.
Të majtë e të djathtë shqyejnë copën e tyre të historisë ca mbi dhjetorin e vërtetë e shumica mbi dhjetorin e majmë të krijuar vetë e çlirshëm prej tyre vit pas viti. Madje na janë mësuar sytë të shohim herë pas here në data të caktuara kalanderike ata që njihen tashmë si komuniteti i dhjetoristëve ‘90, të cilët pushtojnë median sa majtas aq edhe djathtas. Duket gati-gati qesharake, por këtyre ju duhet të presin 12 shtatorin, 8 dhjetorin dhe 20 shkurtin që të nxjerrin kokën e thonë ndonjë gjë nëpër media.
Me një vështrim të imët dhe një matematikë e gjeografi të vogël individësh të ekspozuar si dhjetoristë ‘90, del se shumë prej tyre kanë qenë krejt të paqartë në atë që po bënin në atë dhjetor që e shenjtërojnë sot deri në mërziti. Madje për të mos u bërë kategorik e gabimisht përgjithësues por specifikisht duke dëgjuar dëshmitë kundërshtuese apo shumëngjyrëshe të të ekspozuarve me leje si dhjetoristë ‘90, lexon herë nën rreshta e herë drejtpërdrejtë se një pjesë e mirë prej tyre rezulton të kenë qenë të përcaktuar nga “të tjerët”.
Ndërkohë, kemi përshtypjen madje bindjen se ata që mungojnë në media dhe në jetën aktive politike e vendimmarrëse, ata që u mohohet historia, apo që u mohohet mundësia për të folur të vërtetat e lëvizjes së dhjetorit ’90, ashtu si kanë ndodhur realisht, si janë jetuar e përjetuar realisht, pa interpretime politike, apo korrektime të mëvonshme për përditësim me politikat e ditës, duhet të kenë qenë heronjtë e vërtetë e janë bash ata që i kanë bërë aktet më fisnike. Por dikush mund të thotë se ky është një gjykim krejt subjektiv. Edhe këtë merak duam që t’ia heqim çdo lexuesi duke ia pohuar këtë dyshim.
Jemi krejt subjektivë në vlerësimin tonë. Por a nuk ju bën përshtypje karriera e disa ekspo-dhjetoristëve ‘90, që nuk kanë treguar kurrë se si e morën kurajon të kundërshtonin sistemin më të egër në Europë? A nuk ju bën përshtypje fakti se secili prej tyre vrapon zellshëm dhe zvarranikisht që lejen për të shpallur veten hero ta kërkojë nga Lideri Politik, apo Liderat e Partive sipas interesave, rreshtimit, dhe rastit, dhe jo nga ngjarja që ai apo ajo kanë krijuar apo marrë pjesë? A nuk ju bënë përshtypje që ndërkohë zhgërryhen e turfullojnë nëpër studio se ishin heronjtë e dhjetorit ’90, dhe sapo dalin nëpër kafene shprehen se ata vetë nuk dinin se ç’po ndodhte në “qytetin “e tyre?
A nuk na thonë këta njerëz se si e arritën pajtimin e tyre të pashprehur me elitën më të egër politike komuniste, kur kjo e fundit ende edhe sot e kësaj dite ndonëse me skalionet apo brezat e dytë, tretë apo të katërt, gëzon shëndet të plotë ekonomik e politik, nën trajtën e re të një elite skandalozisht bllokuese të periudhës së tranzicionit? Madje, madje për ironi të fatit, vetë ekspo-dhjetoristët ‘90, na e thonë në media apo tribuna si çirakë të politikës apo me mandate të tëhuajëzuara të politikës, se ish-bllokmenët të rinj dhe të vjetër janë akoma në veprimtari të plotë politike, ekonomike dhe mediatike prej 21 vitesh edhe sot e kësaj dite…
Dhjetori ‘98
Tani le të shohim ç’ka ngjarë me dhjetorin 98. Kemi parë me shumë gëzim se shumica prej tyre nuk kanë arritur të jenë askund në politikën e madhe. Nuk janë shpërblyer, nuk janë konsideruar, nuk janë vlerësuar, madje janë lënë në harresë dhe neglizhim total. Fisnikëria e tyre ka qenë e madhe sepse nuk kanë rendur ta shesin fotografinë historike të dhjetorit ’98, për të kërkuar shpërblime, konsiderata apo vlerësime nga politika e ditës. Përjashtim kanë bërë disa emërime sporadike individësh në pozicione të larta shtetërore, por jo për shkak të pjesëmarrjes së tyre në lëvizjen studentore të dhjetorit ‘98, por për arsye të tjera, jashtë dhjetorit ‘98. Këto emërime nuk janë aspak përfaqësuese, ngase edhe vetë të emëruarit nuk denjojnë e as kanë pikë dëshire ta konsiderojnë emërimin e tyre si burim e rrjedhojë të vlerësimit dhe negocimit me lëvizjen dhe pjesëmarrësit në lëvizjen studentore të dhjetorit ‘98.
Kësisoj përsiasim plot ngazëllim se dhjetoristët ‘98, ose shumica prej tyre kanë pasur një distancë shumë të madhe me elitën komuniste dhe post-komuniste dhe e vetmja pikë takimi i tyre me të është ajo çka mund të quhet qoshetakimi me ish-elitat komuniste dhe elitat e reja bllokuese post-komuniste të transponduara në kryesinë e Partisë Demokratike të viteve ’90 – ‘98. Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’98, u konfigurua si një lëvizje e sinqertë që u bazua plot ndërgjegje e kthjelltësi tek figura legjendare e Azem Hajdarit i cili ishte ekzekutuar pabesisht dy muaj më pare, para oborrit të PD-së.
Nga arsyetimi i të qenurit dëshmitarë dhe drejtues kryesorë në ngjarje na duhet të themi se e sigurt është edhe marrëdhënia dhe mirëbesimi që dhjetoristët ‘98 kishin tek Sali Berisha ndërsa ia nisnin përpjekjeve të tyre për ta ngritur në këmbë këtë lëvizje studentore. Por nuk mund të flasim reciprokisht për po të njëjtat ndjesi dhe qëndrime nga ana e Sali Berishës dhe e Kryesisë së PD. Thjesht nuk e dimë dhe nuk kemi se si ta verifikojmë përveçse duke hapur këtë debat që synon ky shkrim. Nëse Kryesia e PD dhe Lideri i saj atëherë dhe sot Sali Berisha, kanë qenë apo jo të sinqertë në atë çfarë ata kanë bërë, kjo është për t’u ekzaminuar.
Por fakti është se dhjetoristët e ’98, i kanë qëndruar në krahë, i janë gjendur në momentet më të vështira dhe e kanë mbrojtur këtë lidership të PD dhe sidomos vetë drejtpërdrejt dhe nominalisht Sali Berishën, edhe pse atëherë në dhjetorin ’98, të gjithë pjesëmarrësit dhe drejtuesit e lëvizjes e kishin vetëdijen e plotë se Sali Berisha ishte i izoluar politikisht brenda dhe jashtë vendit. Asokohe u vendos mirëbesimi tek Sali Berisha dhe u vendos madje edhe ndërmarrja e grevës së urisë të 120 studentëve, që afërmendsh ndihmonte rikthimin e Sali Berishës në skenë si faktor determinant në politikën shqiptare atë dhjetor të ‘98.







