E vërteta të çliron

0
41

Nga Mero Baze

E kam shkruar diku tre vjet më parë dhe në një libër timin se tragjedia e Gërdecit ndryshoi historinë e Berishës dhe qasjen e tij ndaj politikës dhe shtetit shqiptar. Epoka e qeverisjes së tij të re mund të ndahet lehtësisht në dy epoka, në atë para dhe pas Gërdecit. Nuk dua të vlerësoj më shumë pjesën e parë dhe të poshtëroj pjesën e dytë të qeverisjes së tij, por duhet të pranojmë se para Gërdecit Berisha ishte më i lirë të zgjidhte, më i lirë të qeveriste dhe më i lirë të sillej në mënyrë më korrekte me institucionet e pavarura të shtetit shqiptar. Gërdeci ndryshoi historinë e tij politike dhe familjare në mënyrë dramatike.

Mesdita e 15 Marsit, telefonata e parë e gruas së tij se baxhanaku kish vdekur në Gërdec në biznesin e djalit ë tyre, alarmi për të fshehur gjurmët dhe kufomën e familjarit të tyre, ngatërrimi i shpejtë i emrit të baxhanakut dhe kompanisë amerikane dhe dhjetëra detaje të tjera dramatike, filluan të prodhojnë një qasje të re politike të familjes në pushtet. Nëse para 15 Marsit të vitit 2008 Berisha qeveriste për tu pasuruar me një plan të kujdesshëm me kosto të ulët për të dhe partinë e tij, pas 15 Marsit 2008 Berisha po qeveris i diktuar nga tragjedia që ka shkaktuar djali i tij me shpresë se vitet në pushtet do t’i mjaftonin ta varroste këtë histori.

Pas 15 Marsit 2008, ai vuri në shënjestër gjithë institucionet e pavarura dhe medien që u mor me çështjen e Gërdecit. Beteja e tij e pashembullt kundër gazetës Tema, ndaj meje personalisht dhe të afërmve të mi, ishte një patologji që e prodhon ideja se unë isha dëshmitar që i biri i tij merrej me atë fabrikë vdekjeje. E pata paralajmëruar në gazetë para se Gërdeci të shpërthente se i biri i kryeministrit po merret me biznes armësh në Vorë dhe kaq mjaftoi që ai të humbiste çdo ekuilibër njerëzor, politik dhe shtetëror në sjelljen ndaj një qytetari të këtij vendi dhe ndaj një medie që drejtohej prej tij. Mjaftoi pas Gërdecit që unë dhe disa kolegë të pakët gazetarë të përmendim lidhjet e djalit të tij me Gërdecin që ai të shfytyrohet publikisht, të na fyente me libër shtëpie dhe të mos linte rast pa na nxjerrë armiq të Shqipërisë për çdo ngjarje që ndodhte këtu.

Edhe kur ndodhi masakra e dytë e Familjes, ajo e 21 Janarit, ai e kishte mendjen pikërisht tek ata gazetarë që i kishin zbuluar sekretin e tmerrshëm të djalit të tij vrasës. Dhe na shpalli puçistë pa ja mbajtur të na thërriste të dëshmonim. Dhe e dini pse? Se mendonte për një çast se Halimi do të na pyeste për 21 Janarin dhe ne do t’i flisnim për 15 Marsin, për djalin e tij vrasës, për baxhanakun e vrarë nga biznesi i djalit, për turpin e Familjes që rrënoi shpresat e shqiptarëve për një vend të lirë dhe demokratik vetëm për një biznes të ndyrë të një djali të papërgjegjshëm, që si gjithë fëmijët e liderëve ballkanik autoritarë, biznesi i parë që i shkon në mendje është tregtia e armëve.

Historia e Sali Berishës pas 15 Marsit fillon e degradon në të gjitha aspektet. Ai nis urgjent futjen nën presion të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë, Institucionit të Presidentit, medies dhe gjithkujt që guxonte të ngrinte gishtin. Por kostoja më e rëndë ishte pikërisht politika e tij pas 15 Marsit 2008. Nëse para 15 Marsit njerëzit që i duheshin Sali Berishës ishin ata që ai kish pasur besnikë apo që kishin një reputacion të tyrin në publik, njerëzit që i duheshin pas 15 Marsit ishin njerëzit që dinin gjithçka për djalin e tij në Gërdec dhe nuk flisnin.

Sapo kishte hequr nga Ministër Drejtësie Aldo Bumçin, një njeri që e quante dizastër dhe të neveritshëm në punën e tij, dhe kur mendoi se kish shpëtuar prej atij që e quante dizastër, ndodh tragjedia e Gërdecit dhe i biri kujtohet t’i tregojë se prokuroria ka kapur një faks ku Aldo Bumçi i raportonte Shkëlzenit se si e kishte bërë përmbajtjen e vendimit aprovues nga Ministria e tij. Zagari i gjuetisë i PD-së, siç e quan ambasadori Withers Aldo Bumçin, u rikthye me urgjencë kryetar i PD-së së Tiranës, deputet dhe sërish Ministër. Viktor Gumi, një burokrat korrekt i Ministrisë së Drejtësisë, ndaj të cilit kishte bërë luftë për ta hequr si njeri i Skënder Gjinushit, pati dhe më shumë fat.

Ai kishte bërë diçka si një shënim në krah të faksit për Shkëlzenin dhe nga armik dhe “nip” i Gjinushit u bë figurë e PD-së, zëvendësministër dhe deputet. Ridvan Bode, i cili kishte kundërshtuar projektin, me idenë se ishte ndonjë pazar i Mediut me Delijorgjin, ishte kthjelluar papritur që ishte i Shkëlzenit dhe u bë i paprekshëm. Ilir Rusmali, i cili nuk kishte mundësi ta korrigjonte gabimin e refuzimit për ta firmosur vendimin për Gërdecin, u eliminua siç e thotë Wikileaks pas një kërkese të prerë të Berishës për dorëheqje, duke i sajuar një komplot për vëllain e tij biznesmen përmes Agron Kuliçit.

Një sërë ministrash dhe zyrtarësh të tjerë që kishin dijeni për çështjen, u bënë të paprekshëm. Këshilltarë dhe shefa kabineti të Sali Berishës, që kishin pritur e përcjellë djalin e tij për të firmosur letrat e atij biznesi, morën papritur rëndësi dhe u bënë ministra. Më surpriza prej tyre ishte Arben Imami, shefi i kabinetit të Sali Berishës, i cili u dërgua Ministër Mbrojtjeje, pikërisht për të heshtur rreth gjithçkaje që flitej në ato korridore.

Një paraardhës i tij, Gazmend Oketa, nuk u tregua shumë luajal dhe i fluturuan nga arshiva shumë dokumente që sot i ka prokuroria dhe media dhe kjo nuk ka për t’iu falur kurrë. Fatmir Mediu, dëshmitari i Djallit në këtë histori kriminale, ka po ashtu pjesën kyçe në këtë transformim të Berishës. Ai kuptoi dëshirën e Berishës për të heshtur dhe e shiti shtrenjtë heshtjen e tij. Nëpër tavolina ai thotë të vërtetën. Ai të tregon se nuk e njihte Mihal Delijorgjin dhe nuk e njihte vërtet. Unë e dëshmoj këtë. Ai ja ka refuzuar këtë projekt Delijorgjit dhe Selmanllarit për muaj të tërë. Bile Delijorgjin nuk e ka pritur as në zyrë.

Por një ditë në zyrën e tij filloi vizitat Shkëlzen Berisha. Mbi 50 vizita të regjistruara nga sekretarja për një muaj, dhe dosja u firmos. U firmos për Shkëlzen Berishën. Më tej, atje ku ngecej puna, Shkëlzen Berisha merrte në telefon gjithkënd, Ministra, drejtora, dhe deri Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Administratori i tij real në këtë biznes, Rrahman Selmanllari, ka dhënë dëshmi të rreme dhe prokuroria nuk ka guxuar ta marrë të pandehur. Vetë Shkëlzen Berisha, që ka lënë gjurmë gjaku në çdo cep të kësaj historie, ende nuk është thirrur.

Sali Berisha e mbrojti atë me zjarr dhe hekur. Shkatërroi medie, shkatërroi politikanë, shkeli mbi parimet e shpallura të tij, bëri aleancë me djallin vetëm që e vërteta e djalit të tij vrasës të mos dilte kurrë. Dhe si për mallkim të Zotit, si për të qetësuar shpirtrat e vrarë nga kjo masakër, ata që kanë punuar dhe e dinë kush ishte pronari real i fabrikës, del më në fund në dritë e vërteta. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dëshmoi, ose më mirë të themi u rrefye në të vetmen “kishë” të sigurt në këtë vend, se djali i Sali Berishës ishte ai që urdhëronte gjithkënd për të ecur para ky projekt.

Gjithë degradimi që Berisha dhe Familja e tij i kanë bërë politikës shqiptare, demokracisë, medies dhe institucioneve të këtij vendi shkuan dëm. Piramida e frikës dhe terrorit për të mbuluar të vërtetën u shemb dhe tani ne kemi vetëm një akuzë dhe një fajtor për Gërdecin. Në akuzë është i biri i Sali Berishës si pronar real i Fabrikës së Vdekjes, fajtor është kryeministri Sali Berisha që ja dhuroi këtë biznes të birit të tij me ligësi dhe në raport me bashkëpunëtorët e vet, fshehtas, si skuth, që të mos ua dinte as për nder që po bënin të birin milioner. Dhe pas tragjedisë bëri ç’mundi t’i mbante zagarët, kameleonët, zvarranikët dhe gjithkënd që kish përdorur i biri në këtë histori.

Tani gjithçka është e kotë. Bashkë me një të vërtetë të madhe, merr fund një degradim i madh i historisë së Shqipërisë, i historisë së politikës dhe demokracisë vetëm për shkak të një djali plangprishës, që është rritur në makina trafikantësh dhe përfundoi në kthetrat e tyre si trafikant armësh. Është e tepërt që Shqipëria ta paguajë kaq shtrenjtë papërgjegjshmërinë e një njeriu vetëm pse ai është djali i Sali Berishës.

Është e rëndë që ne sot të qeverisemi nga këta idiotë, zagarë gjahu dhe zvarranikë trafikantësh, vetëm pse ata dinin që i biri Sali Berishës ka vrarë 26 vetë. Çojeni atje ku e ka vendin atë njeri dhe kemi për t’u çliruar të gjithë. E vërteta të çliron dhe mund të çlirojë ndoshta dhe vetë Sali Berishën, që po merr zvarrë vendin nga makthi i një prindi të sëmurë që e do doemos të pafajshëm djalin e tij. Është dëshirë shumë njerëzore, dhe ja pranojmë, por jo kur ngrihet mbi një politikë çnjerëzore ndaj të tjerëve. Ndaj gjithë Shqipërisë. Ai nuk vlen kaq shumë.