E SHTUNA E BETIMIT…

0
29

Shënime dhe mbresa, nga Filadelfia(ShBA), në nderim e kujtim të poetit, prozatorit, përkthyesit dhe shkencëtarit të talentuar, Betim Muço

Nga: LAVER NIKU

Para disa ditëve, Shoqata “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia (SHBA), organizoi një veprimtari përkujtimore, në 6-mujorin e largimit nga ne të të paharruarit Betim Muço. Nën përkujdesjen e përkorë të Iliriana Sulkuqit dhe të palodhurit Llazar Vero, për një cast, mendova se qiejt, ku banon tani Betimi ynë, u përthyen, u ulën dhe e sollen ndërmjetg nesh, ashtu të qeshur, siç na e la dhe amanet. Ishin të shumtë ata, që kishin ardhur ta “takonin”, jo vetëm nga familja, por dhe shumë e shumë të tjerë, që kishin me vete fjalët e mirësinë, që ai na la. Të gjithë e njihnin dhe e kishin në kujtesë buzagas, duke kujtuar ato fjalë, që u kishte lënë: “Me mbani mend, duke qeshur”. Dhe donin të flisnin të gjithë, ashtu spontanisht. Por sa shpejt “hapa” sytë: Kishte ardhur apo jo Betimi ynë? Se, po të ishte vërtetë aty, s’do të lejonte njëri të fliste për të. Se ai punoi, shkroi dhe e skaliti fjalën vetëm për të tjerë, me heshtje e modesti të pashoqe. Erdhi duke qeshur Betimi, por s’di pse u kujtova te mora rrugen e kthimit, në Neë York, për “mosmirenjohjen” shpërblyese te tij: Më la mua dhe shume të tjerë, me një boshllëk malli e dhimbjeje”.

Kështu shkruante në facebook, më 12 korrik 2015, shoku i tij i më se 40 viteve, poeti dhe kritiku i letërsisë, Vaid Hyzoti. Në këto pak rreshta, duket sikur përmblidhet gjithçka ndodhi dhe u ndje, në sallën e veprimtarive të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Për atë takim të së shtunës, kishim kohë që përgatiteshim. Shkëndijën e parë e dha mikja e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, poetja e mirënjohur, gazetarja dhe veprimtarja e palodhur, Iliriana Sulkuqi. “Të organizojmë një mbasdite me shokë dhe miq të Betimit, me dashamirës të poezisë dhe punës së tij krijuese….-tha ajo- Në korrik ai bën gjashtë muaj që është ndarë nga ne.” Mendimi i saj gjeti përkrahjen e plotë të kryesisë së Shoqatës. U përgatitën stilolapsat me emrin e Betim Muços. Iliriana la, “si padashje”, edhe paret për koston e tyre. Me ndihmën e bashkëshortes së Betimit, u përgatitën broshurat për biografinë dhe veprimtarinë letrare dhe shkencore të Betimit. Pastaj një fotografi e madhe në kanavacë, që tani ka zënë vend midis fotove të njerëzve më të shquar të fjalës shqipe, në sallën e veprimtarive të Shoqatës. Betimi është një figurë e tillë, me kuptimin më të plotë të fjalës.

Salla e këtij takimi u mbush shpejt. Ndër të parët, si zonja që priste miqtë dhe shokët e Betimit dhe bashkatdhetarët e tij, ishte bashkëshortja e tij, prof. dr. Martha Muço, e shoqëruar nga i biri, Zinart Muço me të fejuarën. Nga Ëashingtoni, Merilendi, Nju Jorku, Nju Jersi, erdhën shokë dhe miq të Betimit dhe Martës, krijues dhe gazetarë të “Zërit të Amerikës” etj. Rrallë ka parë ajo ndërtesë kaq shumë bashkatdhetarë, të ardhur nga shtete të tjera të Amerikës. Pastaj erdhën “vëndalinjtë”, që sipas zakonit shqiptar sillnin edhe diçka të gatuar apo pirë. Dikush një kuti me birrë, dikush një byrek ose gatim tjetër të traditës sonë etj.
Ndërkohë, në ekranin e madh filloi te shfaqej një montazh, nga intervistat e Betim Muços në kanalet televizive shqiptare dhe këngë të kënduara nga Vaçe Zela dhe Bashkim Alibali, me tekste të Betimit, përgatitur nga i pasionuari i kameras, Flori Bezhani: ” Desha të dilte me në pah jeta e tij, Betimi si njeri, në të gjithë gjërësinë e tij.”- tregonte Flori më vonë, kur merrte përgëzimet për punën e bërë.

Fjalën pastaj e mori Tajar Domi, kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Pasi u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, ndër të tjera, tha: “Duke respektuar në këtë mënyrë, thjesht, por me shpirt dhe zemër, prof. dr. Betim Muço, ne respektojmë veten, respektojmë vlerat tona intelektuale kombëtare dhe mburremi denjësisht para botës, për këto kapacitete, që në çdo vend të jenë, konkurojnë me kokën lart dhe fitojnë. Por ne nuk duhet t’i lëmë që fjalët e tyre të dëgjohen me vonesë, pasi ata ndahen nga ne. Detyra jonë si qytetarë është t’i përçojmë këto vlera te të gjithë bashkatdhetarët e sidomos te të rinjtë, te ky brez, që po arrin të arsmohet edhe këtu në shkollat dhe universitetet më me emër në Amerikë. Emra të tillë, si i prof. dr. Betim Muço, duhet ta bëjnë këtë brez të ndjehet krenar…

Kombit tonë i duhen vlera, që ai të njihet dhe të zhvillohet përkrah kombeve të tjerë. Betimi ishte një vlerë e tillë e madhe dhe i tillë do të mbetet përherë. Ai la pas një trashëgimi të pasur të jetës së tij, mbi 25 vepra, në poezi dhe në prozë, me nivel të lakmueshëm artistik; libra dhe studime shkencore në fushë të sizmiologjisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përkthime nobelistësh botërorë dhe, mbi të gjitha, atdhedashurinë e tij, që e përçoi kudo, ku ai punoi dhe jetoi, edhe këtu në Amerikë, gjatë 13 viteve të fundit”.

Kështu nisi të ravijëzohet dhe dalëngadalë të trupëzohet dhe të vijë i gjallë ndërmjet nesh, Betimi ynë i dashur. Ngrihet poetesha zëmërmadhe, Iliriana Sulkuqi që, pasi foli për Betimin dhe poezinë e tij, tha se e falenderonte atë sepse na mësoi si të heshtim, më shumë se të flasim. Falenderoi bashkëshorten e Betimit, Marta Muçon, për gjithçka ka bërë dhe bën për atë. Më tej, ajo lexoi poezinë e tij “Më mbani mend, duke qeshur”. Ndër të tjera, ai shkroi: “Nuk bëra kurrë ç’desha të bëj, /Nuk qeshë kurrë siç desha të jem,/:Ëndërrova titanët dhe me mizat jam ndeshur/ Miqtë e mij, ju lë amanet : /Më mbani mend duke qeshur”.

Publicisti Llazar Vero, që ishte ngarkuar me mbarëvajtjen e këtij takimi, lexoi një mesazh të dërguar nga Nju Jorku, prej mikut të Betim Muços, poeti dhe prozatori i mirënjohur Roland Gjoza. Pasi kërkonte ndjesë se, për arësye shëndetsore, nuk mund të merrte pjesë në këtë takim, ndërmjet të tjerash, shkruante : “Ju lutem, transmetojani familjes Muço nderimin, gjerë në shënjtëri të kësaj dite, aq të rëndesishme, jo vetëm për ata, po dhe për miqtë, letrat, shkencën. Betimi është ringjallur, që ditën kur u kujtua dhe s’harrohet më… Jo, nuk e lodhi shkenca, ajo përpikëri e rëndë prej ekzaktësisë; jo, nuk e lodhën udhëtimet e pafundme kozmopolitin fisnik, që donte t’i shijonte të 1000 bukuritë divine kësaj bote, përpara se të shkonte andej nga 100 vjetët; jo, nuk e lodhën fizike dhe e çon në tejjetë…

Pikërisht, në tejjetë e kishte kërthizën… Na e mori Dante. As Ajnshtajni, as Kolombi, as Marta, s’patën fuqi ta mbanin. Kështu e kanë poetët. Po nuk ikin ç’lidhej me njerëzit, po me të fshehtën e frymëzimit spontan që e rrëmben njeriun prej sferës vërtet, vetëm sa bëjnë nje sfidë, këta anarshistë të statukuosë dhe vijnë kur i zemë me gojë. Si sot, në këtë takim miqsh e familjarësh, që kanë atë fuqi sa ta lënë Danten vetëm. Po, po, e ka këtë fuqi, “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, e kanë këtë fuqi Marta, miqtë. U shfaq.

Syri është më i varfër se ndjenja, ndonëse shquhet. Të mos harrojmë se sot kemi ngapak Zot midis nesh. Dhe ndodh mrekullia, jo përmes fjalëve të Ungjillit, po përmes fjalëve të shpirtit. Kemi humbur format, s’kemi veshje e tipare, që të na dallojnë, po jemi bërë lëndë efemere, vetëm e vetëm që Betim Muço të ngallet! Dhe ja, ku e ngjallëm…”. Kështu shkroi poeti për poetin. Në këto çaste më kujtohet një thënie e Betimit për poetët dhe poezinë : ” Poezia është një përpjekje për të rithënë vetëveten. Ajo lind nga shpirtëra, që shohin atje, ku jo të gjithë shohin dot.”

Ndërkaq, në sallë u krijua një atmosferë e mbushur me emocione të fuqishme, që shoqëroheshin me përlotje dhe buzëqeshje, të përziera me dhimbje, dashuri dhe kujtime pa fund. Ngrihet shoku i afërt i Betimit, Vaid Hyzoti, që megjithëse me probleme jo të vogla shëndetësore, ishte atje atë ditë janari, me mot të hidhur, për tu ndarë “për pak” nga Betimi dhe për ta pasur pranë në kujtimet e tij gjithë jetën. Solli ndërmjet të pranishmëve mjaft të gjalla takimet e të shtunave me Betimin dhe shokë të tjerë, që kur ishte nxënës në gjimnaz e pastaj student dhe gazetar. Ishte poezia dhe mirësia e veçantë e Betimit, që e mbante lidhur të shtunave. Por kur mungonte Betimi në takime, bisedat kërcisnin, pësonin çarje. Mungonte njeriu që mbushte ëmbël dhe mënçurisht këto takime, me mirësinë dhe kulturën e tij të gjërë.

“Më mirë ishte të të dilte ndonjë punë shtëpie, se sa të shkoje në këto të shtuna pa Betimin” – tha Vaidi. – Ja edhe sot që kemi Betimin midis nesh është e shtunë. Në xhep mbante nje vjershë, që e kishte shkruar pikërisht për këto të shtuna të bukura. Ndërsa fliste, e futi dorën disa herë në xhep, por nuk mund ta lexonte. Nuk mund ta lexonte, megjithëse i kishte premtuar dhe Marta Muços. Ajo ishte gjithë sy e veshë, për të mos humbur asnjë çast nga ky takim, por pa iu shpëtuar lotëve, që dukej se dilnin nga thellësia e shpirtit, një oqean i tërë dashurie dhe jete bashkëshortore, nga më të bukurat.

Mes emocioneve, Marta ngrihet dhe falenderon të gjithë të pranishmit dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, për organizimin e kësaj dite të shënuar. Foli për Betimin si shok, si bashkëshort, si prind, për punën e tij si shkrimtar; për studimet e tij shkencore, për punën e madhe, deri në stërmundim me përkthimet. Donte që lexuesi shqiptar të ishte më afër me autorët më të mirë të botës. Dhe e bëri. Kështu edhe me studimet e tij shkencore. I dha emër Shqipërisë në të gjithë botën, ku shkoi si shkencëtar, një emër i respektuar. Fjalën e tij me peshë të një studiuesi shqiptar, e çoi në të katër anët, në të gjithë kontinentet.

Shqipëria nuk mund të kishte ambasador më të mirë, më dinjitoz, më të kulturuar, se sa prof. dr. Betim Muço. Ai njihte gjashtë gjuhë të huaja, nga të cilat edhe përkthente. Ka 25 botime të krijimtarisë së tij letrare, që nga poezia, tregimi, romani e deri te letërsia për fëmijë, që ua kushtoi fëmijëve të tij. Shtoju këtyre edhe 12 botime, me përkthime nga gjuhë të ndryshme, të autorëve më në zë, si Graham Green, James Joyce, Alice Munro etj. Pa përmendur botimet shkencore, që zënë një volum të konsiderueshëm faqesh.

Krijimtaria e Betimit është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Ka marrë disa çmime për krijimtarinë e tij poetike, duke përfshirë këtu edhe çmimin ndërkombëtar të Konkursit të Poezisë “Les Muses d’Or”, më 1995.

Ndërsa veprimtaria shkencore e Betim Muços është pothuaj krejt e panjohur për ne, deri për shokët dhe miqtë e tij më të afërt. Ai nuk fliste kurrë për veten. Jo vetem kaq, por nuk linte as të tjerët të flisnin për të. Ai ishte nje shkencëtar i nderuar dhe i respektuar kudo. Ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të IUGG, për Shqipërinë, Përfaqësues i Shqipërisë në Shoqatën Ndërkombëtare të Sizmologjisë dhe Fizikës së Brëndësisë së Tokës (IASPEI), anëtar i Kryesisë së Shoqatës Shqiptare të Gjeologjisë Inxhinierike dhe Gjeomjedisit (Tiranë, Shqipëri), Përfaqësues Kombëtar në Komisionin Sizmologjik Evropian, Anëtar i jashtëm për Shqipërinë në Bordin e Drejtorëve të Instituteve Kërkimore të Bashkuara për Sizmologjinë (IRIS), në SHBA etj.

Për të gjitha këto merita, në prill të vitit 2004, Betimi fitoi qëndrimin e përhershëm në SHBA, në dy kategori: Për interesa kombëtare të SHBA dhe si individ me aftësi të shquara.
Nuk mund të përmbledhësh dot, në faqet e një artikulli, gjithë jetën, krijimtarinë dhe punën shkencore të Betim Muços. As të gjithë bashkë, në një mbrëmje përkujtimore, nuk mund ta realizonim këtë gjë. Është një figurë e veçantë, se tek ai, si rrallë te të tjerët, janë së bashku shkrimtari, shkencëtari dhe njeriu i mrekullueshëm. Janë mijëra faqe të shkruara, përgjatë 52 viteve krijimtari dhe punë shkencore.

“Kur e njoha Betimin, trëgon Marta,- ishte poet. Më vonë e njoha atë në të gjitha dimensionet e tij. Kudo që ndodhej, do të bënte diçka, do të shkruante diçka, qoftë letrare ose qoftë shkencore. Nuk ka ndodhur ndonjeherë ta shikoje Betimin pa një libër në duar, pa lexuar dhe shkruar. Gjithmonë punën e bënte me pasion dhe kjo është karakteristika kryesore e punës dhe jetës së tij… Vepra e tij letrare dhe shkencore është me të vërtetë e madhe, për letërsinë dhe shkencën shqiptare. Ai do të mbetet shembull, për përkushtimin e tij në punë. Betimi ishte i dashur me shokët dhe mundohej të ndihmonte të gjithë, pa dallim. Kjo buronte nga shpirti i tij, nga brendia e qënies së tij, nga familja e tij e mrekullueshme dhe me kulturë. Betimi kishte prindër të veçantë, për nga mirësia dhe kultura, prindër për të cilët unë kam një respekt të thellë”.

Ishte një bashkëbisedim i sinqertë i njeriut më të afërt të Betimit, bashkëshortes së tij, Marta Muços, me shokët dhe miqtë e tij, me bashatdhetarë që donin të dinin shumë dhe më shumë për poetin, prozatorin, shkencëtarin dhe njeriun e madh, Betim Muço. Ndërkohë, në dorë ajo mbante një stilolaps kuqezi, me emrin e Betimit. “Ky stilolaps, i përgatitur nga Shoqata “Bijtë e Shqipes” për Betimin, është diçka e veçantë dhe e shtrenjtë për mua, – tha Marta,- e mbushur gjithë emocione dhe mirënjohje për të gjithë të pranishmit dhe Shoqatën Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia.- Ndërsa dhurata ime dhe e Betimit për Shoqatën dhe shkollën e saj, janë librat që solla nga botimet e viteve të fundit të tij. Ju keni bibliotekën tuaj të bukur, ju keni librarinë për shitjen e librave të autorëve shqiptarë. Të gjitha të ardhurat, që do të sigurohen nga ato, le t’i shërbejnë shkollës shqipe”.

Llazar Vero, në emër të Shoqatës, e falenderoi Martën për dhuratën, që i bëri shkollës shqipe dhe bashkësisë shqiptare, në Filadelfia.
Pranë foltores afrohet Iliriana, që do të lexonte një mesazh nga poetja e mirënjohur Natasha Lako.”I rendë, si gurët e dheut mbeti Betim Muço, por ndoshta edhe njeriu më delikat dhe i ndjeshëm i kësaj bote dhe i asaj Lidhjeje Shkrimtaresh, aq të perfolur prej të gjithëve në kor. Betimi i lë shqiptarëve talentin dhe ndershmërinë, përmbajtjen fisnike, busullën e anijes letrare që nuk pranon kurrëfarë patetike dhe profka të mëdha, si dhe modestinë e jetuar thellë. Ja përse edhe një ndërtesë do të bëhet e shënjtë, kur të ruajë edhe emrin e tij të rrallë, pavarësisht se ai shkeli gjithë anët e botës. -shkruan ajo midis të tjerash.-Jam krenare që kam shkruar për veprën tënde letrare, mik që ke dashur të afrosh popullin tim me të gjithë shkrimtarët dhe poetët, si me një jetë hoshënari, larg zhurmave të mëdha. E dija që të pëlqenin udhetimet, por nuk e dija që me ngut do të nisje udhëtimin tënd të fundit.
E di, që fjala e Betim Muços do ta bekojë popullin tim, në jetë të jetëve, me një zë prej burri të vërtetë”.

Vazhdon kështu bashkëbisedimi për Betimin dhe me Betimin e atyre, që janë në sallë dhe atyre që janë larg, në Shqipëri, në Kanada, Amerikë etj. Është një bashkëbisedim, që është shumë e vështirë t’i shpëtosh forcës goditëse të emocioneve. Poeti Sami Gjoka e nuk ka të lehtë që të flasë pa emocione, për shokun e tij të çmuar: “E kam lexuar Betimin, para se ta njihja dhe e kam vlerësuar. Sot ndjehem i privelegjuar, që e kam njohur Betimin nga afër. E kam çmuar përherë shoqërinë e tij. Por, më mirë se me fjalë, Sami Gjoka shprehet me shkrim: “Betim i shtrenjtë e i dashur, për mua ka qënë gjithmonë, për nga mirësia që kishte, si një imazh Perëndie. E, si të ishte ndryshe, një njëri me zemër të madhe e të ndjeshme si Betimi; njëriu i mënçur, i urtë si ai, që kurrë nuk dinte të nxirrte veç fjalë dashurie nga shpirti i tij i madh e i thellë; për mua, një këshillues dashamirës, që të bënte nder ta kishe mik e shok, një njëri që të ngjan si një vëlla i madh, të cilit ke dëshirë t’i përngjash e që, kur ikin, të lënë me një gropë të madhe e të thellë, që s’paska gjë ta mbush më…”.

Vlashi Fili , sekretar i Shoqatës ” Bijtë e Shqipes”, sjell për të nderuar jetën dhe veprën e Betim Muços, një përshendetje, që vjen nga Kanadaja. Është poeti dhe prozatori Faruk Myrtaj, mik dhe shok i familjes dhe Betimit, që shkruan plot mall e dhimbje për atë ditë, që ai u nda nga ne. ” Kisha vetëm e-mailin dhe numrin e telefonit e tij, të Betim Muços, por ngurova cilin të përdorja. Si për të provuar atë, që sapo kisha dëgjuar, m’u duk më e lehtë t’i shkruaja pikërisht atij, Betimit. Përgjigja erdhi shpejt. Adresa e dërguesit ishte po ajo, e Betim Muços. Edhe pse në fund të rreshtave ishte emri i Marta Muços: ” E di që me shpirt ke qënë këtu me mua, ndërsa përcillja Betimin e shtrënjtë në banesën e fundit. E mbarova detyrën e parë. Tani kam Tiranën, që është më e vështira për mua, por që unë do ta bëj edhe atë për Betimin tim të dashur…”. Zogjtë, duke imituar poetët, kthehen hera herës te foleja e tyre, që ne njerëzit e quajmë Atdhe… Shkrimtarët nuk ikin kurrë prej atdheut, as kur detyrohen, janë atje edhe kur fizikisht shfaqen tjetërkund. Këto solla ndërmënd teksa po besoja se Betimi më ishte përgjigjur prej andej,nëpërmjet të po asaj Marte, që dukej sikur sapo kishte marrë përsipër të përgjigjej për dy persona njëherësh…

Padyshim, ishte e vetmja mënyrë: t’i ikje dhimbjes, duke bërë jetën e të dyve”.
Dalëngadalë, mozaiku i dashurisë për shokun, bashkëshortin, poetin e shkencëtarin po plotësohej, me të gjitha ngjyrat. Nga fundi i sallës ngrihet Sadik Elshani, që për pesë vite mbajti gjallë, së bashku me shokët e Shoqatës, veprimtarinë “Fjala e gjuhës së zjarrtë”. Ai thotë: “Betimi nuk vjen për herë të parë në Filadelfia, në këtë sallë. Ai ka qënë këtu, kur folëm për jetën dhe veprimtarinë e tij letrare, me rastin e 60-vjetorit të ditëlindjes së tij, më 2007. Betimi shkëlqeu jo vetëm si shkencëtar, por edhe si poet, prozator dhe përkthyes. Ndaj e meriton të përulemi me respekt para veprës së tij.” Më tej, Sadik Elshani lexoi poezinë e Betimit, “NEËBORN”, kushtuar shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kishte edhe të tjerë, që donin të flisnin. Atë, që nuk e thanë me fjalë, e thanë me shpirt. Ndaj edhe kishin ardhur në këtë ditë përjetimi me Betimin. Ai do të mbetet përherë pjesë e bisedave tona dhe e respektit tone, për të.
Ja, ende dikush ka diçka për të thënë. Është Eqerem Murataj, që propozon që edhe shteti shqiptar duhet ta nderojë më shumë këtë intelektual të madh, që dha kaq shumë për kulturën shqiptare, që i dha emër të mirë Shqipërisë, në të gjithë Botën.

Pas pak ngrihet Llazar Vero dhe u paraqet pjesëmarrësve në sallë mendimin e kryesisë së Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, që t’i propozojnë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanit, që poetit, prozatorit, përkthyesit dhe shkencëtarit të talentuar, me përmasa ndërkombëtare, Betim Muço, t’i jepet dekorata e lartë “Nderi i Kombit”. Pjesëmarrësit e miratuan me një duartrokitje, që më vonë u pasua më nënshkrimin e këtij propozimi.

Në të njëjtën kohë, Shoqata “Bijtë e Shqipes” i kërkon familjes së Betim Muços nderin, që romanin e fundit, në dorëshkrim, të këtij autori ta botoj kjo shoqatë…
Duket, sikur nuk duan të ndahen shokët dhe shoqet e Betimit, nga kjo e shtunë e takimit me të. Iliriana Sulkuqi ngrihet dhe merr një bredh të vogël, që ishte vendosur pranë fotos së madhe të Betimit dhe ia dhuron bashkëshortes së tij, për ta mbjellë, atje, pranë Betimit tonë të shtrenjtë, si shënjë dashurie dhe respekti të përhershëm për të. Përsëri emocione dhe falenderime. Përsëri ndjehemi borxlinj ndaj Betimit tonë. I thamë aq pak, se sa e deshëm, sa e respektonim. Kjo, edhe pse ai nuk të lejonte. Bile edhe sot nuk do të na lejonte të flisnim kaq shumë për të. Biseda vazhdoi edhe gjatë drekës, që shtroi Shoqata, me këtë rast, me gatime të zonjave shqiptare, anëtare të saj.

Në vend të një mbylljeje…
Në minutat e fundit vjen edhe një mesazh tjetër, nga miku i Betim Muços, poeti, njeriu i kulturës së gjërë dhe kërkuesi i palodhur, Moikom Zeqo: ” Betimi,- shkruante ai,- qe një nga mëndjet e ndritura shqiptare dhe një personalitet i spikatur i kulturës, shkencës dhe artit, shkrimtar dhe përkthyes i shkëlqyer si pakkush. Një njëri i mrekullueshëm, që e jetoi jetën me dinjitet-njëkohësisht miku im i vçantë. Midis jetës dhe vdekjes së tij, ai jeton si një monument i kujtesës dhe intimitetit njërëyor. Ai ishte njeriu metafor dhe një krijues modern. Midis jetës dhe vdekjes, ai krijoi veten si një realitet i terte. I paharruar mbetet kujtimi i tij, që shumëfishohet në nderimin e merituar plotësisht”.

Duket se, ky mesazh i ardhur pak me vonesë, ishte si këmbëngulje për vazhdimësinë e të shtunave me Betimin. Kemi ende nevojë të takohemi dhe të bisedojmë me të dhe të bëhemi më të mirë. Ndaj ngula këmbë dhe iu luta Vaid Hyzotit, që të ma dërgonte poezinë e tij, që ai nuk e lexoi në takim:

DO TAKOHEMI, NESER…

Kujtimit te mikut tim Betim Muço

Eshtë e shtunë neser…Do të takohemi patjetër.
S’do të shkojmë në Krujë,
As te Pirro, te Behari, në Dajt a në Mullet.
Ti, lëviz gjithnjë dhe ne të ndjekim,
Nesër në Filadelfia na pret.

Do të pijmë një gotë bashkë nesër, se është e shtunë.
E di që do habitesh për rrengjet, që të kemi ngritur.
S’do flasim për letërsi, për shkencë e politikë,
Por për tërmetin, që ne na ka shkundur…
E ruaje të fshehtë, na e solle papritur.

Do takohemi nesër, se është e shtunë, ndonëse u bënë muaj,
Që të shtuna, në javë, tani kam më shpesh…
Veçse vendtakimet tërësisht janë ndryshuar,
S’shihemi në Krujë, Tiranë as në Merrilend…
S’po mësoj kalendarët, që përdoren në qiell…

Është e shtunë, nesër. Do të takohemi, patjetër…

Filadelfia(ShBA), korrik 2015