“E shkruar” nga perëndi(mi)!

0
99

Nga Artan Xh. Duka, 28 Janar 2012

‘Gropa thithëse’ e 21 janarit u rihap përsëri dhe paniku është evident. Me FBI ‘dorëzanës’, pritshmëritë kësaj rradhe janë që ‘mali i mbarsur të mos pjellë një mi’ dhe gjërat të shkojnë në vëndin e vetë. Për shumëkënd dhe vetë perëndimin koha ‘ulëret’ për drejtësi dhe ndërsa demokracia nuk garanton imunitet nga abuzimi, ky i fundit nuk duhet të jetë i imunizuar nga drejtësia.

Dëshmorë të demokracisë

‘Mesha’ përkujtimore për 21 janarin ishte një këmbanë ‘heshtjeje’ që në mënyrën sesi u organizua, kumboi shumë më fort se çdo alternativë tjetër e sensibilizimit mbarëkombëtar dhe partnerëve perëndimorë për respekt solemn dhe drejtësi pa kompromis. Mbarë shoqëria u përul përpara kujtimit të katër burrave dhe do të ishte në nderin e kësaj Presidence t’i shpallte ‘Dëshmorë të Demokracisë’ tashmë që janë të tillë në sytë e një shoqërie që për fat të keq, ende pas 20 vjetëve të divorcit me monizmin, nxjerr të tillë në emër të demokracisë.

Utopia e dorëheqjes

Përvjetori i 21 janarit, ekspozoi sërisht ndjeshmërinë e përgjegjshmërinë e politikës ndaj të drejtës hyjnore të jetës në demokraci. Ngarkesa politike, sociale, humane dhe patriotike që provokojnë ngjarje tragjike si ajo Gërdecit, financimi jotransparent i rrugës së Kombit, zgjedhjet 2009 dhe ato të majit 2011, kryeujdia e ujrave dhe të tjera me Greqinë, 21 janari i përgjakur etj, gjetkë në perëndimin ku pretendojmë të shkojmë, shpien natyrshëm jo vetëm në zbatimin pa vonesë të drejtësisë por dhe në zgjidhje politike, zgjedhje të parakohëshme përfshirë.

Do të ishte në nderin e mazhorancës që pavarësisht dhe paralelisht trajtimit ligjor të 21 janarit, të rikonfirmonte popullaritetin e saj përmes sfidimit të ‘bllofit’ opozitar (siç mund të konsiderojë ajo) dhe ftesës për zgjedhje të parakohëshme për të qetësuar njëherë e mirë vorbullën e antagonizmit politik që ka ngërthyer skenën politike shqiptare dhe konfirmuar identitetin e saj si parti e dhjetorit demokratik. Ndryshe, nëse nuk ofrohet dorëheqja për asnjë ngjarje të kësaj natyre, përkufizimi i nocioneve ‘dorëheqje’ dhe ‘zgjedhje të parakohëshme’, do të shndërroheshin në koncepte abstrakte dhe nonsense pa asnjë referencë në realitetin politik.

2013 pranë dhe larg!

Ndërsa mazhoranca po humbet në vijimësi shansin e konfirmimit të standartit të dorëheqjes përballë situatave që provokojnë ‘overdraft’ politik që rrit koston politike të zgjidhjes me pasojë marrjen peng të jetës politike dhe sociale, lidershipi opozitar, që më në fund po angazhohet me korrektësi në partnership me faktorin anglo-sakson, ka shpallur de-fakto fushatën duke qënë i gatshëm për zgjedhje të parakohëshme me pritshmërinë më të afërt mbarimin e mandatit presidencial dhe riformatimin pasues të skakierës së politikës në kampin e djathtë. Prirjet e diktuara nga nevojat e brëndëshme të shoqërisë dhe dinamika e gjeopolitikës dhe ndjeshmëritë strategjike të partnerëve të çmuar anglo-saksonë, supozohet se është lexuar drejt prej opozitës por ndonse koha punon për të, ajo nuk pret për një shoqëri të etur për normalitet demokratik.

2013 është pranë për një vënd ku demokracia funksionale, respekti ndaj institucioneve dhe përgjegjshmëria politike janë normë por mbetet larg, shumë larg, për të rrezikuar deri boomerangun e ‘patates së nxehtë’ (për opozitën nëse fituese), kur opozita dhe faktori perëndimor gjykon se perceptimi degradues demokratik është i tillë që zgjedhjet e parakohëshme nuk janë opsion por zgjidhja e vetme ku i humbur nuk del askush. E artikuluar publikisht prej opozitës apo nën zë prej perëndimit (konfidencialiteti i të cilit duhet respektuar nga të gjithë), topi mbetet në fushën e mazhorancës.

Dilema pa vënd

Obsesioni më i fundit i politikës është emri i presidentit të rradhës. Mazhoranca e ethshme për një ‘dishepull’ besnik dhe opozita në merak për monopolizimin absolut të pushteteve. Qëndrime dhe rezerva këto që e kaluara nuk i ka konfirmuar teksa kushdoqoftë personi në fjalë, në momentin që kurorëzohet president, nuk ka sesi të jetë veçse i pavarur jo vetëm sepse të tillë e presupozon Kushtetuta dhe shoqëria por dhe pritshmëria e faktorit perëndimor, në rradhë të parë ai amerikan.

Përballë dilemave të besnikërisë ndaj partisë dhe kostove përkatëse politike nga njëra anë dhe obligimit ndaj Kushtetutës, shansit për të hyrë në histori dhe partnershipit strategjik me perëndimin, dilema e zgjedhjes nuk ekziston dhe presidencat post-97 (sikurse dhe precedentët e prokurorëve të përgjithshëm) e kanë konfirmuar në vijimësi.

Paradoks kushtetues

Nëse në Kushtetutë Presidenti është simbol i unitetit të Kombit, ai duhet të zgjidhet nga shumica të cilësuara, qofshin ato popullore apo parlamentare. Rrjedhimisht në thelbin e saj formula “70+1” nuk mund të mos perceptohet si antikushtetuese teksa bie ndesh me pritshmërinë kushtetuese të unitetit të kombit. Opozita, që në origjinë mëkatoi me vetëdije kur ndërmori ndryshimet kushtetuese, duhet të konsiderojë, krahas dilemës së kuorumit të votimit, edhe interpretimin përkatës në Gjykatën Kushtetuese për të rikthyer dinjitetin dhe integritetin e postit të presidentit që në thelb është dhe i vetë kombit.

Vota e lirë dhe starti i barabartë

E fundit ishte që partitë e mëdha ranë dakort që financimet për fushatë të jenë proporcionale me numrin e votuesve përkatës. Një arbitraritet që diskriminon pozitivisht partitë e mëdha apriori për fushatat në vijim zgjedhore dhe që do të ishte paralelja e uljes së taksave për bizneset e mëdha (!) sepse ato fitojnë më shumë(!) duke kompromentuar si terrenin e garës së barabartë politike por dhe përfitimet për votuesin.

Sistemi zgjedhor duhet amenduar dhe në thelb duhet të garantojnë lirinë e garës dhe mos intimidimin e votuesit. Vota nuk abuzohet vetëm kur numërohet por shumë më herët kur ‘orientohet’ si përmes shpërpjestimit të pranisë në media ashtu dhe nxitjes së votës taktike (votuesi nuk voton për preferencën e parë sepse sugjestionohet prej medias se shumica nuk do veprojë njësoj duke qënë rrjedhimisht një votë e humbur që indirekt shpërdorohet).

Vota taktike është pengesë serioze për votën e lirë dhe minimizimi i saj nënkupton si mbulim mediatik më të balancuar mes forcave politike (ndryshe elektorati sugjestionohet se partitë që shfaqen më shpesh janë favorite dhe çdo votë alternativë do të ishte shpërdorim) ashtu dhe amendime të formulës prezente zgjedhore ku vota ushtrohet në lista të hapura dhe korrektohet në nivel kombëtar apo formula të reja siç mund të jetë STV (single transferable voting apo vota e transferueshme).

Vërtet elektorati mund të paragjykohet se shfaq sindromën ‘Barabbas’ (ku ishte ‘shumica’ që mes Jezusit që ofronte shpëtimin dhe cubit Barabbas, zgjodhën të lironin të dytin duke kryqëzuar të parin) por nëse partitë politike dhe veçanërisht opozita, e kanë seriozisht demokracinë, është rasti ta dëshmojnë duke lënë pas alibitë 20 vjecare përballë një elektorati që meriton parasëgjithash respekt.