Analiza Nga ARBEN RROZHANI, 27 Shkurt 2013
Dje isha dëshmitar okular i një gëzim/trishtimi njerëzor. Miku ynë, koleg dhe politikan, Afrim Krasniqi mori certifikatën e Doktoraturës. Një ngjarje kulminante profesionale dhe akademike që e mbush njeriun e maturon, e bën më të përgjegjshëm, më kërkues.
Afrim Krasniqi ishte veshur bukur për këtë ditë; me pardesy të zezë, kostum dhe kollare me flokët bjondë të krehur ëmbël. Por ishte i trishtuar. Ma tha dy herë para dhe pas marrjes së atij formati A4, që zyrtarisht quhet “Diplomë Doktorate” dhe kërkoi që miqësisht ta shoqëroja deri te rektorati ku merrej kjo shkresë, siç cilësohet prej nëpuënsve të zyrave shtetërore.
Krasniqi ka parë auditorë gjermanë, është mbrujtur me kulturën “Ordnung und disiplin”. Thotë me trishtim se çfarë do të ndodhte sikur këtë diplomë ta merrte atje: Rektori bën një ceremoni të vogël, por solemne dhe ti ndjehesh e respektuar, i përfillur, kontribues dhe të tjerët që kontribuojnë që ti të ndjehesh DOKTOR.
Shqipëria është hesap tjetër. Turqi hesapi do thosh dikush, por turkoshake besoj, jo kjo e sotmja.
Kur Krasniqi kishte vajtur ditë më parë për të tërhequr diplomën sekretarja e kish pritur me këmbët e para. Kishte vajtur në çastet kur ajo kishte kohën e mbllaçitjes dhe hundë e buzë e kish kthyer mbrapsht. “Duhet të paguash në bankë 2000 mijë lekë”-ia kish përplasur në fytyrë dëshirën për të patur në dorë atë karton A4, dizenjuar me ngjyrë të verdhë. “Po pse të mos i paguaj këtu”-ia kish kthyer doktori ende pa diplomën në dorë. Gruaja e kishte parë shtrembër dhe me pak fjalë e kishte përzënë. Dhe Krasniqi, ky djalë Tropoje, që s’ka asgjë të përbashkët me legjendën përbuzëse urbane për tropojanët, ishte kthyer mbrapsht i mërzitur.
Jemi sot: ora 11.16 kur të dy ngjisim ato pak shkallë të latuara aq ëmbël nga italianët që ëndërronin sopatën e Liktorit dhe na lanë dhuratë para pushtimit kompleksin “Dopo Lavoro”. Nëpunësja është në korridorin e katit të dytë, nën shoqërinë e pastrueses dhe këmbë njeriu nuk ka. E kupton menjëherë pse ka ardhur zotëria në fjalë dhe futet brenda:
-Në çfarë fakulteti?
-Filologjiku
Gruaja nxjerr zarfin, i pari mes disave të fakultetit, të gjithë doktorë. I jep Krasniqit librin e dorëzimit, i merr kopjen e verdhë të faturës, duke i lënë atë rozë, i merr amër, mbiemër, firmë dhe i jep zarfin.
Asnjë fjalë. As shëndet, as plaç.
Ora 11.18. Dalim jashtë. Afrim Krasniqi është doktor. Zyrtarisht. Një doktor i mërzitur, por që ngutet të nxjerrë nga zarfi i bardhë, kartonin e butë A4. Përfitoj t’i bëj një foto, në sheshpushimin e shkallëve, të cilën do tia nisja pas një ore, duke marrë mbrapsht përgjigjen: Thanks. Eshtë vërtetë për tu mbajtur mend….diploma dhe biseda rreth saj!!.
Afrim Krasniqi thotë se ka punuar shumë për të arritur aty. Për 15 vite. Duke studiuar brenda dhe jashtë vendit, duke botuar libra dhe studime pa fund. Kam 22 të tilla-thotë me krenari. Universitetet private në Tiranë, Vlorë, apo Strugë bëjnë leksionet me librat e tij.
-Ku e gjej doktoraturën tënde?- e pyes.
-Është online te faqja, por mund ta gjesh edhe në Bibliotekën Kombëtare, ku çohen 5 kopje.
Mu kujtua caparitja e një viti më parë për të gjetur Doktoraturën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Gazetarja e kërkoi zyrtarisht te Fakulteti Juridik, por nuk ia dhanë. Biblioteka Kombëtare nuk e ofroi as për lexim. Ishte kohë skandalesh për doktoraturat. Fiks një vit më parë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg u detyrua të japë dorëheqjen sepse u zbulua se doktoratura që e mbrojti para pesë vjetësh e kishte kopjuar fjalë për fjalë nga gazetat dhe botime të tjera, ndërsa pjesë të tëra të hyrjes së disertacionit ishin kopjuar nga një artikull i politologes së Universitetit të Pasaut prof. dr. Barbara Zehnpfennig botuar në gazetën “Frankfurter Allgemeinen Zeitung”.
Për të ardhur te rasti më i freskët, po në Gjermani, në 11 shkurt 2013, kur ministrja gjermane e arsimit, Annette Schavan dha dorëheqjen dhe Universiteti i Dyseldorfit vendosi që t’i heqë asaj titullin doktor, meriton titullin pasi ka bërë plagjiaturë për doktoraturën e përgatitur 30 vite më parë.
Doktoratura e Topallit është ende një mister për ne dhe shumë të tjerë, por nëse bota do të rrotullohet sipas Europës ku duam të shkojmë, apo si Gjermania, ne do ta marrim vesh edhe po të kalojnë 30 vite. Siç do të marrim vesh se ku shkojnë gjithë këto mastera, doktoratura, prof.asoc e tituj të tjerë akademikë që po jepen me lopatë.
Deri atëherë ka plot kohë. Për sot, po mjaftohem me urimin për mikun dhe kolegun tonë Krasniqi, që ndoshta nuk do ndjehet mirë pse ngjarja e tij e “vockël” akademike ka përfunduar në gazetë, kur nuk trazoi as eterin e Rektoratit. E gëzofsh Doktoraturën!
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 27 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)