E drejta, fuqi madhore

0
27

Prec Zogaj, E mërkurë, 03 Mars 2010

Beteja politike, e reduktuar në pikën e hapjes dhe moshapjes së kutive të votimit, po zhvillohet me shumë se asnjëherë tjetër në rrafshin e së drejtës.

Pas kaq muajsh, ku secila palë ka vazhduar në llogoren e vet dhe në hesap të vet, fatin e krizës nuk e përcakton më fakti se kush e ngre zërin me shumë, kush akuzon me shumë, kush denigron me shumë, kush spekulon me shumë, kush kërcënon me shumë…

Të gjitha këto kaluan si një kohë e humbur. Në skenë tani është arsyeja, e drejta e secilës palë. Ky është efekti i parë pozitiv i rezolutës së KE-së. Problematika e debatit po pastrohet nga krundet dhe mbroçkullat.

Aktorët po merren me esencën. Të vetëdijshëm se po vëzhgohen më shumë se kurrë, ata po mundohen të merren me esencën e çështjes. Berisha dhe Rama e ulën në tryezën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe referuan atje arsyet e tyre të formuluara me një gjuhë me të zgjedhur dhe më politike.

Pavarësisht se në referimin e parë nuk pati pika takimi, një gjë mund të thuhet me njëfarë sigurie. Berisha dhe Rama u dhanë arsyeve të tyre jo vetëm gojë, çfarë e kishin bërë edhe më parë, por edhe veshë, çfarë nuk e kishin bërë më parë.

Unë e di se e vërteta është njëlloj kushtrimi që jehon në dyzimin politik intelektual të politikanëve tanë, që vinë nga shtresimi intelektual, pavarësisht se pastaj futen në ca marrëdhënie që i shtyjnë të tradhtojnë fatalisht shtresën nga kanë dalë.

Por, ky është diskutim tjetër. Për të qëndruar në temë nuk përjashtohet mundësia që Berisha të konsiderojë shkeljen flagrante të neneve që u japin të drejtë dy anëtarëve të KQZ të marrin prova (neni 136 pika 3) dhe të rinumërojnë kuti votimi (neni 138, pika 3) pa kushte. Këto klauzola kanë qenë monedha e shkëmbimit e Partisë Demokratike për shumë kërkesa të saj të pranuara nga Partia ialiste.

KQZ dhe Kolegji Zgjedhor më pas e katandisen në monedhë kallpe monedhën e PD-së në momentin kur PS deshi ta shtinte në punë. Berisha dhe askush tjetër nuk mund t’i hedhin poshtë vendimet e kolegjit zgjedhor, edhe kur janë kriminale. Ky është shteti i së drejtës. Por, asnjë ligj nuk e pengon kryeministrin të shprehet në mënyrë kritike për ekzekutimin e klauzolave të transparencës dhe paqes me opozitën e tij.

Janë përfshirë e po përfshihen shumë aktorë në zgjidhjen e krizës. Janë krerët politikë të shumicës dhe opozitës, është Presidenti i Republikës, është faktori ndërkombëtar, është edhe opinioni publik.

Të gjithë kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm, në momentin kur u vjen radha për të thënë fjalën e tyre. Por, nuk ka dyshim se fuqia madhore në këtë histori mbetet e drejta. E drejta i krijon zgjidhjet. Kjo është logjika e kësaj kohe. Zgjidhjet e natyrës pragmatiste, që do të synonin të anashkalonin apo të konsideronin sa për formë të drejtën, nuk kanë vlerë.

Nuk ekzistojnë rrethana apo koniunktura që do të impononin zgjidhje në kurriz të së drejtës. Vetë Presidenti i Republikës, zoti Topi, i kredituar nga ndërkombëtarët në një rol të panjohur deri me sot, po dëgjon me vëmendje, por nuk ka dyshim se me kulturën dhe përvojën e tij politike dhe me ndihmën e stafeve të specializuara, po krijon një mendim të tijin se çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është e drejtë, rrjedhimisht çfarë është e vlefshme dhe çfarë nuk është e vlefshme në opsionet e palëve.

Ndërkombëtarët janë invetuar për kornizën e bisedimeve. Në shenjë respekti për aktorët politikë vendas ata nuk kanë hyrë në detaje.

Por, në qoftë se dialogu që ka nisur në Tiranë do të shterojë pa asnjë rezultat, në qoftë se Berisha dhe Rama nuk do të gjejnë një kompromis të denjë për fatin e transparencës dhe për nderin e palëve, ndërkombëtarët do të futen më thellë se deri më sot në përmbajtjen e qëndrimeve që mbajnë të bllokuar krizën.

Ata do të jenë të detyruar të shqyrtojnë bazamentin e standardeve dhe ligjeve ku mbështeten qëndrimet e secilës palë. Nenet e famshme të Kodit Zgjedhor për rinumërimin do t’i nënshtrohen një ekspertize të veçantë dhe po kështu edhe dispozitat kushtetuese që flasin për hetimin parlamentar.

Kryeministri do të duhet të ekspozojë mendimin e tij se si mund të ketë një hetim të zgjedhjeve pa produktin e tyre që gjendet në kuti.
Çfarë mund të shohim nga “Hamleti”, në qoftë se heqim nga pjesa personazhin Hamlet? Ai duhet të argumentojë se përse nuk mund të hapen kutitë, fjala vjen, në nëntë qarqet për të cilat nuk ka një vendim të Kolegjit Zgjedhor.

Në të gjitha rastet, kryeministri do të jetë në një pozitë më e pakta të pakëndshme për arsyen e thjeshtë se kutitë e hapura janë një standard në botën demokratike dhe nuk mund të imagjinohet që, një vend anëtar i NATO-s dhe aspirant i BE-së, të këtë një legjislacion që pamundëson transparencën e kutive.

Rama është mbështetur fuqishëm në lëvizjen e tij. Kushdo që ka vërtetë respekt për lëvizjen dhe mënyrën si e ka udhëhequr deri tani, duhet t’i njohë atij marzhin e iniciativës në vendimmarrjet e rëndësishme të kësaj periudhe. Zgjidhjet pa dialog, që zakonisht janë zgjidhje pa politikanë, së paku pa këta që kemi tani para syve, janë si e nesërmja që nuk mund të mos vijë. Por, ne duhet të provojmë deri në fund me rrugën e dialogut.

Posaqë kemi pranuar rrugën e dialogut dhe posaqë kemi pranuar fuqinë madhore të së drejtës, duhet të kuptojmë se e drejta bëhet efektive me lëshime të ndërsjella, që nuk tjetërsojnë kauzën dhe të drejtën. Standardi i kutive të hapura është shtruar si një mision që mbyll periudhën e zgjedhjeve të korruptuara dhe hap periudhën e zgjedhjeve në standardet europiane.

Ky mision është mbështetur mbi një mundësi reale dhe ligjore dhe mbi një nevojë jetike të shoqërisë shqiptare. Në këtë rrugë duhet të vazhdohet, duke evituar kurthin e trajtimit të çështjes si një kuriozitet populist.

Për të treguar se një krizë nuk është kurrë një krizë e vetme, siç kanë dëshirë ta trajtojnë disa tipa të cekët, një politolog francez (Couteao) thoshte një frazë disi të çuditshme. “Në çdo krizë ka katër qoshe që ndërrojnë vendet”.

Kjo jona është një krizë shumë e veçantë, thellësinë e se cilës nuk e përcakton dashja apo mosdashja e aktorëve kryesorë politikë të përshirë në të, sado që roli i tyre është evident në ecurinë dhe në zgjidhjen e saj.

Por, kjo krizë i ngjan në njëfarë mënyre qershisë që ngre krejt shportën. Ajo ka në themel kërkesën e opozitës për transparencën e zgjedhjeve në një anë dhe refuzimin e deritanishëm të qeverisë për një transparencë substanciale në anën tjetër.

Por, thellë saj pluskojnë kriza ekonomike dhe, më tej, një deformim i madh e i gjithanshëm i shtetit të së drejtës Në mos qoftë korrupsioni zgjedhor shprehja më e koncentruar e këtij deformimi, standardi i kutive të hapura është një zgjidhje me peshë të madhe për t’i dhënë fund.