E drejpërdrejta e humbur, ose pse nuk e kuptojnë Drinin!

0
62

SOTBesi Bekteshi, 19 korrik 2013

Një nga momentet për të reflektuar në shoqërinë shqiptare është se “politikisht me qëllim vrastar” intelektualin e nxorrën në garë me të gjithë, duke qënë shumë i tërhequr nga vija e nisjes. Më kujtohen pagat qesharake mbas 1992-shit, dhe privatizimet ku shitësit morën dyqane falas dhe kategori të tjera punonjësish u bënë aksionerë dhe intelektualët mbeten me gisht në gojë. Kaq shumë në vite ky mohim i mirëqënies së tyre, sa që u detyruan të bëhen lypsarë dhe ti binden një arroganti që u bë i pasur duke shitur banane. Pasuria u nda në mënyrë jo të drejtë dhe në mungesë, por dhe kundra intelektualëve. Por nuk e kam fjalën këtu.

Një nga njerzit e shkrimeve të shumta dhe të rëndësishme në Shkodër, kur të gjithë po shisnin dhe blinin, e pa veten shumë keq. Në këtë mënyrë, edhe hapi një kioskë në të cilën shkruajti “shesim mend” dhe mbasi falimentoi, se askush nuk vinte të blinte mend, vazhdoi jetën e përkorë dhe të varfër të intelektualit shqiptar. Një shoqëri banale dhe jo e drejpërdrejtë, pra me modelin e lartësimit të mediokritetit dhe tregtarit që vetëm blen ku është lirë dhe shet më shtrenjtë, nuk do mendim dhe as që ka nevojë për ide. Kjo shoqëri prodhon vetëm kapadinj dhe servilë ose raja, dhe kështu vazhdon për një kohë të cakuar sa ti hanë kokën njeri tjetrit. Kjo kohë, pothuaj po agon tani mbas 20-të viteve.

Mirëpo unë e kam fjalën për Skënder Drinin, ose shkrimtarin e madh shkodran dhe shqiptar. Atë pak shumë e di, se ka pasur dhe ka, një jetë të vështirë familjare. Ai është një burrë, që po i shërben në më shumë se 40-të vite rresht i vetëm gruas së tij të paralizuar që muajt e parë të martesës. Karolina, është një grua fantastike dhe shkrimtari i madh shkodran, padyshim sipas meje, është njeriu më i devotshëm familjar sot 78-të vjeçar dhe po sipas meje, tregimtari në këtë moshë, më i madh në Shqipëri. Po, vazhdon edhe sot me talentin e tij, për të treguar dhe kapur subjekte të fortë, apo tema të jashtëzakonshme. Vetë qartësisht duke më pasur mik, kohët e fundit më ka thënë se kam vetëm dy arsye për të jetuar: Shërbimin ndaj gruas, dhe të shkruarën letrare të tij! Nuk kam dëgjuar që organe qëndrore dhe vëndore, ta ndihmojnë në fatkeqësinë e tij, dhe sidomos tani që është i moshuar dhe i lodhur më tepër fizikisht, por edhe i vetëm në përballimin e kësaj fatkeqësie familjare.

Padyshim që Skënder Drini është një rebel, dhe një njeri i drejtpërdrejtë. Kaq i drejtpërdrejtë, sa në Shkodër disave ju duket si UFO. Është plakur duke vazhduar të jetë “i rëndë”, me të drejtpërdrejtën e tij. Mirëpo sot, shoqëria shkodrane jo vetëm që vuan nga mediokriteti, por vuan nga pasioni për të mos thënë të drejtën dhe të vërtetën, ashtu sikundër është ajo. Kështu që Skënderi bën disa “fiasko” në shumë nivele të pushtetit, të klaneve politike, dhe vetëm politikës që nuk do ti shërbejë dhe sidomos njerzve të pa merituar në postet e tyre.

E në këtë gjëndje ka shumë intelektualë sot në Shkodër. Në shumë intervista të mia me të “edhe pse ka bërë be se do të ruhet” nuk ka mundur të mos nxjerrë atë mendim që ka për një shoqëri të tillë të molepsur nga mungesa e elitës së vërtetë, dhe po ashtu të mendimit të drejtpërdrejtë. Po të botuara pikërisht në gazetën SOT. Por edhe në forume, është e “frikshme” në Shkodër ta kesh në tribunë Drinin, sepse ai kur nuk ruhet shumë, mund edhe të krijojë polemikat që në fakt në botën perendimore bëjnë diferencën me botën tonë. Kanë brënda të drejtpërdrejtën.

Sepse në Shkodër sot, duan tju thuash edhe për një idiotizëm, se është “mënçuri”, duan që për një shëmtirë tju thuash se është bukur, duan edhe për një banalitet tju thash se është kreaivitet, duan për një hajdutëri intelektuale tju thash është “prodhim madhështor gjenuin”!! Kurse Drini, edhe pse tashmë në moshë, edhe pse i lodhur nga shërbimi i gjatë, edhe pse jo mirë ekonomikisht, i pa përkulur vazhdon të mos ketë “periz” dhe të persistojë në të drejpëdrejtën e tij legjendare. Ka plot që e duan shumë, dhe normalisht janë të qartë në modelin Drini, që më ngjan shumë me modelin e gazetarit Bekteshi dikur, ose babait tim të ndjerë.

Sot Shkodra nuk ka më shkrimtarë dhe tregimtarë. Nuk prodhon, dhe dy tre emra të rinj kryesisht me poezi nuk janë ndonjë gjë e madhe. Ka, por jashtë Shkodrës. Në Shkodër, janë Skënder Drini që vazhdon, Fadil Kraja tashmë mbi 80-të dhe në modelin e tij më tepër dramë klasike se sa roman, dhe Ridvan Dibra normalisht, por me botën e tij gjysëm enigmatike. Të tjerë më vjen keq, por nuk ka, dhe Shkodra nuk mundëson ndryshimin e natyrës konservative dhe aspak qytetare të kalimit në të drejtpëdrejtën perendimore. Pastaj lexojnë edhe pak në përgjithësi. Drinin nuk e kuptojnë edhe për shkak se “nuk i bindet politikës”. Mund ta konsiderosh të majtë, por origjina është e djathtë, ai është djalë prefekti.

Sillet si i majtë i mirë, por ka ide të djathta sa të duash, është një rebel intelektual dhe normalisht duhet pranuar, dhe besuar si i tillë. Ka mendime të reja si të ishte 20-të vjeç, por ka edhe vizion konservativ dhe qytetar për familjen dhe shoqërinë. Ka dhe një tregim të mrekullueshëm. Ka libra të fundit që flasin vetë dhe me tregime tepër interesantë. Por sërish një pjesë e madhe, sidomos në qytetin e tij, nuk e kuptojnë. Akoma më shumë nuk e kuptojnë në fatkeqësinë familjare të tij. Asc që e dinë shumica, sepse ai nuk ankohet.

Po nuk kanë se si ta kuptojnë, sepse ai “ja bën vetes” si në një takim OJQ-së kur të gjithë bënin vërejtje dhe ankoheshin, por nuk vepronin. Si në Shkodër pra!! E Skënder Drini ju a thotë copë të gjithë në sy, se ato e kanë fajin, dhe se janë edhe përgjegjës për gjëndjen, e se pikërisht kjo është detyra e intelektualit. Por këtë, nuk ndalen ta analizojnë ndonjëherë në Shkodër.Unë mund të shtoj edhe këtë. Sepse frika e intelektualit në Shkodër ka diçka origjinale. Në qoftëse kudo në Shqipëri intelektuali është me lepur në bark, sepse e “ detyrojnë me vëndin e punës, bukën e gojës të gjithë në përgjithësi, ose e kërcënojnë dhe nuk ka kush i del zot” në Shkodër, e ka “lepurin me gjithë kaçube në bark”.

Pra, është edhe kjo një arsye për të mos e kuptuar. Kushedi një brez tjetër, nuk do të jetë kaq shumë frikacak dhe jo i drejpërdrejtë, dhe absolutisht jo kreativ se sa ky brez intelektualësh në Shkodër. Padyshim jo të gjithë!! Do zoti dhe nuk i ngjandhe si pozitivist që jam besoj se do të jenë më të hapur dhe më të drejtëpërdrejtë. Më perendimorë në fund të fundit.