Dyfytyrësia jonë ndaj NATO-s dhe SHBA-ve

0
62


Nga Mero Baze

Njeriu, i cili ka përmendur për herë të parë përfshirjen e djalit të kryeministrit shqiptar Sali Berisha në aferën e trafikimit të armëve kineze nga Shqipëria në Afganistan për llogari të ushtrisë amerikane, ndërkohë që një gjë e tillë është e ndaluar nga ligjet amerikane, u dënua dje me katër vite burg, ndërkohë që duhet të presë datën 25 janar për të mësuar një dënim për një akuzë tjetër. Efraim Diveroli u bë i njohur në Shqipëri pasi Kosta Trebicka publikoi disa kaseta ku ai dëgjohet qartë të akuzojë djalin e kryeministrit Berisha se ka qenë i përfshirë përmes njerëzve të tij në këtë biznes, i cili zhvillohej paralelisht me historinë e demontimit të armëve në Gërdec.

Në mbrojtjen publike që zoti Berisha ka bërë për këtë rast ka përdorur dy argumente. Së pari, karakterin sipas tij të dobët të Efraim Diverolit, i cili paskësh si metodë korruptive dhe përdorimin e prostitutave, qoftë dhe ndaj djalit të kryeministrit, dhe së dyti faktin që Kosta Trebicka vetë personalisht nuk ja ka thënë në takimin që ka bërë me Shkëlzen Beirshën këtë fakt.

Tashmë që gjyqi ndaj Diverolit po shkon drejt fundit, drejtësia amerikane nuk e ka dënuar Diverolin as për “veset” e tij për femra, dhe as për lidhjet e tij me njerëzit që i mundësuan këtë trafik në dëm të ushtrisë amerikane. Diveroli po dënohet për shkelje të ligjeve amerikane në këtë histori trafiku, duke e konsideruar palën shqiptare partnere në këtë krim, por duke qenë se është jashtë juridiksionit të SHBA, ngelet e padënuar.

Problemi që drejtësia shqiptare në këtë rast duhet të hetojë dhe të gjykojë pas marrjes së vendimit nga drejtësia amerikane është se cili është mekanizmi që ka mundësuar këtë krim të trafikimit të armëve nga pala shqiptare?

Shpjegimi që japin zyrtarët tanë se nuk është krim të shesësh armë kineze dhe që nuk kishin dijeni për ligjet amerikane, nuk qëndron pasi faturimi i mallit nga dogana shqiptare nuk është bërë si mall kinez, por i ndryshuar si produkt shqiptar. Pra, ose zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë marrë pjesë të vetëdijshëm në këtë trafik duke marrë siguri politike, ose grupi i njerëzve të Shkëlzen Berishës, me në krye baxhanakun e Sali Berishës dhe disa njerëz të afërt të Rrahman Selmanllarit, kanë qenë ata që kanë bashkëpunuar në këtë trafik, duke qenë pjesë e kompanisë që punonte dhe në disa punë speciale në Gërdec dhe në procesin e ripaketimit, nga i cili zbuan me dhunë dhe kërcënime të ndjerin Kosta Trebicka.

I ndjeri Trebicka iku duke marrë të vërtetat me vete, duke hyrë në spiralen e karotës dhe shkopit me Familjen Berisha. Ai denoncoi shumicën e trafikut dhe pastaj tentoi deri në fund të jetës së tij të bënte biznes me dëshminë e tij mbi njerëzit që kishin thirrur Diverolin në një apartament në Tiranë dhe i kishin bërë presion të largonte Trebickën. Ndërkohë që i ndjeri po përpiqej të menaxhonte një sekret që të vret, Familja në pushtet nisi të sillet mirë me bizneset e tij duke përfshirë gruan e tij në një biznes universiteti me gruan e Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili vrapoi ta ngushëllonte i pari partneren e gruas së tij pasi u mor vesh se burri i saj ishte vrarë. I ndjeri Trebicka iku duke e marrë të vërtetën me vete, duke vepruar si një njeri i zakonshëm që tundohej nga ideja e rimarrjes së këtij biznesi përmes mbështetjes politike. Por drejtësia shqiptare nuk ka pse rri mënjanë kësaj historie, sidomos tani që drejtësia amerikane ka provuar krimin.

Ekzistojnë borderotë e punës nga pala shqiptare se kush e ka bërë ripaketimin, ekzistojnë dëshmi, dhe ndoshta dhe pamje, se kush ishin njerëzit që bashkonin Gërdecin me trafikun nga Rinasi, ekzistojnë dokumente doganore dhe financiare për përfituesit e këtij biznesi, ndaj dhe hetimi është shumë i thjeshtë. Shqiptarët duan të dinë në rrugë zyrtare kush ja mundësoi trafikun këtij biznesmeni amerikan, i cili, duke u bërë palë me trafikantët shqiptarë, në të vërtetë rrezikonte jetën e ushtarëve amerikanë në Afganistan, të cilëve siç përshkruan Chris Chivers, kallashnikovët nuk u shkrepnin plumbat.

Duke qenë se tani jemi dhe vend i NATO-s, hetimi i këtij krimi i jep më shumë kuptim anëtarësisë sonë në organizatën më të madhe ushtarake, brenda së cilës ne ende nuk kemi dhënë asnjë kontribut real dhe nuk kemi kapitalizuar asgjë prej anëtarësimit në të. Nëse drejtësia jonë nuk është në gjendje t’i tregojë SHBA-ve dhe NATO-s me fakte se cilët ishin shqiptarët që bashkëpunuan me trafikantin amerikan, atëherë ajo bën palë qeverinë Berisha me këtë trafikant duke na ekspozuar si një shoqëri me dy fytyra në raport me ta. Nëse e heton, ndoshta na e lehtëson pak imazhin se mund të nxjerrë vetëm djalin e Sali Berishës.