Dy veprimtari të bukura letrare

0
76

Arjan Th. Kallço

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e Përkthyesve na mblodhi në tre qytete të ndryshme që nga Tirana në Prishtinë dhe më pas në Korçë. Dita e Librit përkoi dhe me një veprimtari tepër interesante të Pegasit Albania dhe Kosova, së pari si miq tek Universiteti Vitrina, ku midis të tjerash dua të veçoj rregullin dhe disiplinën e lartë që gjen në mjediset brenda tij, dhe më pas në Prishtinë tek Qëndra e Kulturës dhe tek Biblioteka Kombëtare. Në Korçë patëm nderin të kishim mes nesh në Universitet shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur Amik Kasoruhon.

Një sërë veprimtarish që nxorën në pah jo vetëm karakterin universal të kulturës në përgjthësi, por në veçanti të letrësisë. Poetë nga të gjitha trojet shqiptare si dhe poetë të huaj nga Italia, Greqia, Turqia, Suedia, bashkuan zërin e tyre në disa ditë duke sjellë në poezitë e tyre shpirtin pegasian të vargjeve dhe të fluturimit të tyre. U recituan vargje pambarim në salla, në hotele, në autobus, në lokale dhe pamë sesi gjuha e fuqishme e poezisë na shoqëroi në të gjitha ditët e Kongresit të organizuar me kujdes nga drejtuesit pegasianë të dy qyteteve, sigurisht me ndihmën e çmuar të Universitetit Vitrina, z.Edmond Valshaj, që bëri të mundur realizimin e veprimtarisë. Një universitet që nuk e ndan bshkëpunimin me letërsinë dhe artet, tregon qartë synimet e veta për të qënë pjesë e rëndësishme e formimit dhe kulturimit të brezit të ri.

Në Korçë miku ynë Kasoruho në një takim me student dhe pedagogë shpalosi edhe një herë vlerën e padiskutueshme të komunkimit shpirtëror midis popujve dhe kombeve, duke qënë vetë ai ndër të parët Ambasadori më i mirë i këtij komunikimi, veprat e tij të përkëthyera janë të shumta në të gjithë karrierën e gjatë si përkthyes, si dhe kurator i vëmendshmë dhe tepër i kujdesshëm i vetë gjuhës shqipe. Tek fliste për përkthimin ai theksoi se ka përkthime të shkëlqyera, por për fat të keq edhe të dobëta, pa pikë sedre nga dëshira për afirmim apo edhe nga interest komerciale të çastit dhe një rol dhe përgjegjësi të madhe duhet të kenë vetë shtëpitë botuese në përzgjdhjen e përkthyesve.

Nga përkthyesit kërkohet përkushtim si faktor kryesor, si dhe njoha e thellë e gjuhës shqipe, por nuk duhen harruar edhe rrethanat historike kur janë shkruar veprat, pa të cilat nuk do t’i kishim sfumaturat e shumta gjuhësore, pasi nuk janë të njëjta. Në meditimin tim në ditën e përkthimit, një kontribut modest disa faqësh, m’u kujtuan fjalët e pedagogut tonë që i mësuam ditën e parë në leksionin e përkthimit me përkthyesin e njohur prof. Shpëtim Çuçkën dhe qysh atëherë kjo fjalë me dimensione të ngushta në dukje, mori në vite të tjera dimensione dhe hapësira, pikërisht kur filloi të bëhet pjesë e pandarë e punës së përditshme, që më pas u shndërrua në një pasion të vërtetë.

Përkthimi është një veprimtari komplekse dhe tepër delikate, është art që kërkon talent, krijimitari që kërkon njohje, kulturë që kërkon afirmim, ekspansion drejt botëve shpirtërore të një kombi. Si të gjitha artet edhe përkthimi është tepër i vështirë dhe që kërkon disa cilësi tek përkthyesi, por më kryesorja mendoj se është vullneti që secili duhet të tregojë, duke u ushtruar çdo ditë. Përvoja fitohet vetëm me punë. A ka mundësi që një përkthim të jetë i vështirë? Përgjigjia është kategorike po dhe më i vështiri ka qënë dhe mbetet përkthimi letrar. Përse na duhet përkëthmi?

A nevojitet në një botë globale kur gjuha angleze duket se po mbulon botën? Këtyre pyetjeve duhet t’u japim gjithmonë përgjigjen se përkthimi nuk është një luks për disa njerëz, por është një detyrim njerëzor brenda kufijve të mundësië dhe aftësisë për ta realizuar atë. Detyrimi rrjedh nga vetë natyra e shoqërisë njerëzore, pasi njerëzit kudo që janë komunikojnë mes tyre dhe gjatë këtij komunikimi transmetohen vlerat më të mira që një komb ka krijuar gjatë ekzistencës së vet, vlera të cilat mbarten dukshëm tek kultura. Dëgjojmë shpesh të thuhet më pëlqen kultura italiane, franceze apo gjermane dhe pas tyre fshihet një hark i gjerë fushash, por më specifike është fusha e letërsisë. Ndodh shpesh të lexojmë vepra të autorëve të famshëm që janë sjellë në gjuhën shqipe.

I lexojmë ato, këmaqemi nëse na pëlqejnë, emocionohemi, trishtohemi, gëzohemi, bile edhe u rikthehemi librave t’i rilexojmë, por shpesh harrojmë t’i hedhim një sy emrit apo të shohim dhe të interesohemi se cili është, se pas autorit të librit, përkthimi duhet të konsiderohet një rishkrim i dytë i veprës në një gjuhë tjetër, qëndron puna e madhe e përkëthysit. Natyrisht Merita kryesore i takon autorit që e shkruan veprën, por një meritë po aq e rëndësishme i takon edhe përkthyesit që na e sjell në gjuhën tonë mëmë me aq dashuri. Të përkthesh nga një gjuhë në një tjetër do të thotë edhe pranosh faktin se jo gjithçka do të vijë gërmë për gërmë e fjalë për fjalë.

Gjuhët sado të ngjajnë, asnjëherë nuk janë të njëjta, prandaj edhe përkthimi ka në vetvete një shmangie apo një lloj tradhëtie që në të shumtën e rasteve është subjektive dhe që lidhet drejtpëdrejt me përkthyesin. Mendoni për një çast veprën e Dantes, Komedia Hyjnore apo të Gëtes që janë me mijëra vargje. A do të ishte e mundur që të ruhet e gjithë struktura e tyre nga përkthimi në një gjuhë tjetër? Të gjithë njohësit e gjuhës italiane apo gjermane mund ta bëjnë një provë vetëm me strofat e para dhe do të shohin se vargu nuk do të jetë i ngjashëm në rimë dhe në fjalë.

Nel mezzo del cammin della nostra vita… dikur në një eksperiment me nxënës të gjuhëve të huaja, nxori në pah shumëllojshmërinë e varianteve të përkthimit në gjuhën shqipe. Dikush e solli të përkthyer duke i qëndruar besnik vargjeve të Dantes, dikush tjetër zbuloi se jeta jonë mund të jetë në mesin e saj, në gjysmën e saj, por pati edhe variante si në km e 36 të rrugës, që natyrisht është një largim nga vargjet, por në anën figurative mbart një peshë dhe theks tepër kuptimplotë. Kjo don të thotë se tentativa ka kapur një shkallë tjetër të përkthimit, atë të intuitës së varianteve. Më shumë se variant ndër të shumtët, hyn në sferën e krijimit apo rikrijimit të vargjeve në kuptimin e tyre në gjihën mëmë.

Ka patur debate dhe ide që lidhen me rolin e padiskutueshëm të përkthyesit në këtë veprimtari dhe ashtu si kudo faktori njeri është i pazëvendësueshëm. Zhvillimet e viteve të fundit në teknologji kanë sjellë një revolucion të vërtetë edhe në përkthim, sidomos në njësitë e vogla të ligjërimit deri tek fjala, por asnjëherë nuk mund të shkojmë më tej dhe të guxohet me përkthime letrare. Këtë e provoi para disa kohësh një lloj prove përkthimi në rrjetin e internetit, google.com, duke dashur të nxjerr në pah rolin e përkthyesit dhe rezultati ishte një kaos që asnjë italian dhe italishtfolës nuk arriti ta kuptonte, duke dërguar mësazhe se nuk e kishin të qartë pozicionin e përkthyesit dhe e njihte apo jo gjuhën.

Të përkthesh prozën, pra romanin, tregimin apo edhe gjini më të vogla, është një punë disi më e lehtë në krahasim me poezinë dhe në diskutimet dhe debatet e zhvilluara edhe në takime apo festivale poezish thuhet se poezia nuk mund të përkthehet nga kushdo. Cili duhet të jetë përkthyesi? Kësaj pyetje edhe në takimin e fundit në Tiranë një përkthyes turk i dha përgjigjen që e kemi mbështetur të gjithë, është më mirë që përkthyesi të jetë poet, duke e konsideruar punën më të mirë dhe më të besueshme.

Por edhe këtu ka kurthe që mund të na detyrojnë të mos u besojmë, sepse jo të gjithë poetët janë përkthyes apo njohës të mirë të gjuhëve nga përkthejnë. Të njohësh një gjuhë nuk do të thotë se je poet i gatshëm të përkthesh çdo formë poezie. Problemi bëhet më i vështirë nëse përkthyesi nuk njeh kukturën dhe letërsinë e atij vendi apo sfumatura të vetë fjalëve. Është e kuptueshme se poezia e një poeti nuk mund të rikrijohet në një gjuhë tjetër, sepse rikrijimi do të thotë ta rishkruash në gjuhën tënde.

Por kur përkthyesi është poet dhe njohës i mirë i gjuhës, rikrijimin e saj e shfaq me një variant tjetër në një gjuhë tjetër, duke kërkuar tek bilinguizmi mundësitë e pafundme. Libri im, Pafundësia jote më deh, poezi të shkruara në dy gjuhë, që doli dy vjet më parë, sillte pikërisht këtë risi, atë të shkruarit të poezisë, duke e menduar dhe duke iu përshtatur gjuhës amëtare apo edhe traditës së ndjenjave dhe herën e dytë në gjuhën e huaj që secili poet mund të zotërojë, por pa ia ndryshuar titullin poezisë. Po sjell njërën prej tyre dhe do ta shihni se nuk është thjesht një përkthim nga gjuha shqipe në italisht.

Dashuri të tjera do kërkoj
Për të jetuar mijëra jetë,
Shpirti pa brenga s’jeton
Ashtu si deti pa lumenjtë.
Ad altri amori busserei
Per vivere mille altre vite,
Senza crucci l’anima si fiacca
Come l’amore senza la lite.