(…Një karrige, një violinë, një kupë me fruta, ja sa pak i duhet njeriut… dhe të jetë i lumtur – A. Einstein)
Më në fund dielli altruist i puth sytë e mi,
puthje me vonesë, ashtu-kështu gjithçka e vonuar,
atje në Rajnë lyshtra e çuditshme, dhe vetë Rajna
e amulltë dukej dje – padyshim shtiret e ndenjur,
qëllimisht nuk rrjedh, sepse ka dëshirë të vonohet,
Dielli justifikimin në majë gjuhe e ka sot,
po ta pyesësh “ku je – ja ku jam” do buzëqeshte ëmbël
do shkëlqente aty për aty, por dhe vetë stina e dehur
nga vonesa, një grusht zogjsh të tulatur po ashtu;
as të rrinë as të ikin, cicërima pa ngrohtësi,
të ngratët as të ngrohur as të mërdhirë – edhe pse
në kopshtin e fqinjës Rita për varfanjakët e lagjes
ka dy shtëpizëza, zogjtë e pastrehë në kopshtin tim
e kanë ujin, bukën, admirimin dhe pakëz diell,
ndërsa andej… i kanë bujtinat!* * *
Dielli si topth rrezesh zhytet në gotë, përthyhet
tutje amështinës ngjyrë vjollcë, vetë e trazoj
vorbullën në Bermuda të gotës me një kashtë,
do kullufiste gjithçka, por jo të hidhurën e gjuhës,
as të ëmblën e buzëve së saj, për një javë ngelur
në cep të buzës si imagjinatë, bashkëdyzuar
me 0.003 % buzëkuq, pastaj ja… dhe shkenca pushon
së filozofuari, heshtje – ndërsa unë akoma ashtu me sy
lakuriq ia dal ta piketoj thyerjen e rrezeve, njëjtë
sikur dhe vulën e thatë… atje në fund të bythëshishes
plastike, “Cassis” – në fakt vetëm imagjinata, cicërimat
dhe rrezet të ëmbla sot.