Dy skenarët e një krize të papritur

0
34

Ened Janina, 07.01.2010

Teksa të gjithë analizonim krizën politike, Shqipërisë dhe shqiptarëve u mbërriti një krizë tjetër, shumë më reale, shumë më e prekshme: përmbytja. Ajo i dha shenjat pak ditë përpara ndërrimit të viteve, por askush nuk i kushtoi vëmendjen e duhur. Ndoshta sepse jemi mësuar të dëgjojmë vetëm politikanët…

Liqeni i Fierzës arriti kuotën 293 metra. Lajm i mirë apo lajm i keq? Muaj më parë specialistët kishin paralajmëruar rrezikun që vinte nga këto numra pa kuptim për pjesën më të madhe të shqiptarëve, por askush nuk i kishte kushtuar rëndësi.

Sot këto numra bëhen kuptimplotë për të gjithë. Liqeni i Fierzës ka arritur pikën kritike. Dora e vonuar e njeriut apo forca e shtetit, siç thuhet, nuk mund të ndikojë më në këtë pikë. Sot jemi në dorë të qiellit.

Portat e Liqenit të Fierzës duhet të ishin hapur sapo kuota e ujit të kishte kaluar 290 metra, por kjo gjë nuk ndodhi. Duke luajtur “ruletë ruse” me jetën e njerëzve, pushtetarët shpresuan se nuk do të binte më shi dhe se situata do të rregullohej vetë. Kjo gjë nuk ndodhi.

Fierza tashmë ndodhet shumë pranë kolapsit total, ku uji mund të kalojë mbi digë e më pas asgjë në këtë botë nuk mund ta ndalë që të marrë me vete çdo gjë që gjen rrugës. Llogaritjet janë befasuese: uji mund të zbresë deri në hyrje të Tiranës.

E frikshme, por e vërtetë. Aq e vërtetë sa edhe kryeministri ekstra-euforik i Shqipërisë tashmë bërtet me të madhe për katastrofë: (“..realisht jemi në buzë të një katastrofe dhe kur themi katastrofë, them katastrofë e vërtetë!”)

E thënë nga goja e Berishës, kjo shprehje ka vërtet hije tragjike. Njeriu i katastrofave pa fund, që nuk iu tremb piramidave dhe trazirave që shkatërruan Shqipërinë, e as gërdecëve ushtarakë, politikë e ekonomikë të njëpasnjëshëm, këtë herë paralajmëron me ngulm katastrofën.

Shtabet e emergjencës mblidhen orë pas ore dhe pas lutjes “të mos bjerë më shi”, hapen në tryezë skenarët e mundshëm.

I pari është ai që paralajmëron S.Berisha. Njerëzit të largohen, të lënë shtëpitë dhe të nisë derdhja masive e ujit. Kjo do të sjellë përmbytjen e një territori të gjerë në veri të vendit, shumë njerëz do të humbin shtëpitë, por qeveria premtoi si përherë se do i dëmshpërblejë.

Në raste të tilla, qeveria “paguan mirë”, këtë e tregoi tragjedia e Gërdecit. Pikërisht për këtë skenar po lutet KM Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Topalli. Kjo është ajo që na pëlqen ne shqiptarëve, ajo që e quajmë “e keqja më e vogël”.

Po në rast të kundërt?

Tirana ka një pellg që na pëlqen ta quajmë liqen, ka një prag që na pëlqen ta quajmë digë dhe një dritare të vogël që na pëlqen ta quajmë portë shkarkimi.

Vite më parë roja gjysmë i dehur vendosi që të hapte portën e shkarkimit për të parë nëse punonte. U hap, por nuk u mbyll më. Pasoja? Kaos në Tiranën e Re, dëmet ishin të konsiderueshme. “Pellgu” i Tiranës është i thellë 5 metra, liqeni i Fierzës 293 dhe me tendencë rritjeje.

Dilema e qeverisë në këtë rast është pikërisht te këto porta. Janë prodhuar më shumë se 25 vjet më parë, por nuk janë testuar prej shumë vitesh. Sepse Shqiperia e ketyre 20 viteve nuk punon. Ato edhe mund të hapen pasi të jenë evakuuar banorët. Teorikisht dëmet do jenë minimale.

Teorikisht do të vijë e keqja më e vogël dhe disa shtëpi (deri tani 750) do të përmbyten. Liqenet do të stabilizohen, situata do të qetësohet, të përmbyturit do të dëmshpërblehen, të tjerët do të jetojnë të lumtur pa e ditur rrezikun që iu është kanosur…

Po nëse “ruleta ruse” del keq?

Ky është rasti që duhet t’i kemi frikën, ai që kemi parë shpesh në filma dhe që e kemi vlerësuar për mjeshtërinë e efekteve speciale. Këtë herë “efektet speciale” do të jemi ne vetë. Nëse reshjet shtohen dhe moti ngrohet edhe disa gradë atëherë duhet të përgatitemi për katastrofën e paralajmëruar tashmë.

Mjafton që shiu të vazhdojë furishëm në veri të vendit, temperaturat të rriten disa gradë në Kosovë që dëbora e maleve të shkrijë dhe Drini do të kthejë veriun e Shqipërisë në Epokën e Gurit.

Nëse Fierza arrin në nivelin 296 atëherë uji del mbi digë, kjo e fundit kthehet jo funksionale, rrezikon të shembet dhe nëse shembet…

Nëse shembet uji vjen deri në Tiranë, duke shndëruar në baltë çdo gjë që i del përpara. Hapja e portave do të shkarkonte më shumë se dy mijë metra kub ujë në sekondë. Ende nuk është përllogaritur sasia e ujit që do të derdhej nga thyerja e digës, nuk është gjetur ende formula matematikore e kaosit që do të ndodhte.

Nëse nga përmbytja e tanishme vdes një person të gjithë ne do ta konsiderojmë si tragjedi, por nëse çahet diga, numri i njerëzve që do të vdesin do të jetë thjesht statistikë. Një statistikë e frikshme ku numrat do të kenë nga katër deri në pesë zero.

Përpara këtyre skenarëve të frikshëm duhet të presim vetëm që “Ruleta ruse” të mos qëllojë në shenjë, që pushtetarët të kenë fat dhe të shpëtojnë njerëzit e tyre, sepse ata vetë nuk i gjen gjë, ata vetë banojnë në katet e larta të pallateve të Tiranës…