Nga Mero Baze
Shqipëria ka humbur 8 shkallë të tjera në klasifikimin botëror të lirisë së medies, duke iu afruar përfshirjes në grupet e vendeve pa sistem demokratik apo vendeve gjysmë diktatoriale. Klasifikimi që vjen nga njëra prej organizatave më prestigjioze në botë për lirinë e medies, Reporterë pa Kufij, po injorohet nga qeveria shqiptare, e cila e ka një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave çështjen e lirisë së medies në vend.
Por, cila është e reja e qëndrimeve të fundit ndërkombëtare për lirinë e shtypit në Shqipëri?
Nëse lexojmë Progres-Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, shihet qartë që ndryshe nga pikat e tjera, ku përdoret gjuhë e përdorshme nga të dy palët, në pjesën për lirinë e medies kanë filluar të zënë vend terma aspak diplomatikë, por të drejtpërdrejtë kundër qeverisë shqiptare. Në Progres-Raport për herë të parë u theksua përkeqësimi i medies publike nga kontrolli i qeverisë, korrupsioni në mënyrën si drejtohej KKRT, nxjerrja e redaksive kritike nga zyrat dhe gjobat selektive ndaj televizioneve kritike me qeverinë. Në të njëjtën linjë pas Progres-Raportit ka qenë deklarata e Komisionarit Olli Rehn për mungesën e lirisë së medies në rajonin tonë duke iu referuar gojës së mbyllur të shtypit përballë fenomeneve negative.
Raporti i djeshëm i organizatës Reporterë pa Kufij ilustron me fakte më konkrete këtë rast për Shqipërinë, duke ritheksuar kontrollin mbi medien publike, nxjerrjen e gazetës “TemA” nga redaksia, gjobat selektive mbi televizionet dhe një lloj përpjekjeje korruptive të qeverisë për të kontrolluar mediet.
Pra, e reja e qëndrimeve ndërkombëtare për lirinë e medies në Shqipëri është se ato nuk i japin asnjë shans keqpërdorimit të raporteve të tyre nga qeveria, siç ka bërë më parë kryeministri Berisha.
Këto qëndrime i japin fund sidomos demagogjisë së kryeministrit se lirinë e medies në Shqipëri e dëmtojnë biznesmenët pronarë të saj. Në të vërtetë biznesmenët që kanë investuar në medie janë një pengesë serioze për një standard perëndimor të lirisë së medies, por arsyeja nuk është pse ata janë pronarë, por se qeveria i ka nënshtruar ata, duke i detyruar, ose t’i shërbejnë, ose t’i shkatërrojë. Pikërisht këtë fenomen të ri kanë zbuluar në medien shqiptare organizatat ndërkombëtare, që nuk i referohen më atij që Berisha ngazëllehej si problem pronarësh.
Standardet e lirisë së medies në Shqipëri janë larg të qenit një vend anëtar i NATO-s, pikërisht se pronarët e medies janë vënë para alternativave të mbijetesës, ose me qeverinë, ose të zhduken. Qeveria ka krijuar për këtë dy shembuj konkretë.
Shembulli i parë pozitiv për qeverinë është se si pronarë mediesh të lidhur me kryeministrin janë bërë miliarderë duke marrë pará nga fondet publike në mënyrë të tërthortë, duke fituar tenderë rrugësh apo punë të tjera publike. Ata janë të preferuarit e administratës, njerëzit që diktojnë karrierën e qindra nëpunësve të përulur të shtetit dhe konsiderohen dora e zgjatur e kryeministrit. Modeli i dytë kontrastiv me këtë që ka krijuar qeveria është shembulli i ndëshkimit.
Mjaftoi rezistenca e një redaksie që të gërmonte në historinë e përfshirjes së djalit të kryeministrit në Gërdec, dhe brenda dhjetë ditësh digjet makina dhe nxirren me policë nga redaksia. Redaksia vazhdon të mbahet e rrethuar pas dhjetë muajsh, duke shkatërruar pasurinë e investuar aty. Pronarët e tjerë, biznesmenë të medies shqiptare, të gjendur mes këtyre dy modeleve që prodhoi qeveria në raport me medien, natyrisht në shumicë, kanë zgjedhur atë të parin, të bashkëpunojnë me qeverinë, edhe pse nuk mund të fitojnë aq sa të përkëdhelurit e saj.
Ata janë pjesë e një sistemi mediatik të dështuar në Shqipëri, i cili nuk bazohet te tregu dhe liria ekonomike që mund të prodhojnë liri editoriale, por te servisi ndaj pushtetit. Ky sistem është po kaq i rrezikshëm nën çdo kryeministër, qoftë ky dhe lideri i tanishëm i opozitës, Edi Rama. Por i mbetur në duart e çiftit Berisha-Meta, ai është i frikshëm. Është i frikshëm mbi të gjitha, pasi ky çift ka dhënë dhe po jep prova, jo se si një biznesmen të investojë në shtyp dhe të ketë disa privilegje, por se si një botues të bëhet biznesmen i pasur, nëse është mik i tyre. Kjo prodhon një vetënënshtrim apo autocensurë të pronarëve të medies.
Ata duhet të zgjedhin mes kulaçit dhe kërbaçit. Shembulli i kërbaçit është fati i keq i gazetës “TemA” apo të televizioneve kritike me qeverinë, dhe shembulli i kulaçit është të bërit miliarderë nga hiçi, siç është rasti i gazetës “55” apo TV Klanit. Natyrisht, kanë shkuar drejt kulaçit dhe jo drejt kërbaçit. Kjo ka ngjallur alarm real në Perëndim për lirinë e medies në Shqipëri dhe kjo është arsyeja që pronarët nuk shihen më si problem, por si viktima të një qeverie që ka probleme të mëdha me konceptet e saj për lirinë e shtypit.