Dy mandate kundër Berishës

0
88

Nga Erion Braçe

“Berisha ka bërë gabimin e fundit të jetës, por PS nuk po e ndëshkon! PS nuk mundi të parashikonte e as të ndalte krimin pas zgjedhjeve, konsumuar në një akt final si ndryshim i rezultatit në tavolinë prej një grushti keqbërësish. PS ka ndalur, përfshirë në një beteje juridike të stërparë si përpjekje e përkushtuar ambasadorësh për të shpëtuar një sistem të kalbur, por jo si kauzë e saj…” – thotë në këtë analizë për Shekullin, nënkryetari i grupit të PS, deputeti Erion Braçe, një nga zërat më aktivë të opozitës së majtë dhe shef i fushatës për Tiranën.
Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet e 8 majit! Por degradimi pas zgjedhjeve bën që Partia Socialiste të duket e rënë në kllapi. Ka mjaftuar vetëm një betejë tipike e Sali Berishës, ajo ndaj rezultatit të gjithparë e fitues së Tiranës, që PS të humbë kthjelltësinë jetike, qetësinë e domosdoshme, vendimmarrjen konkrete, aksionin politik. Berisha ka bërë gabimin e fundit të jetës, por PS nuk po e ndëshkon! PS nuk mundi të parashikonte e as të ndalte krimin pas zgjedhjeve, konsumuar në një akt final si ndryshim i rezultatit në tavolinë prej një grushti keqbërësish. PS ka ndalur, përfshirë në një beteje juridike të stërparë si përpjekje e përkushtuar ambasadorësh për të shpëtuar një sistem të kalbur, por jo si kauzë e saj.
Nuk është beteja e saj! PS po bën dëgjuesen e shock-uar në një “duel” të paqartë e të pabarabarte – për shkak të formimit, kulturës ligjore krejt të ndryshme, në fund, mënyrës së të menduarit – mes ambasadorëve dhe Sali Berishës. Prej kësaj pike nuk po mund të luftojë edhe pse bëhet fjalë për kauzën e njohur, “votën e lirë”. Tashmë, në kushte krejt të reja, kur PS ka fituar bindshëm besimin e shqiptarëve në zgjedhjet e 8 majit. Sali Berisha ka arritur të fshehë tensionin social që desh shpërtheu m’u në rrugë, madje t’i heqë nervin e betejës PS. Ai po synon t’i japë popullit të opozitës “pushimet”. Pa popullin e saj, opozita nuk është. PS ka fituar bindshëm, por po sillet si humbëse. Berisha e ka marrë zvarrë në një betejë të qëllimtë, për ta ndalur të administrojë fitoren, madje pa e lënë të gëzohet për të. PS është fituese, por e mëdyshur. Koka e PS – lidershipi, po bën lavjerrësin mes vlerësimeve teknike korrekte, këshillave po të tilla të ambasadorëve për Sali Berishën për të zgjidhur pa konflikt e kalimthi “çështjen” – dhe këshillave kërcënuese, haptazi të njëanshme e të paligjshme të Sali Berishës për trupën tradicionale dhe të tromaksur të gjyqbërësve të Kolegjit. Por kjo është një çështje politike!
1. Dy mandate që duhen administruar
Më 8 maj, Partia Socialiste mori nga populli dy mandate të qarta:
1. Mandat politik- PS u votua si partia më e madhe në vend, me numrin më të madh të votave dhe të zgjedhurve në nivelin e këshillave vendorë;
2. Mandat qeverisës – PS u votua si alternativa që do të qeverisë 2/3 e qytetarëve në këtë vend.
Të dy mandatet duhen administruar.
Me: autoritetin e të zgjedhurit nga populli;
Me: përgjegjësinë politike të alternatives;
Me: modestinë e fituesit të “kontratës së besimit”.
• Me autoritetin e të zgjedhurit nga populli, PS duhet të investohet me vendosmëri në zgjidhjen e problemit të madh të demokracisë në Shqipëri. Me ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë, sistemi ka marrë një goditje rrënuese dhe ka shenja të qarta se ka rënë. Pa votën e lirë e të barabartë nuk ka qeverisje kushtetuese. Premtimi kushtetues me bazë këtu nuk është më.
• Me përgjegjësinë politike të alternativës, PS duhet të investohet me përkushtim të përmirësojë e zgjerojë veten. Një parti e madhe pas zgjedhjeve duhet të krijojë mundësi për të gjithë, liri e demokraci, por edhe funksionim me rregulla të gjithëpranuara e garantuese për secilin dhe vete partinë. Një model i një shoqërie të lirë e funksionuese, kombëtare, alternative e një pushteti të ndëshkuar me ikje.
• Me modestinë e fituesit të “kontratës së besimit”, PS duhet të investohet në një program kombëtar të qeverisjes vendore, demokratik, autonom, konkret, që ka në thelb interesat e komunitetit dhe mirëqenien e tij; pjesëmarrje në vendimmarrje, pjesëmarrje në administrimin e të mirave ekonomike, liri sipërmarrje, mundësi për punë, arsim e shëndet më të mirë si tregues i kujdesit dhe garancive sociale, transparencë si mundësia e vetme për qeverisje të përgjegjshme e të pakorruptuar.
Kjo e bën PS të përgjegjshme për besimin e marrë. E bën fitoren të administrueshme, por e bën PS edhe më të mirë. Një PS e mirë e mund të keqen sociale të gjithshpërndarë, të keqen “Berisha”! Një PS alternative i bën njerëzit të zgjedhin të ardhmen për të mundur të keqen. Një PS modeste përcakton punën si detyrim ndaj votuesit duke mbajtur larg të zgjedhurit nga tundimi i interesave personale. Kështu, fitorja ia vlen!
2. Problemi i madh i demokracisë
Në një përpjekje dyvjeçare për t’i dhënë procesit zgjedhor “transparencën” si dimension garantues, PS mundi që në zgjedhjet e 8 majit të ndalë përsëritjen e një vjedhjeje masive, të njëjtë me vjedhjen në zgjedhjet politike të vitit 2009. Por jo deri në fund. Ajo që u duk qartë, krijoi precedentin e paqenë deri më sot, ndryshimin e rezultatit në tavolinë, duke përdorur shumicën e thjeshtë në një trupë politike të njëanshme që administron zgjedhjet. Ajo që u mezi duk, tërheq alarmin për krijimin e një skeme perfekte të krijimit të trupave elektorale fiktive, por të dobishme dhe qëllimisht me ndikim në rezultatin përfundimtar të çdo gare elektorale; financuar mjaftueshëm nga paratë e krimit e korrupsionit.
Në Kushtetutë thuhet se “Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta…”. Zgjedhjet e 8 majit dëshmuan se ky premtim kushtetues ka rënë. Premtimet kushtetuese të gjithëpranuara kanë rregulluar bashkëjetesën tonë deri më sot. Rënia e tyre për një pjesë të shoqërisë, në rastin konkret për më shumë së gjysmën, e fut vendin në një spirale të rrezikshme të një konflikti social që dërrmon demokracinë. Ky është problemi i madh, me të cilin PS duhet të përballet! Pa negociuar për të dhe pa pranuar skema të sajuara që nuk zgjidhin përfundimisht problemin, por garantojnë riciklimin e tij.
Të dy elementet kriminale bëjnë të padobishme kushtetutshmërisht zgjedhjet, si instrumenti themelor demokratik. Me to, funksional dhe të përdorur tashmë në të gjithë territorin, në zgjedhje politike, manipulimi do të jetë masiv. Ndaj e vetmja rrugë është të ndalen e ndëshkohen, shoqëruar me garanci ligjore të përhershme.
Mandati popullor-politik dhe qeverisës – që PS mori pas këtyre zgjedhjeve duhet përdorur për të zgjidhur këtë problem të madh të demokracisë.
Dy mënyra ka:
• Rrugë institucionale – reforma të thella të sistemit politik dhe të administrimit të zgjedhjeve
Rruga institucionale kërkon pjesëmarrje dhe iniciative. Prej dy vitesh PS nuk ka bërë jetë parlamentare normale. Rrethanat e imponuara nga Sali Berisha kanë bërë që të jetë kështu. Berisha e ka përdorur këtë për të bërë atë që do. Caku është kaluar aq sa PS shihet sot si një parti që ikën dhe jo si një parti në betejë. Kjo është serioze dhe kërkon një vendimmarrje të re të trupës parlamentare në këtë betejë, për angazhimin, rolin, detyrat, administrimin e pakicës bllokuese, përdorimin e saj si kusht për reformat jetike të demokracisë.
• Rrugë jashtë-institucionale – të përballjes me forma demokratike, të ashpra, të protestës për të imponuar garancitë kushtetuese e demokratike të lirisë.
PS ka tashmë dy përvoja:
– Atë të refuzimit ndaj saj në jetën parlamentare, refuzimit të reformave, bllokimit të tyre në funksion të qëllimeve elektorale të Sali Berishës;
– Atë të betejës popullore në sheshe e rrugë me synim rritjen e presionit qytetar përkundër Qeverisë dhe Sali Berishës në funksion të shpëtimit të shtetit, institucioneve garantuese nga zhbërja prej fuqisë politike të individit politik.
Përvojat kanë qenë të dhimbshme e tragjike. PS sot nuk ka njërin prej deputetëve në radhët e saj, vrarë barbarisht prej regjimit, por nuk ka edhe katër prej mbështetësve të saj, vrare “live” në sy të të gjithë shqiptarëve në bulevardin e Shqipërisë.
Sistemi i kalbur i drejtësisë ka bërë asgjë për të ndëshkuar krimin.
Sali Berisha nuk e do opozitën në Kuvend, por më shumë nuk do popullin në rrugë.
Kjo betejë duhet të vazhdojë! Në Kuvend dhe në sheshe, por mbi e gjitha përballë me Sali Berishën.
Të dyja rrugët nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, duhen ndërthurur e përdorur menjëherë. Forca aritmetike e numrave që po përdoret për të dhunuar e zhbërë lirinë dhe të drejtat e qytetarëve duhet të përballet në Kuvend, në sheshe e rrugë me fuqinë e re demokratike të pas 8 majit të një populli të lirë.
Njerëzit duhen thirrur në demonstratë dhe duhen udhëhequr në të. Në çdo rast dhe jo vetëm kur nevoja politike e do këtë! Në çdo rast të cenimit të rëndë të të drejtave dhe interesave themelore politike, ekonomike e sociale të qytetarëve, të cilat burojnë nga liria kushtetuese. Dhe rasti është tani, kur menjëherë pas vjedhjes së zgjedhjeve, Sali Berisha ka ndërmarrë shpronësimin më të madh në historinë e këtij vendi.
“Një revolucion lirie” ka fuqinë të zmbrapsë e rrezojë një “regjim kriminal”!
3. Dy mandatet, ku dhe si duhen përdorur
Kur vota popullore të jep një besim si ai që PS mori më 8 maj, fuqia e besimit duhet investuar në përmbushje të pritshmërisë së votuesve. Interesi i tyre i gjerë, duhet të udhëheqë betejën politike për demokracinë, përmirësimin e përfaqësimit dhe alternatives, qeverisjen e mirë e të përgjegjshme. Kjo është përgjegjshmëri. Ajo që po jetojmë si krizë e rëndë e demokracisë, kërkon përdorimin e mandateve të 8 majit në Kuvendin e Shqipërisë, në Partine Socialiste, në Pushtetin Vendor:
• Kuvendin e Shqipërisë
Zgjedhjet e qershorit 2009 dhe ato të 8 majit që nuk janë mbyllur ende, dëshmuan se premtimi bazë kushtetues, ai sipas të cilit “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta…”, ka rënë. Në një analizë më të gjerë, janë një sërë premtimesh kushtetuese që qeverisja e Sali Berishës i ka rrezuar.
Ndërkohë, një sërë garantësh dhe barrierash kushtetuese ngritur si element kontrolli ndaj sulmit qeveritar mbi Kushtetutën, janë rrezuar në një akt të qortueshëm bipartizan tre vite më parë, provuar qartësisht si i dëmshëm në tre vitet që vijuan.
Premtimet kushtetuese themeluan Republikën tonë të re.
Premtimet kushtetuese nuk janë mbrojtur, qeveritë dhe partitë i kanë kompromentuar për nevoja politike.
Tani është koha për një reformë të Kushtetutës!
Për të përtërirë premtimet, për të rikthyer garantet, për të shkruar premtime të reja që ndalojnë e ndëshkojnë veprime politike e administrative që rrezikojnë Sistemin, por edhe premtime të reja në baze të të cilave do të shohim e ndërtojmë të ardhmen tonë.
Ndaj, mandatet e 8 majit duhen përdorur për:
– Reformë të Kushtetutës
(Ndërhyrja që u krye tre vite më parë në Kushtetutë i ka shërbyer krizës dhe ka forcuar pozitat politike të keqbërësve të Sistemit. Ndaj do të mbetemi dhe në rastin më fatlum do të rikthehemi shpesh në krize – jemi në dorë të sjelljes politike dhe synimeve personale të politikanëve që do të drejtojnë shumicat).
Reforma duhet të zgjidhe krizën:
Të garantoje liritë dhe të drejtat, demokracinë si sistemin që kemi zgjedhur për të rregulluar jetën tonë;
të rikthejë balancën, kontrollin mes pushteteve;
të garantojë mbrojtjen e Sistemit nga goditjet prej politikanëve që kërkojnë pushtet përtej kufijve kushtetues;
të riktheje mundësitë që Sistemi të vetëmbrohet dhe kthehet në integritet përmes kufijve që ndalin në kohë veprimin antikushtetues të politikanëve që keqdrejtojnë shumica të thjeshta e antidemokratike
Reforma duhet t’i paraprijë Shqipërisë së 100 viteve që vijnë:
T’u tregojë e japë të ardhmen shqiptarëve të rinj;
Të mbartë premtime të reja kushtetuese që transformojnë Shqipërinë që kemi, tregojnë e garantojnë lirinë si model zhvillimi, perspektiven e saj politike, ekonomike, sociale, pronësore, teknologjike, energjetike, mjedisore, kulturore etj., të sigurisë dhe drejtësisë, përmbushin aspiratat e saj në raport me shqiptarët fqinje dhe Evropën demokratike.

– Reformë të Sistemit Politik- sistemit zgjedhor e të administrimit të zgjedhjeve
(Rimodelimi i sistemit politik tre vite të shkuara shërbeu për të testuar nivelin e demokracisë që partitë politike bartin brenda tyre e materializojnë në administrim të pushteteve politike që kanë.
Kjo dëshmi mjafton për të treguar se Sistemi është lehtësisht i keqpërdorur brenda partive në krijim të kuorumeve klienteliste e të bindura, por edhe lehtësisht i manipulueshëm në zgjedhje çfarëdo, politike e administrative, në krijim të shumicave të pavërteta, produkt i manipulimit zgjedhor. Kjo ka sjellë krizën).
Reforma duhet t’i japë fund krizës:
të garantojë “votën e lirë e të barabartë” si thelbin ku bazohet qeverisja kushtetuese e përmes së cilës konkurrojnë e vlerësohen partitë politike, alternativa e tyre, në një Sistem politik të vërtetë, të drejtë, përfshirës e demokratik;
të garantojë, nga “listimi i zgjedhësve” deri në “leximin e votës”, në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe transparente parimin “një qytetar një votë”;
të modernizoje votimin dhe administrimin e votimit për ta bërë të vërtetë, transparent, të shpejtë, të pamanipulueshëm dhe larg ndikimit të vullnetit keqbërës të cilitdo administrator.
– Reformë të Sistemit të Drejtësisë
( Sali Berisha “lindi të vdekur” drejtësinë në vitin 1992. Mbyti çdo rilindje të saj në 5 vite duke vendosur dhunshëm një sistem të padrejtë, politik e thellësisht të varur. Populli e dogji në vitin 1997. Por një varg qeverish të majta humbën shansin për të rithemeluar një sistem drejtësie të pavarur, profesional dhe funksional. Ato rikualifikuan gjyqtarë të modifikuar dhe nuk i shpëtuan dot krijimit të një trupe gjyqësore klientë e të lëshuar në kulturën që vendos shefin politik mbi ligjin. Berisha e gjeti këtë trupë në përputhje me kulturën e tij – kulturën e shefit, tani po e përdor ndërkohë që ka instaluar kulturën e padrejtësisë e të pandëshkueshmërisë në vend).
Reforma duhet ta zhbëjë këtë Sistem:
të ndërtojë e garantojë pavarësinë institucionale të trupës gjyqësore;
ta nxjerrë nga çdo lloj varësie apo pushteti të individit politik dhe votimi i tij;
ta përtërijë me një gjeneratë të re profesionistësh dinjitarë;
ta pastrojë me vendosmëri nga anëtarë të korruptuar apo të nënshtruar ndaj korrupsionit politik dhe vendimmarrjes së tij;
ta mbështesë me mjetet e domosdoshme për t’i dhënë funksionalitet dhe dinjitet drejtësisë si garante e Sistemit demokratik, lirive dhe të drejtave të qytetarëve

– Reformë Administrative dhe të Sistemit të Gjendjes Civile
(Lëvizje të mëdha të popullsisë ndodhur ne 20 vite kanë bërë që njësi të tëra administrative të mos ekzistojnë me apo të jenë të padobishme për banorët e tyre. Lëvizjet e popullsisë i kanë ndarë ato në një farë mënyre nga të tjera njësi.
Ndërkohë, nevojat e përditshme, veçmas për punë e jetë në kushte më të mira, kanë zhvendosur njerëzit shumë e kudo, aq sa sot jo vetëm standardet e lejebanimit apo lejeqëndrimit kanë rënë, por shumëkush nuk e di ku t’i gjejë, si t’i gjejë apo më tej cilido përgjegjës nuk di ke administron.
Ky është kaosi i krijuar me dhe pa ligj.
Për nevoja të politikanëve te mbrapshtë ky kaos u përdor këtë herë për të krijuar trupa elektorale fiktive, të paguara e të transportueshme për qëllime elektorale)
Reforma duhet t’i japë fund kaosit:
të mundësojë një ndarje të re administrative të Shqipërisë që ka në thelb bashkimin për t’u qeverisur më mirë, shtuar e përdorur më mirë burimet ekonomike dhe aksesin e njerëzve në to, si burim mirëqenieje;
regjistrim të plotë, ligjor dhe transparent të cilitdo qytetar, familje, pronë, biznesi etj;
rregulla të reja të lëvizjes, qëndrimit dhe banimit, ndryshimit të tyre duke vendosur përfundimisht standarde të patjetërsueshme qytetërimi dhe shmangur e ndëshkuar standardet kriminale për qëllime politike, elektorale, të fshehjes së një krimi penal apo fiskal.

• Partinë Socialiste
Zgjedhjet e 8 majit dëshmuan se Partia Socialiste është sot organizata politike më e madhe ne vend. Numri i votave që materializon besimin për të vjen në rritje, ashtu si njësitë administrative që ajo do të qeverisë.
Më shumë shqiptarë kanë zgjedhur PS duke projektuar një parti më të madhe, të majtë, moderne. Kur ndodh kjo, duhet që partia të hapë dyert, të zmadhohet duke mirëpritur njerëz të zakonshëm, grupe sociale, grupe profesionale, grupe interesash, tani edhe gjenerata të reja që duan të lidhin të ardhmen me të. Njëherësh duhet të hapet për të pritur ide, projekte, programe që ideojnë të ardhme të përbashkët.
Një shumësi e tillë njerëzish, interesash e idesh, nuk kërkon vetëm një parti, por ndërton dhe imponon një “mënyrë jetese”!
Pra, PS duhet të jetë më shumë se organizate, duhet të jetë “mënyrë jetese”.
Model lirie e zhvillimi, model organizimi e bashkëjetese, model komunikimi dhe debati, model rregullash dhe bashkimi, model moral interesash dhe karriere, model nderi dhe transparence. Për cilindo, qytetar, familje, grupim shoqëror e social, grupim interesash ekonomike e financiare qe sheh te e majta mundësi për të.
Një model i tillë kërkon shumë dashuri, solidaritet e bashkim pozitiv. Një model i tillë mbështetet mbi lirinë, por edhe mbi rregullat që mbrojnë lirinë dhe vetë organizatën.

Ndaj mandati politik i 8 majit duhet përdorur në PS për:

– Reformë Lirie
Liria dhe abuzimi me të – si në kahun e kufizimit dhe në kahun e keqpërdorimit – është problemi më i madh sot i organizatave politike. Kjo është arsyeja përse liria duhet institucionalizuar, garantuar si e drejtë e paprekshme, mbrojtur nga keqpërdorimi prej interesave individuale.
Liria duhet:
të karakterizojë bërjen pjesë;
të garantojë marrjen pjesë;
të bëjë të domosdoshëm komunikimin mes të ngjashmeve e të ndryshmëve;
të ligjërojë propozimin, idenë, projektin, programin;
të udhëheqë debatin;
të bëj përfshirëse vendimmarrjen;
të bëjë të drejtë konkurrimin;
të bëjë të ndershëm votimin;
të bëjë të detyrueshëm aksionin.

– Reforme të Rregullave
Rregullat bëjnë të mundur bashkëjetesën në organizatë. Ato vendosin kufijtë për lirinë e gjithsecilit nga fillimi, bërja pjesë deri në fund, dalja jashtë. Ato i ngjajnë premtimeve kushtetuese mbi mbazë të cilave themelohet bashkëjetesë, ato nuk duhet të tërhiqen, të komprometohen dhe për të cilat duhet të ekzistoje ai që kërkon llogari për to.
Rregullat po kundërshtohen nisur nga pozitat e liridashësit, aq sa sot rregullat dhe organizata shihen njësoj si pengesë për karrierën vetjake. E kur kjo paranojë funksionon, tradhtia behet zgjidhja efikase. Tradhtia është kthyer në sistem brenda PS dhe një mundësi për abuzimet elektorale.
Rregullat duhet:
të garantojnë bërjen pjesë;
të bëjnë të domosdoshme marrjen pjesë;
të shquajnë si të pranuar daljen jashtë kur bashkëjetesa sulmohet apo tradhtohet;
të përcaktojnë komunikimin si detyrim mes të ngjashmeve e të ndryshmëve;
të ligjërojnë propozimin, idenë, projektin, programin si kontribut të matshëm;
të vendosë debatin si normë brenda partie;
të zgjerojë në përfshirje vendimmarrjen;
të pranojë si legjitime të drejtën për karrierë në bazë të së cilës qëndron merita e ndërtuar në fushë-betejë;
të bëjnë të drejtë konkurrimin;
të bëjnë të ndershëm votimin;
në fund,
të bëjnë të detyrueshëm aksionin

– Reformë të Institucioneve
Ajo që po i ndodh shtetit, institucioneve të tij, po shpërndahet si infeksion në çdo organizatë, më shumë në çdo organizatë politike.
Fuqia politike e individit drejtues tejkalon çdo rregull, del mbi çdo institucion. Kjo po i zhbën institucionet dhe kjo po dobëson deri në paralizë funksionalitetin e çdo organizate.
Bashkë me to dhe demokracinë e brendshme.
Po ndodh që organizata vihet në lëvizje vetëm kur lëviz individi drejtues, punon vetëm kur punon ai, merr vendime vetëm kur vendos ai për to. Në fakt, koha ka treguar se individët kanë kufijtë e tyre politikë e biologjikë, institucionet duhet të mbeten.
Institucionet duhet:
të grumbullojnë fuqinë e përbashkët të individëve të organizatës;
të garantojnë rregullat e përbashkëta-veçmas ato të komunikimit, propozimit, debatit, karrierës, konkurrimit;
të administrojnë pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe detyrojë zbatimin e tij;
të kufizojnë ne mandate drejtuesit, por edhe përfaqësuesit, veçmas ata administrativë.

– Reformë të strukturës organizative dhe funksionimit
Hapja e organizatës në funksion të krijimit të hapësirave të reja për cilindo që beson në të, bën të domosdoshme shtrirjen e saj sa më shumë në territor. Një shtrirje kapilare deri në njësinë më të vogël ku grumbullohen e jetojnë qytetarë është jetike. Por nuk mjafton. Ngritja e institucioneve që i grupojnë anëtarët në bazë të interesave të tyre është ajo që duhet përmbushur. Rinia duhet të jetë fuqia politike dhe organizative në terren. Gruaja duhet të plotësojë më në fund gjysmën bosh në strukturën e organizatës.
Struktura duhet të funksionojë. Funksionaliteti i saj duhet të burojë nga institucionet, të programohet, orientohet e organizohet prej tyre. Puna, si produkt i funksionalitetit të jetë e matshme.
Por mbi të gjitha funksionimi si ekip të jetë detyrimi parimor.
Struktura funksionale duhet:
të sigurojë mbulimin kapilar të territorit;
të orientojë fuqinë politike të rinisë në terren konkret;
të garantojë përfshirjen e gruas në gjysmën e saj;
të kapitalizojë interesat profesionale dhe mendimin e kualifikuar të anëtarëve;
të programojë punën konkrete dhe të matshme;
të ndërtojë punën në ekip si elementin kyç të suksesit

• Në qeverisjen vendore
Qytetarët zgjodhën më 8 maj Partinë Socialiste për të qeverisur në pjesën dërrmuese të njësive administrative. Pas këtij besimi popullor PS do të qeverisë gati 2/3 e qytetarëve të Shqipërisë. Një mandat i fortë e i qartë qeverisës, me të cilin PS ka mundësinë të jetësojë ofertën e saj zgjedhore.
Në një pjesë të njësive, qytete e komuna, PS e merr këtë të drejtë për herë të parë pas shumë vitesh, në kushte të një rrënimi të plotë ekonomik të tyre dhe një zhgënjimi të madh të banorëve atje.
Të qeverisësh në mes të një krize të rëndë politike, ekonomike, financiare, sociale, nën sulmin e Qeverisë së Sali Berishës, presionin për përmbushjen e interesave të Familjes se tij dhe gërryerjen e korrupsionit të përhapur është e vështirë. Por e mundur.
Ndaj, mandati qeverisës i 8 majit duhet përdorur për:
– Një program kombëtar të qeverisjes vendore
Përfshirës dhe unik, i përbërë nga parime bazë të qeverisjes vendore, autonomia në administrim e ekonomisë dhe pasurisë natyrore vendore, shërbimi publik, transparenca në vendimmarrje, plani zhvillues i territorit si “territor ekonomik”.
– Zbatimin e Paktit për qytetarin
Konkret dhe i mbështetur në përvojën më të mirë të modelit të suksesit të Bashkisë së Tiranës, në përmbushje të interesave konkrete të qytetarëve, mundësisë për punë e sipërmarrje, lehtësimit nga barra fiskale qeveritare, aksesit të barabartë e konkurrues në burimet e ekonomisë vendore, solidaritetit me të vegjlit, të pamundurit e të moshuarit.
– Zgjerimin e vendimmarrjes
Për t’i kthyer pushtetin popullit, përfshirjes në vendimmarrjen vendore – në propozim, diskutim, miratim, për çështje të administrimit të territorit ekonomik, përdorimit të burimeve të pasurisë vendore, orientimit të shpenzimeve vendore, financimit të zhvillimit të ekonomisë vendore, ruajtjes së mjedisit, ndarjes së buxhetit të solidaritetit.
– Rikthimin e autonomisë vendore
Për t’i dhënë fuqinë kushtetuese pushtetit vendor, të cenuar rëndë nga Qeveria e Sali Berishës, nisur nga qëllime politike të bllokimit, falimentimit ekonomik e financiar dhe interesat korruptive të përfitimit nga ekonomia vendore dhe pasuritë natyrore aty.
– Një pakt kombëtar kundër interesave të Familjes Berisha
Për të refuzuar çdo plan të iniciuar apo imponuar dhunshëm nga qeveria qendrore nisur nga interesat e paanë të Familjes Berisha. Veçmas në vijën bregdetare nga Velipoja në Ksamil, ku interesat e kësaj familje kanë qenë evidente dhe në konflikt të hapur me interesat qytetare atje. Por edhe në zona të tjera të pasura të vendit, në njësi tashmë të copëtuara nga leje minerare e pushtuara nga industri aspak miqësore me mjedisin dhe qytetarët.
– Një pakt kombëtar kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave
Për të garantuar transparencë dhe praktikat më të mira ligjore në administrimin e parave publike dhe pasurive natyrore e ekonomike vendore; për të garantuar konsumimin e mandatit popullor në përmbushje të interesit publik dhe jo në përmbushje të interesit privat të cilitdo pushtetar, administrator apo këshilltar.