
Preç Zogaj, 08.03.2011
Gazeta “Shekulli” publikoi dje një skandal me listat e zgjedhësve të fshatit Viçidol të Tropojë, vendlindja e kryeministrit Sali Berisha. Sipas gazetës, në listën paraprake me 461 votues, gjashtëdhjetë e një emra janë tepër. Tetëmbëdhjetë kanë ndërruar jetë . Nëntë të tjerë rezultojnë të jenë banorë të komunës Gjakovë të Republikës së Kosovës. Tridhjet janë zgjedhës të rinj, të panjohur, që nuk kanë qenë më parë banorë të fshatit. Dhe më e habitshmja: në listën e këtij fshati të thellë e të largët verior janë përfshirë edhe emrat e katër arabëve. Gazeta ka publikuar emrat e tyre. Gazeta ka bërë të njëjtën gjë me emrat e të vdekurve dhe të shtetasve gjakovarë. I gjithë infomacioni është marrë në internet nga faqja e Ministrisë së Brendshme.
Nuk ka patur gjatë ditës asnjë përgënjeshtrim apo shpjegim nga ana e Ministrisë së Brendshme. Berisha është përpjekur ta kalojë me të qeshur, duke iu premtuar socialistëve se nuk do t’i llogarisë katër votat e arabëve, me ç’rast i ka dekonspiruar si votues te partisë së tij. Shakaja pa kripë e kryeministrit vetëm i ka theksuar dyshimet për listat e zgjedhësve, si një nga çeshtjet tradicionalisht të mprehta të zgjedhjeve në Shqipëri.
Të kuptohemi. Gabimet në lista janë edhe njerëzore. Listat paraprake prandaj afishohen: që të konstatohen e korigjohen në kohë pasaktësitë eventuale. Por skandali i kampionit që ka zbuluar gazeta “Shekulli” qëndron, së pari, në përqindjen shumë të lartë të personave fiktivë apo të tepërt në listë. Nuk kemi të bëjmë me ” thërrime”, por me një ” copë” të mirë prej rreth 14 për qind të totalit të zgjedhësve. Po të ishte përafërsisht kjo gjendja e listave në zonat e thella apo periferike, zgjedhjet do të ishin të dështuara pa u zhvilluar akoma. Së dyti, mirë të vdekurit që mund të kenë mbetur nga listat e mëparshme për shkak të pakujdesisë për t’i hequr, po emrat që janë shtuar me çfarë logjike janë shtuar? Dukuria e tranzicionit shqiptar ka qenë dhe është lëvizja e njerëzve nga mali në fushë, nga fshati në qytet, nga Shqipëria jashtë Shqipërisë. Jo e kundërta. Ende. Fryrja e listave në male, ca më tepër me shtetas të huaj që nuk dihet si e qysh janë bërë shtetas shqiptarë me të drejtë vote, ngre dyshime serioze për gjendjen lesharapi të këtyre listave. Dhe së treti, skandalin e përforcon fakti se shkeljet nuk janë kapur nga ndonjë institucionin publik që ka detyrimin ligjor të përgatisë një listë të saktë e të pastër zgjedhësish, por nga media.
Përballë shkeljeve të tilla dikush mund të mbrohet dhe ngushëllohet me faktin se ato publikohen nga Ministria e Brëndshme. Publikimi i listave është detyrim ligjor. Ministria nuk mund të bëjë ndryshe. Ministria nuk ka ndonjë meritë se publikon. Merita e saj do të ishte kapja dhe korigjimi në vazhdimësi i të gjitha pasaktësive. Në këtë pikë, kam përshtypjen se Ministria i le gabimet varur: po u kapen, i korigjojmë. Po nuk u kapën, i lemë ashtu siç i kanë përgatitur ustallarët e manipulimit. Opozita ka detyrime për listat, por opozita nuk mund të tërhiqet ditë për ditë në lojën djallëzore të pastrimit e ripastrimit të listave, duke lënë pasdore çeshtjet kyçe të fushatës elektorale.
Nuk mund të dimë sot a është lista e fshatit Viçidol ilustrimi i shprehjes së njohur “nga ferra e vogël del lepuri i madh”. Nuk mund ta dimë sa i përhapur është në shkallë vendi fenomeni i dublimit dhe fiktivitetit të listave zgjedhore. Shqetësimi ka qenë i madh përpara se të publikohej kampioni i djeshëm.
Opozita ka kohë që ngre zërin kundër parregullsive, vonesave, shkeljeve dhe marifeteve të tjera që kanë të bëjnë me preludin e një farse elektorale. Tani është momenti që shkeljet të dokumentohen dhe reklamohen me serjozitetin me të madh pranë çdo institucioni kombëtar e ndërkombëtar që merret me zgjedhjet në Shqipëri. Një vit e gjysmë më parë, opozita ngriti në këmbë një lëvizje për trasparencën e zgjedhjeve të kaluara, si një garanci për zgjedhjet e ardhshme. Kjo lëvizje u konceptua nga elita politike e opozitës, por mori jetë dhe bëri histori në sheshet e manifestimeve dhe protestave popullore. Qindra mijëra njerëz, qytetarë të thjeshtë, të rinj e të reja, burra dhe gra, intelektualë dhe pensionistë morën pjesë në këtë lëvizje që ktheu si asnjeherë tjetër me parë sytë e Europës nga realiteti i mekanizmit zgjedhor shqiptar. Të vetëdijshëm se nuk kishin fituar aq sa kishin deklaruar, dyshja qeveritare Berisha dhe Meta e refuzuan deri në fund trasparencën. Ata kanë paguar e do të vazhdojnë të paguajnë për këtë, bashkë me gjithë shqiptarët, çmimin e lartë të mospranimit të Shqipërisë si vend kandidat në BE. Por sot nuk ka vend që opozita të mërzitet pse u mashtrua nga Berisha për kutitë, apo të gëzohet pse Europa ia ktheu reston Berishës.
Tani që gongu i fushatës së re pritet të bjerë, në rendin e ditës së opozitës duhet të jetë një lëvizje e madhe për zgjedhje të lira e te ndershme, si vazhdim i natyrshëm i lëvizjes së deridjeshme për trasparencën. Kjo do të ishte lëvizja që do të monitoronte sekondë për sekondë çdo element të procesit zgjedhor; kjo do të ishte levizja që do të dokumentonte dhe denonconte në kohë reale të gjitha llojet e shkeljeve, nga më e vogla te me e madhja; kjo do të ishte lëvizja që do të krijonte akoma me shumë besim dhe bindje në radhët e qytetarëve për fuqinë e ndryshimit të gjendjes me votë.
Nuk është e vërtetë, më saktë nuk mund të jetë e vërtetë në demokraci se populli voton, kurse pushteti numëron siç do. Lëvizja për zgjedhjet e lira mund të bëjë atë që duhet që vota të hidhet lirisht dhe të numërohet pastërtisht. Opozita dhe shoqëria civile shqiptare i kanë mundësitë të ngrenë në këmbë një lëvizje të tillë nga Jugu në veri, nga Lindja në Perendim, në çdo cep të vendit , deri te votuesi më i fundit, siç thoshte ish- kancelari gjerman Helmut Kol. Mijëra të rinj e të reja, intelektualë dhe pensionistë e tjerë janë gati të kontribuojnë për listat, për kartat e identitetit, për monitorimin e mediave, për monitorimin e shpenzimeve elektorale, për monitorimin e presioneve ndaj administratës dhe të çdo vendmarrjeje që ka të bëjë me zgjedhjet .
Pavarësisht se nuk mund të mos jetë bërë për të provokuar, lista e zgjedhësve të vendlindjes së kryeministrit është një provokim. Kam përshtypjen se provokimet elektorale të qeverisë dhe veglave të saj, siç është KQZ-ja, do të vinë duke u shtuar me kalimin e ditëve. Vërehet rreth e rrotull në pallatet e pushtetit një nxitim për tensionimin e situatës, deri në provokimin e mospjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje. Në këtë lojë të rrezikshme, humbja do t’i shkojë atij që do ta teprojë. Qeveria e ka të vështirë të mos e teprojë me provokime. Opozita e ka të lehtë të mos e teproje me pretekste. Përtej kësaj luftë nervash e karakteresh, që vëzhgohet me një vëmendje të shtuar nga ndërkombëtarët, opozita ka detyrimin të mbajë busullën e garancive, ku dallojnë ato që unë dëshëroj t”i quaj “dy garancitë numër një” që janë: Lëvizja e lartpermendur për sigurinë e votës; pjesëmarrja masive e popullit opozitar në zgjedhje. Janë dy anë të së njëjtës medaljee. E para siguron besimin. E dyta siguron fitoren.







