Dy fjalë per z. Fritz Radovani

0
43

Nga Tomë MRIJAJ, New York.

Edhe pse nuk e njoh personalisht z. Fritz Radovani dhe nuk kam pasë rast të takohem asnjiherë me te; edhe pse ndodhemi larg njeni- tjetrit me mija kilometra: Ai në Melbourn të Australisë dhe unë në New York të Shteteve të Bashkueme të Amerikës; Asnjena prej këtyne rrethanave nuk më ka pengue që t’a vlerësoj dhe t’a respektoj per shkrimet e Tij brilante dhe, asht pikërisht që në saje të këtyne shkrimeve na mujtem jo vetëm të njihemi, por edhe të miqësohemi dhe të kemi nji korrespondencë të rregullt.

Z. Fritz Radovani u ba nji figurë e njohun veçanërisht këto vitet e fundit në boten shqiptare me shkrimet e Tij sa të sinqerta, aq edhe prekëse, krahas vllazenve Simon e Pjeter Pepa, At Konrad Gjolaj, At Zef Pllumit etj., mbi përsekucionin ma mizor që mund të imagjinohet, sidomos të popullsisë katolike shqiptare të Shkodres, ku ishte qendra e katolicizmit shqiptar dhe të githë Malësive katolike të zonave Veriore shqiptare.

Ai spikatë në mes të tjerëve edhe per nivelin e naltë artistik të prozës së Tij aq të rrjedhëshme dhe të bukur të Gegnishtes dhe në veçanti të dialektit shkodranë aq të kjartë dhe të kuptueshëm në çdo skaj të Shqipnisë dhe trojeve tona shqiptare, ku flitet gjuha shqipe.

Shkrimet e Tij, shumë herë ia dergojshe mikut tem, Kapidanit të Mirditës NDUE GJOMARKUT, i cili nji ditë më tha : “E kam njohë shumë mirë baben e Fritzit, KOLË RADOVANIN, me të cilin takohesha shpesh herë në shtëpinë teme në Shkoder. KOLA u vra me kapitulimin e Italisë fashiste në vitin 1943. Ai ka kenë nji oficer i Zogut (në mos gabofsha me graden Kapiten) dhe kundershtar i fashizmit. Kjo familje hynë në radhen e familjeve ma të mira të njohuna të qytetit të Shkodrës. Më vjen shumë mirë që djali i mikut tem Major Kolë Radovanit merret me shkrime të tilla që zbardhin perzekutimet e atij regjimi gjakatar komunist .”

Edhe studjuesi i mirënjohun i MJEDËS, Dr. MENTOR QUKU, kur ishim në nji “SIMPOZIUM” që u mbajt në Kukës në vitin 2010, më foli në mënyrë shumë pozitive per z. Fritz. Në mes tjerash z. Mentor më deklaroi : “Shkrimet e Fritzit janë të gjitha të sakta, sepse bazohen në fakte dhe dokumenta origjinale të cilat ka mujtë me i sigurue në arkivat e Muzeut Historik të Shkodrës, ku edhe ka kerkue per disa kohë. Z. Fritz, mbas shembjes së komunizmit, me sa di unë, ka vazhdue kerkimet edhe në arkivat e Ministrisë së Punëve të Mbrendëshme, ku ka mujtë me gjetë nji thesar dokumentash të panjohuna prej askujt deri n’atë kohë. Veç kësaj ka mundësi që në këte familje të jene ruejtë edhe dokumenta të tjera nga Ati i Tij dhe rrethi familjar i persekutuem”

Sot z. Fritz RADOVANI nga mergimi në Melbournin e largët, tue shfrytëzue këto burime të sigurta i asht perkushtue zbardhjes së tyne dhe po nxjerr në dritë të diellit TË VERTETAT MA TË TMERSHME të persekucionit SIDOMOS të katolicizmit shqiptar me synim të kjartë “DERI NË ÇFAROSJEN E PLOTË TË TIJ”.

Nji ndër shkrimet e fundit që m’erdhi mue “në posten time elektronike nga z. Fritz Radovani, asht studimi shumë interesant per Herojn tonë Kombëtar DEDË GJO LULI, lidhun me kryengritjen e Malësisë së Madhe të Vitit 1911, ku, si rezultat ngriti i pari në Deçiç Flamurin kombëtar shqiptar prej kohës së Kastriotit.

Në këte shkrim gjejmë shumë të dhana të pa botueme asnjiherë ma parë, që e bajnë shkrimin shumë interesant dhe jashtëzakonisht terheqës pikërisht për faktet e reja që na zbulon në këte monografi të shkurt të Heroit.

Asht pikërisht ky shkrim që më shtyni me shkrue këto pak rreshta per z. Fritz.
Për lexuësit po shkëpus një pjesë të këtij shkrimi deri tash të pa botuem:
“….100 vjet ma parë, me 6 Prill 1911…Me Dedë Gjo’ Lulin ne krye.
Plasi toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiç u vue një flamur i harrum ndër shekuj.
Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i rujtun dhe i mbrojtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbët e do të shuhet përgjithmonë.
Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt!
I madh e i vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!
Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!
Fitorja e shpërblyme me gjak ndër shekuj erdhi!
Urata, lutja, kanga e falenderimi ndaj të Madhit Zoti s’pushonin!
Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës…
Pikë lotit nuk shihej n’Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët…
“ Oooo… Burra bre… çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!…”
Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma… kurrma!
Tingujt e Lahutës… vazhdonin Kangët e veta…

Nën xhamadanin e artë të Dedë Gjo’ Lulit, tashma rrahte ma fort se kurrë “Ora” e Shqipnisë. Aty ishte Gjaku i kulluem i Asaj zemre që nuk e njohi tutën… Të parët që u gjetën pranë Malësorëve Trima ishin Françeskanët Shqiptarë, që me sandalet e tyne dhe kambët e dermishuna e të gjakosuna, nuk kishin lanë rrugë kali e mushku pa shkelë ndër ato anë plot ferra e murriza.
Françeskanët ishin Ata që do ta çonin të ngjeshun për parzëm Atë cohë si zhguni i tyne mu në maje të malit të Deçiçit.

Lufta, vepra heroike Atdhetare e Malësorëve dhe e Klerit Katolik Shqiptar në Deçiç asht ndër ma të randësishmet për vuemjen e themelit të Shtetit të Parë Shqiptar mbas sa shekujsh robni turke. Po të mos kishte ngritë atë Flamur të Gjergj Kastriotit në Deçiç Dedë Gjo’ Luli me Trimat e vet me 6 Prill 1911, jo vetem mund të vonohej ardhja e Pavarësisë së vitit 1912, por do të vehej një pikpyetje e madhe se, “cila do t’ishte ajo Pavarësi…që ma vonë do të na ‘dhuronte’ ne pushtuesi turk…apo serb…?”

NDIHMA E ZOTIT E PUSHKA E HOTIT

Kështu thotë Populli…
Këto janë faktorët kryesor që shpejtuen Lirinë e Atdheut!
Me 28 Nandor 1912, Shqipnia u shpall e Pavarun dhe e Lirë!”

Dhe asht pikërisht per këte, që jo vetem unë, por të gjithë shqiptarët të kudo ndodhun duhet t’a falnderojmë dhe t’i jemi mirënjohës për gjithsa ka shkrue e vazhdon të shkruej, tue na zbulue çdo herë TË VERTETA TË PANJOHUNA.
E pergëzoj për këte dhe i uroj personalisht jetë të gjatë dhe suksese në këte mision fisnik që ka marrë përsiper.