Dy demokraci ballë për ballë

0
55

Marin Mema

Është e vështirë të vizitosh Asamblenë Parlamentare Franceze, të ndjekësh debatet që zhvillohen këto ditë të nxehta për politikën kombëtare e ndërkombëtare e të mos i nënshtrohesh me pas një analizë për atë çfarë na ka ofruar e na ofron prej vitesh institucioni ligjvënës shqiptar, ku përplasen fort dy palë politike, që duket se zëvendësojnë në karrige thjesht dhe vetëm njëra-tjetrën, pa mundur të kthejnë këtë institucion në tempullin e vërtetë të një demokracie e komunikimi të qenësishëm politik.

Nuk është e nevojshme të shohësh majtas apo djathtas për të dalë në përfundimin se Kuvendi i Shqipërisë është ende larg së qeni një faltore e demokracisë, tempull civilizimi apo debati konstruktiv që do t’i jepte udhë jo përplasjeve të ulëta politike, por makinerisë së zhvillimit e integrimit perëndimor. Kjo nuk ka ndodhur, për shumë arsye dhe shumë fajtorë. Askush nuk mund të tërhiqet sot, e të lajë duart përballë degradimit të këtij institucioni dhe kthimit të tij në një mejhane të rëndomtë.

Në mungesë të një demokracie funksionale të brendshme, sharjet, fyerjet, ofendimet e deri kërcënimet fizike janë prej vitesh i vetmi oksigjen i tij. Edhe pse shpesh citohen rreshta rregulloresh europiane, ligjesh e nenesh që renditet çrregullt mes fjalime kuvendarësh, ajo çka realiteti shqiptar na servir është krejt tjetër.

Mënyrat e funksionimit mes institucionit “made in Albania” dhe parlamenteve të vendeve të tjera europiane ndahet nga një çarje e thellë, konceptuale dhe praktike. Duke ndjekur qoftë edhe një seancë të vetme në Asamblenë Kombëtare Franceze – nga ku do të nisë edhe asistenca për përmirësimin e jetës parlamentare shqiptare – mund të kuptosh diferencat marramendëse, që nxjerrin zbuluar jo thjesht dështimin e një institucioni bazë të shtetit shqiptar, por edhe katandisjen e tij në një aul rrugaçërie që pak ose aspak ka të bëjë me qëllimet e vërteta për të cilat ai është në jetë.

Pika e parë ka të bëjë, sigurisht, me barasndarjen e kohës e të drejtës së fjalës e trajtimit të institucionit jo si një pronë personale, por si një sallë ku duhet të lindë jo thjesht procesi ligjor, por edhe ai njerëzor e human. Sigurisht, krahasimi për nivelin e demokracisë e traditës midis Shqipërisë dhe Francës është i vështirë, thuajse i pamundur, por gjithsesi ai vjen natyrshëm për shkak të citimit të shpeshtë që i bëjnë këtij institucioni ligjvënësit tanë. Sipas tyre, Parlamenti shqiptar funksionon po ashtu si në Francë apo edhe si parlamente të tjerë në Europë. Fajtor i vetëm i mosfunksionimit bëhet thjesht një grupim politik që cilësohet pengesë në jetën parlamentare normale, e në këtë logjikë, e djathta zëvendësohet me të majtën, e majta me të djathtën, një lojë ngjyrash që po tërheq prej më shumë se 20 vjetësh një institucion – që mbas rënies së komunizmit – duhet të ishte tempulli i vërtetë i demokracisë.

Përtej fjalëve e refreneve politike, krahasimi mes dy realiteteve bëhet i domosdoshëm të paktën për të matur nivelin apo largësinë mes dy krahëve, një demokracie e kulture europiane e një demokracie e kulture alla shqiptare. Në Parlamentin Francez nuk mungojnë debatet, herëherë edhe shumë të ashpra, por kurrsesi motivi i tyre nuk është dhunimi e poshtërimi i kolegut. Ata janë aty në atë sallë, për të dhënë alternativa, ide, zgjidhje.

Që këtu nis diferenca me Shqipërinë, ku kërcëllitja e dhëmbëve dhe gjestikulacioni nervoz shoqërojnë edhe aksionin më të vogël. Jo më larg se në seancën e fundit, “plehër” duket se u bë në komunikimin mes të zgjedhurve të popullit, fjala më e përdorshme; për të mos shkuar më tej në ato seanca ku koloriti leksikologjik ka kapërcyer çdo cak.

Ndarja e kohës, sigurisht në Francë nuk fshihet pas ngjyrave partiake. Gjithçka është e përcaktuar qartë e më së miri: Rregullorja, kurrsesi nuk mund të shkelet nga askush e për asgjë! Mazhoranca dhe opozita hedhin idetë e tyre, zhvillojnë argumente politike në një klimë më shumë se konstruktive. Roli i kreut të Parlamentit francez është thjesht kontrollimi, por pa ndikuar në debat: Ndërprerja e njëanshme e fjalës apo ndërhyrjet pa kriter nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e kulturës politike në një vend demokratik europian. Në sallën e Asamblesë Parlamentare Franceze – të dyja palët ose të gjitha palët e përfaqësuara – janë të barabartë, vetëm njëra qeveris, por në atë sallë politike nuk ka komandantë apo perandorë, nuk ka ndarje nivelesh e pushteti.

Në Shqipëri, ku aq shpesh flasim për sistemin parlamentar, jo vetëm atë francez, por edhe atë të vendeve të tjera europiane këto norma politike “asnjanëse” as nuk mund të konceptohen. Në sistemin alla shqiptarçe, ato që dominojnë janë vetëm dy ngjyra, bardhë e zi Në Shqipëri pushteti duhet të udhëheqë, të drejtojë me imponim fjalën e tij jo pak herë të pacipë e bosh, duke harruar gjithçka e duke u kthyer shpesh në një grusht diktatorial që frenon apo godet të drejtat e liritë më themelore të fjalës, idesë e mendimit. E megjithatë, sa herë bëjmë analiza e komente, sërish ne guxojmë. Guxojmë të kërkojmë, të risjellim e të arnojmë ngjashmëri mes dy fronteve, dy sistemeve ende larg njëri-tjetrit, duke mos nguruar aspak për ta përdorur më pas si një leukoplast të pisët me të cilin politika shqiptare kërkon të mbyllë plagët e shkaktuara nga ajo vetë.

Jo vetëm në sallë, por edhe në televizionin përkatës të Parlamentit e Senatit Francez, një staf i tërë punon vetëm për të ruajtur balancat mes palëve. Gjithçka e pasqyruar në grafikët përkatës, jo vetëm të forcave politike, por edhe të individëve të veçantë. Gjithçka pasqyrohet e shoqërohet me broshurat analitike të detajuara, me të cilat mund të pajisen mediat, por edhe deputetë e senatorë. Një mënyrë kjo jo vetëm për të realizuar një debat dhe pasqyrim të barabartë, por edhe për t’ia servirur atë të gjitha palëve të interesuara. Koncepti francez nuk ndan të majtë e të djathtë. Të ulur në atë poltron, ata janë mbi të gjitha përfaqësues të popullit, ndryshe nga Shqipëria, ku peshorja thuajse thyhet nga njëri krah.

Dikush, dikur, sot u harrua, lajmëroi edhe krijimin e vënien në punë të një teknologjie moderne në Kuvendin shqiptar, ku gazetarët do të kishin mundësinë përmes një regjie qendrore, të ndiqnin punimet e komisioneve parlamentare. Një projekt që nuk dihet se ku humbi a ku u hodh, ndoshta sepse ofronte më shumë transparencë seç duhet në sallat ku diskutohen ligjet. Është folur edhe për një televizion të Parlamentit shqiptar, të ngjashëm me atë të shumë vendeve demokratike të botës. Sot për sot, në mungesë të një ekrani të tillë, punimet jepen shpesh drejtpërdrejtë nga televizioni publik, por siç dihet, jo pak here sinjali shkëputet a shkon tjetërkund kur ka fjalime të forta politike nga krahu tjetër. Në legjislativin francez, sigurisht nuk bëhet fjalë për gardistë në krye të vendit, në mes të sallës së Parlamentit, pasi sikurse më tha edhe një zyrtar atje: “L’Assemblee nationale – c’est pas une prison” (Asambleja Kombëtare nuk është burg). Ndërkohë që sipas konceptit alla shqiptar, ata janë të domosdoshëm si një armë e fortë për të mbajtur e përmbajtur opozitarë e gazetarë e për të mbrojtur shtetarët që ndihen kaq shumë të rrezikuar nga pala tjetër. Dy forma të konceptimit të demokracisë, njëra me fjalë e pasthirrma, e tjetra mbi bazë të një koncepti zhvillimi të qenësishëm shoqëror, politik e social. Për një gazetar që ndeshet çdo ditë me retorikën boshe të përafërsive, në të gjitha këndvështrimet është e vështirë të gjesh ndonjë përqasje e krahasim, Franca dhe Shqipëria – dy demokraci që kanë thellësi të ndryshme rrënjësh, por që politikanët tanë të sprovuar ia lejojnë vetes lehtësisht t’i krahasojnë.

Megjithatë, le të shpresojmë që në rrugën e vështirë të kërkimit dhe njohjes së demokracisë edhe Shqipëria të kapë atë që kërkojmë të arrijmë. Parlamenti Francez, përmes disa të zgjedhurve të tij ka përgatitur një dokument të zgjeruar teknikisht, i cili do të shqyrtohet me homologë e deputetë shqiptarë. Ky material synon ngritjen e një forme të re politike në Kuvendin e Shqipërisë, në atë kuvend që aq shumë vetëkrahasohet me të, por që në të njëjtën kohë realisht qëndron shumë, shumë më larg se ai. Dokumenti voluminoz mbi 500 faqe i francezëve të bën të kuptosh dështimin e servirur si sukses apo hipokrizinë me të cilën është brumuar politika shqiptare.

Parlamenti shqiptar nuk është ai francez, as ai gjerman, as ai britanik, spanjoll a cilido tjetër… Parlamenti shqiptar ka qenë e është Parlamenti shqiptar, salla ku pak ose aspak është bërë e bëhet politikë, salla ku më shumë se kudo mund të kuptosh diferencat tona me botën perëndimore. Diferenca që sot po na mbajnë gjithnjë e më larg saj.

Francë, nëntor 2011