Nga Mero Baze, 24 Nëntor 2012
Sali Berisha dhe Nikola Gruevski janë dy pjesëtarë të klubit antiperëndimor të politikës aktuale evropiane. Janë dy kryeministra të izoluar, pa mbështetje nga Bashkimi Evropian, që tentojnë të përdorin herë nacionalizmin e herë pazaret për të mbijetuar politikisht dhe që kanë probleme të njëjta brenda vendit si gjithë pjesëtarët e këtij klubi. Së paku tre vitet e fundit të dy kryeministrat nuk kanë asnjë vizitë zyrtare në kancelaritë perëndimore, por vetëm takime pune për shkak të protokollit apo vizita reciproke nga pjesëtarë të tjerë të këtij klubi siç është kryeministri hungarez Orban apo udhëheqës të Lindjes.
Maqedonia është një hap përpara Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian pasi e ka marrë statusin e vendit kandidat dhjetë vite më parë, kur Gruevski ende nuk ishte askush në Maqedoni, por ka frenuar anëtarësimin në NATO për shkak të problemit rreth emrit me Greqinë.
Brenda vendit Gruevski tenton të mbijetojë si politikan nacionalist, që ka shpikur një etni të re “maqedonase”, e cila sipas tij bazohet tek sllavizimi i pasardhësve të Aleksandrit të Madh, dhe ka mbushur Maqedoninë me përmendore të kohës së Greqisë së lashtë dhe natyrisht dhe Nënë Terezës, të cilën e konsideron po maqedonase.
Njësoj si Berisha e përdor historinë si plastelinë për të ndërtuar imazhin e pushtetit të tij të sotëm. Falë kësaj vale nacionaliste ai ka mposhtur rivalët e tij maqedonas dhe ia ka dalë t’i vendosë partitë shqiptare në luftë se kush do bëjë koalicion qeveritar me të. Për ta mbajtur gjallë këtë luftë, i ndërron duke futur herë njërin dhe herë tjetrin në qeveri.
Liria e shtypit është në një gjendje skandaloze. Televizioni kryesor i Maqedonisë- A1, së bashku me disa gazeta kritike, u mbyll nën një sulm ta paskrupullt të tij duke përdorur si arsyetim vetë privilegjet që i ka pasë krijuar pronarit të kësaj medie kur ishin aleatë. Kjo e forcoi dhe më shumë sistemin gjobëvënës të medies maqedonase pasi në krah të qeverisë u gjend menjëherë televizioni i tipit “klan”, i cili kishte qenë kundërshtar i egër i tij dhe që iu dha rasti t’i zërë vendin televizionit që falimentoi nga sulmi i qeverise. Gazetat e përditshme janë buletine qeveritare me lajme të kufizuara kritike dhe i vetmi debat është ai mes shqiptarëve dhe maqedonasve, që dhe ashtu ngjan si debat i një shoqërie të ndarë që nuk funksionon së bashku.
Në Maqedoni vidhen votat dhe blihen opozitarët e vegjël, biznesi është nën kontroll politik dhe lidershipi i vendit përpiqet të gjejë arsye për të mos iu bashkuar Perëndimit pasi kjo është e vetmja mënyrë që i mban ata në pushtet.
Vizita e tij në Tiranë është e vetmja gjë e sinqertë e Gruevskit. Atë e pret në këtë vend një udhëheqës i ngjashëm, që ka shkatërruar standardet e zgjedhjeve, ka pushtuar gjithë institucionet që nga presidenti, gjyqësori, drejtësia në tërësi, shërbimi informativ dhe media. Njësoj si Gruevski ka tentuar të shkatërrojë televizionin më të madh në vend, Top Channel, dhe medie të tjera kritike, dhe ka prodhuar të njëjtin sistem korrupsioni për të mbajtur nën kontroll median e vet, duke e financuar atë me fondet publike. Vjedh zgjedhjet njësoj si Gruevski dhe tenton të mbajë të përçara partitë e vogla opozitare për të përfituar nga koalicioni me to.
Njësoj si Gruevski nuk e do anëtarësimin në Bashkimin Evropian pasi është kundër interesit strategjik të tij për të qëndruar në pushtet dhe për këtë përpiqet të gjejë gjithmonë një shkak me shpresë se faji do t’i mbetet tjetër kujt. Gruevski ka gërmuar në histori dhe ka vendosur t’i vjedhë emrin Greqisë për të mos lejuar që vendi i tij të bëhet vend evropian, ndërsa Sali Berisha i prodhon probleme kundërshtarëve të vet, i vjedh, i vret, i poshtëron dhe shpreson se zemërimi i tyre ndaj standardit antievropian që ai përdor, ta shpëtojë Berishën nga vazhdimi i Shqipërisë në rrugën evropiane.
Disa djem të rinj të një organizate rinore qëlluan me vezë makinën e Gruevskit në shenjë proteste ndaj qëndrimit të tij për shqiptarët në Maqedoni dhe Berisha e dënoi menjëherë incidentin e ngjashëm që i ka ndodhur dhe atij nga një parti që e akuzon se keqtrajton dhe poshtëron shoqërinë shqiptare. Të dy u shfaqën të lodhur dhe të vjetër në ekrane, sikur e kishin bezdi që po takoheshin, por që janë të detyruar të respektojnë njëri- tjetrin ngase Evropa ka kohë që nuk i respekton. Të dy ishin të gëzuar që kishin gjetur nga një sebep “përse nuk i do Evropa”. Për Gruevskin sebep ishte Greqia, për Berishën, Edi Rama. Dhe të dyja arsyet i tha Berisha, ai që e ka shumë mirë me grekët dhe shumë keq me Edi Ramën.
Janë dy kryeministra në pushtet për një arsye madhore, pasi vendet e tyre nuk janë demokraci evropiane. Në ditën kur ato do bëhen të tilla, të dy këto fytyra do të jenë pjesë e historisë së errët të këtyre dy vendeve dhe rajonit.