Nga Mero Baze, 15 Nëntor 2012
Parlamenti Evropian ka shtuar dy kushte të reja në rezolutën e tij për Shqipërinë lidhur me marrjen e statusit, të cilat janë qartazi dy kushte të sigurta që nuk realizohen. Eduard Kukan, kreu i Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Evropian, i cili është dhe një përfaqësues i së djathtës evropiane në parlament, ka propozuar dy amendamente që kanë të bëjnë e para me një gjykim të drejtë dhe të pavarur për 21 janarin dhe e dyta me mënyrën si duhen trajtuar ish- të përndjekurit politikë, duke theksuar se ka marrë shkas nga mungesa e dialogut dhe vetëdjegia e Lirak Bejkos. Të dy kushtet janë në fakt dy probleme tërësisht personale të Sali Berishës, që e lidhin atë me vdekjen e pesë qytetarëve, katër më 21 Janar dhe 1 tjetër javë më parë kur i dëshpëruar nga fyerja dhe refuzimi i qeverisë për dialog, një ish- i përndjekur i diktaturës vdiq pas një akti vetëflijimi.
Amendamenti i parë, ai i 21 Janarit, është tërësisht i parealizueshëm. Ndërsa Kukan në emër të Parlamentit Evropian kërkon një gjyq të ndershëm dhe të paanshëm, gjyqi ndaj vrasësve të katër qytetarëve është një tragjedi e vërtetë e sistemit të drejtësisë në këtë vend. Mjafton që zoti Kukan të dërgojë një ditë asistentin e tij në atë gjyq dhe do të shikojë rreth 30 të fortë që hyjnë në sallë të gjyqit me uniforma të gardës, i puthin dorën komandantit të gardës sikur të jetë një padrino, ulen në sallë pasi ulërasin shumica në tropojançe të fortë “pa q… nënën teme s’e dënon njeri këtë burrë”, dhe ulen përballë gjykatësve të trembur, që gati nuk u shpëton urina nga frika. Kjo është pamja e zakonshme e një dite gjyqi në Gjykatën e Tiranës për ngjarjet e 21 Janarit. Ekspertiza e shërbimit më profesional në botë kundër krimi, FBI, thotë qartë se komandanti i gardës ka vrarë së paku një demonstrues dhe besohet se ka vrarë dhe të dytin, por gjykata e ka lënë atë të lirë dhe në vend të tij janë të trembur vetëm gjykatësit që gjykojnë çështjen.
Personazhi kryesor i kësaj tragjedie, Sali Berisha dhe ndihmësi i tij, Lulëzim Basha, jo vetëm që nuk janë në sallën e gjyqit si të pandehur, por as është marrë guximi t’u shqiptohet emri si urdhërues të vrasjeve politike. Për shkak të këtij krimi shtetëror, që do t’i kushtojë rëndë historisë së këtij vendi, Sali Berisha ka prishur çdo standard të pavarësisë së institucioneve dhe ka futur me shpejtësi nën kontroll gjykatat, KLD, SHISH dhe prokurorinë, përmes një dordoleci që ka emëruar President. Në këto rrethana plotësimi i “amendamentit Kukan” ka vetëm një shpresë, ikjen nga skena politike e Sali Berishës, çmontimi i sistemit të kapjes së institucioneve dhe drejtësisë që ai ka bërë dhe rikthimin e shpresës për një gjykim real të vrasësve dhe urdhërdhënësve të 21 janarit. Deri sa të bëhet kjo ndoshta duhet kohë, por e sigurt është se ne deri atëherë do të jemi në vendnumëro në integrim jo prej Fierit, por prej vrasësve të Bulevardit.
Edhe “amendamenti i dytë Kukan” është i parealizueshëm. Vëmendja që ai i kushton dialogut me ish- të përndjekurit dhe përmbajtjes së ligjit për dëmshpërblimin e tyre, nuk ka lidhje fare me logjikën klasore të Sali Berishës dhe përdorimin e kësaj shtrese vetëm për qëllime politike. Ai nuk është puna se nuk i dha lekët sa ishte gjallë Lirak Bejko, por e fyeu atë, e quajti trafikant dhe shërbëtor të opozitës, vetëm pse ai njeri kish protestuar ndaj Sali Berishës dhe e kish qëlluar e një qese mielli para parlamentit. Ashtu siç ka vrarë deri më sot gjithë kundërshtarët që e kanë kërcënuar, ashtu e vrau dhe Lirak Bejkon. Gjithmonë i vret duke përdorur o mercenarë, o mekanizmin e tij vrastar politiko- shtetëror. E rëndësishme është se kush kërcënon atë, vdes. Ashtu vdiqën dhjetëra djem në Tropojë pas vitit 1997, ashtu vdiq Azem Hajdari, ashtu vdiq dhe Lirak Bejko. Ai ka hedhur gurin dhe ka fshehur dorën. Edhe kur nuk ngre dorën vetë, ai prodhon rrethana vrasëse për ata që nuk i do më të gjallë.
Në këto kushte dy amendamentet Kukan janë thjesht një njoftim përfundimtar që Bashkimi Evropian nuk na pranon me Sali Berishën për arsye që i di vetë Sali Berisha. Ai po vë si kusht që ne të shkojmë në Bashkimin Evropian me një proces të ndershëm dhe të pavarur për 21 janarin dhe me një qëndrim joklasor ndaj ish- të përndjekurve politikë, që nuk janë dakord me Sali Berishën. Kjo është njësoj sikur të thonë ‘u duam pa Sali Berishën’. Një gjyq i drejtë i 21 Janarit e çon Sali Berishën në qeli, ndërsa një drejtësi për ish- të përndjekurit politikë, e çon Sali Berishën si politikan në shtëpi. Dy kushtet e rezolutës së Parlamentit Evropian në këtë rast presin çdo shpresë se ne do të çelim ndonjë ditë negociatat me Bashkimin Evropian, por hapin shpresën e zbehtë se të paktën duhet të bindemi se shkak për këtë është Sali Berisha. Dhe duhet të zgjedhim ose atë, ose Evropën!