Durimi i popullit, virtyt apo dobësi?

0
59

Avdi Ibrahimi/publicist , 31.03.2013

– Pushteti i korrupsionit. Pushteti i nepotizmit. Këto fjalë dëgjohen ngado në mbarë hapësirat shqiptare, kjo politikë polli, një problem të koklavitur dhe praktikisht deri më tani të pazgjidhshëm për shqiptarët. Ky pushtet na është dhuruar nga Zoti ynë apo nga Djalli?!… Kthesat e menjëhershme të njerëzve veshur me pushtet, ky ndërrim i paparashikuar nga njerëz të thjeshtë dhe tani të shndërruar në lakmitarë dhe anasjelltas, nuk është rrjedhojë e ekseseve të psikologjisë personale, porse ka rrjedhur pashmangërisht nga pushteti i pakufishëm që kanë krijuar ata për vete dhe tarafet e tyre. E si të dalim nga kjo situatë e palakmueshme që na e kanë sjellë lakmitarët e veshur me pushtet, këta profiterë e tregtarë flamujsh, që e konsiderojnë si plaçkë të tyre shitjen e pasurive tona kombëtare?!…

Për daljen nga kjo katrahurë më së miri na tregon urtia popullore: Bashkimi bie fuqi! Ne po shohim e dëgjojmë nëpërmjet mediave për çdo ditë pakënaqësi të shprehura nga opozita dhe OJQ-të, nga një pjesë e popullit dhe punëtorëve që kërkojnë të drejtat e tyre me anë të protestave. Natyrisht se nga këto protesta edhe mund të fitohet diçka, por ama duhet një bashkim më i madh i punëtorëve dhe gjithë atyre të pakënaqurve, për t’ia ndryshuar rrymën lumit të jetës.

Është mbase e natyrshme që nga këto pakënaqësi të shprehura popullore, pushtetmbajtësve nuk u vjen mirë. Ata me të gjitha mjetet që kanë në posedim, po mundohen vetë ta shtypin këtë bashkim të popullit, po kurrë nuk kanë për të arritur te ky qëllim, andaj ata po u kërkojnë ndihmë të huajve për ta vazhduar edhe më tej pushtetin e korrupsionit dhe nepotizmit. Mbase është e kuptueshme se padrejtësia të egërson dhe të bën nga një herë të humbasësh kontrollin. Por jo! Populli ynë shqiptar, përkundrazi, po e ruan kontrollin, ashtu siç po e ruaj edhe vetë unë, kur janë në pyetje interesat e mëdha kombëtare.

A është kjo dhuratë prej Zotit që kemi këta politikanë lakmitarë e servilë ndaj të huajve, apo më mirë do të thosha se këta janë dhuratë prej Djalli e assesi dhuratë nga Zoti?! Për ta ndryshuar këtë situatë në të mirën e përgjithshme kombëtare, na duhet një bashkim që bie fuqi mbarëpopullore e mbarëshqiptare; ky bashkim të jetë me vepra, e jo vetëm me fjalë. Mosmarrëveshjet ndërvëllazërore e ndërfetare, janë aleatët më të mirë për ata pushtetmbajtës që na shtypin lirinë dhe dinjitetin tonë kombëtar. Prandaj, protestat kundërshtuese ndaj padrejtësisë, nuk janë ashtu siç na i përshkruajnë e propagandojnë pushtetmbajtësit.