Duke pritur Presidentin

0
20

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 01.06.2010

Me lot në sy dhe me zërin që i kishte humbur nga emocionet dje presidenti i Gjermanisë, Horst Köhler, dha dorëheqjen nga posti.

Në deklaratën e shkurtër para largimit pa kthim, presidenti gjerman hodhi poshtë akuzën që e kishte shtyrë të jepte dorëheqjen, se kishte përkrahur angazhime antikushtetuese të ushtrisë gjermane për të siguruar interesat ekonomike, duke deklaruar se kjo akuzë ishte tërësisht e papërligjur.

Largimi i Köhler është i pari në historinë e politikës gjermane prej vitit të largët 1949. Ai ishte zgjedhur në 23 maj 2004, me propozimin e partisë kristiandemokrate/kristiansociale (CDU/CSU) dhe asaj liberale FDP dhe pas mandatit të parë, në 23 maj 2009 rikandidoi për tu rizgjedhur.

Në jetëshkrimin e shkurtër që mediat gjermane i bënë presidentit të larguar, theksohej se bilanci i mandatit të një presidenti në Gjermani nuk matet me realizimin e reformave të suksesshme, me ligjet e rëndësishme apo me përballimin e krizave qeveritare, por puna e presidentit vlerësohet nga prestigji që ka fituar ai në popull. Dhe populli e donte Horst Köhler, sepse dy të tretat e gjermanëve donin që ai të mbetej në post.

Fitoi simpati me kritikat ndaj mendjemadhësisë së politikës së Berlinit, u angazhua veçanërisht për një arsimim më të mirë të të rinjve, duke përfshirë edhe të rinjtë emigrantë, ndërsa në planin ndërkombëtar tematizoi sfidat e globalizimit, thellimin e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve në botë apo varfërinë në Afrikë.

Ai vuri në jetë deklarimin publik se nuk do të ishte një president komod. Dy herë refuzoi të nënshkruajë ligje të koalicionit qeverisës me bazë të gjerë, disa herë dyshoi në kushtetutshmërinë e ligjeve, por vendimin e fundit ia ka lënë Gjykatës Kushtetuese.

Ky pra ishte jetëshkrimi dhe portretizimi që mediat gjermane i bënë dje të sapolarguarit president, vetëm pse nuk ishte dakord me akuzat që i bënë pas deklarimeve të tij për angazhimin e ushtrisë gjermane në Afganistan.

Ishte një deklarim i bërë gjatë një interviste dhënë më 22 maj pas kthimit të tij nga Afganistani, ku mes të tjerave kishte thënë: “Një vend i madhësisë sonë dhe me këtë orientim të tregtisë së jashtme duhet ta dijë, se ndoshta në raste të jashtëzakonshme është i nevojshëm edhe angazhimi ushtarak për të mbrojtur interesat tona, si për shembull rrugët e lira tregtare…”.

Por deklarata e tij u kritikua ashpër nga opozita, e cila është kundër angazhimit të Bundesverit në konfliktin e përgjakshëm në Afganistan, që i kushton shumë Gjermanisë nga ana financiare, humbja e jetëve njerëzore dhe qëndrimi i Gjermanisë së pas luftës së Dytë Botërore për të mos u angazhuar në konfliktet botërore.

Kjo parantezë e gjatë për një president që i duhet një populli në ditë të mira dhe të këqija, e çon gjuhën ku dhemb “dhëmbi”. Çfarë dhe si po e kryen detyrën e tij presidenti ynë?

Shumëkush do të nxitojë ta fshijë këtë paralelizëm se ku Gjermania, ku Shqipëria, ku standardi politik atje e ku te ne, ku figura e Horst Köhlerit të doktoruar në ekonomi dhe pa angazhime në politikë, e ku Bamir Topi i Shqipërisë, që erdhi në zyrën e kreut të shtetit nga posti i nënkryetarit të PD-së. Dhe është pikërisht angazhimi më iI fundit politik, “vegja” që ka lënë ajo të statura e kreut të shtetit ajo që ka errësuar figurën e Topit prej kohës kur u zgjodh.

Ai erdhi në presidencë, pas një pazari të ulët mes “dinozaurëve” të politikës shqiptare të pas vitit ’90-të. Pesë deputetë të PS-së, por të urdhëruar nga ish-kryetari i PS-së, Nano, bashkuan votat me PD-në në korrik 2007-të. Ai u betua publikisht se do të ishte presidenti i të gjithë shqiptarëve, se do të ishte mbi palët dhe se do të punonte për të mirën e popullit dhe prosperimin.

Ashtu siç ndodh me të gjithë presidentët që zgjidhen prej tij, por nuk bëjnë gjithçka u thotë ai, z. Topi u refuzua shumë shpejt nga kryeministri Berisha dhe klani i tij, sulmet ndaj tij do të bëheshin sipas skemës së vjetër të paraardhësit Moisiu, që ishte zgjedhur si president “konsensual’ Berish-Nano dhe ishte injoruar dhe sulmuar prej të dyve. Z. Topi, pak a shumë si në Gjermani nuk ka pushtet dhe është një figurë unitare.

Në sondazhet e ndryshme të kryera nga agjenci dhe media, presidenti shqiptar është renditur si figurë e pastër, e besueshme dhe që gëzon popullaritetin më të madh ndër politikanët e vendit.

Ai është tip sportiv, nuk mungon asnjëherë në tribunat VIP të stadiumeve brenda dhe jashtë vendit, duke mos lënë ndeshje pa parë. Nuk mungon as në kremtimin e festave fetare dhe shpërndarjes së mesazheve moralizuese, duke u bërë thirrje politikanëve që të punojnë për popullin dhe për vendin.

Muajt e fundit sidomos, madje siç demonstroi edhe dje, ai është bërë një shpërndarës i palodhur dekoratash me shumicë për figurat e këtij vendi dhe nëse ecet me këto ritme, pakkush nuk do ta ketë marrë një të tillë. Pra, ai është një president komoditetin e vet dhe kështu ai mund ta shtyjë deri në fund të mandatit 5-vjeçar.

Por në shumë aspekte ai është një president komod edhe për qeverinë, edhe pse i sulmuar prej saj.

Rrallëherë ka refuzuar të dekretojë ligje të qeverisë Berisha, gjatë mandatit të parë dhe tani që është në koalicion me një parti të majtë.

Në majë të gjuhës ka pasur përherë shprehjen: “Unë flas me dekrete”, por dekretet e firmosura prej tij kanë qenë gati memece. Megjithëse, ai ka pasur shanse të “arta” për të treguar se është presidenti i të gjithëve dhe se është vërtet mbi palët.

Pas tragjedisë qeveritare të Gërdecit, ai nuk mbajti asnjë qëndrim. Sigurisht që duhej të mbante sepse, ai është kryetar i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, dhe pikësëpari duhej të kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë.

Ai duhej të kishte dijeni patjetër se çfarë po gatuhej në Gërdec se si kishte vijuar kronologjia deri te shpërthimi i fabrikës së vdekjes, se si ishte zhytur qeveria dhe njerëzit e saj në këtë aferë vrastare.

Pak muaj më parë, ai iu shmang një konfrontimi me qeverinë për paktin skandaloz të ndarjes së detit mes qeverive të Shqipërisë dhe të Greqisë. Presidenti, duhej të ishte në fakt personi i parë që duhej të vendoste për marrëveshje të tilla që nuk bëhen kurrë në rang qeverish, por në nivel shtetesh dhe qeveria dhe ekipi negaciator i saj kishin vepruar pa plotfuqinë e tij.

Më tej, presidenti i Shqipërisë ka hedhur firmën në shumicën e atyre ligjeve që ka bërë qeveria dhe që bëjnë pjesë te duzinë e ligjeve që ka kthyer mbrapsht Gjykata Kushtetuese, e cila ka vërejtur shkeljen e parë të madhe, kushtetutshmërinë shto pastaj të tjerat.

Ai, në rolin si kryetar i KLD-së, nuk po arrin të përdorë staturën e kreut të shtetit për të zgjidhur krizën e emërimeve dhe plotësimeve të gjykatave të vendit.

I refuzuar në shumicën prej emrave të dekretuar prej tij, presidenti i pret si të mos kenë ndodhur, rrëzimet në kuvend nga ana e PD-së e kandidaturave që shikohen politikisht, si në rastin e ish-kandidatit Vangjel Kosta për Gjykatën Kushtetuese.

Dhe, sipas gjasave, kështu do të ndodhë edhe me dy prej tre emrave të propozuar po prej tij për Gjykatën e Lartë.

Por roli dhe integriteti i presidentit Topi po duket qartë në këto 11 muaj të krizës politike që ka mbërthyer vendin.

Ai nuk ka dashur dhe nuk preferon të ndërhyjë, edhe pse i mbështetur nga ndërkombëtar, për të negociuar krizën mes palëve.

Ai preferon më mirë të jetë në një takim informal me ndonjë homolog ballkanas sesa në krye të tryezës së zgjidhjes së krizës.

Ai mendon se e kreu negocimin me pritje-përcjelljen e delegacioneve të KE nga turku Davutogllu te dërgata e komisionerit për zgjerimin Fyle.

Përpiqet të duket se ofron zgjidhjen duke bërë thirrje për biseda, pastaj duke thënë se nuk do të mbështesë PS-në, sepse vendi i saj është në Kuvend dhe duke mos folur asnjë fjalë për qeverinë. Dhe këto veprime bëhen nga personi që shihet më me shpresë nga publiku shqiptar për afrimin e palëve, pas ndërkombëtarëve.

Dhe që vijon i qetë axhendën e vet, moralizuese dhe sportive. Shumë, shumë ndryshe nga Horst Köhler që iku me lot në sy vetëm pse ishte akuzuar padrejtësisht, edhe pse mund ta mbyllte mandatin duke pasur mbështetjen popullore dhe duke qenë një president jo komod për qeveritarët e Berlinit.