
Pëllumb Kulla, 22.05.2010
Nuk i njoh të gjithë ata që u etiketuan si pjesëtarë të elitës së kombit, se janë bërë shumë. Duke mos pritur ditaditës listën e plotë, që me siguri do të arrijë të njëjtin numër me ata që kanë votuar vërtet për Berishën, po u drejtohem atyre njëzet a tridhjetë artistëve dhe shkrimtarëve, me të cilët njihem.
Dalja nga diktatura në një sistem demokratik është si dalja nga honi, nga gremina me shkëmbinj të thepisur dhe vendosja mbi një tra ekuilibri që mund të të shpjerë përsëri në hon. Që ky tra të ketë drejtpeshim, në njërin skaj qëndrojnë qeveritarët me turmën e të interesuarve për jetëgjatësinë e qeverisë dhe në skajin tjetër ndodhet Opozita me interesaxhinjtë e saj.
Në skajin e Opozitës, që në fëmijëri të njerëzimit ze vend dhe komuniteti i intelektualëve, – filozofëve, shkrimtarëve, artistëve, njerëzve të shkencës dhe të dijes. Në tërë demokracitë e thekura, ndërrohen shpesh skajet: Opozita shkon e zëvendëson qeverinë duke marrë pas interesaxhinjtë e vet dhe qeveria vjen e bëhet Opozitë. Vendi i intelektualëve mbetet po atje, krah Opozitës. Është një vend i nderuar ku fryjnë erërat e lira të idealeve të pastër dhe gjenerojnë frymëzimet për zhvillim.
Duke ndjekur prononcimet tuaja, more miq, me keqardhje vija re, se përpos deklarimit të njëzëshëm – firmosjes së peticionit,- anësia juaj binte erë interesash imediate dhe statukuosh, binte erë frikë, erë antipatirash të pafshehura dot, ndaj kreut të PS, i cili meriton një mal me kritika, por jo për ata mëkate që mundoheshit t’i faturonit ju – “prishës i trafikut”, “i plotfuqishmi i grevës”, “aspirant për kryeministër” e plot të tjera të bartura nga vitet e bashkjetesës tuaj artistike me të.
Por në asnjërën ju nuk preknit thelbin e ndërmarrjes së tij të këtyre ditëve, atë që do t’i priste krahët, duke filluar nga vetë ai, të gjithëve që do të donin të devijonin vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Deklaratat e shumëve prej jush, ato jashtë sofrës së përbashkët “elitare”, tingëllojnë edhe më mjerueshëm në veshët dhe sytë e mi, ngaqë kemi ngrënë tok një thes me kripë në të shkuarën dhe në të sotmen. Dhe kemi shkëmbyer plot mendime mbi demokracinë dhe mbi ata që po heqin sot Vallen e Shqipeve.
Po si, more miqtë e mi, fatlumë që bëni pjesë në listë nuk shqetësoheni dhe nuk ngrini zërin për shkëlqimet e rrema që ju imponojnë të duartrokisni?! Si mund të pajtoheni dhe të bëheni palë të mashtrimit me një demokraci që është e prapambetur dhe qesharake, sa nuk gjen të dytë mbi rruzull, me një liri që po rudhoset llahtarisht ditë për ditë, me një informacion shtetëror të mbajtur në shtatë palë kyçe?!
Demokracia e vërtetë është larg. Në Shqipëri ajo do të quhet e ardhur atë ditë, kur ata që do të marrin pushtetin, nuk do të ndërrojnë doganierët. Duket larg, vërtet!
Unë megjithatë ju drejtohem juve dhe jo deputetëve pa identitet, që përbëjnë mazhorancën. Se, a mund të quhet Kuvend një vend ku nuk bëhet kuvend, ku nuk ka gjallëri, ku nuk ka ide të ndryshme, pleqësime dhe ku shtatëdhjetë vetë mendojnë sikur të ishin një?! A mund të flitet për pavarësi, kur koka mbahet e kthyer vetëm nga njëri prej deputetëve dhe kur për të shprehur një qëndrim, pritet zbritja e tij nga aeroplanët që vijnë nga Europa?!
Apo, kur në Bruksel pesë deputetë presin telefonin e kryedeputetit, për të çartur një marrëveshje?! E çfarë detyrimi ka vendi ynë i rreshkur nga varfëria, të rrijë e të paguajë 140 deputetë kur mund të paguante vetëm dy, që do të mund të pillnin po të njëjtin rezultat, që mund të krijonin të njëjtin ngërç dhe të bënin të njëjtat allishverishe?!
Ja, pikërisht një peticion mbi këtë mëkat mund t’ia drejtonit Edi Ramës që ka përgjegjësinë – nga moseksperienca, a nga synime ambicjoze, nuk e saktësoj dot – për ca allishverisheve antidemokratike me atë kundërshtar, me të cilin tani kanë humbur gjuhët. Përpilimi i listave të deputetëve nga vetëm kryetarët e nxjerr parlamentin jashtë loje. Në favor të Ramës megjithatë flet një grup deputetësh socialistë që nuk i vijnë pas avazit dhe që me ekzistencën dhe ashpërsinë e tyre, në vend të turpërojnë Ramën, e nderojnë atë dhe turpërojnë Berishën, që në vathën e tij nuk ka kundër as grup, as individ dhe as edhe një shofer të kryeministrisë.
Disa fjalë të veçanta, Monda Bulkut
Lejomëni megjithatë të veçoj një deputet, se vetvetiu është megjithë të drejtat në listën e miqve të mi artistë, të cilëve po u drejtohem. E dashur Rajmonda, më duhet me keqardhje të të them se performanca jote më e shquar politike do të mbetet ajo që të nderoi në ditët e para të vitit ’91. Përse tani merr përsipër një mision që nuk të përshtatet, që është i natyrshëm për çdo artist, dhe për ty, por megjithatë të rri si një kostum me mëngë të gjata: atë të zëdhënësit të familjeve të përndjekura, të grave që kërkojnë varret e të pushkatuarve të Enver Hoxhës?! Përse merr përsipër të jesh ti gishti, që drejtohet jo tamam aty ku duhet, dhe plotëson nevojën djallëzore të Berishës, për krijimin e imazhit komod e simpatik, që po luftoni me bllokmenët, me komunistët, ju, të handakosurit nga komunizmi?!
Nëse rikthehemi në fillimet, moj shoqe e mirë, këtu e njëzet vjet të shkuara, kur erdhëm në fuqi nuk u treguam kaq të egër kundër bllokmenëve që ishin ende gjallë dhe në jetë dhe, befas, u egërsuam tani, kur bllokmenët kanë vdekur dhe caktojmë vetë ca të tjerë, se ashtu e lyp narkoza, me të cilën mbahen të handakosurit e vërtetë, që ende mendojnë se kryetari PD-së është shpata e të madhit Zot mbi bëmat kriminale të Hoxhës. Nuk ishim kaq të rreptë dhe ti e di se kujt duhet t’ia kërkojmë këtë gjynah.
Jo Edi Ramës të kësaj kohe, por Presidentit të Plotfuqishëm të asaj kohe, i cili na paskësh marrë përsipër detyrën historike që të provonte t’i ngopte ujqërit dhe t’i shpëtonte që të gjitha delet! Pra, hiqeni atë term të neveritshëm të lidhur me Bllokun, në truallin e të cilit, daç për nevoja profesionale, daç për nevoja jetese, ju deputetët e PD-së së sotme keni kaluar orë, ditë dhe vite më shumë se kolegët tuaj të PS-së së sotme!
Vendin tend mes përfaqësuesve të popullit, unë do ta përmendja me krenari sikur ti, moj Monda, të kishe thënë një fjalë të rëndë në fushën e kulturës, ku lëvrojnë projektet klienteliste e përjashtohen të mallkuarit. Mund të bëje, psh një propozim penalizimi për gafat e figurshme të Ministrit të Kulturës. Më shumë se njolla që i lanë eshtrat e Ismail Qemali, ai meriton një qëndrim më të ashpër për mungesën e tij, apo një të dërguari të tij, në përurimin e monumentit të Kutelit në Pogradec. Më thanë se në festën e përurimit ishin të pranishëm kryetarët e bashkive të Strugës dhe të Ohrit, teksa nuk u pa asnjë telegram përshëndetje nga ministri i vendit! Vërtet skulptori i mirënjohur Muntaz Dhrami nuk është “me ne” por “me ne” është Kuteli, mjeshtri magjistar i narrativës kombëtare, të cilin na e burgosën, na e syrgjynosën, na e mallkuan.
Nuk e mendoja kurrë se ti mund të pajtoheshe me këto dasira e pozicionime të urryera e të neveritshme të mesjetës jo të largët komuniste.
Lidhur me grevën
Më duhet të them se në ditët e fundit edhe unë u bëra disi, kundër asaj greve. Bashkohesha me synimin, vlerësoja thellësisht çka i shtyu njerëzit drejt saj dhe më dhimsen dëmet fizike dhe shëndetësore që mund të kenë për pasoja grevistët. Dhe, sidomos, nuk ndaj aspak opinionin rrugaç dhe poshtërues, që dyqind veta na ishin ndryrë aty për ambicie liderash.
Në dramën e J.P.Sartrit “Të vdekur të pakallur”, një personazh me emrin Sorbiè kërcen në parvazin e dritares së katit të gjashtë dhe u thotë kolaboracionistëve nazistë që po e torturonin: “Mos m’u afroni! Do të hidhem nga kati i gjashtë po tentuat të vini dorë mbi mua!” Kriminelët u afruan dhe Sorbiè u hodh nga dritarja dhe vdiq! Ai vuri një kusht njerëzor dhe mendonte se kundërshtarët do t’ia respektonin, por dështoi.
Ju, grevistë të nderuar mos keni përfytyrimet e indianëve të Gandit? Kujtonit ju se kishit përballë fisnikët britanikë dhe mbretëreshën e Anglisë?! Ju duhet të ishit të ndërgjegjshëm dhe duhet ta dinit se po i vinit një kusht njerëzor një njeriu që është larg jush, më larg seç ishin kolaboracionistët hitlerianë me Sorbiènë. Nuk janë grevat e urisë të dala mode, por është ai jashtë standarteve. Ai ju urren dhe ka arsye, se ju me këtë akt madhor flijues, po kërcënonit ekzistencën e tij politike, historike dhe jetësore. Ai ju urren dhe ju duhet ta kishit llogaritur se ai do t’ju linte të hidheshit nga dritarja, pa më të voglën brerje ndërgjegje.
Qënia e tij në pushtet tashmë është oksigjeni i të sëmurit në reanimacion. Për këtë ekzistencë ai ka shpenzuar dekada, ka lënë të vriten mijëra e mijëra njerëz, të thërmohen ushtri dhe armatime, ka mbjellë konflikte të panumërta pronësie, ka lënë vendin në skaj të bishtit të varganit europian, është angazhuar në krime që me siguri do të zbardhen një ditë, por tani i duhen të jenë të mbyllura. Për këtë ai ka hequr nga statuti i partisë nenin që e kërkon kryetarin të jetë i përkohshëm dhe i zëvëndësueshëm pas dy zgjedhjesh. Është e natyrshme që ai të mund ta justifikojë këtë me dashurinë e madhe që ka partia e tij për të, por ai mund ta gëzonte këtë dashuri edhe pranë kryesisë dhe vendimeve të saj, si këshilltar bile si orientuesi më autoritar i vendimeve të saj.
Të tillë janë psh presidentët amerikanë, që fare mirë, secili prej tyre mundej të pretendonte se është njeriu më i dashur i këtij kontinenti. Por ata i binden kanunit dyqindecavjeçar amerikan dhe pasi lenë detyrën rreptësisht të kufizuar, sakohë që janë gjallë, nuk janë kurrë të përjashtuar nga kabineti i presidentit në fuqi, pavarësisht republikan apo demokrat. Dashurinë e popujve të tyre do ta pretendonin të gjithë politikëbërësit e tranzicioneve të vendeve lindore, ku nuk gjen asnjë nga figurat e shquara që bënë startin e theqafjeve komuniste.
Berisha është kapur me thonj e me dhëmbë pas majës së pushtetit, pas kryekulltukut, ku merren vendimet, ku jepen favoret, ku caktohen presidentët, ku urdhërohen gjykatat… Kjo e ka bërë terrenin politik shqiptar të neveritshëm.
Se le të arsyetojmë kërkesën që mban vendin të mbërthyer në vendnumëro. Dhe për këtë kërkoj vëmendjen e deputetes Bulku dhe miqve të mi elitarë. Nuk është e vërtetë se lëshimi ndaj kërkesave opozitare do të sjellë që kjo përvojë të ndiqet nga përvoja të tilla përsëritëse. Është e pamundur që një vit pas zgjedhjeve të bëhen 65 deputetë të tjerë të vazhdojnë si këtë herë, të shohin me përbuzje sallën e parlamentit. Nuk është kollaj të përsëritet greva e urisë. Në respekt të gjysmës së elektoratit, në respekt të mbarësisë së punëve të vendit, falë kësaj sacrifice të shumëkushtueshme kombëtare, transparenca sot merr jetë dhe do të vihet në shërbim të të gjithëve që mund ta kërkojnë atë. Pa grevë urie.
Ajo mund të ishte bërë që para një viti. Nuk lejojnë gjykatat? Ku na qënkan këto gjykata të mbipushtetshme, që rrijnë nëpër llozha dhe shohin përleshjen poshtë në arenë? Sovrani voton dhe i jep jetë parlamentit. Parlamenti pastaj është ai që gjeneron gjithçka: ai cakton Kushtetutën, gjykatat, prokurorët. Ai cakton Presidentin dhe qeverinë. Vendit i ka mbetur veza kryq. Është rasti për një amendament në kushetutë, për një këshillim plebishitar.
Dhe një pikë arsyetimi më shumë akoma: ashtu siç thuhet, se Partia Demokratike është mjaft e interesuar për zgjidhjen e krizës, përse nuk i drejtohet ajo Gjykatës Kushtetuese, që të japë lejën dhe të hapet Thesi i Shenjtë me sekretet e votimeve më të mira të tëra kohërave?!
Ne do të fërkonim duart se njëra nga vezët do të thyhej. E nëse vërtet këto do të ishin zgjedhjet më të shkëlqyera qëkurse shqiptari është shqiptar, do të thyhej veza e Ramës dhe ne do të shpëtonim nga ai. Kështu Partia Socialiste do të merrte një plagë të thellë për disa fushata zgjedhjesh rresht dhe gjithëçka do të na vinte mbarë.
Por, çuditërisht, Rama kërkon hapjen e thesit dhe Berisha nuk e do! Kaq mjafton. Për mua interesi u zhbë. Por mendoj se edhe për shqiptarin më të fundit, nuk mbetet më asnjë dyshim dhe asnjë e fshehtë.
Kutitë janë tashmë të hapura dhe përmbajtja e tyre është në dritën e diellit! Duke u përpjekur t’i mbajë të mbyllura, Berisha i ka hapur së katrash ato!







