Duke hyrë në vallen e bukur të perlave artistike të Doktor Zefit

0
42

ENGJEL KOLIQI

I besoj Zotit plotësisht, prandaj shpesh në jetë më ka dërguar mrekulli hyjnore. Njëra nga mrekullitë më të mira që Zoti më ka dërguar, është njohja me një doktor shkence, i cili është edhe burim i pashterrshëm i artit tonë letrar.
Njëri nga miqtë e mi më të mirë në mërgim, në Itali, është tropojani i paepur, Ndue Qokaj. Me Ndoun takoheshim shpesh, në Lecco, sidomos kur organizonim veprimtari kombëtare kulturore. Një ditë, teksa po bisedonim për një festë, që shoqata e drejtuar nga Ai “Sofra shqiptare” po organizonte, Ndou më tha: “Kësaj radhe në festë na vjen një njeri shumë i madh, shumë i vlefshëm, nga Ankona, me të cilin besoj do të bëhi miq të mirë e do të bashkëpunoni”. Dhe ashtu doli, vërtetë. Nga Ankona na erdhi Dr Zef Mulaj (doktor shkence i farmaceutikës) dhe shkrimtar i madh, me shumë vepra, shumë të vlefshme, shkencore e letrare. Me shumë kënaqësi, me Dr Zefin filluam një miqësi të mirë e të qëndrueshme, me një bashkëpunim të mirë, në fushën e letrave. Me shumë kënaqësi e përktheva, nga shqipja në italisht një vëllim të tij poetik, që e botoi në katër gjuhë, përnjëherësh. Pastaj Dr Zefi ma besoi dhe ma la në dorë romanin e tij “Imazh”, për të cilin e bëra një recension, duke u ndjerë shumë i privilegjuar.

Kur autori më kërkoi ta bëja një parafjalë (parathënie) për këtë vepër poetike me perla të këndshme e të vlefshme artistike e me metafora, që dalin nga një shpirt shumë i madh, nga një shpirt që gjithnjë vuan edhe krenohet me vendlindjen e tij, me Alpet e bukura shqiptare të Tropojës sonë. Sado që jeton bukur, frymon lirshëm, edhe vepron me famë e me suksese në bregdetin italian, në qytetin e bukur të Ankonës, Dr Zefi gjithnjë shpirtin e ka atje, në Tropojë, atje ku e ka gjithmonë dashurinë, atje ku i ka edhe ëndërrat e bukura, atje ku frymon ditenatë, në çdo stinë.
Në poezitë e këtij libri, herë direkt, herë me metafora të zgjedhura mirë, sheshohen ndjenjat e autorit, sa nostalgjike, sa rrjedha dashurie të mirëfilltë arbërore, sa duke qarë hallet e realitetit tonë aktual, të shpirtit arbëror, në atdhe e në mërgim. Autori i ndjen të gjitha në shpirt, por edhe i sheshon bukur dhe i shpërndan si pasuri të çmueshme, si diamantë në shpirtin e lexuesve. Unë i kam lexuar disa herë këto poezi dhe i kam mbjellur në shpirtin tim dhe do i lexoj shpesh e dua të korr nga kjo mbjellje fryte të bukura të dashurisë për vendin tim e për farën arbërore, pse jo edhe të marr mësim në qëndisjen artistike letrare, nga mjeshtëri i madh, me emrin Dr Zef Mulaj, të autorit të vyeshëm që shpirtin e ka atje, në Alpet Shqiptare, në Tropojën tonë pitoreske, të freskët, trimërore dhe historike, atje nën kurorën e lisit plak, të paepur në shekuj.
Mos hezitoni, lexojeni me vëmendje këtë vëllim të pasur poetik, sepse do të fitoni shumë, zemrat tuaja do të pasurohen shumë me dashuri të mirëfiltë arbërore e artistike, diapazoni i trurit tuaj krijues do të rritet ndjeshëm.
Nuk dua ta zgjas më shumë me këtë parafjalë, që të mos i zbeh poezitë shumë të bukura e të vlefshme të autorit, por në fund vetëm dua ta uroj Dr Zefin, thjeshtë e qartë: Të lumtë mendja, zemra e pena o vëlla. Pena jote mos shteroftë kurrë e pikoftë gjithmonë perla të bukura në libra e freski dhe pasuri të madhe artistike-letrare në shpirtërat tanë. Gëzuar!
si argument, për të pasqyruar qartë shpirtin e autorit, që gjithnjë rri e frymon atje, në këtë parafjalë a parathënie, po i bashkëngjes këto dy poezi, që i kemi brenda librit “HËNA NUSE E POETIT” Që u publikua keto dite nga shtepia botuese “EDLORA” Tiranë.

ALPET E TROPOJËS

Qielli atje ka tjetër ngjyrë
Sa herë bie shi
E njomë kopshtin tim
Të lulëzuar alpin

Sa herë bie breshër e borë
Lulet nuk thahen
Burimet e ujit janë
Filtri i shpirtit njerëzor

E dashur
Eja të shkojmë
Në kopshtin tim alpin
Të pimë ujë që buron nga guri

Atje bora e bryma kurrë
Lulet nuk i thajnë

Alpet janë padroni im i dashurisë

DJEPI NËN HIJEN E LISIT

Edhe unë kam fjetur në djep
Nën hijen e lisit
Më thoshte nëna

Jam kthyer të kërkoj
Hijen kur në djep flija
Lisi plak më njohu
E më thirri në emër

Një shpërthim nga qielli
Zbriti pa zhurmë
Pa ofshamë e jehonë
Duke mos e dëgjuar njeri

Heshtja e djepit përkundej
Nën hijen e lisit
Që si vetëtimë ndriçoi
Fytyrën time

Gjethet e lisit
Të gjelbërta të buta
Të njoma e të thara
U bënë kostum
I fëmijërisë sime

Engjëll Koliqi
Stubëll e Karadakut (Kosovë)
Qershor 2015