Dukagjini kërkon të jetë njësi më vete!

1
31

Intervist me Av. Pal Shkembi.
Populli i Dukagjinit kërkon që të përfshihet në hartën e re të reformës administrativo – territoriale të Republikës së Shqipërisë, si njësi administrative në vete.
Me emrin “Dukagjini”.

Ndarja territoriale tashmë është kthyer në një mollë sherri për shumë krahina të Shqipërisë.
Unë pata nderin të bëj këtë intervistë me Avokatin, Z. Pal Shkambi.

1-Z.Pal ju falenderoj që pranuat ftesën time.
Faleminderit ju, Z. Gjin Musa për mundësinë që më ofruat.
Edhe pse larg atdheut, po e ndjek me dhimbje situatën për Dukagjinin!
Si është e vërteta?
Do “shkrihet” emri i Dukagjinit?

Harta e re territoriale e paraqitur me 5(pesë) variante për ndarjen administrative – territoriale përmes ministrit të pushtetit vendor, Z.Blendi Çuçi, përpara komisionit të posaçëm parlamentar, gjithashtu dhe varianti i fundit i paraqitur nga qeveria dhe i miratuar nga ky komision me 61njësi administrative – territoriale, nuk e përfshin Dukagjinin, si njësi administrative në vete.

2-Reagimi intelektual i Dukagjinasve ka ditë që ka filluar,kam lexuar një material të shkruar nga Z. Prel Milani.
Juve Z. Pal çfarë mund të na thoni me detaje?
Populli i Dukagjinit kërkon që të përfshihet në hartën e re të reformës administrativo – territoriale të Republikës së Shqipërisë, si njësi administrative në vete. Me emrin “Dukagjini”.
Kjo ka bërë që populli i Dukagjinit të reagojë përmes intelektualve, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe të shoqatave të trevës së Dukagjinit, që të përfshihet në hartën e re të reformës administrativo – territoriale, si njësi administrative në vete, pasi i plotëson të gjitha kushtet sipas kritereve ligjore. Për këtë janë bërë disa përpjekje që më pare nga shoqata Dukagjini me shkrim drejtuar strukturave shtetërore e vendimmarrëse, që kjo trevë të jetë njësi në vete.
Komisioni Nismëtar Intelektual i Dukagjinit, përfaqesues të pushtetit vendor dhe të shoqatave të trevës së Dukagjini, kanë thelluar formën e kërkesës për këtë qëllim duke marrë pjesë në një emission televiziv, në Tv.Kopliku, kanë organizuar disa takime me grupe të ndryshme të të njëjtit interes, si dhe kanë firmosur një peticion, i cili me datë 17- 07-2014, u është drejtuar strukturave shtetrore dhe vendimmarrëse.
Është zhvilluar një konferencë shtypi për mediat lokale dhe qendrore, nga Komisioni Nismëtar Intelektual i Dukagjinit, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të shoqatave të trevës së Dukagjinit, lidhur me reformën administrative– territoriale.
Drejtuesit e grupit nismëtar më në krye Avokat Pal Shkambi dhe Prof. Kol Çardaku kanë marrë takim me Kryetarin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Z.Bashkim Fino, me përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Vendor, me përfaqësues të Opozitës, me media Kombetare, si Tv. Klan, News 24 etj.

3-A do e pranojnë Dukagjini dhe Dukagjinasit një shpërbërje të këtillë? Dukagjini është një kala e pamposhtur në shekuj që diti të mbrojë dhe të kultivojë vlerat më të mira të shqiptarizmit, duke qëndruar në shekuj, dhe sot nuk mund të fshihet nga harta administrativo-territoriale e Shqipërisë.
Nisur nga faktet se Dukagjini i plotëson të gjitha kriteret e veçanta për të qenë njësi administrativo–territoriale si:
Popullsia plotëson nivelin e tretë për numrin minimal të popullsisë që duhet të ketë një njësi e qeverisjes vendore, mbi 10.000(dhjetë mijë) banorë, duke marrë parasysh dendësinë për km2, kjo e mbështetur në karakteristikat gjeografike të zonës. Levizja demografike e popullsisë nga kjo zonë, ka ardhur si pasojë e mungesës së infrastrukturës. Infrastruktura e zhvilluar mund të ndikojë në ripopullimin e mëtejshëm të zonës.
Dukagjini e meriton të jetë një zonë administrativo – territoriale në vete, nisur nga fakti se ka një territor me sip 609,2 km2 me reliev të thyer, përfshin alpet qendrore është zonë kufitare, ka resurse të shumta për të përballuar nevojat si njësi në vete. Me përparsi janë: blegtoria, turizmi, energjetika, shfrytëzimi pyjor, bimët medicionale, frutikultura e në veçanti gështenja etj.
Distanca e territorit jashtë qendrës së kësaj zone nuk mundëson ofrimin e gamës së plotë të shërbimeve për banorët e saj, e cila duhet vendosur në qendër të njësisë së re të krijuar. Për qendër të njësisë së re të krijuar, mendojmë se vendi më i përshtatshëm janë,
Dukagjini e meriton që të përfshihet në hartën e re të reformës administrativo-territoriale, si një njësi administrative në vete, pasi respekton parimin e vazhdimsisë territoriale, ka një traditë historike dhe karakterizohet nga lidhje tradicionale mes banorëve të gjithë territoreve përbërëse. Kjo zonë ka shumë bijë dhe bija në emigracion të cilët mund të investojnë për zhvillimin e Dukagjinit.
Dukagjini si çdo popull tjetër ka të drejtë dhe e meriton të qeverisë dhe të administrojë vetveten, kjo e mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dukagjini nuk mund dhe s’duhet të fshihet nga harta gjeopolitike – administrative e Republikës së Shqipërisë, kjo konfirmohet përmes përfaqësuesve legjitim të popullit të Dukagjinit.

4-Juve besoni se qeveria Rama do të përçmojë bajrakët e Dukagjinit? Kemi një histori të lashtë! Si e perceptoni këtë situatë disi të ndërlikuar?.
Kjo zonë nuk mund të humb etnografinë, histografinë, traditën, emrin dhe kulturën e trashëguar ndër shekuj. Nga studimet arkeologjike rezulton se Dukagjini ka 4(katër) qyteza dhe 3(tre) kështjella të lashta. Dukagjini në historikun e tij në shekuj, rezulton administrim në vete, me cilësi zonë Autonome, Nënprefektur, Rreth, Legalitet, e sot nuk mund të fshihet nga harta e Republikës së Shqipërisë.

5-Dukagjini i perket historisë,”Rilindja”do mundet ta njollosë historinë Dukagjinase?
Dukagjini në shekuj është ajo krahinë që lindi dhe përcolli breza kreshnikësh nga populli i vet, lindi dhe përcolli burra të urtë dhe trima, fisnik e punëtorë, të gojës e penës, njerëz të vlerave, virtyteve dhe traditave, që deshën, ditën dhe mundën të ruanin më mirë se kushdo tjetër shqiptarizmin. Dukagjini është një popull vital i pamposhtur dhe i qëndrueshëm, pavarsisht vuajtjeve, përçarjeve dhe diskriminimit të brendshëm dhe të jashtëm ne shekuj, ai qëndroi i pagjunjëzuar dhe kurrë nuk u shua.

6-Si parashikohet reagimi popullor?
Dukagjini është krahina më e papërfaqësuar në qeverisje dhe vendimmarrje,e diskriminuar, e përkëmbur dhe e zhvlerësuar dhe sot po përpiqën t’ i shuajnë dhe emrin që aq gjatë janë përpjekur dhe s’kanë arritur. Me reagimet e popullit të Dukagjinit për ndarjen administrativo–territoriale janë bashkuar dhe zona të tjera të Qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë, duke qenë të pakënaqur për këtë proçes.

7-DUKAGJINI do jetë njësi më vete, apo do shpërbëhet? Cili është opinioni publik?
Ne mendojmë se reforma administrativo – territoriale është një proçes i rëndesishëm dhe i domosdoshëm, por jo pak i ndërlikuar që duhet trajtuar me përkushtim dhe racionalitet dhe largpamësi. Referuar gjendjes aktuale të ndarjes administrative-territoriale të qeverisjes vendore, vihet re një copëzim i tepruar i territorit shqiptar i padobishëm, fakt i cili ndikohet nga shumë faktor, por në fokus kemi ndarjen administrative – territoriale.
Mendojmë se parimet e reformës territoriale nuk po zhvillohen me pjesëmarrje gjithëpërfshirëse të të gjitha palëve dhe grupeve të interesit, lë për të dëshiruar informimi dhe konsultimi me komunitetin. Afati kohor për zhvillimin e reformës së ndarjes administrativo–territoriale është i përshpejtuar.Ne mendojmë se harta e re e ndarjes administrativo – territoriale duhet të pëfshijë 100 njësi administrativo – territoriale.
Referuar gjendjes aktuale të ndarjes administrative-territoriale të qeverisjes vendore, vihet re një copëzim i tepruar i territorit shqiptar i padobishëm, fakt i cili ndikohet nga shumë faktor, por dhe grupimet e stërmëdha mund të ndikojnë në qeverisje jo efiçente të pushtetit vendor, duke ulur aksesin, efikasitetin dhe përmirësimin e cilësisë të shërbimeve publike vendore. Grupime e stërmëdha ndikojnë edhe në dëmtimin e mekanizmave të demokracisë përfaqësuese dhe dobësimin e instrumenteve të demokracisë direkte.

8-Z. Pal edhe një pyetje të fundit.
Përmes kësaj interviste çfarë do t’i sygjeroje qeverisë Rama, po popullit të komunave të Dukagjinit?

Qeverisë Rama do t’ i sygjeroja që të respektonte vullnetin e popullit të Dukagjinit, gjithashtu dhe të mbarë popullit Shqiptar, duke respektuar parimet e demokracisë dhe të vetëvendosjes popullore, kjo e bazuar edhe në Kushtetuten e Republikës së Shqipërisë.
Ja çfarë citohet në në nenin 108, pjesa e gjashtë për Qeverisjen Vendore, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë. Ndarjet administrative – territoriale të njësive të qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën e nevojave dhe të interesave të përbashkëta ekonomike dhe të traditës historike. Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Shpresojmë dhe besojmë se Qeveria Shqiptare do të respektojë vullnetin e popullit të Dukagjinit, gjithashtu dhe të mbarë popullit Shqiptar, duke respektuar parimet e demokracisë dhe të vetëvendosjes popullore, si vendimmarrje afatgjatë dhe e qëndrueshme.

Intervistoi: Gazetar Gjin Musa

1 COMMENT

Comments are closed.