Duhet te luftohet e keqja…

0
28

Zef Ahmeti — nga Zef Ahmeti*, St. Gallen, 22 gusht 2005

Se liria e ka gjetur Kosovën të papërgatitur, nuk ka dyshim. Papërgatitja ka ndikuar që administrata e UNMIK-ut të luaj rolin e monopolit që po kritikohet sot aq shumë nga shumë segmente të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës. Përveç pa-përgatitjes, Kosovën liria e UNMIK-ut e gjeti në një gjendje të shkatërruar nga represaliet serbe. Status quo-ja e para intervenimit të NATO-s në Kosovë, ka lënë pasojat në gjitha sferat e shoqërisë. Besimi në organet udhëheqëse shtetërore, kryesisht në vendet që kanë dalë nga sistemi komunist, është vlerësuar „zero“. „Kush nuk e vjedh shtetin, e vjedh “familjen“ ka qenë motoja e komunizmit. Kalimi në demokraci rajonin e Ballkanit e futi në një krizë. Ndërsa Kosova nuk pati fatin të prek drejtpërsëdrejti edhe për dhjetë vite më vonë (që nga 1990) demokracinë.

Pas hyrjes së lirisë unmikiane, bashkësia ndërkombëtare mori për sipër ndërtimin e strukturave krejt të reja nga ato ekzistuese në Kosovë. Puna e „aftësimit dhe ri-integrimit“ të shoqërisë shqiptare në organet dhe strukturat e ndryshme shtetërore u përcoll me shumë kritika e vështirësi, tensione, bojkotime, paaftësi gjithnjë duke përdorur një „nacionalizëm“ të deformuar nga elemente të caktuara shqiptare, për të marrë poste dhe pushtet, sa shumë gjëra kaluan në banalitet.

Në lirinë unmikiane shoqëria kosovare i dha shkas bashkësisë ndërkombëtare që ta (për)zgjat prezencën e saj, përveç të tjerash, në mënyrë të theksuar, edhe për shkak të konfliktit permanent brenda-shqiptar. Ballafaqimi me realitetin e ri në Kosovë, e gjeti lidershipin kosovar në gjumë. E mira e përgjithshme u la anësh. Gjendja politike u tensionua aq shume, sa shkaktuan tensione shumë të rënda në shoqërinë Kosovare. Sot, liderët kosovarë e hedhin edhe më tutje fajin njëri tjetrit. Përveç represioneve të paraluftës, në gjendjen politiko-ekonomike në Kosovë kanë ndikuar shqiptarët në mënyrë vendimtare.

Shoqëria kosovare ka qenë e pa-përgatitur për një sistem demokratik. Ndërsa në shoqëritë e tilla ku mungon përvoja në këtë sistem, deri sa të lodhën nga fenomenet negative, nuk mund të ketë ecje pozitive. Përvoja, pra, ishte ajo që u mungonte kosovareve. Dhe kjo mungesë e përvojës, por edhe ndjenjës demokratike, duke e keqinterpretuar demokracinë, janë bërë veprime diktatoriale, nxitje dhune etj. Pra kurë mungon përvoja dhe aftësia e veprimit, gjërat kalojnë në dhunë. Kush është më i forti, ai ka të drejt. Kosovës i mungon fryma demokratike së pari në familjet. Dhe kjo mungesë ndikon drejtpërsëdrejti edhe në skenën politike.

Skandaloze është edhe sjellja e udhëheqësve politik, bashkë me disa politikan të gjysmë-formuar, pas luftës bënë shuarjen e parlamentit të Republikës së Kosovës, tash de facto me “forumin politik” po e anashkalojnë parlamentin e Kosovës. Vallë, parlamenti i Kosovës çka është? Sallë e mbushur me marioneta?! Nuk mund të gjykohet se nga strukturat ndërkombëtare po shkelen principet e demokracisë, kur ne vet nuk i respektojmë ato!

Politika në Kosovë është marrë shumë me vetveten. Ndërsa ka qenë, fatkeqësisht, shumë e kufizuar në veprime aktive diplomatike e strategjike. Në një studim që është bërë nga një institut në Vjenë, thuhet pos të tjerash, se besimi në strukturat politike udhëheqëse është edhe kusht për zhvillimin ekonomik të një vendi. Kurse kjo mungon fare në skenën kosovare. Problemi shqiptarë para se të jetë problem i jashtëm, është fillimisht problem i brendshëm. Sot Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një “djalëri të shëndosh”! Standardet që po i kërkohen Kosovës, lidhen ngushtë edhe me organizimin social të shoqërisë kosovare. Çdo individ ka mundësi të ndihmoj përmirësimin e gjendjes në Kosovë, e të mos flasim për partitë dhe organet tjera, qeveritare e joqeveritare. Sistemi duhet të funksionoj.

Fryma demokratike duhet të frymoj gjithkund. Dhuna dhe shërbimet sekrete të partive politike, nuk janë gjë tjetër, pos dështim i luftës demokratike. Mungojnë zgjidhjet alternativ. Në frustrimin e popullatës, kanë ndikuar së pari gjitha segmentet dhe strukturat vendore. Arroganca, korrupsioni, injorimi, mosdija. Nuk mjafton të veshësh me kravatë, e ti thuash vetit demokrat. Demokracia është diçka që duhet të frymoj në shpirtin e njeriut, në lirinë individuale, duke respektuar gjithnjë lirinë e individit tjetër.

Shoqëria shqiptare ka nevojë që t`i denoncoj padrejtësitë. Ta ngrehë zërin kundër fenomeneve negative në shoqërinë shqiptare. Nuk është çdo pushtet edhe armik i popullit. Me fjalë tjera, armiku më i madh, dhe virusi më i rrezikshëm i shoqërisë kosovare, është mosgatishmëria për ta luftuar të keqën, së pari në rrethin familjar, e më pastaj në shoqëri.

Kombi shqiptar në tërësi lëngon nga shumë të meta që duhet pastruar nga trupi i tij. Ato duhet të luftohen me një mençuri dhe durim. Populli ynë duhet të përgatitet e pastrohet fillimisht për vetveten, e vetëm më pastaj se duhet t`u përshtatemi integrimeve rajonale evropiane. Format tradicionale shqiptare e të menduarit politikisht dhe ekonomikisht vështirë se do ndihmojnë në proceset që po e presin.