[Shqip, 08.01.2012]
Aleksandër Çipa:
Zoti Kopliku, si ish drejtues i larte i qeverise demokratike ne periudhen e pare te pluralizmit postkomunist, si e shihni aktualisht te Djathten? A eshte ajo para nje situate dhe nevoje reformimi dhe si e gjykoni alternativen e perfolur partiake te presidentit Bamir Topi?
Bashkim Kopliku:
Shqipëria e ka humbur partinë e madhe të djathtë që kishte, Partinë Demokratike të viteve 1990-1996. Atë e humbi që në vitin 1996 e pas, kur mbajti në krye të partisë shkaktarët kryesorë të shkatërrimit të vendit në vitin 1996-1997-me kohë PD u pushtua nga një bandë e korruptuar politikisht, dhe PD-aktuale tani që ka qeverinë, duket se po korruptohet edhe ekonomikisht: duket se po vjedhin e shpërdorojnë njësoj si ata të PS-së kur kishin qeverinë, gjatë viteve 1997-2005.
Të djathtës i duhet një parti e re-nuk reformohet dot PD aktuale, sepse në të është instaluar një regjim policor, në të nuk respektohen të drejtat elementare të një partie të një shteti demokratik të shekullit të XXI; bile shkelet edhe ligji shqiptar Për Partitë Politike.
Si ish-zëvendëskryeministër nga viti 1992 deri në 1994, që kam qenë fillimisht i ngarkuar me rendin publik (ministër i Policisë) dhe pastaj i ngarkuar me drejtimin e reformës ekonomike, shoh një degjenerim në komunizëm të drejtimit aktual në polici, ku ministri aktual, përveç të tjerave,
justifikon vrasjen e 4 qytetarëve paqësor- në përmbajtje 4 qytetarë antikomunistë- në mes të ditës e në mes të bulevardit, justifikim që nuk guxuan ta bëjnë as komunistët e 2 Prillit 1991, për vrasjet e katër
antikomunistëve në Shkodër.
Por edhe në ekonomi shoh një lustër pseudo të djathtë, por në fakt sa vjen e po instalohet një shtet që komandon ekonominë në çdo hallkë të saj, me vendime e udhëzime, por dhe praktika që bien në kundërshtim dhe me ligjet në fuqi; nga ana tjetër, nuk janë kryer akoma
reformat liberalizuese të ekonomisë, të nisura që në 1994.
Duhet një parti e vërtetë e djathtë, e cila fillimisht duhet të ketë mision bashkimin e shqiptarëve që shohin të mirën e vendit të tyre bazuar në doktrinën e së djathtës moderne, së djathtës së bashkuar me Evropën në Partitë Popullore, dhe të ngjashme me Partitë e Shteteve të Bashkuara, me Republikanen, por edhe me Demokraten e cila është mjaft e djathtë krahasuar me situatën aktuale në Shqipëri. Kërkesa e veçantë që do të kisha për Partinë e Vërtetë të Djathtë të Shqipërisë, do të ishte që drejtuesit kryesorë të saj, si kryetarët e partisë, por edhe kryeministri eventual apo i njëvlershmi tjetër, kryetari i Kuvendit, nuk duhet të lejohen të rrinë në poste të njëvlershme më shumë se dy mandate, pra më shumë se 8 vjet në jetën e tyre-pak a shumë principi që patëm në statutin e PD-së deri nga viti 1992.
I kam dëgjuar përfoljet për gjoja një nisëm të presidentit Bamir Topi.
Një nisëm e tillë më duket antikushtetuese nga një President, prandaj uroj që presidenti Topi të mos bjerë në një gabim të tillë. Pas mbarimit të mandatit të tij, dhe nëse nuk rizgjidhet, atëherë ai do të jetë i lirë t’i hyjë një nisme të tillë, pse jo. Gjithsesi, jam i prirë që fillimisht të shoh një program, qoftë në pikat kryesore, për të dhënë gjykim-nuk kam qenë në gjendje deri tani, as të lexoj, e bile dhe as të dëgjoj një gjë të tillë.
Gjithsesi, personalisht nuk do të pranoja asnjë parti të djathtë që nuk vë me statut, që në krijimin e saj, kufizimin e mandatit të drejtuesve të saj, siç e përmenda më sipër. Partia e Vërtetë e Djathtë jo vetëm që duhet të ketë në programin e saj një kërkesë të tillë, por duhet edhe të përpiqet që ta fusë atë edhe në Kushtetutën e vendit, duke e ndryshuar Kushtetutën ekzistuese (me referendum, e jo me pazare dy liderësh, siç u shkatërrua Kushtetuta në vitin 2009).
E keqja Shqipërisë i ka ardhur gjithnjë nga drejtuesit e saj të fortë dhe jetëgjatë në pushtet, që nga Zogu, Enveri e Berisha- bile sa më gjatë kanë ndenjur ata në pushtet, aq më keq i kanë bërë Shqipërisë.
Bashkim Kopliku
7.1.2012
Fjale,fjale dhe asgje me shume,jemi ne situaten e v iteve 1919-192 kur Fishta deklaronte:
“… të them të verteten se m’âsht dasht t’skuqesha për :inferioritetin t’em. Âsht e kotë të gënjehemi. N’se përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji atdhetari të shëndoshë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të saj së maparshmes, kjoftë të së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqypninë dhe të mbrojë siç duhet interesat e sajë.”
Ku eshte Gurakuqi? S’ka me Gurakuq! Kjo eshte fatkeqsia e ketij populli qe akoma nuk e ka kuptuar te verteten,por edhe qe nuk ben asgje per ta njohur ate.
Comments are closed.