Duhet menduar për periudhën post-berishiste

0
55

Mustafa Nano

Mustafa Nano, 03.12.2009

Është koha të mendohet seriozisht për postberishizmin. Nuk e them këtë për të bërë një provokacion a diversion gazetaresk, e aq. Për më tepër, nuk është se mendoj që ikjen e Berishës e dikton një karrierë politike e mbushur me dështime e me bëma, të cilat historia e mëpasshme do të tregojë se janë në fakt shumë më tepër e shumë më keq sesa dështime. Do të ishte e udhës që fundi i karrierave politike – si kudo gjetkë – të diktohej nga dështimet, por këtej nga anët tona ndodh ndryshe, e nuk ke se ç’i bën kësaj pune.

E them për tri arsye të tjera shumë të thjeshta e shumë të kuptueshme. Së pari, ky leader ka tentuar të sfidojë e të mundë të gjithë termat politikë (me term politik kuptoj një periudhë kohe, në harkun e së cilës një shtetar ia del t’i rregullojë hesapet me një, le ta themi, vjetrim e konsumim fiziologjik). Dhe ia ka dalë mbanë. Por duket se s’mund të mbajë më ujë pilafi. Nëse deri tani këmbëngulja e tij për t’i sfiduar pa fund këto terma politikë ka qenë tragjike, tani e tutje është komike. Në fakt, ka ca kohë që është bërë komike. Dhe prandaj, boll është boll.

Së dyti, vendi është në një krizë, dhe mënyra sesi Saliu po tenton të merret me këtë krizë po na vë përballë dy opsionesh: ose opozita përjashtohet nga jeta politike, ose Saliu merr valixhet e ikën në shtëpi. Ka pasur dhe opsione të tjera, por ai ka preferuar ta pastrojë fushën e lojës nga këto të fundit. Cili opsion do fitojë? A mos vallë opsioni i përjashtimit të opozitës nga jeta politike? Kjo s’ka asnjë gjasë. Atëherë mbetet opsioni tjetër. Është i lehtë? Hëm, është i vështirë që ç’ke me të, por është i pashmangshëm.

Saliu do përpiqet të rezistojë, ndoshta dhe të bëjë ndonjë rrëmujë, pas së cilës të bëjë viktimën, rrjedhimisht të mbijetojë edhe njëherë në opozitë, por nuk ka për t’ia dalë. Shqiptarët e këtyre ditëve nuk janë ashtu si ai do donte të ishin. Së treti, po vihet re që Saliu po e rifillon nga e para, dhe kjo është simptoma më e qartë e më alarmante e asaj sëmundjes, që pak më sipër e quajta vjetrim fiziologjik i një leader-i. Saliu po e kthen veten në vitin 1991, ndërkohë që Shqipëria, të paktën sipas kalendarit gregorian, është në vitin 2009. Ku e kam fjalën?

Së pari janë antimitingjet e marra nga arkivi i atyre kohëve, me te cilat ai kërcënon jo opozitën, por stabilitetin politik në vend. Së dyti, te kërcënimi që ai po bën nga pozitat e mbajtësit të pushtetit. Është një kërcënim i ngjashëm me ato që ka bërë në periudhën 1992-1997, d.m.th me një gjuhë të qartë, të prerë, të painterpretueshme e me një logjikë banditeske e mujshare. “Do t’ju shkul dhëmbë e dhëmballë …!”, tha ai, duke iu drejtuar opozitës, dhe me mënyrën që kish gjetur për të etiketuar opozitën (puniste), shpalli kauzën e tij më të re, d.m.th antikomunizmin. Me një fjalë, Saliu na erdhi vërdallë njëzet vjet për t’u rikthyer prapë aty ku ne nisi, tek antikomunizmi. Kjo kauzë “e re” tregon se cikli i Saliut është mbyllur.

Ai përfundimisht është një kufomë politike. E në këtë kuptim, kush ka nge, dëshirë, ambicie, mundësi e përgjegjësi, duhet të mendojë për postberishizmin. Ou, si kështu, po na i bën gjithçka bukë me djathë? Jo, e thashë më sipër, se nuk është e lehtë. Saliu nuk është vetëm. E nuk është e thënë të jetë më i dobët sesa ka qenë në periudhën 1992-1997, s’ka gjë se – kështu mendojnë disa – nuk ka nën komandë të gjitha institucionet e shtetit. Hëm, nuk jam shumë i sigurt që është kështu, pasi nuk shoh ndonjë vitalitet institucional e ndërinstitucional kundër një qeverie, e cila s’po pyet më për asgjë.

Përveç kësaj, ai ka një maxhorancë, të cilën e komandon mu ashtu si (e po aq kollaj sa) komandonte Enver Hoxha të vetët. Sot nuk është problemi që s’ngre zë askush brenda maxhorancës. Është me keq akoma: nuk kanë zë as ata, të cilët Berisha i largon për qejf të vet. Tjetër? Ka dhe një entourage të çuditshëm. Të gjithë ata, që ai ka rrahur, ka nëpërkëmbur, ka akuzuar, ka burgosur, u kanë vajtur pranë urtë e butë mbi bazën e një kontrate të qartë shërbimi. E kam fjalën tek Imamët e Rulët? Sigurisht, por jo vetëm. Është dhe Fatos Nano. Është dhe Ilir Meta. Është dhe Lefter Koka. Ka më? Ka më në fund dhe një detashment të fortë mediatik.

Nuk është vetëm Frangaj e Fevziu, tok me televizionin e tyre “Klan” (ku sëmundjet e mass-media-s shqiptare të të gjitha kohërave janë koncentruar në mënyrën më spektakolare: sundimi i qartë padronal, lidhja e qartë e padronit me pushtetin ekzekutiv, nënshtrimi i qartë i gazetarëve që punojnë për atë televizion, etj). Ka dhe plot gazetarë të tjerë, mes të cilave shkëlqen me fuqinë për ta ilustruar dukurinë d.v. Fatos Lubonja, i cili nuk mjaftohet me mbështetjen që i bën Saliut, për të cilin në vitin 1997 luste një fund: vdekjen fizike (në kuptimin gërmë për gërmë të termit), por – kjo është ç’është – na qenka i sigurt se në të njëjtën kohë mund të bëjë dy gjëra në këtë botë: edhe të kakarisë nga qymezi i Sandër Frangajt, edhe të shesë tutje tëhu dëngla morale. Toube Astaghfirullah! Idiotësi senile?

Hm, s’e kam idenë, por di që vetëm kjo, d.m.th idiotësia senile, që herët a vonë na kap të gjithëve, mund ta nxjerrë pa lagur e të nderuar në këtë histori. Çfarë thashë më sipër, përbën absolutisht një motiv force për Saliun, por puna është se ky i fundit është një kufomë politike a prescindere. Do bëjnë mirë që, në vend ta mbrojnë Saliun, të mendojnë se çfarë duhet bërë pas ikjes së tij. Edhe nëse nuk e duan këtë ikje, edhe nëse e përfytyrojnë ca më tutje në kohë, prapë bëjnë mirë të mendojnë qysh tani për postberishizmin.