“Duhet demistifikuar Muhameti dhe feja e themeluar prej tij”

4
48

Intervistë e Hamed Abdel-Samad, dhënë gazetës gjermane Die Welt: “Duhet demistifikuar Muhameti dhe feja e themeluar prej tij”

Kjo intervistë është publikuar në gazetën gjermane DIE WELT më 20 shtator 2015.

Autori Hamed Abdel-Samad rigjurmon çfarë pasoja fatale ka tani adhurimi i Muhamedit si profet shenjtë. “Fanatikët dhe të moderuarit thirren në të njëjtin profet”. Siç duket, me të drejtë.

Autori gjermano-egjiptian Hamed Abdel-Samad do të nxise trazira, siç thotë ai. Ai u bën thirrje myslimanëve që të përballen në mënyrë kritike me fenë e tyre, për të sfiduar perceptimin e tyre si struktura të shenjtëruara, duke i riinterpretuar dhe përshtatur kushteve të tanishme të jetesës. Kjo i ka shkaktuar autorit shumë shqetësime dhe armiq. Librin e tij „Fashizmi islamik“ (2014) e kishte gjykuar një fetva, (ekspertizë ligjore myslimane), duke kërkuar vrasjen e tij. Abdel-Samad u detyrua të kaloi në ilegalitet. Por ai nuk heshti. 43-vjeçari jeton nën mbrojtjen e policisë. Libri i tij i ri shkon një hap më tej. Këtë herë objekt i kritikave të tij është Profeti. „Mohamedi – në llogari barazuese“ („Mohammed – Eine Abrechnung“, botues: Droemer, 224 faqe, 19.99 euro). Libri do të dalë nga shtypshkronja të enjten e ardhshme.

Një bisedë në lidhje me arrogancën, paranojën, iluzionet dhe ndikimin gjigant fetar të një njeriu, që ka vdekur para gati 1400 vjetëve.

Die Welt: Ju thoni se do të donit përfundimisht ta varrosnit profetin islamik Muhamed. Çfarë mendoni konkretisht?

Hamed Abdel-Samad: Edhe pse Muhamedi vdiq para gati 1400 vjetëve, ai megjithatë kurrë nuk është varros. Ai mbetet një nga njerëzit më të fuqishëm në shekullin e 21. Muhamedi ende mbizotëron dhe është një model për 1.4 miliard myslimanë, paqësorë dhe të dhunshëm. Të gjithë e marrin legjitimitetin e tyre nga tekstet dhe veprimet e tij. Bile përcaktimet e tij po zbatohen edhe nga jomyslimanët: Ai nuk duhet të kritikohet apo sulmohet. Kështu ne bashkëveprojmë me myslimanët. Unë për këtë nuk kam mirëkuptim. Mohamedi dhe ato që ai i ka bërë nuk janë shqyrtuar asnjëherë në mënyrë kritike. Askush nuk po guxon ta konsideroi atë si njeri në kohën dhe hapësirën e tij, me të gjitha dobësitë, sëmundjet, dyshimet dhe vetë-dyshimet që kishte. Është koha që të barazohet llogaria dhe përfundimisht të varrosët në kohën e tij. Ai nuk e meriton këtë adhurim, dhe ai nuk e meriton këtë pushtet edhe në shekullin e 21.

Die Welt: Kjo është një përballje e rreptë me Profetin, duke e quajtur atë një „tiran patologjik”, një „narcis“, „paranojak“ dhe madje „vrasës masovik“. Kjo nuk do të pëlqehet as nga shumë myslimanë të moderuar…

Abdel-Samad: Unë po bazohem në sëmundjet e tij të shumta, që rezultojnë nga historia e tij personale, të cilat muslimanët i kanë absorbuar. Narcizmi dhe paranoja e kishin origjinën në ndjenjat e inferioritetit që kishte ai. Mohammed ka qenë fëmijë i përvuajtur dhe i përbuzur. Babain e tij ai nuk e njihte, nëna e dha atë ta rrisin të tjerët. Ajo vdiq kur ai ishte gjashtë vjeç. Ai nuk kishte modele, nuk njihte dashuri, butësi, nuk kishte mirënjohje. Kështu ai u formua si personalitet i përçmuar, prandaj vuajti nga frika për humbje dhe nga paranoja. Si rrjedhojë Muhamedi martoi aq shumë gra, duke i grumbulluar si kukulla. Egoizmi i tij gjithashtu i prodhoi atij insistimin për të marrë një zbulesë hyjnore. Ai sigurisht nuk ka gënjyer ose kopjuar. Ai me të vërtetë duhet të ketë marrë një frymëzim, vetëm për shkak se ai ishte në një gjendje të brishtë psikike. Nga nevoja ai ka bërë një virtyt.

Die Welt: Por pas kësaj ishte suksesi i tij, duke prezantuar zbulesën e tij hyjnore në mesin e njerëzve, fillimisht modest.

Abdel-Samad: Po, ai nuk ishte i suksesshëm në fillim, edhe pse pasazhet e para të Kur’anit kanë qenë të butë dhe paqësorë. Bashkëjetesën, tolerancën, respektin që ai predikonte – askush nuk ishte i impresionuar. Pastaj ai ndryshoi strategjinë e tij – por edhe gjuhën. Mohammed krijon aleanca të luftës, dhe në hijen e shpatës i erdhi suksesi. Fillimisht plaçka e luftës ishte motivuese dhe në funksion të Islamit ekonomik, prandaj u bë gjithnjë e më popullor. Shumë luftëtarë, që Muhamedi i kishte luftuar më herët, tashmë kaluan në anën e tij, sepse edhe ata dëshironin të ishin mbi kalë fitues.

Die Welt: Kjo është fotografia juaj personale për Profetin. Ju i përdorni dhe i interpretoni të njëjtat burime, të cilat ju rreptësishtë i kritikoni. Si është e mundur kjo?

Abdel-Samad: Çdo gjë që kam paraqit e përmbajnë burimet islame, disa janë retushuar, të tjerat janë mistifikuar, përsëri janë imputuar në mënyra tjera. Unë vetëm jam përpjekur të ndajë grurin nga byku. Ka histori që nuk mund të shpikën apo shpikja e tyre nuk ka kuptim. Nga ato burime unë kam nxjerrë përfundime çfarë e ka preokupuar, shqetësuar dhe frikësuar Muhamedin. Pra, kështu ka rezultuar një paraqitje shumë njerëzore e profetit.

Die Welt: Shumë do të ju akuzojnë për blasfemi…

Abdel-Samad: Jam i vetëdijshëm për këtë. Fundamentalistët dhe konservatorët ashtu do të më akuzojnë. Por unë e quaj atë ndërgjegjësim. Është lexim historiko-kritik. Të tjerët nuk po guxojnë, ata vetëm po justifikojnë, e po preferojnë të flasin bukur. Ata thonë: „Po, ndoshta Muhammedi i ka vrarë atëherë në një ditë 900 hebrenj. Por ajo ishte krejt normale në atë kohë.“ Vërtetë? Cili fis ka vra në atë kohë 900 persona brenda një dite? Asnjëri, sepse ishte praktikë e zakonshme që lirimi i të burgosurve të ndodhte me pagesë.

I ka martuar Mohamedi vajzat e tij kur ishin gjashtë vjeçare? Assesi. Unë nuk u besoj të gjitha burimeve. Jam përpjekur për të krijuar paraqitje të përgjithshme, duke i bashkuar pjesët e mozaikut.

Die Welt: Por në këtë moment sikur secili po krijon paraqitjen e tij për profetin, dhe po shfrytëzon çfarë është e dobishme për të. Milicët terroristë të Shtetit Islamik (IS) nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin e vërtetë, dëgjojmë në mënyrë të përsëritur. A është kjo e vërtetë?

Abdel-Samad: Ky pohim nuk është vetëm mashtrues, por është edhe i rrezikshëm. Kjo do të thotë që ne duhet ta pranojmë Islamin ashtu siç është. IS nuk është duke bërë asgjë ndryshe nga çfarë ka bërë Muhamedi në kohën e tij. IS ka legjitimim religjioz për secilin veprim të tij. Prerja e kokave, skllavërimi, përdhunimi, martesa me të miturat, dëbimi i çifutëve dhe të krishterëve – për të gjitha këto mund të gjenden arsyetime në Kur’an dhe në hadithe (transmetime të deklaratave të Muhamedit).

Die Welt: Për vrasjen masive të bashkë-besimtarëve myslimanë? Ku gjendet arsyetimi në tekstet tradicionale?

Abdel-Samad: Askund, por IS i shikon viktimat e tij myslimane si dënim ndaj dezertorëve fetarë (apostateve).

Die Welt: Atëherë të gjitha këto mund të interpretohen dhe justifikohen si imitime të Profetit.

Abdel-Samad: Unë do të mund të thosha se terroristët e kanë keqkuptuar Muhamedin dhe po e keqinterpretojnë, nëse nga burimet autentike dhe tekstet përkatëse do të më rezultonte që Muhamedi ishte vetëm një misionar, i cili e ka shpallur mesazhin e tij, i ulur nën hijen e një palme, vdiq paqësisht, dhe njerëzit kanë themeluar një fe pas vdekjes së tij, e cila ishte abuzuar më pas. Por kështu nuk ishte. Muhamedi ishte kryekomandant i luftimeve, ai bëri të njëjtën gjë, që po bëjnë sot terroristët e IS.

Kjo është mendësia e Muhamedit, që ka me dhunë mbijetuar deri më sot. Mentalitet i një narcisi të çmendur e megaloman, që përcakton një rreth të brendshëm të pasuesve dhe të gjithë ata që janë jashtë këtij rrethi, konsiderohen si armiq. IS është fëmija legjitim i Muhamedit, në fjalë dhe vepra. Askush nuk e kupton Muhamedin kaq saktësisht si IS. Ashtu si edhe policia fetare në Arabinë Saudite, fanatikët në Indonezi, Boko Haram në Nigeri, al-Shabab në Somali dhe Hamas në Rripin e Gazës. Ata vijnë nga kontekste të ndryshme kulturore, por të gjitha mbështeten në të njëjtat sëmundje të Profetit dhe në fenë e tij.

Die Welt: Ju doni ti trazoni edhe njerëzit e rezervuar, që i keni trazuar me librat tuaja të mëparshme. Por këtë herë ju sfidoni drejt për se drejti Profetin. A nuk keni frikë se mund t’i humbni të gjithë, duke përfshirë edhe muslimanët e ndërgjegjësuar, të cilët ndoshta ishin të hapur për qasjen tuaj?

Abdel-Samad: Unë po bëj përvojë tjetërfare. Tezat kryesore të librit i kam shtjelluar në disa ligjërata në video dhe i kam vendosur në YouTube. Në vetëm tre muajt e fundit i kanë parë në botën arabe rreth 1.1 milionë njerëz. Tashmë jam ambientuar me fyerje dhe kërcënime. Por unë jam befasuar se sa shumë inkurajime kam marrë. Tashmë kemi të bëjmë me një diskurs se myslimanët në botën arabe janë të gatshëm për një diskutim të hapur për fenë dhe Profetin e tyre. Në diasporë, ku jetohet edhe në luks, ruhet një imazh romantik për Islamin, prandaj nevoja për diskutim nuk është e madhe. Në Perëndim dominon mendimi që duhet mbajtur një dorë kontrolluese mbi muslimanët.

Die Welt: Pra, ju doni një ringjallje, reformim, që shoqërohen me thyerje të një tabuje?

Abdel-Samad: Ekziston fenomeni i ndërgjegjësimit përmes turbulencave. Unë do të doja që Islami dhe Muhamedi të kritikoheshin pa frikë. Një kristiani kurrë nuk do t’i bëheshin këso pyetjesh, nëse do të shkruante librin: „Jezusi – barazim llogarie“. Askush nuk do të mendonte për të pyetur autorin nëse ai kishte frikë për të provokuar rreth dy miliardë të krishterë. Fakti që më bëhen këso pyetjesh, është justifikimi më i mirë për librin. Unë dua të arrij, që asnjë autor e karikaturist të mos ketë frikë për jetën e tyre, vetëm për shkak se karikaturojnë ose kritikojnë një personalitet, të vdekur para 1400 vjetëve.

Die Welt: A janë kështu të Krishterët në një avantazh ndaj Muslimanëve?

Abdel-Samad: Po, sepse Jezusi ka ftuar për të bërë mirë, dhe ju mund të thoni me bindje të plotë se kryqtarët kanë abuzuar me mësimet e Jezusit; ai asnjëherë nuk ka ndërmarrë ndonjë sulmim luftarak dhe kurrë nuk i ka prerë kokën ndokujt. Tre mesazhet kryesore të Krishterimit janë:
1. „E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.“
2. „Kush prej jush është pa mëkat, le ta hedhur gurin e parë.“
3. „I jepni Çezarit atë që është e Çezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë!“
Nga kjo mund të zhvillohet pa problem një doktrinë humaniste. Rregullat fetare janë shkruar nga njerëzit, ata nuk kanë imunitet si në Islam.

Die Welt: A mund të fillojnë muslimanët procesin e reformave, duke dashur e mundur të qeshin me veten e tyre?

Abdel-Samad: Po, por kjo është e mundur vetëm duke i sfiduar muslimanët fundamentalistë. Në këtë moment ata po i përcaktojnë rregullat. Ata thonë se kështu nuk guxohet të shkruhet për Muhamedin. Dhe ne pranojmë përcaktimet e tyre. Unë jam një njeri i lirë, dhe e kam paguar shtrenjtë lirinë time. Unë e çmoj lirinë. Prandaj për të, nuk bëjë kompromise. Për këtë shumë më urrejnë. Por ka edhe shumë të tjerë, për të cilët jam një zë. Unë nuk jam duke kërkuar aleatë, kam qenë gjithmonë i vetëm. Dhe unë nuk shqetësohem pse fundamentalistët duan të më vrasin. Me shumë shqetësohem kur muslimanët gjoja liberalë dhe gjermanët më thonë, se jam duke e tepruar. Po jetoj nën mbrojtjen e policisë dhe kam frikë për jetën time – megjithatë po e teproj? Mos ndoshta jemi pështjelluar nga logjika e fundamentalistëve?

Die Welt: Është edhe frika e dhunës së islamistëve në funksion edhe të një imigracioni të ri masiv në Gjermani?

Abdel-Samad: Ndoshta, por kjo është e gabuar. Gjermania është në rrezik të përsëritjes së gabimin me punëtorët imigrantë myslimanë dhe fëmijët e tyre. Në atë kohë është kursyer me ndërhyrje për shkak të ndjeshmërisë kulturore, dhe prandaj nuk janë marrë në mbrojtje imigrantët. Por sot duhet të shtrohet pyetja: Përse po arratisen njerëzit? Ata po ikin vetëm nga kjo mendësi islamike, nga urrejtja ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe ndaj të „pafeve“, po ikin nga një ideologji, e cila është çimentuar gjatë shekujve. Dhe pastaj ata vijnë këtu, ku ne nuk jemi në gjendje për t’u treguar se këtu nuk mund të ringjallin e praktikojnë atë ideologji, që i ka dëbuar nga vendi i tyre. Ekziston një arsye që njerëzit vinë në Gjermani, vend i „të pafeve“, dhe nuk shkojnë në Mekë – zemër të Islamit. Arsyeja është se Gjermania ka një shoqëri të lirë dhe të hapur, në të cilën njerëzit mund të bëjnë hulumtime dhe të mendojnë lirshëm. Kjo është arsyeja pse Gjermania tani jeton në siguri dhe prosperitet.

Die Welt: Çfarë po gabon politika?

Abdel-Samad: Ajo po shpreson në mbrojtjen e organizatave Islame, të cilat po ndërtojnë me fonde shtetërore kopshte, shkolla dhe xhami, dhe duan të indoktrinojnë fëmijët refugjatëve. Pastaj muslimanët adoleshentë do të kenë ndjesinë se në këtë shoqëri ata nuk mund të praktikojnë tamam fenë e tyre, meqë këtu na qenkësh një vend i mëkatit, ku njerëzit pinë alkool. Atëherë ata janë të gatshëm për ideologji të IS.

Die Welt: Ju po kërkoni nga emigrantët pranimin e pakushtëzuar të mënyrës tonë të jetës?

Abdel-Samad: Po. Refugjatët kanë nevojë për mbështetje, por edhe për rregulla të qarta, qysh në fillim. Shoqëria gjermane është një „shoqëri bashkëvepruese“. Duhet t’u thuhet: “I dashur refugjat, i dashur imigrant, bashkohu, ose do ta kesh vështirë. Shiko që fëmijët tu të mësojnë shpejt gjermanisht. Dhe në qoftë se Ti nuk do të mësosh për të notuar, të paktën le vajzën Tënde të mësojë not dhe sport në shkollë, për shkak se ky vend është i zotuar për të ndihmuar fëmijën Tënd që të zhvillon personalitetin e tij/saj. Nëse ju nuk i doni këto oferta, atëherë kthehuni me trenin e radhës në Hungari.” Kaq e thjeshtë është marrëveshja. Nëse ata nuk e kuptojnë tani, atëherë ndoshta kurrë nuk do ta kuptojnë. Mesazhi duhet të jetë: “Ky vend është i mirë, sepse çmon lirinë individuale, qytetarët e saj mund të prosperojnë dhe besimi fetar është një çështje private e secilit si individ. Këto e bëjnë këtë vend të çmuar dhe të dëshiruar. Dhe nga kjo do të përfitosh tani! Pra, mos u anko dhe përshtatu!

Die Welt: Cila është zgjidhja juaj për Islamin?

Abdel-Samad: Kërkohet ndershmëria. Kjo presupozon që Muhamedi të privohet nga profetizmi i tij. Mesazhi hyjnor – ky është imuniteti i tij, ky është mashtrimi i madh. Unë nuk besoj se Islami mund të reformohet. Por muslimanët mund të reformojnë të menduarit e tyre, të modernizojnë mentalitetin dhe marrëdhëniet e tyre ndaj fesë, duke krijuar bindjen se besimi fetar është çështje private. Është e nevojshme që të fillohet me demistifikimin e Muhamedit dhe fesë së themeluar prej tij. Një pjese të Islamit autentik zanafillor duhet thënë lamtumirë, nga detyrimet dhe nga dhuna e legjitimuar. Që arabët gjithmonë të konsiderohet si viktima të Perëndimit, është kundërproduktive. Në këtë mënyrë çimentohet kultura viktimizuese. Kjo është pothuajse raciste. Dikush duhet të thyej akullin. Unë dua të jem njëri nga akullthyesit.

Perkthyer ne shqip nga Ibrahim Kelmendi

Burimi: Die Welt

4 COMMENTS

Comments are closed.