‘Dueli’ në Hagë, Hyseni: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme

0
42

REL, 01.12.2009

UPDATE – Ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, në paraqitjen e tij para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, fillimisht ka folur për pozitën në të cilën gjendet Kosova sot, për të ofruar, siç ka thënë, substancë të rëndësishme për këtë proces.

Në këtë kuadër, zoti Hyseni ka përmendur Kushtetutën e Kosovës, duke e cilësuar atë si një “Kushtetutë moderne, e cila reflekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave”.

Hyseni në Hagë

Zoti Hyseni ka përmendur edhe “ligjet e miratuara që mbulojnë fusha të rëndësishme të parashikuara në Planin Ahtisaari, sikurse është decentralizimi i qeverisjes lokale, mbrojtja e të drejtave të pakicave, dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare”.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Serbisë, dhe në të vërtetë përkundër presionit serb, serbët e Kosovës gjithnjë e më tepër po marrin pjesë në ndërtimin e institucioneve në Kosovë. Pajtimi ndërmjet të gjitha komuniteteve tona ka qenë prioriteti kryesor i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë zoti Hyseni. Ai ka folur edhe për zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, duke u thirrë në vlerësimet e misioneve vëzhguese, të cilat këtë proces e kanë cilësuar si të lirë, të drejtë dhe demokratike.

“Bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol vital në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, dhe në ofrimin e shpresës dhe perspektivës për popullin e Kosovës”, ka thënë ministri i jashtëm kosovar, duke nënvizuar këtu edhe anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

“Ne sot jemi në paqe, por sikur e dini, ka qenë një kohë kur gjendja në Kosovë ishte ndryshe. Kjo është dokumentuar mirë, përfshirë në vendimin e shkurtit të këtij viti të Tribunalit për ish-Jugosllavinë në rastin Milutinović. Ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë krimet kundër njerëzimit dhe terrorin që është ushtruar mbi popullin e Kosovës; gjëra të këtilla nuk duhet të përsëriten asnjëherë”, ka thënë ministri Hyseni, duke shprehur edhe përkushtimin dhe vendosmërinë për të shikuar drejt së ardhmes.

“Ne po ashtu shikojmë kah dita kur do të mund të zëmë vendin tonë si Anëtar i Kombeve të Bashkuara. Zotimet e shprehura në Deklaratën tonë të Pavarësisë dhe në Kushtetutën tonë, demonstrojnë vullnetin tonë për të marrë përgjegjësitë e këtij anëtarësimi”, ka vënë në pah zoti Hyseni.

Duke folur ndërkaq për kërkesat e Serbisë për negociata të mëtejshme për çështjen e statusit, ai i ka cilësuar ato si të pamundshme dhe të padobishme.

“Është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa- për të zhvilluar negociata të mëtejshme, rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese, dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon”, ka tërhequr vërejtjen ministri i jashtëm, për të nënvizuar se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë”.

Ai ia ka rikujtuar Gjykatës edhe faktin se më 2005, “ka pasur një pajtueshmëri të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare se status quo-ja në Kosovë ishte e paqëndrueshme”.

“Edhe pse për të gjetur një zgjidhje, ishte lëvizur çdo gur, populli i Kosovës duhej të ecte përpara. Mungesa e qartësisë për statusin e stagnonte ekonominë tonë, dekurajonte investimet ndërkombëtare dhe nuk na e lejonte qasjen për huamarrje në institucionet ndërkombëtare financiare”, tha Hyseni.

Pas dy dekadash izolimi, lufte dhe pasigurie politike, ka thënë ai, ishim të rraskapitur.

“Ata të cilët sot thërrasin për ripërtëritje të negociatave janë qoftë të pavetëdijshëm për situatën dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të gjetur konsensus ose, edhe më keq, kërkojnë aktivisht që të destabilizojnë rajonin”, ka thënë ministri kosovar.

Duke folur për vetë Deklaratën e Pavarësisë, të cilën zoti Hyseni e cilësoi si “manifestim dhe realizim të vullnetit politik të popullit të Kosovës”, ministri i jashtëm tha se nëpërmjet saj, “Kosova është e përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare” dhe “për parimet e demokracisë, sekularizmit, multi-etnicitetit dhe jo-diskriminimit”.

Në mbyllje të paraqitjes, ai tha se “pavarësisht vështirësive të së kaluarës, dhe vuajtjeve nëpër të cilat kaloi populli i Kosovës, ne ende dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë”.

Argumentet e Serbisë

“Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”, ka thënë përfaqësuesi i Serbisë, Dushan Batakoviq, në seancën dëgjimore në GJND, duke u thirrur vazhdimisht në Rezolutën 1244, që, sipas tij, “garanton integritetin territorial të Serbisë”.

Pikërisht në orën 10:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, në Hagë ka filluar seanca e parë dëgjimore rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Folësi i parë, pas hapjes zyrtare të seancës, ka qenë përfaqësuesi i Serbisë, Dushan Batakoviq, i cili tha se për organizatat ndërkombëtare, “veçanërisht kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë”, deklarata unilaterale e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, siç e cilësoi ai shpalljen e pavarësisë së Kosovës, “është një sfidë shumë e madhe”.

Ai tha se “ajo sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e integritetit territorial”.

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë rëndësi fundamentale jo vetëm për zhvillimet në Kosovës, por edhe për rendin ndërkombëtar, ka vënë në pah Batakoviq.

Ai e ka cilësuar edhe kësaj radhe Kosovën si “djep të Serbisë”, duke përsëritur kësisoj një formulim tashmë të njohur të Serbisë zyrtare. Sipas zotit Batakoviq, është pikërisht deklarata e pavarësisë ajo që i shndërroi serbët në Kosovë në një minoritet.

“Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”, ka thënë Batakoviq, për të shtuar se “megjithatë, Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën”.

Në të shumtën e kohës, Batakoviq është thirrur në Rezolutën 1244, që, sipas tij, “garanton integritetin territorial të Serbisë”.

Ai ka thënë se i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, dhe disa vende të caktuara “kanë bërë presion që pavarësia të imponohet si zgjidhje”.

Batakoviq, me këtë rast, ka akuzuar, siç ka thënë ai, “ekstremistët shqiptarë për krime, veçanërisht pas fushatës së bombardimeve në vitin 1999” dhe në këtë kuadër, ka përshkruar “kishat e rrënuara ortodokse serbe dhe zbrazjen e Prishtinës nga serbët”.

“Deklarata unilaterale e pavarësisë”, ka thënë Batakoviq, “është një përpjekje që t’i jepet fund administrimit të UNMIK-ut dhe sovranitetit të Serbisë në Kosovë”.

Në mbyllje, Batakoviq ka thënë se “Serbia është e bindur se kur GJND-ja të japë mendimin e vet këshillëdhënës, vetëm atëherë do të krijohen kushte për bisedime të reja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për statusin e Kosovës”.

Në favor të Serbisë ka folur edhe avokati Vladimir Gjeriq, duke përmendur aspektet procedurale dhe në këtë drejtim, sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të duhej të jepte mendimin këshillëdhënës në favor të Serbisë.

Gjeriq ka thënë se mendimi këshillëdhënës në këtë rast do të jetë në shërbim të rendit ndërkombëtar.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës nga, siç ka thënë ai, “organet e përkohshme të vetadministrimit në Kosovë, nën Rezolutën 1244 dhe në këto rrethana, nuk ka mundur të jetë legjitime”.

Mbrojtësi i radhës i argumenteve të Serbisë ishte eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Andreas Zimerman, i cili ka pohuar se “Rezoluta 1244 ka qenë garantuese e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë”.

Zimerman ka nënvizuar se “Rezoluta 1244 nënkupton që çdo zgjidhje të jetë e harmonizuar ndërmjet dy vendeve, pra Kosovës dhe Serbisë”.

Malkolm Shau ndërkaq, pjesëtar i ekipit të Serbisë, ka thënë se njohja e Kosovës nga vendet tjera është irelevante.

“Ajo që është e paligjshme nuk mund të konsiderohet si e ligjshme nga veprimet e palës së tretë”, u ka thënë ai gjyqtarëve, duke tërhequr vërejtjen se nëse mendimi i gjykatës shihet si dobësim i parimeve për të drejtat e një shtetit mbi tërësinë territoriale, “atëherë do të jetë burim i konsiderueshëm i nervozizmit për vendet tjera që përballen me lëvizje secesioniste”.

Sidoqoftë, rreth orës 13:00 përfundon treorëshi i Serbisë dhe në orën 15:00 Kosova do të bëjë prezantimin e qëndrimit të saj.

Fjalën hyrëse do ta paraqesë ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.

Në një takim me gazetarët, ministri Hyseni tha se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të rikonfirmojë pavarësinë e Kosovës.

“Ajo që dëgjuam ishte vetëm rikonfirmim i së drejtës së rastit të Kosovës dhe të pavarësisë së Kosovës”, u tha ai gazetarëve në Hagë, pasi Serbia e paraqiti fjalën e saj.

Më tutje, zoti Hyseni theksoi se Kosova ka besim të plotë në gjykatë dhe në vendimet e saj.

“Ne jemi të sigurt se gjykata në fund do ta rikonfirmojë vullnetin e Kosovës për të qenë e pavarur dhe vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, tha Hyseni.

Hagë, Kosova përballet me Serbinë

Çështja e legjitimitet të shpalljes së pavarësisë së Kosovë fillon sot shqyrtimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Procedimet do të fillojnë me seanca dëgjimore me argumente pro dhe kundër shpalljes së pavarësisë, të cilat pritet të zgjasin 10 ditë.

Në seancat dëgjimore, të dyja palët edhe Kosova, edhe Serbia pritet të ofrojnë argumentet e tyre për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Fillimisht në orët e mëngjesit, autoritetet e Serbisë, do të kenë tri orë për të paraqitur rastin e tyre para Gjykatës.

Ndërkohë pasdite zyrtarët e Kosovës, do të kenë po aq kohë për të ofruar qëndrimin e tyre për pavarësinë.

Mbi 30 vende të botës, kanë paraqitur kërkesat e tyre për të ofruar argumentet për dhe kundër ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nga të cilat një numër më i madh në favor të Prishtinës zyrtare.

Argumente pro e kundër

Autoritetet në Beograd kanë deklaruar se e drejta ndërkombëtare dhe drejtësia qëndron në anën e tyre dhe e kanë cilësuar gjykimin në Hagë si “betejën më të rëndësishme juridike dhe diplomatike në luftë për Kosovën”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq tha të hënën se Serbia priste ‘një betejë të gjatë e të vështirë’ në procesin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në GJND.

“Beteja do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por ne kemi të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin në anën tonë,” citohet të ketë thënë Jeremiq.

Por udhëheqës politikë të Kosovës thonë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk mund të marrë një vendim që do të binte ndesh me vullnetin politik të popullit të Kosovës.

Sipas tyre e drejta qëndron në anën e Prishtinës, e cila, thonë ata, do të arrijë të argumentojë se ajo nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e Serbisë.

Të dyja palët kanë dorëzuar të shkruara argumentet për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në afatin përfundimtar në korrik të këtij viti.

Seancat dëgjimore do të zgjasin deri në 11 dhjetor, megjithëse rasti i Kosovës përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë thuhet se do të mund të shqyrtohet për muaj të tërë.

Një vendim i Gjykatës që do të përligjte pavarësinë e Kosovës, do të mund të çonte drejt njohjeve të reja, megjithëse deri tani janë 63 shtete që e kanë pranuar Kosovën si shtet.

Por autoritetet serbe thonë se në rast të një vendimi në favor të Serbisë, ata do të ishin gatshëm për një raund të ri negociatash për të gjetur një zgjidhje që do të ishte e pranueshme nga të dyja palët.

Kërkesë nga 30 shtete

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, por ajo u kundërshtua fuqishëm nga Serbia dhe një pjesë e serbëve të Kosovës.

Kërkesa për të marrë një mendim këshillëdhënës për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bë nga Serbia në shtator të vitit 2008 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila e votoi me shumicë të thjeshtë Rezolutën serbe.

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ndërkaq, në ditën e dytë të seancës dëgjimore, pritet që argumentet e tyre në favor të Kosovës t’i paraqesin Shqipëria dhe Gjermania.

Të 30 shtetet që kanë shfaqur interesimin për të paraqitur fjalën në Gjykatë do të kenë nga 45 minuta dhe sipas orarit nga fundi.

Po në të njëjtën ditë, do të paraqesin argumentet e tyre SHBA-ja dhe Rusia, një në favor të Kosovës e tjetra kundër saj.

* * *

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, fillon seancat dëgjimore në kuadër të procesit të interpretimit juridik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ky proces ishte iniciuar nga Serbia dhe miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Pas deklaratave me shkrim të palëve në proces, tani, për 10 ditë rresht, pasojnë seancat dëgjimore, ku Serbia, si iniciuese, dhe Kosova, si palë që mbron të drejtën e saj për pavarësi, bashkë me vendet e paraqitura në këtë proces, do t’i ballafaqojnë argumentet e tyre.

Zëdhënësja e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Albana Beqiri, tha se Kosova beson në paanësinë e GJND-së dhe beson në të drejtën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi, kështu që i fillon paraqitjet në Hagë me optimizëm për interpretim në favor të Kosovës.

“Kosova do t’i ketë nesër 3 orët e veta dhe prezantimi i Kosovës do të fillojë në ora 3 pasdite. Fjalën hyrëse do ta mbajë ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, i cili është edhe kryesues i delegacionit të Kosovës”.

“Pas fjalëve të tij, Kosova do të prezantohet nga ekspertët dhe këshilltarët ndërkombëtarë, Majkëll Vud, Daniel Myller dhe Shën Marfi. Pas ditës së nesërme deri më 11 dhjetor do të ketë dëgjime, deklarata të shteteve, të cilat janë pro apo kundër pavarësisë së Kosovës”, theksoi Beqiri.

Ndërkohë, analisti Driton Lajçi, ndonëse shprehu bindjen e tij personale se finalja e këtij procesi do të duhej të ishte pozitive për Kosovën, megjithatë tha se gjasat për Kosovën dhe Serbinë që të nxjerrin një mendim pozitiv këshillëdhënës nga GJND-ja, janë të barabarta.

“Po qe se duam të jemi realistë, gjasat janë 50 me 50, për faktin se edhe tabori i gjyqtarëve prej vendeve nga vijnë duket se është i ndarë: janë gjyqtarë që vijnë nga vendet që e kanë njohur Kosovën dhe gjyqtarë nga vende që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran”.

“Ka shumë situata tjera, të cilat ndikojnë në bindjen e gjyqtarëve, edhe pse, në parim, gjyqtarët do të duhej të ishin të pavarur dhe t’i marrin në konsideratë argumentet e palëve që do t’i prezantojnë të dyja palët”, tha Lajçi.

Efektet që mund t’i ketë mendimi këshillëdhënës i GJND-së për Kosovën, sipas Lajçit, do të reflektohen në procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare. Andaj, sipas tij, është shumë e rëndësishme që Kosova ta fitojë betejën juridike për pavarësinë e saj në GJND.

“Bazuar në parimin e ndarjes së drejtësisë dhe vendimmarrjes së Kombeve të Bashkuara, do t’i kënaqë të dyja palët dhe secila palë do ta gjejë veten fituese aty apo humbëse”.

“Është shumë me rëndësi që GJND-ja të mos marrë vendim negativ sa i përket ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, sepse kjo do të kishte efekt, refleksion tek ato vende, të cilat e kanë pezulluar procesin e njohjes së Kosovës me argumentin e pritjes së opinionit që duhet të japë GJND-ja”, tha Lajçi.

Gjatë seancave dëgjimore, e para pritet të flasë Serbia si palë iniciuese e procesit, kurse më pas, argumentet pro-pavarësisë dhe shpalljes së këtij akti në harmoni me të drejtën ndërkombëtare do t’i paraqesë Kosova. Të dyja palët do të kenë në dispozicion nga 3 orë.

Gjithashtu, për seancat dëgjimore janë paraqitur edhe 29 shtete, prej tyre 15 në favor të pavarësisë së Kosovës dhe 14 në anën e Serbisë.

Seancat dëgjimore pritet të zgjasin deri më 11 dhjetor. Ndërkaq, mendimi këshillëdhënës i GJND-së rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës konform së drejtës ndërkombëtare, sipas Prishtinës, besohet se mund të pritet diku në pranverën e vitit 2010.