Duel në distancë mes Tom Doshit e Berishës (Junior)

0
39

ResPublica.al, 30 maj 2013

Tom Doshi, që nuk është shquar për profil të lartë e të bujshëm publik, ka nxjerrë shpatën nga milli, dhe ka sulmuar si asnjëherë tjetër. Ka sulmuar Berishën, duke e quajtur punëmarrës të të birit. “Ndërsa Berisha thotë përpara, Shkëlzeni merr koncesionet, ndërsa Berisha thotë përpara, Shkëlzeni merr tokat në bregdet”, tha Doshi pastaj në një takim në qarkun e vet elektoral, ku ish i pranishëm dhe Edi Rama.

Por me të birin e kryeministrit, që ai e quan Zeni, nuk mbaron këtu: “Sa herë Zeni kishte nevojë për lekë, qeveria bllokonte Rezart Taçin dhe ai shkonte e paguante gjobën tek Shkëlzeni”. Ndërsa për Topallin tha: “Ndërkohë që Shkodra përmbytet, ajo ngre vila”.

Ka reaguar i biri i kryeministrit pas kësaj, dhe bëri me dije se ai i ka fituar të gjitha gjyqet me kundërshtarët e tij. Më tej vijon deklarata që në stil e në fraza u ngjan shumë deklaratave të të atit: “Të njëjtin fat do të kenë edhe këto akuza të ambalazhuara nga Rama dhe të mbllaçitura nga goja e ordinerit Tom Boshi, që Shkodra dhe e gjithë Shqipëria e njohin si deputeti që ka diplomë universiteti, por i mungon ajo e shkollës tetëvjeçare. Shqiptarët kuptuan sot cila është rilindja e Edi Ramës. Një rilindje që për orator ka doshët, kokëdhimët dhe skenarist Edi Boshin”.

E pastaj i drejtohet Ramës: “Duke ia lënë përballjen me shpifjet drejtësisë, e ftoj Mr. 20 përqindëshin që së bashku me premtimin për t’i falur gjobat bizneseve të Koçove dhe Doshëve, të mbajë premtimin për t’i shpjeguar opinionit se me çfarë parash është ndërtuar pallati pesëkatësh i gruas së tij në sheshin mes pallateve, apartamentet e shumta në emër të saj, si dhe sarajet e tij qindar – mijëra euro në malin e Dajtit”.

Re.Pu.