Duartrokitjet e Berishës

0
22

Nga Ahmet Kelmendi

Degradimi i një pushteti matet me shkallën e anekdotave që fillojnë të tregohen për jetën nën atë pushtet. Kjo shprehje e Çurçillit kishte shtyrë një nga penat e forta të humorit shqiptar P. B., që, kur u kurorëzua kryeministër Berisha, të qarkullonte me zë të ulët anekdotën e mëposhtme: Doni të dini se si do jetë gjendja morale e popullit shqiptar brenda një kohe të shkurtër me Berishën kryeministër? Kjo ilustrohet shkëlqyeshëm me ndodhinë anekdotike të Musolinit. Një mbrëmje, i mërzitur nga qëndrimi brenda mureve të shtëpisë, Musolini veshi një pallto të gjatë dopiopet, ngjeshi një kapele në kokë dhe me fytyrën e fshehur nën jakën e ngritur të palltos doli i pashoqëruar përgjatë rrugëve të Romës. I ndodhur përpara një kinemaje, i lindi dëshira që të shikonte një film, i ulur mes njerëzve si i panjohur. Bleu biletën dhe u rehatua më pas në një karrige nga mesi i sallës. Filmi fillonte me një dokumentar lajmesh nga jeta e përditshme dhe natyrisht lajmi ishte sigurisht ai vetë, Musolini.

I hipur në makinë, i hipur në kalë, gjithmonë ai duke ecur në këmbë, duke ngjitur shkallët e një kështjelle, duke ecur përgjatë mureve të Romës antike, njëherë i veshur sportiv, njëherë me kostum, njëherë me frak, njëherë duke u larë në det, mbas detit në ngjitje alpinistike në mal, herë tjetër hipur në një aeroplan, njëherë tjetër hipur në një motoskaf dhe pas një ekspozite pikture merrte pjesë në një takim shkrimtarësh. Në sekuencat e tjera Musolini që kalonte në revistë trupat fashiste para nisjes në luftë, me veshje minatori priste shiritin e kalimit të një tuneli, inauguronte një monument, më tej kryesonte një kongres filozofësh, vinte më pas një shtrëngim duarsh me një kardinal, me një gotë verë në dorë mes gazetarësh, vizitonte pastaj një repart ushtarak, priste shiritin e një rruge të përmasave të kohës, ngjitej krenar në pallatin e parlamentit, mbante një fjalim, mbante një të dytë pas pushimit, vazhdonte me një të tretë, e kështu në pafundësi.

Porsa në fillim të dokumentarit u shfaq Duçja në ekran, gjithë spektatorët u ngritën në këmbë dhe filluan të duartrokasin me brohoritma për Musolinin. Vetëm Duçja nuk ishte mësuar që të ngrihej në këmbë në nderim të vetes, prandaj qetësisht qëndronte i ulur. Një mesoburrë i ngritur në këmbë përbri Duçes, i tronditur nga qetësia e njeriut të ulur pranë, përkuli trupin dhe i pëshpëriti te veshi: “Më fal zotëri, edhe unë mendoj ashtu si ty, por është më mirë që të ngrihesh në këmbë, sa pa të rrëmbyer për leckash këmishëzinjtë e atij.”

Pak pas zgjedhjes së Berishës kryeministër edhe populli shqiptar do fillojë të mendojë njësoj si ky mesoburrë përbri Duçes në kinemanë e Romës. Njësoj si ai do ngrihet në këmbë dhe do përplasë fort duart, porsa të shfaqet Berisha në rrjetet televizive.

Do përsërisë në kor shprehjen e parapëlqyer nga të verbrit me sy hapur: Berisha sigurisht është burrë shteti i madh. Në qoftë se për njeri të madh nënkuptohet një i tillë si Sali Berisha.