
Nga Mero Baze
Shumica parlamentare e kryeministrit Sali Berisha u poshtërua publikisht të dielën në mbrëmje në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e thirrur për të nënshkruar luftën ndaj gjithë pushteteve të tjera në vend, ndaj atij gjyqësor, Presidentit dhe medies së lirë. Nuk dua të ndalem tek hapat e shpejtë me të cilat Sali Berisha po përpiqet të ringjallë kronologjinë e vitit 1997.
Nuk ka nevojë as të komentoj çmenduritë e tij kundër kryeprokurores, kryetarit të shërbimit informativ, presidentit dhe gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet e 21 Janarit. Dua të ndalem tek një detaj tronditës nga seanca e jashtëzakonshme, e cila tregon shumë sa poshtë ka rënë dinjiteti i një deputeti të zakonshëm shqiptar. Ishte momenti kur fliste Ilir Meta, njeriu për bllokun e ryshfeteve të të cilit po digjet Shqipëria.
Për miliona shqiptarë në atë kohë ai që fliste ishte një fytyrë e urryer, një hajdut perfekt i kapur me presh në duar duke bërë pazare për miliona në zyrat e shtetit shqiptar. Për miliona shqiptarë të majtë e të djathtë, kur flet privatisht, ai është një njeri që nuk duhet të ketë më vend, jo më në politikën shqiptare dhe në pushtet, por as në radhët e qytetarëve të lirë. E pra, të dielën në mbrëmje nuk më kishte shkuar mendja se ekzistonte një copë toke në Shqipëri ku ky njeri nuk urrehej si hajdut, por duartrokitej si hero.
Ajo ishte gjysma e territorit të sallës së Kuvendit të Shqipërisë, në pjesën ku ulen deputetët e Partisë Demokratike. Ilir Meta fliste dhe hakërrehej ndaj liderit të opozitës, e mallkonte atë bashke më të gjallët dhe të vdekurit e tij, dhe rreth 70 burra e gra të pafytyrë, pa emër e pa dinjitet e duartrokisnin. Kam kohë që kur takoj demokratë apo socialistë kam vetëm një pikë të përbashkët me ta, që Ilir Meta është hajdut.
Kam kohë që takoj deputetë të PD-së, që privatisht të thonë se po bëhen kurban për kokën e Ilir Metës. Kam kohë që nuk gjej njeri në këtë vend të mbroj atë që ka bërë ky zyrtar me paret e qytetarëve shqiptarë. Por të dielën në mbrëmje kam parë diçka që nuk do ta harroj kurrë. Në një sallë gjysëm të mbushur, deputetët e partisë më të madhe në pushtet, partisë e cila ka përmbysur komunizmin dhe ka një shpresë për miliona shqiptarë, ishin zvogëluar nga tmerri i asaj që po ndodhte dhe të strukur në karriget e tyre prisnin tu nxirrte frikën një njeri, Ilir Meta.
Një parti e madhe, dinjitoze, një parti që ka bërë histori në këtë vend, ishte katandisur të dielën në mbrëmje në një çetë frikacake që priste t’i nxirrte frikën zëvendës-kryehajduti i Shqipërisë. Duartrokitjet e tyre atë mbasdite të diele, do të kujtohen gjatë në historinë e politikës shqiptare, si poshtërim i parlamentarizmit. Rrallëherë deputetët e një parlamenti të lirë mund të duartrokasin. Duartrokitjet e deputetëve ishte një gjest i parlamentit komunist, që njoftonte hyrjen në sallë të Enver Hoxhës apo fillimin dhe fundin e fjalimit të tij.
Pas 20 vjetësh në sallën e atij Kuvendi duartrokitjet u kthyen fatkeqësisht nga partia që ka përmbysur komunizmin, për një figurinë që tashmë ka përfunduar në koshin e plehrave të historisë si hajdut. Unë nuk e di ç’do të thonë nesër ata deputetë kur të jenë njerëz të lirë, por di të them se çdo demokrat i ndershëm shqiptar të dielën në mbrëmje është ndjerë i turpëruar nga duartrokitjet e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur për Ilir Metën. PD ka plot probleme të saj. Ka të gjallët dhe të vdekurit e saj, ka dështimet dhe sukseset e saj.
Është e turpshme që në vitin 2011 ajo të ketë vetëm një hero, për të cilën është gati të fusë Shqipërinë në luftë, Ilir Metën. Nuk di si ndjehen ato familje demokratësh që Ilir Meta u ka vrarë djemtë në Komisariatin e Tropojës, pasi shpresoj që ato nuk janë të pacipa si Familja Berisha që e ha turpin me bukë. Nuk di si ndjehen ata deputetë që kanë qenë të dielën në mbrëmje të detyruar të duartrokasin Ilir Metën, pasi nuk besoj se ata janë pjesë e vjedhjeve dhe plaçkitjes së vendit si familja Meta dhe Berisha.
Nuk di si ndjehen ata mijëra demokratë që shkojnë tashmë si hero të tyre Ilir Metën dhe si armiq të vendit të tyre Presidentin, Kryeprokurore, Kryetarin e SHIK, ambasadorët e huaj, medien e lirë dhe gjithkënd tjetër që kërkon dënimin e hajdutëve dhe vrasësve në këtë vend. Di të them se ky vend kurrë nuk ka qenë më i poshtëruar nga një hajdut, siç është sot. Di të them se ky vend kurrë nuk ka qenë në prag të një grushti shteti siç është sot, kur kryeministri i ka shpallur luftë gjithë institucioneve.
Di të them se ky vend nuk ka qenë prej 1997 kurrë më afër se sot në prag të luftës civile dhe vëllavrasjes. Dhe kur mendon se e gjitha kjo po ndodh vetëm për shkak të bllokut të Ilir Metës, ku është gdhendur axhenda e hajdutërisë dhe plaçkitjes së këtij vendi, e kupton pse duartrokitjet e shumicës në Kuvend për këtë kufomë, ndajnë Shqipërinë normale dhe dinjitoze, nga një pakicë në pushtet e poshtëruar nga Familja Berisha Meta.
Shumë njerëz ishin tronditur nga fakti se deputetët duartrokisnin ditën që në tokë u përcollën tri kufoma. Edhe pse e rëndë, kjo gjë nuk më trondit kur e bëjnë ata që kanë vrarë me gjakftohtësi. Unë u trondita më shumë nga fakti që ata duartrokisnin Kufomën e politikës shqiptare që është gjallë. Ky është fundi i PD-së.







