Duart e lidhura të Sali Berishës!

0
35

Nga Mero Baze, 5 Prill 2013

Të gjithë ata që bëjnë llogari matematikore me votat pas koalicionit LSI – PS, gabohen kur e llogarisin atë si faktorin kryesor të mposhtjes së Sali Berishës në këto zgjedhje. LSI nuk është as siguri matematikore dhe as siguri politike për ndryshimin e pushtetit. Në vitin 2009 ajo mori votat e së majtës, biles asaj ekstreme, dhe ato vota nuk i ka më. Në zgjedhjet e vitit 2011, Partia Demokratike e pompoi atë me vota këshilltarësh dhe të punësuarish për të fshehur efektin e defaktorizimit të saj, por ajo u tradhtua në pafuqinë e saj në gjithë bashkitë apo komunat ku PD vuri kandidatin e LSI si të përbashkët, duke i humbur të gjitha ato.

Në këto rrethana ajo që kishte nevojë për aleancën me Partinë Socialiste nuk ishte kjo parti, por LSI, e cila është e mbushur në strukturat e saj në rrethe me ish- njerëz të PD-së, për të cilët nuk jam shumë i sigurt për kë do të votojnë më 23 qershor.

Ajo që shton vota në aleanca të tilla politike, nuk janë shifrat që statisticienët i eksportojnë nga një palë zgjedhje në tjetrën, por fryma. Partisë Socialiste ia shtonte frymën një koalicion i madh opozitar, ia shtonte përfshirja e AK apo FRD, ia shtonte bashkimi i elementëve cilësorë nga shoqëria civile apo elementë të tjerë opozitarë. LSI, siç u pa, nuk formon frymë dhe kam frikë se nuk bie realisht as numra votuesish me vete, përveçse mund të shërbejë si pritë për mosrrjedhje votash të majta, të paintegruara dot nën lidershipin e Edi Ramës.

Por ajo që dukshëm do të rrëzojë Sali Berishën nga pushteti, më shumë se ikja e LSI, është pafuqia e Sali Berishës për t’u zgjeruar dhe për të bërë aleanca me forca të tjera politike. Nëse Partia Demokratike do të ishte parti normale dhe do ta kishte vërtet “aksident” aleancën me LSI, ajo sot mund të zgjerohej menjëherë me FRD, ose mund t’i bënte ftesë Aleancës Kuq e Zi, etj. Por Berisha nuk e bën dot, pasi ai është shkaku i krijimit të këtyre partive të reja. Ai që nuk pati problem të merrte një parti të majtë si LSI, një parti komuniste si e Hysni Milloshit, një parti të majtë si Agrarja e Xhuvelit, apo liberale si e Cekës, ai e ka të pamundur të thërrasë në aleancë me të ish- nënkryetarin e partisë së tij dhe një ish- zyrtar të tij të lartë në sistemin e drejtësisë, siç është Spahiu, vetëm pse ata rrezikojnë pushtetin e tij personal.

Lëvizja e fortë e LSI drejt PS, e cila shkaktoi tërmet tek majta dhe për shkak të mënyrës jo transparente se si ndodhi, nuk gjen dot kundërpërgjigje nga Sali Berisha, pasi ai i ka duart e lidhura për të vepruar. Nëse ai do të ishte njeri i lirë dhe nuk do të kishte pasion karrigen e tij, por të ardhmen e PD-së, ai duhet të jepte dorëheqje për dështimin e koalicionit qeverisës ditën që iku LSI, dhe jo të rimbante mandatin me vota të blera nga socialistë të mërzitur.

Nëse ai do ta bënte këtë, nëse ai do t’i përmbahej deklaratës që ka bërë në vitin 2009 se nëse LSI nuk do t’i përgjigjej thirrjes për qeveri, ai do të ikte në shtëpi, atëherë ai mund të prodhonte një histori të re më 1 prill të vitit 2013, pasi mund të çlironte energji të reja nga e djathta dhe të eklipsonte dështimin e koalicionit me LSI. Një deklaratë e tij për të mos qenë më kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike, dhe një hapje rruge për lidership të ri të PD-së, mund ta vinte seriozisht në rrezik fitoren e pritshme të opozitës më 23 qershor, pasi PD do të demonstronte që LSI ka qenë pjesë e problemit të saj dhe jo shpëtimi i saj.

Por Sali Berisha nuk e bën dot këtë. Demokratët e traumatizuar në çdo cep të Shqipërisë, e ndjejnë qysh sot se më 23 qershor do të ikin nga pushteti, jo se LSI iku me PS, por se kryetari i tyre do më shumë karrigen e tij, se sa atë që ata gabimisht e quajnë parti të tyre.

Opozita do të vijë në pushtet nga pafuqia e Sali Berishës për të prodhuar diçka të re në politikën shqiptare, dhe akoma më keq, në të djathtën shqiptare. Ai duket se po bën gjithçka të duket i ndryshuar, thërret Eduard Selamin nga SHBA, por nuk ndalon dot Topallin ta lërë jashtë qeverisë, thërret Halim Kosovën dhe Visar Zhitin që janë vërtetë emra cilësorë, por nuk ndalon dot riciklimin e një idioti, siç e quan vetë Aldo Bumçin, vetëm që të mos i rrezikojë të ardhmen në PD enturazhit të tij të afërt. Ai është i dënuar të çojë partinë e tij në opozitë, jo se nuk ka emra cilësorë në PD, jo se nuk ka ministra apo intelektualë të zotë, por se ajo parti është e vetmja hipotekë që mbron zullumet e pushtetit të familjes së tij.

Sali Berisha do ta çojë Partinë Demokratike në opozitë, pasi ai nuk ka fuqi të mbledhë në thesin e saj votat e djathta, që janë kundër tij, dhe jo kundër Partisë Demokratike. Çdo kryetar tjetër PD-je në këtë moment, biles edhe Lulëzim Basha që është i paaftë, apo Eduard Selami që ka 16 vjet larguar, mund ta kishte rrezikuar opozitën me traumën e bashkimit jotransparent me LSI. Por Sali Berisha është garanti i përçarjes të së djathtës, një arsye themelore përse e majta do të vijë në pushtet. Duart e lidhura të tij, që nuk ia shtrin dot atyre që i kanë dalë përballë, dhe as ua zgjat dot në shenjë lamtumire atyre që ka përreth, janë arsyeja përse ai do të ikë. Nuk ka fuqinë e duhur të marrë vendime për veten e vet. Siç ndodh rëndom me çdo regjim.