Dritëro Agolli: PS-në nuk e çajnë dot më

0
34

Dritëro Agolli

Fejzi Braushi, 08.02.2010

Në këtë pjesë të dytë të intervistës së tij, Dritëro Agolli flet për akuzat e mazhorancës kundrejt deputetëve të rinj të PS-së, Lëvizjen për Mendim Ndryshe si dhe për të ardhmen e partisë Socialiste.

(Pjesa e dyte)

Realisht zoti Agolli si ndiheni kur dëgjoni gjuhën që përdor mazhoranca kundër deputetëve të rijnë të opozitës, ku i ka cilësuar ashtu siç edhe e evidentuat edhe ju vetë më lartë, si bijtë e bllokmenëve… etj?
Janë akuza të ulëta dhe të pabaza. Ata që sot konsiderohen si djem bllokmenësh nuk janë të tillë, pasi prindërit e tyre nuk kanë qenë bllokmenë. Ata qenë funksionarë të mesëm të atij pushteti, si sekretar dhe kryesisht intelektualë. Përshembull Hamit Beqja, i ati i Ilir Beqes, ishte një nga figurat më të rëndësishme, pasi ishte diplomat, akademik, ka dhënë kontribut të madh me librat e tij për psikologjinë dhe didaktikën. Ai ishte një nëpunës që shkoi në Komitet Qendror dhe shumë shpejt e hoqën prej aty dhe e çuan në Durrës me punë. Po kështu Sul Bushati ishte një sekretar partie, një njeri i ndershëm, apo Kristaq Rama, i cili ishte një nga skulptorët tanë më të mëdhenj dhe që ne sot falemi atje tek monumenti “Nënë Shqipëri” ose në Vlorë. Ai bëri një gabim kur ishte në atë gjyq kolektiv, për të cilin ai bëhet me faj. Në të tilla procese duhet ta hidhje firmën edhe pa e parë fare personin, ishe i detyruar. Po t’i zëmë një më një të gjithë e kanë hedhur firmën në rast se kanë qenë në gjyqe të tilla edhe ata që thonë jo. Mund të mos kenë hedhur për një njeri që ka qenë në forumet e larta, por kanë hedhur firmën për njerëz të thjeshtë në mëhallë, që dikush të izolohet apo internohet.

Kështu, që një gabim nuk duhet të hedhë gjithçka poshtë, prandaj nuk duhet të nisemi nga një gabim, por të shohim gjënë në kompleksitet. Ministri i Kulturës i kohës së Leninit, Llunaçarski, ishte kritik dhe një nga njerëzit më të kulturuar të asaj kohe jo vetëm të Rusisë, por në Evropë. Para revolucionit ai shkroi një libër bashkë me një autor tjetër Bogdanov, ku theksohej nevoja për krijimin e një perëndie, si një mënyrë për të bërë masat e gjera për vete të cilat besonin shumë. Për të mos krijuar përshtypjen se ishin kundra fesë apo besimit dy autorët evidentonin nevojën për të krijuar një perëndi. Lenini i kritikoi për këtë qëndrim, duke i thënë se nuk duhet t’i gënjenin njerëzit se ata ishin ateistë dhe nuk ishin besimtarë. Kur fitoi revolucioni, Llunaçarski u bë ministër dhe ai organizoi një mbledhje për të shpjeguar perspektivat e kulturës ruse. Aty u ngrit një prift dhe i citoi librin e tij duke i thënë: ja si je shprehur ti, para se të bëheshe ministër, për perëndinë, duke kërkuar në të njëjtën kohë mendimin e tij se si e kuptonte atë që kishte thënë atëherë para revolucionit. Ky iu përgjigj disa pyetjeve që i bënë të tjerët, por jo pyetjes së priftit. Kur po iknin nga salla kthehet dhe i thotë priftit, mirë më ka thënë Lenini, që do të vij një kohë që një prift mizerabël do të citojë këtë që ke shkruar.

Domethënë, edhe këtu ka ardhur koha që t’i kujtojnë kundërshtarit ato që mund të ketë bërë më përpara në rini apo në jetën e tij private në një moment të caktuar. Kështu është edhe puna e Edi Ramës që i kujtojnë sot me deklaratat kundër veteranëve, kundër luftës nacionalçlirimtare, përveç atyre ndodhive të tjerave nëpër plazhe. Prandaj është mirë që këto gjëra t’i evitosh se do vijë një ditë, që do t’i kujtojnë, siç janë sharjet që kemi dëgjuar këto kohë me babë, me nënë, me motër e me të gjitha. Motra jote ka qenë kurvë, nëna jote po ashtu, ti nuk je as burrë e as femër, ti mund të jesh i tredhur… Prandaj Evropa thotë se s’kemi parë asnjë vend në botë, që të bëjë kaq sharje. Edi Rama vet është i ri dhe nuk ka qenë një njeri, që ka qenë në sferat komuniste.

Madje ne e dimë mirë se ai në fillim nuk ka qenë me socialistët. Edhe Sali Berisha ka qenë komunistë, më vonë tradhtoi atë klasë dhe u bë udhëheqës në lëvizjet demokratike. Kjo s’ka asgjë, se dikush do ta udhëhiqte, pasi nuk mund ta udhëhiqnin hamejtë, por njerëzit që kishin pasur mundësi të studionin. Prandaj nuk është çudi që këto lëvizje demokratike ti udhëhiqte një njeri që vinte nga shtresat komuniste. Madje mund të ishte edhe anëtarë i forumeve të larta drejtuese, siç ndodhi në Poloni. Por në thelb ajo që dua të them është se nuk duhet të gjykohen njerëzit se babai i tyre ka qenë komunistë apo se ai ka bërë një gabim në të shkuarën. Kjo ka qenë filozofi e komunizmit, që të gjykonte nëse kishe pasur deri në rreth të tretë njerëz me Ballin.

Ju u shprehet pak më lart se po të ishit vet deputetë nuk do ta kishit zgjatur kaq shumë bojkotin, por do ishit futur në Kuvend. Me këtë e justifikoni vendimin që kanë marrë pesë deputetët socialistë, të njohur si përfaqësues të Lëvizjes për Mendim Ndryshe (LMN), si Blushi, Islami, Malaj etj, për të thyer bojkotin para se të skadojë afati kushtetues?

Mendoj se këta deputetë duhet të prisnin dhe të mos i bënin publike qëndrimet e tyre kundërshtues nëpër media, sepse dashur pa dashur ata veçohen nga një forcë politike që kërkon diçka tjetër. Ata mund ta bënin pak më vonë të ditur në media këtë propagandë, pasi më parë duhet të luftonin brenda strukturave të partisë. Në forume ata duhet të ngrinin shqetësimin që ata kanë në raport me vendimin e partisë, por jo të dilnin nëpër media dhe të bënin këto deklarata të prera. Aq më shumë që të shkonin edhe në Bruksel dhe tu thoshin të huajve se ne jemi kundër qëndrimeve të partisë. Prandaj dua të them se duhet të jenë njerëz më të përmbajtur.

A po rrezikon Partia Socialiste një çarje të re me këtë lëvizje. Pasi në rast se këta pesë deputetë do futen në Kuvend duke thyer vendimin e strukturave të partisë, natyrisht mbi ta do të zbatohet statuti, ç’ka do të thotë përjashtim?
Çarje të re nuk besoj se mund të ndodh. E kanë provuar edhe të tjerët ta çajnë Partinë Socialiste, dhe përveç LSI-së nuk ka mundur kush dot tjetër t’ia arrijë këtij qëllimi. U mundua ta çajë dhe Petro Koçi, por nuk bëri dot gjë me atë çarje. Dhe këta besoj se nuk mund ta çajnë dot PS-në. Një fenomen i tillë është provuar më parë edhe në krahun e djathtë, ku u munduan të çajnë PD-në, duke krijuar disa forca politike të tjera, por që në fund arritën pa asnjë deputetë. Domethënë dua të them se që të bësh një çarje të tillë duhet të jesh shumë i fortë. Megjithatë unë dua të them se Partia Socialiste është karakterizuar gjithmonë nga fraksionet, gjithmonë në të ka pasur zëra kundër, por kjo nuk besoj se i bënë dëm asaj.

Si e shihni të ardhmen e opozitës në përgjithësi, dhe të PS-së në veçanti, pasi duke u nisur nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit ajo do ta ketë të vështirë për të ardhur në pushtet të paktën për aq kohë sa LSI-ja do të qëndrojë në aleancë me PD-në?

Mendoj se e majta që në thelb është Partia Socialiste gjithmonë do të jetë e suksesshme. Në qoftë se nuk mundi të vijë në pushtet në këto zgjedhje do vijë me të tjerat. Kështu ndodh gjithmonë këmbimi i pushtetit. Por ajo që është e rëndësishme është se e ardhmja e PS-së nuk cenohet sido që të lëvizin partitë e tjera në skenën politike. Kjo sepse kjo forcë ka mbështetjen e popullit të thjeshtë i cili është tepër i varfër. Veçse ajo duhet të ketë një program politikë dhe qeverisës më të mirë ku të dallohet qartë se cilit i shërben, çfarë shtresash shoqërore mbron etje. Po të thuash se s’ka as të majtë dhe as të djathtë zëre se s’ke thënë asgjë për qytetarët dhe për mbështetësit e tu, sepse dihet që partitë e djathta mbrojnë biznesmenët e mëdhenj, pavarësisht se kjo nuk do të thotë që ata nuk mbrojnë interesat e shtresave të tjera, por ajo që duhet të bëjë PS-ja është që në programin e saj të jap zgjidhje për problemet që shqetësojnë kryesisht shtresat sociale, që siç edhe dihet janë dhe mbështetësit më të mëdhenj të së majtës.

Për akuzat
“Në të tilla procese duhet ta hidhje firmën edhe pa e parë fare personin, ishe i detyruar. Po t’i zëmë një më një të gjithë e kanë hedhur firmën në rast se kanë qenë në gjyqe të tilla edhe ata që thonë jo. Mund të mos kenë hedhur për një njeri që ka qenë në forumet e larta, por kanë hedhur firmën për njerëz të thjeshtë në mëhallë, që dikush të izolohet apo internohet. Kështu, që një gabim nuk duhet të hedh gjithçka poshtë, prandaj nuk duhet të nisemi nga një gabim, por të shohim gjënë në kompleksitet”

Për çarjen e PS
“Çarje të re nuk besoj se mund të ndodh. E kanë provuar edhe të tjerët ta çajnë Partinë Socialiste, dhe përveç LSI-së nuk ka mundur kush dot tjetër t’ia arrijë këtij qëllimi. U mundua ta çajë dhe Petro Koçi, por nuk bëri dot gjë me atë çarje. Dhe këta besoj se nuk mund ta çajnë dot PS-në. Një fenomen i tillë është provuar më parë edhe në krahun e djathtë, ku u munduan të çajnë PD-në dhe duke krijuar disa forca politike të tjera, por që në fund arritën pa asnjë deputetë. Domethënë dua të them se që të bësh një çarje të tillë duhet të jesh shumë i fortë”

Për LMN-në
“Mendoj se këta deputetë duhet të prisnin dhe të mos i bënin publike qëndrimet e tyre kundërshtues nëpër media, sepse dashur pa dashur ata veçohen nga një forcë politike që kërkon diçka tjetër. Ata mund ta bënin pak më vonë të ditur në media këtë propagandë, pasi më parë duhet të luftonin brenda strukturave të partisë. Në forume ata duhet të ngrinin shqetësimin që ata kanë në raport me vendimin e partisë, por jo të dilnin nëpër media dhe të bënin këto deklarata të prera”