Dritëhije të regjimit të Tiranës

0
22

Nga Besnik Gjongecaj

Në rolin e njeriut që prej kohësh nuk thotë të vërtetën, sekretari i përgjithshëm i PD iu vuri pikat mbi “i” të gjitha diskutimeve që po bëhen në prag të Kuvendit të PD, kur, në një dalje publike, tha tri gjëra njëherësh: sëpari, nuk do të ketë ndarje postesh, sëdyti, statuti do të ndryshojë në përputhje me ligjin elektoral; së treti, në PD do të aplikohet demokracia hierarkike dhe jo demokracia e drejtpërdrejtë, pra, nuk do të aplikohet zgjedhja e autoriteteve të partisë sipas sistemit një anëtar një votë, por sipas votës së deleguar. I përgatitur për atë që duhet të thoshte, ai renditi shpejt e shpejt tri arsye pse nuk do të ketë ndarje postesh në PD: nuk ka ndarje postesh sepse postet partiake dhe qeverisëse nuk i ndajnë as partitë popullore europiane, sepse nuk ka një kërkesë konkrete të depozituar në parti, sepse këtë e di Kuvendi dhe askush tjetër. Lehtësisht mund të dallosh që vetëm një prej tri arsyeve të përmendura mund të qëndrojë e vlefshme dhe të thëna të trija menjëherë ato eleminojnë njëra tjetrën.

Pra, nëse do të ndiqet modeli i partive popullore, pse duhet pritur për një kërkesë konkrete të depozituar, apo, pse duhet të pritet se ç’vendim mund të marrë Kuvendi. Nëse pritet një kërkesë konkrete si kusht për të kërkuar që Kuvendi të marrë një vendim, pse duhet të diskutohet kjo kërkesë në Kuvend kur dihet modeli i partive popullore që pranohet si i tillë dhe do të duhet të ndiqet. Më së fundi, vërtet ka ndonjë që mendon se është e pamundur që Kuvendi i PD të diskutojë çështjen e ndarjes së posteve vetëm sepse nuk ka një kërkesë “konkrete” dhe madje, edhe sikur të mos ekzistonte një model i partive popullore?! Thjesht, të thëna të trija njëherazi, “arsyet” vetëleminohen dhe ajo çfarë mbetet nga hiri i tyre është thjesht ajo “gjëja” që ky njeri i kupolës thotë që në fillim: nuk do të ketë ndarje postesh, ose më saktë, ata që janë në krye të PD dhe të qeverisë sot, do të jenë po të tillë edhe nesër dhe pikë. Por le të vazhdojmë arsyetimin rreth pohimeve të të tjera të tij, gjë që bëhet gjithmonë e më “interesante”. Sekretari i përgjithshëm i PD thotë që statuti do të ndryshojë në përputhje me ligjin elektoral.

Me siguri që në këtë rast edhe vetë ai nuk kupton se ç’thotë, por sido që të jetë, para se të kërkojë ndryshim të statutit, në çfarëdo drejtimi qoftë, ky njeri i kupolës duhet të spjegojë pse nuk është zbatuar statuti i sotëm në asnjë nen të rëndësishëm të tij, në krejt kohën në të cilën ai ka qenë sekretar i përgjithshëm i kësaj partie. Ç’nen duhet ndryshuar, ç’paragraf, në një statut që nuk është?!. Sekretari i përgjithshëm i PD thotë se PD do të aplikojë demokracinë hierarkike dhe jo demokracinë e drejtpërdrejtë në zgjedhjen e autoriteteve të saj, dhe e dini pse? Sepse kur e ka zbatuar këtë parim PS, “me zor ka mbledhur votat e 30% të anëtarsisë së saj”. Paradoksialisht, njeriu i kupolës së PD nuk e gjen pse-në brenda partisë së tij, por te PS. PS ka dështuar në aplikimin e demokracisë së drejtpërdrejtë, prandaj edhe PD s’ka pse ta aplikojë atë, thotë ky sekretar.

Ky është argumenti që jep sekretari i përgjithshëm i PD, partisë së parë të krijuar kundër diktaturës në Shqipëri: nuk e aplikojmë demokracinë e drejtpërdrejtë në parti sepse PS, ish Partia e Punës, krijuesja e diktaturës në këtë vend, ka dështuar në aplikimin e saj, prandaj është më mirë të aplikojmë atë tjetrën, demokracinë hierarkike apo të tërthortë. Edhe njëherë, si në shumë raste të tjera, PD e konsideron PS si sistem referimi të organizimit të vetvetes në fushën e standardeve demokratike!

. . .

Kuptohet lehtësisht që arsyet e renditura nga ky sekretar janë kot, sa për sy e faqe, të rregulluara keq, të thëna me arrogancë. Në fakt, janë pak më shumë. Janë një shpërthim i “unit” të një njeriu me të cilin nuk mund të “krruhesh” për shkak të pushtetit që zotëron dhe njëherazi, të një njeriu që nuk i “kërcet” fare se çfarë thotë, mjafton që thotë diçka, ekzaktësisht si kolegu tij i turizmit. Ky njeri i lidhur me qarqet puniste në vitet e para të demokracisë, që dikur i binte derës time në rektoratin e Universitetit Bujqsor të Kamzës për t’u qarë se studentët nuk e pranonin në auditor, sot, me një arrogancë që nuk arrin dot as ta fshehë sadopak, i ftohtë akull, i pamëshirshëm, iu thotë publikisht demokratëve se si do të duhet jetë Kuvendi i tyre, ç’vendime do të duhet të marrë, si do të aplikohet demokracia në parti, dhe të gjitha këto të thëna në një mënyrë që askush të mos guxojë madje të mendojë ndryshe, lëre pastaj t’i kërkojë llogari pse ai dhe kryetari i PD nuk e kanë zbatuar statutin por e kanë shndrruar atë në një fletushkë të harruar diku prapa dyerve të selisë dhe akoma më shumë, pse PD është shndrruar në një mjet politik jo për të ndihmuar vendosjen e demokracisë në vend, por për të kundërtën, për të krijuar një regjim që vetëm demokratik nuk është.

Gjithsesi, askush nuk do të guxonte të mbante këtë qëndrim arrogant, madje as vetë kryetari i PD, nëse nuk do të ishte gjetur një shkak aparent, pa çka se jo real, dhe nëse nuk do të ishte frika e stërmadhe e humbjes së pushtetit në parti, frikë që do të duhet të fshihet me kujdes nën këtë shkak. Shkaku aparent është se ky ekip në krye të PD dhe të qeverisë njëkohësisht duhet të qëndrojë po kështu edhe në të ardhmen sepse fitoi zgjedhjet e 28 qershorit dhe arriti të mbajë PD në pushtet. Siç e kam theksuar edhe më parë në faqet e kësaj gazete, në pikpamjen elektorale, edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha zgjedhjet politike dhe lokale që janë zhvilluar në Shqipëri (14 gjithsejt, nëse do të përshijmë edhe dy referendumet për miratimin e kushtetutës përkatësisht të viteve 1994 dhe 1998), me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 1992 dhe zgjedhjeve lokale përgjithsisht të pranuara të vitit 1996, të paktën në dhjetë prej tyre, PD ka marrë më pak vota se PS. Pra, ekipi drejtues i PD, me në krye kryetarin e saj, thjesht, më 28 qershor e çuan PD në një humbje të re ndaj PS. Kaq do të ishte e mjaftueshme që krerët e kësaj partie të jepnin dorëheqjen, t’i hapnin rrugën të dyjave, si reformës së vërtetë statutore ashtu edhe zgjedhjes reale të autoriteteve dhe organeve të partisë. Të gjitha këto nuk ndodhën, madje as nuk thuhen, por zëvendësohen me kërcënimin e dhëmbëve të sekretarit të përgjithshëm, nën të cilin, si pas çdo kërcënimi, qëndron frika, kësaj rradhe ajo e humbjes së pushtetit.

. . .

Ka kohë që krerët e PD, pa përjashtim, si ata që janë, ashtu dhe ata që nuk janë në qeverisje, kanë adoptuar një qëndrim të dyfishtë në daljet e tyre publike dhe jo vetëm. Ata thonë ekzaktësisht atë që nuk mendojnë, atë që në fakt është e pamundur, atë që nuk ekziston. Është si në kohën e totalitarizmit: punistët flisnin gjithë ditën për barazinë ekonomike, ndërkohë të gjithë e kishin mëndjen pikërisht te ajo të cilën nuk e përmendnin kurrë, pra te paraja. Kështu po ndodh edhe sot. Qeveria do të nxjerrë një fond prej 55 miliard lekë të reja për ta përdorur për investime në zona të ndryshme të vendit, duke i hequr autoriteteve vendore të drejtën e përdorimit të këtij fondi sipas prioriteteve që ata kanë. Sekretari i përgjithshëm i PD, në rolin e ministrit të financave, tha publikisht se autoritetet lokale nuk mund ta përdorin këtë fond efektivisht, pasi eksperienca ka treguar që ata e devijojnë fondin e investimeve në fond pagash apo në financim të veprimtarisë operative. Rrjedhimisht, këtë fond që do të duhet ta përdornin lokalët, do ta përdorë një ekip qeveritar apo miks me në krye kryeministrin. Ekzaktësisht kemi të bëjmë më një mentalitet punist. Çdo gjë e dinë “shokët atje lart”, të cilët nuk gabojnë asnjëherë. Sjelljen institucionale, ashtu si në partinë që tashmë është vetëm e tij, ky sekretar e shndrron në një çështje personalitetesh, me ose pa integritet. “Shokët atje lart” do ta përdorin fondin e investimeve të destinuar për lokalet pasi nuk kanë besim se këtë fond do ta përdorin drejt “shokët atje poshtë”, të cilëve nuk iu “dhimbset” vendi i tyre, ose janë më pak të ndershëm se “shokët atje lart”. Kisha kohë që nuk e kisha dëgjuar nga një eksponent i PD të formulonte kaq hapur këtë mentalitet punist, me anë të të cilit, shkelet me të dyja këmbët parimi esencial i zgjedhjes së problemeve atje ku lindin, si shtyllë e decentralizmit. Gjithsesi, është vetëm ajo që duket. Prapa saj, pra ekzaktësisht ajo që nuk thuhet, është vullneti politik negativ për të përqëndruar paranë, sëbashku me të pushtetin dhe për t’i lënë të tjerët jasht, të papërfshirë, çka përbën në thelb edhe bazën më të gjerë frymëzuese të korrupsionit dhe atë të padrejtësive në zgjedhjet politike të ardhshme. Ky është rast i fundit, por që pason me dhjetra e qindra raste të tilla në praktikën e kësaj qeverisje, të cilat mund të evidentohen thjeshtësisht dhe vetëm duke ndjekur paratë e mbledhura nga taksat e shqiptarëve kur “udhëtojnë” nga buxheti i shtetit deri në nivelin ku merret vendim për përdorimin e tyre. Nëse ndiqen “gjurmët e udhëtimit” të parave, do të konstatohet pothuajse në të gjitha rastet që vendimet për përdorimin e tyre nga një institucion i caktuar merren gjithmonë jasht këtij institucioni dhe madhësia e fondit që arrin këtë institucion është përcaktuar gjithmonë ose mbi baza voluntariste ose mbi bazë të historikut dhe asnjëherë mbi bazë të një modeli të caktuar që merr në konsideratë parametra të vetë institucionit. Është kjo arsyeja më esenciale pse institucionet tona, veçanërisht ato që lidhen me arsimin dhe shëndetsinë, janë të pamotivuara, të vendosura në një sistem si në kohën e totalitarizmit, prandaj edhe thellësisht të prapambetura si të tilla. Një qëndrim i dyzuar ka kohë që mbahet edhe me të ashtuquajturin sistem të Bolonjës. Qeveritarët dhe njerëzit e sponsorizuar prej tyre flasin për adoptimin e këtij sistemi në Shqipëri, ndërkohë që sistemi i ynë i arsimit të lartë ka kohë që nuk ka asnjë pikë të përbashkët me procesin e Bolonjës, në të gjitha pikpamjet, përfshi edhe atë legjislative. Studentët nuk e kanë kuptuar akoma këtë gjë. Por shumë shpejt, megjithatë, ata do të ndërgjegjsohen dhe do të bëjnë disa pyetje rreth mungesës së ngjashmërisë së shkollës së tyre me shkollat europiane. Ky do të jetë ekzaktësisht momenti në të cilin qeveritarëve tanë do t’u duket vrima e miut njëqind grosh.

. . .

Në Shqipëri nuk ka një qeverisje demokratike, por një regjim, i cili, për shkak të mënyrës se si funksionon, ngjan më shumë me regjimin punist të së shkuarës. Ai mbështetet në tri shtylla tashmë të ravijëzuara mirë: sëpari, pushteti është i centralizuar dhe vazhdon të centralizohet gjithmonë e më shumë dhe në më pak duar; sëdyti, dyzimi i mendimit dhe i realitetit, pra thënia e asaj që nuk mendon apo bërja zyrtare e një realiteti virtual që zëvendëson atë të vërtetin është kthyer nënjë formë ekzistence; së treti, motivimi si një shtysë në zhvillimin e qytetarit është shndrruar në të kundërtën e tij, në frikë, që lind kur fati i njeriut dhe i karrierës nuk është në duart e tij por të dikujt tjetër. Veçanërisht kjo e fundit ka çuar në lindjen e autocensurës, tregues sinjifikativ i ekzistencës së regjimit, çka është shoqëruar me fitoren e padiskutueshme të të paaftëve dhe të korruptuarve, pra edhe me shanset për ta konsoliduar këtë regjim në të ardhmen. Për shkak të këtij regjimi, Shqipëria ka hyrë në një cikël të mbyllur dhe format normale të daljes prej tij, psh. nëpërmjet fuqisë parlamentare, medies, drejtësisë, janë kallkanizuar, nuk funksionojnë më. Prandaj, revoltat popullore, masive, jo vetëm nga të majtët, por nga të djathtët veçanërisht, mbeten të jenë edhe mjeti demokratik për të dalë nga ky cikël.