Diana Ndrenika, 08.05.2010
Po jetojmë ditë të trazuara, ditë të vështira. Greva e urisë në qendër të Tiranës, kërkon nga çdo shqiptar vëmendje, reflektim dhe kontribut. Në vend të kësaj, kemi shpesh një tip zhurmnaje për praninë e grave në të, madje edhe protesta të pakuptimta grash. Gra protestuese që thonë se janë kundër pjesëmarrjes së grave në grevën e urisë (!!).
Në thelb, kumte të tilla janë, së pari, një hap i madh prapa në luftën për emancipimin e gruas në Shqipëri. Të përjashtosh gjysmën e popullsisë nga e drejta themelore e njeriut për të protestuar, – nëpërmjet formës së grevës apo formash të tjera, – i ke thënë një PO të madhe pabarazisë gjinore.
Në një kohë kur pretendojmë se gruaja është një pjesë e qenësishme e shoqërisë dhe jetës politike, partnere e barabartë me kolegët burra, ndeshemi me një mentalitet të tillë përjashtues. E për më tepër, kësaj here, mbartëse të kësaj mendësie bëhen vetë gratë. Harrojnë ose bëjnë sikur harrojnë se të drejtat e njeriut janë pa dyshim të drejta të gruas po aq sa edhe të burrit.
Sidoqoftë, është interesante të shohësh se kjo betejë për votën e lirë nxori në dritë të vërtetën për hendekun e madh që ekziston midis dy forcave kryesore politike në Shqipëri, për sa i përket rolit dhe vendit të gruas në shoqëri.
Njëra palë në kauzë, tjetra e shpërdorur, njëra palë e barabartë, e tjetra që thotë “dilni andej se jeni gra”. (!)
Sot është dita e fitores europiane ndaj fashizmit. Është 65-vjetori i kësaj fitoreje të madhe. Nuk mund të rikujtosh këtë datë pa sjellë në mendje se edhe në Shqipëri gratë luftuan fort krah burrave.
Në momentet historike të rëndësishme të vendit, gratë kanë qenë prezentë, aktive, të forta, të drejta, të mençura, shoqe dhe partnere ideale. Natyrshëm, ato sjellin në partneritet dëlirësinë, idealizmin, kthjelltësinë e gjykimit të tyre të pastër, të pa kompromis. Kjo, sepse prej natyre gratë janë të drejta dhe krijojnë balancën e duhur në familje e në shoqëri. Aty ku gratë janë prezent, aty ke besim të shtuar se kauza është e drejtë dhe e vërtetë.
Gratë janë luftëtare kundër çdo pabarazie e padrejtësie. Gruaja shqiptare në veçanti, për vetë kushtet e dhe rrethanat e vendit, ka sakrifikuar shumë për t’i bërë vend vetes në familje dhe në shoqëri si e denjë dhe e barabartë.
Nëse duhen emra, janë edhe ato: Shote Galica luftoi krahas të shoqit, por dhe e vetme pas vdekjes se tij. Margarita Tutulani, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Ramize Gjebrea, Musine Kokalari e sa e sa të tjera gra të iluminuara kanë luftuar jo vetëm me forcën e mendjes, por dhe të pushkës kur është dashur kontributi i tyre për vendin.
Janë gra heroina, gra të vërteta që iu kundërvunë fashizmit, nazizmit, komunizmit, iu vunë përballë dhe nuk i bënë karshillëk llumit së diktaturave. Luftuan fort, sepse gruaja, e para, nga vete sensi i ekuilibrit që i buron natyrshëm brenda vetes, nuk duron dot shtypje e nëpërkëmbje.
Drita Kosturi është një figurë gruaje që më ka impresionuar prej vitesh. Në krye të herës, isha kurioze për të, së pari, për faktin intrigues që kish qenë e fejuara e një heroi idealist, e një djali mendjendriçuar si Qemal Stafa, por më pas kuptova se Drita përbënte një vlerë të mëvetësishme, se cilësitë dhe personaliteti i saj ishin të rralla.
Rrëfimi i jashtëzakonshëm i At Zef Pllumbit për ferrin komunist te “Rrno vetëm për më tregue” të lë pas me një respekt dhe adhurim të shumëfishuar për këtë vajzë.
At Zef Pllumbi përshkruan një bashkëbisedim me Pater Palin, për Drita Kosturin, bashkëvuajtëse me ta, në qelitë ku diktatura krahas priftërinjve ndrynte edhe luftëtarët e vetë idealit komunist, sepse diktaturat nuk kanë as vlera, as ideale. Ato tentojnë të rrënojnë pa dallim këdo që i del kundër.
– Patër Pal, je vetëm?
– Tash po.
– Kush ishte ajo Drita Kosturi?
– Nji engjëll i dërguem prej Zotit për me më ngushllue.
– A nuk ke dyshime në te?
– Dyshime? Çfarë dyshimesh! Ajo asht nji vajzë e ditun, idealiste e vërtetë!
– Ajo ka qenë e fejuemja e Qemal Stafës, komuniste!
– Komuniste ndoshta po, por me atë ideal të sinqertë që e karakterizon rininë. Mos i gjyko njerëzit ashtu. Asht nji Amazonë që lufton kundra çdo tiranie, prandej edhe kundër tiranisë komuniste.
Tek lexon për Dritën nuk mund të mos mendosh për miket tona – ato gra heroina, që janë në ditën e tetë të të grevës së urisë në qendër të Tiranës. Është emocionuese, mbresëlënëse, vetëm ta mendosh përse janë ngujuar aty: Janë për një të drejtë që është në bazë të lirive themelore të njeriut.
Beteja për transparencën është në thelb beteja midis dritës dhe errësirës, është beteja për triumfin e të vërtetës aq gjatë të munguar në këtë vend. Ndaj gratë e këtij vendi nuk mundet kurrsesi të mos e thonë fjalën e tyre duke na bërë kështu të gjithëve, – edhe atyre që s’dinë ç’thonë e që janë verbuar nga urrejtja apo padija, – një shërbim shumë të lartë.
Ledi, Shega, Ermonela, Olta, Elisa e Klodi, ju përqafoj. Jam me ju çdo minutë me mendje e me zemër. Me ju dhe me të gjitha to gra e vajza të tjera brenda në grevë apo jashtë saj në protestë. Ju na dëshmuat me sakrificën tuaj se edhe në këto ditë, kur koha i thërret fort secilit prej nesh për kontribut, gratë nuk kane sesi të rrinë mënjanë. Se ato nuk kanë ndenjur kurrë kështu.
Në sytë e mi, vajzat dhe gratë pjesëmarrëse në grevën e urisë, janë si Drita Kosturi, janë siç do të thoshte At Zef Pllumbi, amazona që luftojnë kundër çdo tiranie, pavarësisht ngjyrave me të cilat kjo tirani llangoset.