Dritat e festës dhe qirinjtë e mortit të Lulëzim Bashës!

1
62

Nga Mero Baze, 5 Dhjetor 2011

Dje kam uruar që në Lezhë të mos ketë drita. Në fakt kam uruar që në periferi të Lezhës, në një fshat ndanë rrugës së vjetër për në Shkodër – në Grykë-Manati, të mos ketë pasur drita gjithë mbasditen deri vonë në mbrëmje dhe të mos ketë as nesër paradite. Jam i sigurt se banorët e atij fshati do t’ia falin CEZ këtë radhë këtë mungesë, që dhe ashtu ka filluar shpeshtohet. Do të ishte krim të lëshoje dritat në atë fshat dje në mbrëmje, ku jetojnë dy vajzat e mitura të Aleks Nikës, njëra ende pa mbushur dy vjet dhe tjetra 5 vjet.

Jam i sigurt se po të ketë drita, ato do të mahniten nga pamjet e bukura që transmetojnë ekranet e qeverisë, një djalë i gjatë i pashëm si Enver Hoxha në moshë të vet, me një grua të stërmunduar të zbukurohet me firmato të shtrenjta dhe një fëmijë të pafajshëm për dore si ato. Vajzat do të mahniten pas ekraneve, do të shikojnë lumturinë e vajzës së djalit të gjatë që i ngjan Enver Hoxhës dhe gruas së tij të stërmunduar për t’iu përshtatur luksit që e rrethon, e për një moment mund të bëjnë gabimin fatal që mund të shkrehë në lot nënën e tyre, duke e pyetur “Kush është ai Xhaxhi që po ndez atë pemën e bukur”?

Nëna e tyre nuk i përgjigjet dot kësaj pyetje. Nuk ka fuqi as tu kthejë përgjigje dy vajzave jetime të Aleks Nikës. Ai Xhaxhi që bën si i lumtur mes fëmijëve që pozojnë në ekrane, është ai që i ka lënë jetime dy vogëlushet në një fshat, që shpresoj që mbrëmë të mos ketë pasur drita. Që ato të mos e shikojnë atë tmerr.

Uroj që skenën mos ta kenë parë as fëmijët e Hekuranit, shumë afër Tiranës. Imazhi i tyre pas xhamave plot avull të shtëpisë duke ndjekur ikjen e arkivolit të babit të tyre nga shtëpia, është ekrani i vetëm televiziv që ata mund të shikojnë qyshkur kanë mbetur jetimë. Ndryshe nga dy vajzat e Aleksit, ata janë më të rritur. Ata nuk ka nevojë tu thotë dikush kush është ai xhaxhi që po ndez dritat e festës në Tiranë. Ata e dinë. Është vrasësi i babait të tyre.

Ana, po ashtu në një fshat të zymtë të Myzeqesë, uroj mos ta ketë parë atë skenë mbrëmë në darkë. Nuk di nëse CEZ e ka përfshirë apo jo në kufizimet e dritave Libofshën, por uroj ta ketë bërë. Ajo është në moshën që mund të dilte me shoqet e gëzuar dhe të vraponte për të gjetur bredhin e Vitit të Ri. Nuk e bën dot se është e varfër, dhe prej 21 Janarit të vitit të kaluar edhe jetime. Ajo dhe dy vëllezërit e saj e njohin njeriun qe shtiret i lumtur në mes të Tiranës. Është ai që nuk i lë sivjet të jenë të gëzuar për Vitin e Ri. Pas xhamave të blinduar të kryeministrisë, ai që shtiret i lumtur në mes të Tiranës ka urdhëruar vrasjen e babit të Anës. Ana e pa direkt në ekran si u rrëzua babai i saj dhe si e poshtëruan duke i thënë “kokëpalarë”.

Shpresoj po ashtu që djali i mbetur i Faik Myrtajt të mos ketë qenë para ekranit dje dhe as sot paradite. Këto qendrat e zërit të qeverisë i përsërisin shumë shpesh lajmet kriminale dhe atij mund t’i ndodhë ta shikojë. Dhe do trishtohet shumë se përveç babait të vrarë në bulevard do t’i ringjallet kujtimi i vëllait të vrarë në kodrën më të afërt të fshatit, nga dëshpërimi që nuk kishte si të ndjehej i qetë pa ikjes së babait. La një mesazh për ne të gjallët, bëri një shenjë dhe iku pas të atit.

Uroj që dje të ketë pasur drita Ina Rama. Kryeprokurorja, që e mbulon zemërimin e juristes me qetësinë e femrës së hijshme, duhet ta dijë se më shumë se sa krimi i 21 Janarit në bulevard, shqiptarët i vret buzëqeshja e shtirë e këtij vrasësi në mes të Tiranës, vjedhur po ashtu ligjit me kostumin e kryebashkiakut. Uroj të ketë pasur drita dhe durim për t’i parë kronikat televizive, ku njeriu që shtiret se po u sjell lumturi fëmijëve të kryeqytetit duke marrë për dore fëmijën e tij të veshur me 5 mijë euro rroba firmato, në fakt shkakton revoltë jo vetëm tek fëmijët që ka lënë jetimë, por tek çdo shqiptar, i cili vitin e parë të mortit nuk feston kurrë Vit të Ri. Uroj që kryeprokurorja të ketë larguar së paku fëmijët e saj nga ekrani, pasi mund ta pyesin: “Pse nuk e arreston këtë Xhaxhin”?

Uroj që ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, dhe ai i Bashkimit Evropian, Sekui, t’i kenë parë lajmet. CEZ nuk ka pushtet në rezidencat e tyre dhe ata kanë drita. Shpresoj t’i kenë parë lajmet për të kuptuar se çfarë i mungon festave të këtij fundviti. I mungojnë katër qytetarë të pushkatuar për liri politike, që në vendet e tyre janë fituar dy shekuj më parë. Por më shumë se katër qytetarë, i mungon morali i vrarë i Perëndimit, që toleroi vrasjet politike dhe i barazoi ato me të drejtën për të shpërthyer në revoltë ndaj një qeverie që të injoron çdo plagë.

Uroj që t’i ketë parë ato kronika Presidenti Topi, kryeopozitari Rama, dhe gjithë klasa politike në Shqipëri. Është një traditë shqiptare, që çdo Vit i Ri që vjen pas një morti, nis me kujtimin për ata që ikën. Uroj që të jenë ndjerë keq kur kanë parë duke u shtirur sikur qesh një kryebashkiak, që nëse do të ishte aty me votat e popullit, do të duhej të niste këto festime së paku me një qiri për shpirtrat e katër qytetarëve të këtij vendi, që janë vrarë në këtë qytet, në fillim të këtij viti.

1 COMMENT

  1. Duke lexuar keto rrjeshta e vetmja gje qe me shkon ne mend eshte fjala PARADOKS.
    Nuk e di kujt i sherbejne keto rrjeshta?
    Nuk e di a sherbejne keto rrjeshta?
    Nuk e di deri kur kur do te lexojme nga keto rrjeshta?
    Por nje gje e di shume mire,perse e beri deklaraten Gjergj Fishta: Le ta dije gjithe bota mbare…………

Comments are closed.