Dritaret shqiptare pa pamje

0
49

Der Standard, 17 Korrik 2013

Si një oktapod gjigand e ka rrethuar shtëpia e madhe e bardhë, shtëpine e vogël me ngjyrë të verdhë. Distanca ndërmjet tyre në nje pikë është vetëm 14 cm. Nëse hedh sytë nga dritarja e shtëpisë së verdhë, përjashta shikon vetëm një mur. „Dhomë pa pamje“ në Shqipëri nuk është ndonjë ndodhi e rrallë. Në vitet e kaluara, sidomos në qytetet bregdetare Vlorë e Durrës, bumi i ndërtimit ka varrosur pothuajse çdo planifikim urban të qyteteve. Shumë ndërtesa janë ndërtuar ilegalisht. Për lejet e ndërtimit duhet të paguash nën dorë, thonë qytetarët.

Pronari i shtëpisë së verdhë, Ndriçim Metaj, është në proces gjyqsor qysh prej vitit 2009, por pa sukses. Çështja është tani në Gjykatën e Lartë. Sipas ligit të urbanistikës pallati që është ndërtuar duhet të ishte të paktën 8 metër larg. Leja e ndërtimit parashikonte vetëm 2,4 metra, por edhe kjo nuk është zbatuar nga firma e ndërtimit. Në një vend ndërtesa e re është ngjitur me shtëpinë e zotit Metaj. Së pari për ndërtesën e re u miratuan 4-5 kate, kurse tani ajo është 8 kate.

Pallatet i lënë të ngrihen

„Këta i lënë pallatet të ngrihen sepse atëhere nuk mund t’i prishin“, sqaron Doriana Sulaj, punonjëse e zyrës së urbanistikës në Vlorë, strategjinë e ndërtuesve. Në qytete të tjerë bregdetarë janë prishur shumë ndërtesa, por jo në Vlorë. « Ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë sepse në këto pallate banojnë njerëz », thotë Sulaj.

Sipas vendimit gjyqsor në shkallën e parë, pallati duhet të ishte të paktën një metër larg, por edhe kjo nuk ndodhi kurrë. Për rastin në fjalë, për shpërdorim të detyrës, është dënuar penalisht edhe një punonjëse e Bashkisë që ishte përgjëgjese për dhënien e lejeve të ndërtimit.

Në rastin e zotit Metaj jane shkelur të paktën shtatë paragrafe ligjore. „Në Shqipëri fiton ai që i jep më shumë lekë gjyqtarëve“, thotë ai i dëshpëruar. Dritarja pa pamje mund të merret edhe si shembull për luftën pa shpresë kundër korrupsionit në Shqipëri. “Ne kemi një shtet shumë të dobët”, thotë nëpunësja Sulaj. Deri tani pushteti qendror dhe ai vendor kanë penguar njeri-tjetrin sepse dominohen nga parti të ndryshme, sqaron Sulaj. Ajo shpreson në një fund të kësaj rruge qorre ku është futur Vlora, pas zgjedhjeve parlamentare.

Në një plan në kompjutër, ajo tregon shtëpitë që janë planifikuar për t’u prishur sepse janë ndërtuar në mënyrë ilegale. Prej dy vjetësh në Vlorë nuk duhet ndërtuar më. « Qysh prej vitit 2008 është vënë re se janë miratuar më shumë leje ndërtimi se sa duheshin », tregon Sulaj. Megjithatë përsëri ngrihen ndërtesa të reja në kodrinat e bregdetit ku më të shumtat janë bosh. Çmimet kanë rënë.

Përkthyer nga gazeta prestigjoze austriake « Der Standard » Autore Adelheid Wölfl