TemA, 17 Korrik 2012
Aleanca KuqeZi ka denoncuar sot dhunën e ushtruar nga Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha ndaj aktivistëve të tyre. Mbrëmjen e së hënës disa aktivistë të Aleancës KuqeZi kanë qenë dukë shpërndarë disa postera dhe fletëpalosje të Aleancës KuqeZi në zonën e rrugës “5 Maj”. Drejtori i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha, i shoqëruar nga disa persona pa uniformë, ka ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj aktivistëve të Aleancës KuqeZi.
“Aleanca KuqeZi denoncon dhunën verbale dhe fizike ndaj aktivistit të AK z.Irfan Gjeci i cili me urdhër të Florenc Hoxhës është shoqëruar nga forcat e policisë së rendit në Komisariatin e Policisë numër 4. Aleanca KuqeZi dënon ashpër keqpërdorimin e strukturave shtetërore nga personat e afërt të ish-ministrit të brendshëm Lulzim Basha të cilët kanë precendetë në sjelljen e tyre agresive nga qytetarëve të lire të kryeqytetit,” thuhet në një deklaratë të AK.
“Aleanca KuqeZi i bën thirrje Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që të vendosë nën kontroll strukturat e policisë bashkiake duke e kufizuar veprimtarinë e tyre brenda kuadrit ligjor në fuqi. Policia Bashkiake nuk gëzon asnjë të drejtë për të ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj qytetarëve të kryeqytetit. Florenc Hoxha ka përdorur fyerje personale ndaj aktivistëve të Aleancës KuqeZi, fyerje që kanë kapërcyer çdo norme etike që duhet të respektojnë funksionarët e pushtetit vertikal dhe horizontal.
Emërimet arbitrare dhe mbi baza partiake dhe militante të kryetarit të Bashkisë së Tiranës në strukturat e Policisë Bashkiake e kanë kthyer këtë sektor në shërbim të publikut në makth për qytetarët e Tiranës të cilët janë përballur shpesh herë me sjellje ordinere të Drejtorit të Policisë Bashkiake Florenc Hoxha i cili qarkullon në rrugët e kryeqytetit me automjete me xhama të zinj si trafikant dhe kriminel,” vijon deklarata e tyre.
Aleanca KuqeZi do të ngrejë një padi ndaj sjelljes agresive të pavend dhe antiligjore të Drejtorit të Policisë Bashkiake.