Matt Braddy, drejtori për Programin pranë “Freedom House”, organizatës së njohur amerikane që mbron demokracinë në votë, në një shkrim të tij të botuar në “Huffington Post” thotë se administrata amerikane duhet të ketë prioritet ndalimin e dhunës dhe destabilitetin në Shqipëri. Brady thotë se një gjë e tillë duhet bërë shpejt pasi vendi po përballet me një krizë kushtetuese. Ai përmend pengesat e Berishës ndaj hetimit për ngjarjet e 21 janarit dhe kërkon që rrënjët e protestës të kërkohen tek korrupsioni e politikat e ndyra. Ai shton se Shqipëria po rrëshqet drejt autoritarizmit, por populli shqiptar po synon ta pengojë një gjë të tillë. Sipas tij, nuk është çudi që njerëzit po protestojnë kundër korrupsionit, pasi Berisha erdhi në pushtet me kartën anti- korrupsion.
Me poshte shkrimi i plote:
Më sytë e botës të drejtuara mbi mijëra tunizianë e egjiptianë që dolën në rrugë në një numër të paprecedent, ka pak njoftime për trazirat në Juglindje të Europës, ku demonstratat në Shqipëri kanë çuar në dhunë.
Shqipëria ka duruar një luftë civile nga fundi i viteve ’90 dhe ofron mësime të rëndësishme për Lindjen e Mesme kur bie fjala për çështjet e korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit, ku qindra e mijëra njerëz në bregdetin jugor të Mesdheut i kanë thënë: “MJAFT”.
Në rastin e Shqipërisë, një video u shfaq së fundmi në të cilën zëvendëskryeministri Ilir Meta (i Lëvizjes Socialiste për Integrim) dyshohej se udhëzonte një vartësin e tij që të vendoste me preferencë për disa kontrata qeveritare. Si rezultat i videos, Meta dha dorëheqjen, edhe pse kryeministri Sali Berisha (i Partisë Demokratike) deklaroi publikisht mbështetjen e tij për zëvendëskryeministrin.
Partia e Berishës mori pushteti në vitin 2005 me një platformë antikorrupsion, kështu që nuk është për tu habitur që mijëra shqiptarë dolën në rrugë më 21 janar për të protestuar ndaj korrupsionit qeveritar e për të ringritur pyetjet në lidhje me manipulimin e votave në vitin 2009. Sipas organizatës së shoqërisë civile MJAFT, të paktën tre shqiptarë u vranë kur policia u vërsul mbi demonstruesit, qindra të tjerë u plagosën, gazetarët u qëlluan dhe u kërcënuan, e më shumë se 150 persona u arrestuan. Garda kombëtare e Shqipërisë thuhet se është përgjegjëse për vrasjet, dy nga të cilat janë kapur në kamera dhe janë shfaqur në TV.
Kryeministri Berisha ka urdhëruar Prokurorin e Përgjithshëm të hetojë vdekjet. Bazuar në gjetjet fillestare, Prokuroria e Përgjithshme ka lëshuar urdhër- ndalime për 6 zyrtarë të gardës kombëtare, që mund të jenë përgjegjës për vrasjet, ose tek e pakta që kanë dhënë urdhrat për të qëlluar mbi civilët. Megjithatë kryeministri pengoi arrestimet, u dha shpërblime anëtarëve të gardës kombëtare që ishin në detyrë më 21 janar dhe ka thirrur një hetim të veçantë nga një komitet parlamentar, që kontrollohet nga ai.
Politizimi në rritje i kësaj çështje në një vend të ndjeshëm ndaj pasioneve parasheh një gjakderdhje më të madhe nëse qeveria nuk detyrohet të hedhë një vështrim më objektiv, jo vetëm tek incidenti, por edhe tek akuzat për korrupsion e politika të ndyra, që sollën dhe protestat.
Fqinji i Shqipërisë, shteti i sapolindur i Kosovës, është akoma më i brishtë dhe një paqëndrueshmëri rajonale mund ta minojë atë që në faza të hershme. Luftërat e Ballkanit të viteve ’90 nuk janë kujtim i largët, ndërsa Richard Holbrooke, që vlerësohet gjerësisht si njeriu që i dha fund luftërave në Bosnje e Kosovë, është ndarë nga jeta vetëm një muaj më parë. Parandalimi i dhunës dhe destabilitetit në këtë rajon duhet të jetë një nga prioritetet e administratës amerikane, por ajo duhet të punojë ngushtë me Bashkimin Europian, Organizatën për Sigurinë e Bashkëpunimin në Europë dhe të tjerë aktorë multinacionalë. Dhe kjo duhet bërë sa më shpejt për shkak se në Shqipëri është shpalosur një krizë kushtetuese.
Gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka zhvilluar- paralel me trazirat e saj- një shoqëri civile aktive që angazhohet në jetën publike. Kjo është ajo që ndodhi në rrugët e Tiranës më 21 janar dhe do të vazhdojë të ndodhë në rast se nuk adresohen shqetësimet e saj.
Ndërsa mospajtimi është mbytur në mënyrë rutinë në Egjipt e Tunizi, një eksperiment demokratik ka treguar shenja progresi në Shqipëri. Shqipëria hasi një pengesë dhe mund të rrëshqasë përsëri drejt autoritarizmit, por populli shqiptar po përpiqet që të ndalojë që një gjë e të tillë të ndodhë.
Në mënyrë që të dërgohet një mesazh se protestat në rrugë nuk janë të barabarta me kaosin dhe se shprehja legjitime është vitale për një shtet të qëndrueshëm, miqtë e Shqipërisë duhet të marrin tani kohën e duhur për të ndihmuar vendin që të hyjë sërish në rrugën e duhur. Shqipëria sërish ka nevojë për asistencë dhe mbështetje ndërsa e merr veten nga një diktaturë që ka zgjatur 4 dekada, nga izolimi dhe lufta civile. Ajo ka nevojë për vëmendje të vazhdueshme në rëndësinë e shoqërisë civile, strukturave demokratike, zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Dhe pikërisht tani ajo ka nevojë që të shmangë përshkallëzimin e dhunës që mund të dëmtojë progresin e dekadës së fundit. Lëvizjet demokratike që po lindin në mbarë Mesdheun kanë nevojë për sinjale orientimi pikërisht tani.
*Matthew Brady është drejtori i programit pranë Freedom House